Adil Fetahu

ADIL FETAHU: Dr.Ivan Ahell: ÇASJE SISTEMORE PROBLEMIT TË KOSOVËS

Studim serioz për marrëdhëniet Kosovë – Serbi

Dr.Ivan Ahell: ÇASJE SISTEMORE PROBLEMIT TË KOSOVËS

Çështja e statusit të Kosovës është zgjidhur me humbjen e luftës dhe Serbia kurrë më nuk do ta ketë Kosovën në përbërjen e saj. Është me rëndësi që politika e deritashme e Serbisë të ndryshojë rrënjësisht dhe të formohet qëllimi i ri që mund të jetë i realizueshëm –

Ky është lajtmotivi i studimit të Dr.Ivan Ahell, i përshkuar në tërë studimin e tij prej 148 faqesh të formatit A/4, i titulluar: SISTEMSKI PRILAZ KOSOVSKOM PROBLEMU (shq. Çasje sistemore problemit të Kosovës), i filluar në vitin 2004 dhe përfunduar në vitin 2019.

Në të vërtetë, në tetor të vitit 2004, organizata joqeveritare Forumi për Marrëdhënie Etnike, në Beograd,  kishte angazhuar Dr.Ivan Ahell me një grup ekspertësh tjerë për të realizuar një studim me titullin sikur më sipër. Hartuesit e projektit kishin për detyrë të japin përgjigje në pyetjen: ‘’A është e mundur në situatën e krijuar të realizohet qëllimi që Kosovë-Metohia të jenë pjesë e Serbisë’’?

Autori dhe grupi i ekspertëve kanë analizuar karakterin e fenomeneve shoqërore, nga aspekti i interpretimeve të ndryshme, kanë hulumtuar parime,  variante e solucione të ndryshme të zgjidhjes së problemit  me dialog të kulturuar e në mënyrë paqësore, sipas parimit: ‘’jep, që të marrësh, ashtu që ajo që jep dhe ajo që merr nuk do të thotë se janë të barasvlefshme, por obligativisht që asnjëra palë të mos ndihet e humbur’’.

Në analizën e fenomeneve shoqërore, autorët janë nisur që prej vitit 1912 deri në vitin 2005, dhe kanë konstatuar se popujt e ‘çliruar’ nga pushtimi turk, e të pushtuar nga Serbia, nën regjimin e Serbisë e kanë pasur gjendjen më keq sesa nën regjimin turk! Shqiptarët ishin humbësit më të mëdhenj në Kongresin e Berlinit dhe në Konferencën e Londrës. 

Në studimin e tij, autori përshkruan pozitën e  vështirë të shqiptarëve nën pushtimin serb, që prej luftërave ballkanike e deri më 1999 dhe luftën për pavarësi.

Në historinë më të re, Serbia nuk ka dashur të zgjidhë problemet me dialog të kulturuar (sikur janë zgjidhur midis Çekisë e Sllovakisë), por në dekadën e fundit të shekullit të kaluar ka zhvilluar luftëra brutale , kundër Muslimanëve, Kroatëve dhe Shqiptarëve, madje edhe kundër tërë botës (NATO-s), të cilat kanë shkaktuar izolimin, sanksionet dhe humbjet fatale për Serbinë (Radomir Konstantinoviq).

Sa i përket marrëdhënieve Kosovë – Serbi, shteti paranoik serb, nuk deshi të bisedonte në mënyrë të kulturuar me palën shqiptare, kur ajo nën udhëheqjen e urtë të Ibrahim Rugovës ishte përcaktuar për rezistencë paqësore, por me brutalitetin e forcave policore shtriu dhunën, derisa shkaktoi formimin e UÇK-së dhe aksionet luftarake, vrasje, dhunime, plaçkitje, shpërngulje e deportim të popullsisë shqiptare, duke shkaktuar krizë humanitare, reagimin e opinionit botëror dhe bombardimin nga forcat e NATO-s në mbështetje të luftës së UÇK-s kundër forcave serbe.  Marrëveshja e Kumanovës dhe tërheqja e të gjitha forcave dhe administratës serbe nga Kosova, e ka bërë definitivisht të pamundur kthimin e Kosovës në kuadër të Serbisë

Ngjarjet e kaluara nuk mund të anulohen. ‘’Çështja e statusit të Kosovës është zgjidhur me luftë, dhe Serbia kurrë më nuk mund ta ketë Kosovën në përbërjen e vet. Është me rëndësi që politika e deritashme e Serbisë ndaj Kosovës të ndryshohet rrënjësisht dhe të formohet një qëllim krejtësisht i ri i cili do të ishte i realizueshëm në realitetin e ri’’. Ai qëllim duhet të jetë sigurimi dhe mbrojtja e të drejtave politike, ekonomike, kulturore të pakicës serbe në Kosovë dhe zhvillimi i marrëdhënieve ekonomike midis Serbisë e Kosovës. Në zgjidhjen e problemeve të pakicës serbe në Kosovë, Serbia deri më tash nuk ka bërë asgjë të dobishme, përkundrazi, me politikën e saj i ka shkaktuar më shumë dëme, ndonëse ka pasur mundësi dhe bazë juridike (Rezoluta 1244, Dokumenti i Ahtisarit, Korniza Kushtetuese e Kosovës) të jenë më të dobishme. Bisedimet dhe marrëveshjet e Brukselit për themelimin e Bashkësisë (Asociacionit) të komunave me shumicë serbe sipas dokumentit të Ahtisarit, janë bazë e mirë.

Duke analizuar aspekte të ndryshme të historisë së marrëdhënieve dhe konfliktit midis shqiptarëve e serbëve, që prej fillimit të shekullit XX, konstaton se lidhja (bashkimi eventual) i Kosovës me Serbinë do t’i shkaktonte Serbisë katastrofë financiare, demografike dhe sociale. 

13 situata problematike dhe 13 gabimet strategjike të Serbisë

Në pjesën e parë të studimit autori ka analizuar 13 situata problematike që kanë pasur reperkusione në marrëdhëniet Kosovë – Serbi, dhe ka vlerësuar se në të trembëdhjetë situatat udhëheqësit e Serbisë kanë gabuar me reagimet e tyre joadekuate, me të cilat  kanë humbur shansat për realizimin e qëllimeve  të tyre strategjike.

  1. Situata e parë problematike ishte kriza shtetërore e RSFJ-së, në periudhën 1980-1990. Sipas autorit, shtetin e RSFJ e kanë mbajtur tri shtylla: Tito, Partia dhe Ushtria.  Me vdekjen e Titos (1980) u rrënua shtylla e parë. Me shpërbërjen e PKJ në Kongresin 14 (1990) u rrënua shtylla e dytë. Atëherë delegacionet e Sllovenisë dhe Kroacisë propozuan që Jugosllavia të formohet si shtet konfederal, me decenralizim të pushtetit, për të çliruar potencialin e zhvillimit të republikave e krahinave.  Por, Serbia nuk e pranoi atë propozim, dhe   në vitin 1990 miratoi Kushtetutën e vet pa i konsultuar njësitë e tjera federale, me të cilën shkeli Kushtetutën e vitit 1974 dhe ua mori krahinave kompetencat e pushtetit shtetëror,  kështu e bëri të pamundur jetën e përbashkët me Serbinë e centralizuar.
  2. Situata e krijuar me Kushtetutën e Serbisë (shtator 1990), me të cilën lavdëroheshin se ‘’Serbija iz tri dela, postala cela’’ (Serbia prej tri pjesësh, u bë një e tërë) shkaktoi probleme në raportet Kosovë – Serbi dhe në nivel të federatës.  Me këtë u hap problemi i statusit të Kosovës dhe u helmuan marrëdhëniet midis popullit shqiptar dhe atij serb. Shqiptarët krijuan jetën e tyre paralele, ndërsa republikat e tjera miratuan kushtetutat e tyre të pavarësisë.    
  3. Situata pas Komisionit të Arbitrazhit të Badinterit (1991) për sukcesionin e RSFJ-së. Komisioni konstatoi se RSFJ nuk ekziston më; se asnjë  nga shtetet sukcesore nuk kanë të drejtë ta trashëgojnë anëtarësinë e RSFJ në organizmat ndërkombëtare; se RFJ (Serbi e Mali ZI) është shtet i ri dhe nuk mund të konsiderohet trashëguese e RSFJ; dhe se  kufijtë midis njësive federale konsiderohen kufij shtetëror, të cilët nuk mund të ndryshohen me dhunë por vetëm me marrëveshje; se shteti definohet si bashkësi e cila ka territorin dhe popullin nën pushtetin politik të organizuar, shteti me këto veti është sovran. RFJ (Serbi+Mali Zi), u shkëput nga anëtarësia në KB, dhe tek në vitin 2000 është pranuar (kthyer) atje. Me refuzimin e vendimit të Komisionit të Badinterit nga ana e Serbisë, sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën ishte pikëpyetje, sepse Kosova nuk duhej të mbetej nën pushtetin e Serbisë, përveçse me dhunë.
  4. Situata problematike pas Marrëveshjes së Vashingtonit (maj 1993). Fuqitë e Mëdha kishin arritur një marrëveshje, sipas së cilës Bosna e Hercegovina të jetë shtet unik; integriteti i Maqedonisë nuk guxon të rrënohet; ndërsa Kosovës  t’i kthehet shkallë e lartë e autonomisë në kuadër të RFJ-së, sipas kushtetutës së vitit 1974; të gjitha republikat mbetën në kufijt e tyre. Por, Serbia nuk e pranoi as këtë marrëveshje, me çka rrezikoi interesat e veta.
  5. Situata e krijuar me shkeljen e parimeve humanitare të caktuara me konventat e Gjenevës, me krimet kundër njerëzimit që kryenin forcat ushtarake, policore e paramilitare të Serbisë kundër popullsisë civile shqiptare në Kosovë shkaktuan indinjatën e opinionit botëror.
  6. Situata me rezistencën paqësore disavjeçare të shqiptarëve, nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës,  politikë kjo që fitoi simpatinë dhe përkrahjen e fuqive të mëdha: ShBA, Angli, Francë, Gjermani dhe të shteteve tjera të BE e të botës, dhe  nga shkaqet humanitare shkaktoi indinjatën kundër Serbisë. 
  7. Situatë tjetër problematike  u bë  për shkak të refuzimit të planit të Grupit të Kontaktit (1993). Sipas atij plani (Grupin e Kontaktit e përbënin përfaqësuesit e ShBA-ve, Bashkimit Europian dhe Rusisë, v.j.), Kosova do të mbetej në RFJ/ Serbi, me autonominë e vitit 1974. Politikanët serbë e refuzuan edhe atë plan, që ishte në favorin strategjik të Serbisë.
  8. Situata e krijuar pas negociatave të Dejtonit (nëntor 1995). Për ato negociata ka qenë e paraparë të bisedohet edhe për statusin e Kosovës, dhe me siguri që aty do të vendosej sipas Marrëveshjes së Vashingtonit dhe planit të Grupit të Kontaktit, dmth. që Kosova të mbetej në kuadrin e RFJ/Serbisë, me autonomi të gjerë, sipas asaj mantrës:  ‘’më shumë se autonomi, e më pak se republië’’. Por, me insistimin e Millosheviqit,  Holbruku e hoqi Kosovën nga rendi i ditës  së bisedimeve në Dejton. Edhe ky ishte gabim strategjik i politikanëve serbë në dëm të shtetit të tyre.
  9. Situata problematike pas bisedave në Rambuje (1999). Edhe në Rambuje palës  shqiptare dhe asaj serbe u ishte ofruar plani (marrëveshja) sipas të cilës Kosova fitonte ca të drejta shtesë, por të mbetej në kuadër të RFJ-së, e  pas tri vjetëve të rishqyrtohej e revidohej, në bazë të vullnetit të popullit. Ishte premtuar që RFJ/Serbia me Kosovën në përbërjen e saj do pranoheshin në Bashkimin Europian. Me qenë se Serbia e refuzoi edhe atë variantë, atëherë sipas Marrëveshjes së Rambujesë, mbeti që me referendum populli i Kosovës të vendosë për statusin e vet. Edhe me këtë politikanët e Serbisë bënë gabim strategjik, në dëm të shtetit të tyre.
  10. Situata problematike e krijuar me veprimet johumanitare të forcave serbe, duke i detyruar me dhunë shqiptarët të pranojnë kushtetutën, ligjet dhe pushtetin e Serbisë, sipas të cilave shqiptarët ishin të privuar nga të gjitha të drejtat politike, civile dhe ekonomike, dhe ishin përjashtuar prej pune dhe vu në rrezik të ekzistencës fizike. Nga aksionet e forcave serbe, përpos dhunës brutale, vrasjeve e masakrave, më se 800.000 shqiptarë ishin deportuar jashtë Kosove. 
  11. Situata pas sulmeve të NATO-s (24 mars – 10 qershor 1999). Për shkak të kokëfortësisë së politikanëve serbë, forcat e bashkuara të NATO-s bombarduan dhe shkatërruan infrastrukturën e forcave dhe ekonominë serbe. Gjatë asaj kohe, forcat serbe kryen masakra në popullsinë civile shqiptare. Sulmet e NATO-s  ishin pasojë e gabimeve fatale të politikanëve serbë, që definitivisht eliminoi mundësinë strategjike për mbrojtjen e Kosovës në Serbi.
  12. Situata problematike pas Marrëveshjes së Kumanovës. Lufta përfundoi me kapitullimin e Serbisë dhe nënshkrimin e Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake në Kumanovë (9 qershor 1999). Kjo ishte situata me pasojat më katastrofale për Serbinë,  ishte fundi i shtetit të Serbisë në Kosovë, kur u detyrua të tërheqë nga Kosova të gjitha forcat e saj policore, ushtarake dhe të pushtetit civil, për të mos u kthyer më kurrë. Sipas asaj marrëveshje, në asnjë rast dhe me asnjë kusht, asnjë forcë e RFJ ose e Serbisë, nuk mund të mbetet as të kthehet në territorin e Kosovës, apo në zonën e sigurisë tokësore, respektivisht të sigurisë ajrore, pa pasur pëlqimin shprehimor paraprak të komandantit të KFOR-it. Kjo është situata me pasojat më katastrofale për Serbinë, e cila injoronte dhe refuzonte të gjitha ofertat për marrëveshje paqësore të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, respektivisht midis popullit shqiptar dhe atij serb.
  13. Situata e krijuar me Rezolutën 1244 të KS të KB, është derivat i Marrëveshjes së Kumanovës. Edhe Rezoluta e përjashton Serbinë nga të gjitha aktivitetet e administrimit në Kosovë; administrimin e përkohshëm civil e merr UNMIK-u, ndërsa mbrojtjen e territorit e marrin forcat e NATO-s (KFOR-i), të cilat sigurojnë ndërtimin e institucioneve të pavarura të Kosovës, deri në përcaktimin e statusit definitiv.

Pjesa e dytë  dhe konkluzionet e studimit

Në pjesën e dytë të studimit: Efektet e UNMIK-ut dhe KFOR-it – ngjarjet që përcaktuan të ardhmen e Kosovës,- autori ka analizuar edhe 13 situata tjera problematike, të zhvilluara para dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, respektivisht të periudhës 2005 – 2015, në të cilat udhëheqësit e Serbisë me sjelljen e tyre joadekuate, definitivisht kanë humbur shansën për të qeverisur Kosovën, apo për ta ndalur procesin e formimit të shtetit të Kosovës.  

Pas analizimit dhe vlerësimit të të gjitha situatave të krijuara në Kosovë, autori konkludon se Serbia nuk ka asnjë shansë të arrijë qëllimin, për ta kthyer Kosovën në përbërjen e Serbisë, prandaj nuk ka arsye të ndërtojë strategji fiktive për një problem që nuk ka zgjidhje. Në situatën e krijuar, Serbia duhet ta ndryshojë qëllimin e saj të deritashëm dhe ta heqë preambulën nga Kushtetuta, sepse ajo është fiktive dhe jo në harmoni me realitetin. Preambula është pengesë edhe në procesin e arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.  Qëllimet e veta  Serbia duhet t’i orientojë me aksione në procese të reja të ndikimit politik dhe ekonomik për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të serbëve në Kosovë, përmes të drejtave të administrimit lokal (Asociacionit të komunave serbe),  me ndihmën direkte ekonomike dhe financiare të Serbisë. Në këtë drejtim Serbia duhet të kërkojë zbatimin e Planit  ‘‘Ahtisari +’’, edhepse Serbia nuk e ka pranuar Planin e Ahtisarit! Nëse politikën e vet nuk e orienton në këtë drejtim, jeta e serbëve në Kosovë do të vështirësohet dhe ata do të vazhdojnë të shpërngulen.

Në pjesën e tretë të Studimit  (fq.98-120), autori ka analizuar indikatorë e faktorë të ndryshëm, për të nxjerrë konkludimin se cilat do ishin dobitë dhe dëmet e kthimit të Kosovës në një bashkësi me Serbinë,   qoftë si federatë, konfederatë apo union. Sipas analizës së autorit, bashkimi në ndonjë nga format e caktuara do ishte më i dobishëm për shqiptarët, dhe më i dëmshëm për serbët. Sidomos dobitë ekonomike për shqiptarët do ishin më të mëdha, nëse do hynin bashkë në Bashkimin Europian. Megjithatë, analiza ka treguar se është e pamundur të arrihet konsensus për çfarëdo bashkimi i dy popujve fqinjë me një histori e të kaluar tragjike. Edhepse pikëpamja ekonomike do ishte në dobi të shqiptarëve, ata prioritet e kanë lirinë dhe shtetin e tyre. 

Pjesa e katërt (fq.122-143) përmban propozimin e një strategjie të re për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Sipas analizës së të gjithë faktorëve dhe situatave problematike të paraqitura në studim, përfundimi del se Serbia e ka humbur Kosovën edhe de facto edhe de iure, dhe kthimi do ishte i dëmshëm për Serbinë. Përpjekjet e Serbisë, që në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ta hapë çështjen e statusit të Kosovës, janë baraz me zero. As strategjia për ndarjen e Kosovës nuk është e pranueshme as nga institucionet e Kosovës as nga faktorët ndërkombëtarë.  Prandaj, strategjinë e re duhet ta ndërtojë në formimin e Bashkësisë së komunave serbe brenda institucioneve të Republikës së Kosovës, si një qendër për mbrojtjen e të gjitha interesave të serbëve të Kosovës. Për këtë duhet të nxjerrë sa më shumë benefite e t’i mbajë lidhjet sa më të ngushta mes Serbisë e serbëve të Kosovës. 

Sipas modelit të strategjisë së re, të cilën e propozon autori në studimin e tij,  qëllimi strategjik i Serbisë duhet të jetë sigurimi dhe mbrojtja e të  drejtave të njeriut e të pasurisë së serbëve si dhe mbrojtja e monumenteve kulturore e fetare. Dhe kjo të realizohet përmes Bashkësisë së komunave serbe, në kuadër të shtetit të Kosovës, pa përzierjen e shtetit të Serbisë.  Për të arritur këtë qëllim, Serbia duhet ta kushtëzojë njohjen e Kosovës me balancimin e interesave të serbëve të Kosovës. Kjo do të caktohej në Marrëveshjen juridikisht të obligueshme, me të cilën Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës, me kushtet që duhet t’i plotësojë. Marrëveshjen do ta konfirmonte Këshilli i Sigurimit të KB.  Kushtëzimi i njohjes së pavarësisë së mbikëqyrur do të afatizohej në 15 vjet. Një grup i ekspertëve, të pavarur dhe pa ‘vija të kuqe’ nga qeveritë, do të përcaktonte detyrat dhe hapat e realizimit të të drejtave dhe interesave të serbëve të Kosovës, sipas formulës ‘Ahtisari +.  Çdo vit do të vlerësoheshin rezultatet e arritura. Nëse vlerësimi është pozitiv, shkohet më tutje, e nëse vlerësimi është negativ, nuk ka ecje përpara, por ka ngelje të atij afati 15-vjeçar. Për këtë është me rëndësi prania afatgjatë e UNMIK-ut dhe EULEX-it në Kosovë.  Poqese përmbushën kushtet e caktuara, pas 15 vjetëve provuese, njohja do të bëhej e pa kushte, por nëse obligimet e caktuara nuk përmbushën, Serbia e tërheq njohjen e Kosovës. 

Në Studim janë formuluar  në një listë me 41 çështje të ndryshme, të cilat duhet të jenë pjesë e strategjisë së re dhe e bisedimeve midis Kosovës e Serbisë për arritjen e Marrëveshjes gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen e kushtëzuar të pavarësisë së Kosovës. Realizimi i kësaj strategjie nuk mund të fillojë pa ndryshimin e kushtetutës së Serbisë dhe heqjen e Kosovës nga ajo kushtetutë, përfundon autori i studimit.  

***

Është e çuditshme se asnjë nga mediat shqiptare dhe as nga politikanët shqiptarë  kurrë nuk e kanë përmendur as trajtuar Studimin në fjalë, ndonëse kryekëput ka të bëjë me çështjen e Kosovës e të shqiptarëve dhe përmban të dhëna të vërteta e vlerësime reale, por përmban edhe teza e sugjerime të cilat janë të papranueshme për Kosovën, si bie fjala teza për ‘’Ahtisari +’’, teza për njohjen e Kosovës me kushte të caktuara e me një afat provues 15-vjeçar, prania afatgjatë e UNMIK-ut dhe EULEX-it në Kosovë, involvimin e Këshillit të Sigurimit të KB ,etj.  

Autori thotë se Qeveria e Serbisë nuk i ka pranuar konstatimet dhe konkluzat e Studimit. Unë mendoj se ajo Qeveri  punon në realizimin e konkluzave për strategjinë e re të propozuar në lidhje me ‘’Zajednicën’’ e komunave serbe, por e mohon atë Studim, sikur e ka mohuar gjithnjë edhe Memorandumin e AKShA të Serbisë, e gjithnjë ka punuar sipas tij. 

Adil FETAHU

Kontrolloni gjithashtu

Nesër, më 4 janar 2024, në ambientet e Radios-Kosova e Lirë, në Prishtinë shënohet 25-vjetori i fillimit të transmetimit të programit

RKL: Kur bëhet fjalë për aferat e korrupsionit e përgjimet në vend, Albin Kurti reagon, sikur Nastradini me palljen e gomarit

Se cili ka qenë Albini i kohës  së opozitës dhe cili është tani, në pozitën …