Adil Fetahu

Adil Fetahu: MITET, RRENA, VETËLAVDËRIMI DHE ANKIMI – TIPARE TË POPULLIT DHE TË SHTETIT SERB

Mendoj se në botë nuk ka një popull dhe një shtet  tjetër që shërbehet me mite,  rrena,  lavdërime dhe ankime, sikur e bëjnë këtë populli dhe shteti i Serbisë, me tërë infrastrukturën  e tij shoqërore: kisha, akademia, shkenca, arsimi, kultura, letërsia,  politika, diplomacia. Për këto veti kanë krijuar mite të rrejshme, me të cilat e kanë ushqyer, indoktrinuar dhe helmuar  popullin shekuj me radhë.

Mitet e rrejshme

Në kuptimin filozofik dhe në perceptimin letrar, mitet janë të përhapura në kulturat e të gjithë popujve. Mitet nuk janë diçka negative deri sa janë në domenin e letërsisë, por kur ato barten në jetën reale, në diskursin politik – shndërrohen në propagandë e mitomani, atëherë ato keqpërdoren për të krijuar emocione ekstreme në masë për qëllime politike.  Në këtë kuptim,  asnjë popull apo shtet tjetër, nuk i shfrytëzon mitet për qëllime politike, hegjemonizëm, homogjenizim dhe urrejtje kundër popujve tjerë, siç bëjnë institucionet shoqërore dhe shtetërore të Serbisë me mitet e tyre etnonacionaliste. Tërë historia e tyre është një fantazi epike. Në mite të ndryshme potencohen veçantitë e tyre si  vlera të jashtëzakonshme, vetitë më pozitive, heroizmi, vuajtjet, sakrificat ‘’çfarë nuk i ka asnjë popull  tjetër në botë’’. Ja disa nga mitet serbe: Serbët janë popull hyjnor; Serbët janë populli më i vjetër në botë; Serbët janë populli më i mirë në botë; femrat serbe janë më të bukurat në botë; gjuha serbe është më e vjetra, prej së cilës kanë dalë gjuhët tjera;, alfabeti serb (çirilica) është më i vjetri; Serbët në Mesjetë kanë hëngër me lugë të arit; Serbët janë populli më trim e heroik në botë; Serbët kanë miq të përhershëm dhe kanë armiq të përhershëm (miti për komplotin (konspricaionin) botëror kundër popullit serb!).

Miti kryesor serb është miti për Kosovën, për ‘’fitoren’’ në luftën e Kosovës 1389, kur serbët e zgjodhën alternativën më të mirë për t’u bërë popull qiellor! Ky mit për Kosovën është ngulitur  dhe ka marrë karakter specifik në vetëdijen e popullit serb dhe të institucioneve të shoqërisë serbe  sa që nuk do t’iu shqitet edhe në shekujt e ardhshëm..

Profesori i amerikan për historinë e mesjetës. Tomas A. Emert, thotë se ‘’Serbët janë të burgosur të historisë kur flasin për mitin e Kosovës. Miti i Kosovës është mbjellë në shoqërinë serbe, politikanët e kanë ujitur dhe ai ka mbirë e është rritur’’, thotë Emert.

Mitin për Kosovën, si dhe mite tjera, i kanë krijuar prelatët e Kishës, i kanë përhapur në popull dhe janë bërë agjendë e politikës dhe diplomacisë serbe.. Dhe tash në Serbi më shumë u besojnë miteve e gënjeshtrave që përhapin kisha, politika dhe tabloidet, sesa syve të vet.

Rrena – ‘’virtyt’’ i lindur në vetë qenien serbe

Rrena  kjo fjalë e shkurtër, por me ‘’bisht të gjatë’’, është një prej veseve më të këqija të njeriut. Shqiptohet shpejt, por zbulohet ngadalë; e ëmbël në fillim, por e hidhur në funt. Rrena shërben për zgjidhje të përkohshme të ndonjë problemi, apo për realizim të ndonjë interesi  pa të drejt. Ndonjëherë është edhe e dobishme, madje i shpëton kokën njeriut! Si e tillë, rrena është e përhapur gjithkund në botë, por askund nuk e ka fituar atributin e vlerës kombëtare, siç e ka fituar te populli serb. Është çudi që nuk e kërkojnë mbrojtjen e saj në UNESCO, si vlerë kombëtare serbe!

Vet ‘’babai i kombit serb’’, shkrimtari, akademiku, ish-kryetari i Federatës Serbi-Mali Zi, Dobrica Qosiq, në romanin e tij ‘’Deobe’’ (1961) e ka shpallur rrenën si virtyt dhe vlerë kombëtare serbe. Për vlerën dhe rëndësinë e gënjeshtrës, Qosiqi ka thënë: ‘’Ne gënjejmë për ta mashtruar vetveten dhe për t’i ngushëlluar të tjerët; gënjejmë nga mëshira, gënjejmë nga turpi; gënjejmë për të kurajuar dhe për ta fshehur mjerimin tonë. Gënjejmë për shkak të nderit. Gënjejmë për shkak të lirisë. Gënjeshtra është formë e patriotizmit serb dhe vërtetim i inteligjencës sonë të lindur. Gënjejmë në mënyrë krijuese, me imagjinatë dhe invencion. Gënjeshtra është interes shtetëror serb. Gënjeshtra është në vetë qenien e serbit. Në këtë vend, secila gënjeshtër në funt bëhet e vërtetë. Serbët  aq shumë herë gjatë historisë i ka shpëtuar gënjeshtra’’!

Me këtë ‘’alet të virtytshëm’’ shërbehet kisha, arsimi, shkenca,  letërsia, politika, diplomacia, mjetet e informacionit, librat shkollore, fjalimet e politikanëve, propaganda serbe brenda dhe jashtë vendit të tyre. Gënjeshtra serbe është bërë aq e zakonshme dhe e popullarizuar, sa që askush nuk skuqet kur flet gënjeshtra.

Në një fjalim të mbajtur në Forumin Ekonomik në Kopaonik (mars 2014),  në të cilin kishin marrë pjesë biznismenë e diplomatë të jashtëm, ministri Ivica Daçiq, në stilin e lavdërimit të rremë serb, kishte thënë: ‘’Nuk do të më hidhërohet ambasadori i Gjermanisë dhe ambasadorët e tjerë të Bashkimit Europian, që do t’ua përkujtoj se Serbia tash shënon 900-vjetorin e lindjes së Stefan Nemanjës, i cili e ka nënshkruar në Nish marrëveshjen e parë ndërkombëtare me sundimtarin e atëhershëm gjerman Barbarosa. Stefan Nemanja u nënshkroi, ndërsa Barbarosa dha shenjat e gishtit të madh’’!

Historiani Dejan Ristiq, në librin e tij ‘’Mitevi srpske istorije’’ (2019), e demanton gënjeshtrën e Daçiqit dhe thotë se as ka pasur as është nënshkruar kurrëfarë marrëveshje midis Stefan Nemanjes dhe Friedrich Barabarosës. (Bëhet fjalë për vitin 1189. Aq larg shkon gënjeshtra serbe, v.j.).

Lavdërimi për heroizmat dhe rrena për viktimat serbe

Një karakteristikë tjetër serbe është vetëlavdërimi i tepruar dhe krejtësisht i pa bazë. Përveç vetëlavëdirimit për çështje tjera, të theksuara më lart, në mënyrë të veçantë lavdërohen për trimëritë dhe heroizmat e popullit dhe veçmas të ushtrisë së Serbisë që gjoja ka treguar në të gjitha luftërat e zhvilluara. Po sa ka të vërtetë në lavdërimin e tyre, tregojnë shembujt e mëposhtëm:

  • Në kohën e Krizës së Lindjes, në luftën midis ushtrisë sllave (serbe+ruse) kundër ushtrisë turke, në Gjunis (afër Llazarevcit), në vitin 1876, ushtrinë sllave e kishte komanduar gjenerali rus Mihal Çarnajev. Në atë luftë, ushtria sllave kishte pësuar debakël. Gjenerali rus i kishte dërguar telegram perandorit të Rusisë, me këtë përmbajtje: ‘’Të gjithë serbët ikën, ndërsa të gjithë rusët u vranë’.
  • Në vitin 1915, pas sulmit të Austrohungarisë mbi Serbinë, tërë ushtria serbe, në krye me Shtabin e Përgjithshëm ikën nga vendi i tyre, dhe duke bërë krime kundër popullsisë civile shqiptare në Kosovë e në Shqipëri, nga bregdeti shqiptar dolën në Korfuz, prej ku pas një kohe u transferuan në Selanik. Nga Selaniku u kthyen në Serbi, pas tri vjetëve, pasi forcat e koalicionit e kishin fituar Luftën e Parë Botërore. Ka shembuj në botë që të ketë ikur mbreti me suitën e vet, apo kryetari i shtetit me qeverinë e vet, por që të ikë një ushtri e tërë (më se 250 veta) me tërë udhëheqjen, kjo nuk i ka ngjarë askujt, përveç ‘’ushtrisë heroike të Serbisë’’! Në komunikatën  e Komandës Supreme Gjermane në Ballkan, të datës 29.Xi.1915, thuhej: ‘’Pasi që ushtria serbe nuk ekziston më, përveç do mbeturinave të mjera, të cilët kanë ikur nëpër malet e Shqipërisë e të Malit të Zi, ku do të vdesin pa ushqime, për këtë shkak ne i kemi ndërprerë operacionet e mëtejshme dhe nuk do të ju dërgojmë më raporte nga lufta në Ballkan’’.

Ushtrinë e Serbisë të ikur në Selanik e kanë mbrojtur tri vjet ushtria franceze dhe ajo angleze, të cilat e ndihmuan që pas tri vjetëve të kthehet në atdhe, dhe e trajtuan si aleate të Luftës së Parë Botërore, pa dhënë asnjë kontribut në at luftë!

  • Në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, 1941-1945, ushtria serbe nuk ka dhënë ndonjë kontribut në anën e aleatëve. Në Serbi gjatë asaj kohe ka sunduar regjimi kuisling i Millan Nedigjit, i cili ka bashkëpunuar ngushtë me okupatorin dhe e ka zbatuar politikën naziste për shfarosjen e hebrenjve. Ushtria serbe, e ndarë në çetnikë e partizanë, ishte radhitur në dy krahë të ndryshëm të luftës: dhe më tepër zhvillonin luftë civile etnike se sa luftë për çlirim nga okupatori. Lufta kryesore për çlirimin e Jugosllavisë është zhvilluar në Bosnje, e jo në Serbi, ndërsa Serbinë e ka çliruar Ushtria e Kuqe Ruse. Madje edhe brigada të ushtrisë së Shqipërisë e kanë ndihmuar çlirimin e Serbisë!
  • Është interesant dhe gati në domenin e fantastikës, tregimi i historianit amerikan të Luftës së Dytë Botërore, Colin D.Hadson, i cili tregon se vetëm shtatë ushtarë gjerman, me kapitenin 26 vjeçar Fritz Klingenberg, më 12 prill 1941, me një mashtrim (truk) fantastik që i bënë kryetarit të qytetit, e pushtuan Beogradin, e çarmatosën ushtrinë dhe policinë serbe ashtu që këmbsoria gjermane hyri në Beograd më 17 prill, pa pasur nevojë të shkrepë asnjë fyshek! Kur kryetari i qytetit e kishte marrë vesh trukun e kapitenit gjerman, kishte bërë vetëvrasje (më gjerësisht për këtë shih: World Warr II, revistë për historinë e Luftës së Dytë Botërore, marrë nga ‘’Credox, 12.04.2024). Këto janë shembuj që demantojnë heroizmin e ushtrisë serbe.

Shumëfishimi i shifrave të viktimave serbe

Atë që ushtria dhe shteti i Serbisë nuk e ka arritur në frontet e luftës, gjithnjë e kanë arritur në paqe, në tavolinën e bisedimeve,  duke përfituar favore të pa merituara, në saje të gënjeshtrave për viktimat e pësuara, numrin e të cilëve e ngrisin  shumëfish mbi  shifrat reale.

Për viktimat e ushtrisë serbe në Luftën e Parë Botërore  jepen shifra të ndryshme. Në një burim serb (‘’Albanska golgota’’) thuhet se gjatë tërheqjes nëpër Shqipëri, në luftë me shqiptarët (!), nga të ftohtit, nga uria   dhe nga sëmundjet, kanë mbetur 240.000 viktima, kusrse në një tjetër burim përmendet shifra prej 72.000 viktimave, ashtu që në bregdetin shqiptar kanë arritur 150.000 ushtarë dhe 2350 oficerë. Në raportin e ministrit të ushtrisë serbe, gjenerali Bozhidar Terziq, dërguar kryetarit të Qeverisë, Nikolla Pashiqit, thuhej se ‘’Gjatë tërheqjes (lexo: ikjes, a.f.), kanë vdekur, janë vrarë ose janë zënë rob 243.887 vetë. Përgjithësisht për viktimat serbe në Luftën e Parë Botërore është folur dhe është shkruar se në atë luftë Serbia ka pësuar 1.100.000 deri 1.300.000 viktima, që paraqet 60% të popullsisë mashkullore, apo ¼ e popullsisë së gjithmbarshme.

Këtë praktikë të shumëfishimit të shifrave të viktimave serbe e kanë vazhduar edhe për viktimat në Luftën e Dytë Botërore, duke e ngritur atë shifër në 1.700.000 deri në 2.200.000 viktima.

Në Konferencën e Paqes në Paris, Jugosllavia e kishte paraqitur një studim për viktimat e Luftës së Dytë Botërore me shifrën prej 1.700.000 viktima, për të cilat kërkonte reparacione. Por ajo shifër nuk u pranua, duke pasur parasysh se të gjitha 18 shtetet fituese të luftës kishin pasur gjithsejt 5 milion viktima, kurse shifra e paraqitur nga Jugosllavia ishte 34% të të gjitha viktimave të asaj lufte!

Propaganda serbe akoma gënjen e trumbeton për 700.000 viktima serbe që gjoja kanë pësuar në kampet e Jasenovcit dhe Nova Gradishkës (Kroaci). Bile diku e ngritin shifrën në 1 milion (Bullatoviq), për të rënë në 83000 (Bogolub Koçeviq, ‘’Svjetlost’’,Sarajevë, 1990), kurse Miletiq me listë të emrave të viktimave  të identifikuara, arrinë deri në 30.000 veta (‘’Narodna knjiga’’,Beograd,1987).

Është bërë epikë letrare propaganda serbe për pushkatimin e 7000 nxënësve me profesorët e tyre në Kragujevc më 21 tetor 1941, shifër  kjo e trefishuar dhe e sajuar rrejshëm kinse të gjithë ata kanë qenë nxënës e profesorë. E vërteta është në dokumentin, komunikatën e Komandaturës vendore të ushtrisë gjermane të dhënë ditën pas pushkatimit, që thotë se për 10 ushtarë gjermanë të vrarë dhe 26 të plagosur, janë zënë e pushkatuar 23,00 qytetarë të Kragujevcit dhe rrethinës, duke llogaritur 100  të pushkatuar për 1 ushtar të vrarë dhe 50 për një ushtarë të plagosur. Në mesin e të pushkatuarve ka pasur edhe të rinjë dhe nxënës, por shumica dërmuese ishin qytetarë tjerë.

Serbët e kanë zhvilluar narracionin e tyre, se janë viktimë e përhershme, qysh prej vitit 1389 e deri më 1999: se dikur ishin viktimë e Turqve, më vonë e Austrohungarisë, pastaj e ustashëve, e shqiptarëve, e deri te viktimë e NATO-s. Dhe tërë ky viktimizim i serbëve është një komplot botëror kundër popullit serb, shpeshherë i ndihmuar edhe nga trathtarët e vendit,- thotë propaganda serbe. Miti për serbët si viktimë e përhershme shfrytëzohet  nga politikanët për të mobilizuar dhe unjisuar botën serbe dhe sllave kundër të tjerëve, për të arsyetuar dhe zhvilluar konflikte. Kështu, Serbia është bërë peng e miteve për veçoritë, heroizmat, viktimat. Dhe, pa u çlirua prej këtyre miteve, nuk ka gjasa të demokratizohet Serbia as të stabilizohet Ballkani.

Kontrolloni gjithashtu

Prof.dr. Sabile Keçmezi- Basha: UÇK-JA – KËMBA E ZGJATUR E NATO-S DHE DIMENSIONI UNIVERSAL I LIRISË

Sot, rrugët e Sheveningenit në Hagë u mbushën me zërat e protestës, një protestë që …