Adil Fetahu

Adil Fetahu: Marrëveshja e Uashingtonit e mbushur me gjithçka… Analizë juridike dhe politike tekstit të “Marrëveshjes”II

Lexuesi i vëmendshëm do ta vërejë se emërtimin marrëveshje, e kam shti nën thojza, qo do të thotë se nga aspekti i perfeksionit juridik nuk e konsideroj marrëveshje në plotëkuptimin e fjalës. Ai dokument më tepër i përngjet një letre të synimeve të mira për arritjen e qëllimeve të caktuara të dy shteteve, ndonëse askund nuk i emerton si shtete, por vetëm si “palë”, ndërsa palë mund të jenë edhe  dy persona fizik, edhe dy subjekte juridike të llojeve dhe niveleve të ndryshme të një vendi, apo edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kryetari i Serbisë, sapo u kthye nga Vashingtoni, me tërë zërin e tij të shpërndarë nëpër media, pohoi se duke e injoruar dhe mosnjohur subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, ka lidhur marrëveshje bilateriale me ShBA-të, për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Kosovën! Kjo është një gënjeshtër e kulluar, sepse ShBA-të as nuk ishin palë, as nuk janë nënshkruese të “Marrëveshjes” që thotë Vuçiqi. Ajo “Marrëveshje” nuk është as bilaterale, as trilaterale, as multilaterale, por është “unilaterale”, që shkenca juridike nuk njeh të tilla.

Nga aspekti juridik, “Marrëveshja” e arritur për normalizimin ekonomik midis Kosovës e Serbisë, ka të meta, që e vejnë në pikëpyetje, se a është vërtetë një marrëveshje ndërshetërore, apo jo. E para është se tekstin e “Marrëveshjes” nuk e kanë nënshkruar përfaqësuesit e të dy palëve në të njëjtin ekzemplar, por secili në ekzemplarin e vet që ua ka dhënë mediatori. E dyta, vetëm 10 pikat e para, të faqes së pare të “Marrëveshjes” janë të njëjta; pika 16  (në faqen e dytë ku është dhënë nënshkrimi),  është e ndryshme në ekzemplarin e njenës palë nga ajo e palës tjetër.  E treta, për çështjet që është arritur pajtimi dhe është nënshkruar “Marrëveshja”, nuk ka afate të zbatimit, as nuk ka sanksione për moszbatimin, as nuk parashihet kompetenca e ndonjë organi apo institucioni për zgjidhjen e kontestit midis palëve. Kjo do të thotë se për moszbatimin e “Marrëveshjes”, asnjena palë nuk mund të ngritë padi në ndonjë gjykatë apo arbitrazhë kombëtare apo ndërkombëtare.

Megjithatë, për realizimin e një marrëveshje është më e rëndësishme përmbajtja dhe qëllimi, se sa forma dhe elementet formale. Një nga rregullat themelore të interpretimit të marrëveshjeve ndërkombëtare është se ato duhet të interpretohen “bona fide” (me mirëbesim, si qëllimmira), dhe kur marrëveshja është e tillë, atëherë “pacta sunt servanda” (kontrata, marrëveshja është e obligueshme). Nga aspekti juridik-kushtetues, edhe të ishte marrëveshje perfekte nga ana formale, pa u ratifikuar nga kuvendi i shtetit palë, juridikisht nuk është e vlefshme as e zbatueshme (shih: nenin 18  dhe 65 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës). Është çështje tjetër, që pas kësaj “Marrëveshje” qëndron  një fuqi e cila mund t’i detyrojë palët  ta zbatojnë. duke i kërcnuar me masa e sanksione të ndryshme. Dhe, nëse presidenti Tramp i fiton zgjedhjet e 3 nëntorit edhe për një mandat, gjasat për zbatimin e pikave të “Marrëveshjes” janë reale. Por, nëse në këto zgjedhje fiton Bajdeni, është për të besuar se kjo e ashtuquajtur “Marrëveshje” do të mbetet një letër e pa vlerë.

Formulimi i disa paragrafeve të “Marrëveshjes” ka implikime obligative, si ps: hapja e vendkalimit në Merdare; pranimi reciprok i diplomave dhe çertifikatave; ndalimi i përdorimit të teknologjisë 5G; hetimi dhe gjetja e personave të zhdukur;  caktimi i personit dhe zyrës për kontakt dhe raportim vjetor; mbrojtja e zonave të kishës ortodokse serbe; kthimi i pronave të hebrejve; ndalimi i fushatës së çnjohjeve dhe ndalimi i aplikimit për anëtarësim në organizma ndërkombëtare.

“Marrëveshjen” e Kosovës e ka nënshkruar kryeministri Avdullah Hoti, ndërsa atë të Serbisë e ka nënshkruar kryetari Aleksandar Vuçiq.. Në asnjenen nuk është nënshkruar presidenti Tramp, as ndonjë person tjetër nga pala amerikane (Grenell apo Kushner), por me një  letër përcjellëse tekstit të “Marrëveshjes”, të nënshkruar nga presidenti Tramp, njohtohën palët për marrëveshjen e arritur.

Është e pazakontë që në një “Marrëveshje” ekonomike të përfshihet një gamë kaq e gjërë e çështjeve të ndryshme, të cilat nuk kanë kurrëfar lidhje logjike me njëra-tjetrën as me një “Marrëveshje” ekoomike, sikurse janë: njohja e diplomave dhe çertifikatave profesionale (paragrafi 7); liria e besimeve fetare (par.12);  gjetja e personave të zhdukur (par.13); mbështetja lirive të homoseksualëve (par.14); shpallja dhe trajtimi i Hezbullahut si organizatë terroriste (par.15); moratorumi njëvjeçar i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në organizma ndërkombëtare  dhe  i fushatës së Serbisë për tërheqjen e njohjeve (par.16), si dhe dy paragrafet e fundit: ai për transferin e Ambasades së Serbisë në Jerusalem, dhe ai për njohjeen reciproke mes Kosovës dhe Izraelit! Kur të gjitha këto i përfshinë në një “Marrëveshje”, kjo i ngjanë një “strajce të magjupes”, në të cilën futë drith e miell, buke e bylmet…

Paragrafët as alinetë e tekstit të “Marrëveshjes” nuk janë shënuar me numra as me germa, por me do pika të trasha para secilit paragraf. Unë këtu i shënova me numra, në mënyrë që në analizë t’iu referohem më lehtë secilit paragraf.

Kjo “Marrëveshje”, që s’është ‘as mish, as peshk’, për Kosovën është e dobishme vetëm për sa i përket njohjes nga ana e Izraelit, por e dëmshme  për keqësimin e marrëdhënieve me shtetet e tjera myslimane të cilat na kanë njohur, sidomos me Turqinë. Është e dëmshme veçmas sa i përket Liqenit të Ujmanit, në të cilin Serbia bëhet hisenike, por edhe sa i përket infrastrukturës rrugore  dhe hekurudhore, të cilat janë vetëm në dobi të Serbisë,  që është realizim synimeve të moçme të saj për dalje në bregdetin shqiptar!

Moratoriumi njëvjeçar, për mosaplikim të anëtarësimit në organizma ndërkombëtare, respektivisht për ndaljen e fushatës serbe kundërnjohjeve të pavarësisë së Kosovës, është një pikë e kotë, sepse Kosova edhe ashtu nuk po mund të depërtojë në ato organizma, kurse Serbia fushatën kundër njohjeve e vazhdon, veçse në mënyrë më të fshehtë.

Një e mire në këtë të ashtuquajtur “Marrëveshje” është se askund nuk është përmendur Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, as emri i Kosovës nuk është shënuar (damkosë) me asteriks.

Ka mendime se “Marrëveshja” është më e dobishe për presidentin Tramp, në prag të zgjedhjeve të ardhshme, që me këtë ka siguruar përkrahjen e plotë të lobit hebre në Amerikë. Jehona e “Marrëveshjes” së Vashingtonit, bëri që një deputet i Parlamentit të Suedisë (magnus Jacobson) të bëjë propozim që Trampit, Hotit dhe Vuçiqit t’iu ndahet Çmimi Nobel për Paqe në Vitin 2020! Por, “Marrëveshja” ka shkatuar një përçarje në raportet midis Bashkimit Europian dhe Amerikës, sa i përket arritjes së marrëveshjes përfundimtare gjithëpërfshirëse, që BE pretendon të jetë akteri kryesor, por që deri më tash nuk është treguar efikase.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë në Vashinton e lavdërojnë dhe e quajnë historike “Marrëveshjen” e arritur atje. Në Kosovë dhe në Serbi, varësisht nga forcat politike, pro ose kundër qeverive, e lavdërojnë si “Marrëveshje” shumë të dobishme, respektivisht e kritikojnë si “Marrëveshje” shumë të dëmshme, duke spikatë argumentet e tyre për secilën pike.

Unë shpresoj (dhe i lutem Zotit) që presidenti Tramp të mos i fitojë zgjedhjet e 3 nëntorit për një mandate të dytë dhe që “Marrëveshja” e Washintonit të mbetet vetëm si një letër e pavlerë!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …