leoni

Zymer Mehani: VATRA DHE KOMBI KURDOHERË DUAN KËNGË KRENARE

Zymer Mehani: VATRA DHE KOMBI KURDOHERË DUAN KËNGË KRENARE

Populli ynë, gjithmonë përgjatë historisë i ka kujtuar dëshmorët e tij, duke mbajtur gjallë legjendat e tyre, nëpërmjet këngës epike dhe trashëgimisë së heroizmit të tyre nga brezi në brez.

Është diçka fisnike dhe krejt njerëzore për të nderuar dëshmorët e rënë në fushat e betejave, si dhe çlirimtarët, por është gjë e mirë kur të rënët, nëpërmjet këngëve shndërrohen në simbol frymëzimi për gjeneratat e reja. Këngët për dëshmorët dhe çlirimtarët, përkujtimi për ta, dhënia e emrave të tyre institucioneve kulturore, arsimore etj., si dhe shkrimet për aktin e tyre gjer në flijim për liri, pastaj betimi para varreve të tyre, para lapidareve e shtatoreve, të gjitha këto janë shprehje e vlerësimit për aktin dhe figurën e dëshmorëve e të çlirimtarëve.

Një punë të vlefshme në përkujtim të dëshmorëve të kombit dhe të çlirimtarëve, që ranë në luftën e fundit nga radhët e UÇK-së sonë të lavdishme, e ka bërë edhe autori Arsim A. Bajrami, që vërtet u ka ngritur një monument letrar-kulturor dëshmorëve dhe ish-veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e që ishin edhe bashkëluftëtarë të tij.

Njeriut si qenia më e vetëdijshme jetësore i ka hije të ruajë në vete virtytet dhe cilësitë më të larta njerëzore, ndjenjat më të pastërta, më humane, pra edhe dashurinë dhe respektin ndaj dëshmorëve. Kjo është një ndër gjërat që siguron edhe suksesin, jetën më të lumtur dhe të ardhmen e ndritur në paqe dhe në liri.

Të këndosh për dëshmorët, për plagët dhe gjakun e derdhur nëpër beteja për çlirim, si dhe për çlirimtarët, të cilët gjatë luftës i ke pasur krah të fortë në përballje me armikun shekullor, ashtu siç i pati autori i këtij libri, nuk është punë e lehtë, sepse çdonjëri që don ta bëjë një punë të tillë, duhet të ndjejë thellë, të hetojë më së miri vlerat heroike të dëshmorëve e të nxjerrë xhevahire të mrekullueshme poetike, ashtu siç ka bërë autori Arsim A. Bajrami. Ky është fati dhe misioni për çdo krijues. Një fat të tillë, mjaft të rëndë e ka përballuar edhe autori Arsim A. Bajrami, sepse moralisht ka qenë i detyruar, ngase gjatë luftës ishte bashkëluftëtar i tyre, kurse tani në paqe u bë krijues këngësh (artist) i dëshmorëve dhe i çlirimtarëve të lirisë. Këtë gjë ai e realizoi me librin “Kurorë lulëkuqesh”, me këngë e biografi për disa dëshmorë të rënë në Llap e gjetkë gjatë luftës, por edhe për ca ish-veteranë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që u ndanë nga jeta pas luftës.

Autori Arsim A. Bajrami është i vetëdijshëm se shtrëngatat historike, lufta e fundit çlirimtare ndaj okupatorit, ua ka vjedhur rininë e papërjetuar të rinjve dhe të rejave shqiptare, atyre që u detyruan të rrokin armët për liri. E  këtë rini të papërjetuar, këtë fëmijëri të djegur në flakë e ka ndjerë në shpirt dhe e ka përjetuar edhe vetë Arsimi, si pjesëtar i asaj lufte çlirimtare. Duke shkruar për ata trima, me të cilët luftoi edhe vetë, madje duke futur edhe elemente autobiografike në poezitë (këngët) e tij, autori Arsim A. Bajrami vuajtjet individuale të dëshmorëve të lirisë dhe të çlirimtarëve i ka bërë të përgjithshme dhe karakteristike për tërë gjeneratat. Për këtë arsye këngët e tij e kanë përvetësuar një shtresë bukur të gjerë të lexuesve tanë. Vetëm kështu në këtë mënyrë ai dielli simbolik i dritës së lirisë do të na ndriçojë rrugët dhe shtigjet që na dërgojnë drejt ardhmërisë. Që t’i zvogëlojmë vuajtjet nga rrebeshet e jetës, që t’ua tregojmë rrugën e së mbarës brezave të rinj, ne poetët, sikurse edhe autori Arsim A. Bajrami e ndjejmë për detyrë, që duke shkruar për dëshmorët dhe për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të bëhemi zëdhënës të së vërtetës dhe të interesit tonë kombëtar, të shtetit dhe të atdheut tonë. Ky është fundja edhe misioni i artit, i poezisë dhe i këngës, ngase vatra dhe kombi kurdoherë duan këngë krenare, siç janë këto të librit “Kurorë lulëkuqesh” të autorit Arsim A. Bajrami, ngase ato këngë janë shprehje dhe ngushëllim i shpirtit, janë vetë ilaçi që shëron plagët e vjetra dhe janë nxitëse për betejat e reja drejt së ardhmes së lumtur.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …