Adil Fetahu

Adil Fetahu, një intelektual mendje ndritur i studimeve në shkencën dhe publicistikën shqiptare

Adil Fetahu i takon brezit të  intelektualë shqiptarë të Kosovës, të cilët në kohën e regjimit të RFSJ-së, bindjet e tyre politike e kombëtare i sforcuan në drejtim të shkollimit dhe arsimimit të brezave të shqiptarëve, të robëruar ndër shekuj nga regjimet e huaja. Me këtë qëllim, ata iu rrekën angazhimeve për ta pasuruar literaturën studimore në gjuhën shqipe, në segmente të ndryshme të shkencave shoqërore e të natyrës, meqë ndihej mungesë e theksuar e teksteve në gjuhën shqipe, edhe për faktin se literatura që botohej në Shqipëri, ose ishte e ndaluar, ose ishte i pamundur kontakti me të. Gjithnjë me qëllim të përhapjes së dijes dhe arsimimit, intelektualët në Kosovë e më gjerë përkthenin vepra edhe nga gjuha serbokroate, por edhe nga gjuhet e huaja me qëllim për t’i ndihmuar nxënësit e studentët  në shkollat dhe fakultetet e vendit.

Adil Fetahu, është ndër gjeneratat e para të normalistëve të Prishtinës.

Biografia  e tij është shumë e pasur  me punë dhe aktivitete të pandërprera në shërbim të përparimit dhe emancipimit arsimor, kulturor e kombëtare të brezave, me të cilët ai ka punuar pa u lodhur dhe punon po kështu pa u lodhur, në trajtimin e problemeve ndër më të ndryshmet, duke i dhënë kontribut të veçantë studimeve dhe publicistikës shqiptare në përgjithësi.

Ai ka më se 45 vjet pune aktive, si përkthyes dhe shef i administratës në Fakultetin Ekonomik; sekretar i Institutit Ekonomik; bashkëpunëtor i lartë në Qendrën Krahinore për Produktivitet dhe Inovacione; këshilltar i lartë në Bankën Popullore të Kosovë; gjyqtar i Gjykatës së Punës së Bashkuar të Kosovë; sekretar i përgjithshëm i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës; sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Juristëve të Kosovës. Ka qenë anëtar aktiv i shumë organizmave shkencore e profesionale. Ka marrë pjesë me kumtesa e referime në shumë tubime shkencore e profesionale në qendra të ndryshme në ish-Jugosllavi, por edhe jashtë vendit, kryesisht me tema nga fusha e mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve dhe të drejtave tjera. Me më se 300 artikuj të ndryshëm të botuar, ka bashkëpunuar e botuar në gazeta e revista të ndryshme të Kosovës e jashtë saj.

 Është bashkautor i librit “Ekonomia e Kosovës (1981)”; autor i dispensës “Pronësia Industriale” (1981); autor i librit “Masat e përkohshme – akte të shkatërrimit të ndërmarrjeve ekonomike dhe të institucioneve të Kosovës” (1992); autor i librit “Krijimi dhe rrënimi i gjyqësorit të Kosovës” (2011); autor i “Buletinit Jubilar” të 20-vjetorit të Shoqatës së Juristëve të Kosovës (2011); koautor i dy botimeve të “Doracakut për provimet e jurisprudencës” (2001 dhe 2004); autor i disa moduleve të Institutit Gjyqësor për arsimimin ligjor të gjyqtarëve dhe prokurorëve (2005); autor i dy botimeve (në gjuhën shqipe dhe serbishte) të librit publicistik “Shtegtimi nëpër lajme” (2011 dhe 2013); koautor i Monografisë “Kujtimi për një gjeneratë” (2011), dhe i Monografisë “Lidhja e Pensionistëve e Kosovës” (2014)..

Në mbrojtje të Drejtës dhe Drejtësisë ( 2014), është një libër-enciklopedi për nga përmbajtja.

Në mbrojtje të drejtave të pensionistëve ( 2015),

Çamërinë përherë në mendje e zemër ( separat 79 faqe) Ky Separat u shkrua  enkas për Ditën e Gjenocidit grek kundër Çamëve, që mbahet çdo 27 qershor, në Qafë Botë, në kufirin me Greqinë.

 Ka marrë pjesë në grupe të ndryshme profesionale në hartimin e ligjeve të shumta të Kosovës. Ishte konsulent i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, për ligjet ekonomike dhe masat e dhunshme.

Jeton në Prishtinë, ka bashkëshorten, tre djem e dy vajza dhe 11 mbesa e nipa (sipas standardeve shqiptare).

Këto segmente të biografisë së tij zbulojnë para opinionit studiuesin meritor të kohës sonë, Adil Fetahun, i cili përveç punës profesionale, botimit të sa e sa veprave autoriale

( shumicën dërrmuese me mjete vetanake),  hartuesit të qindra shkrimeve e studimeve, aktualisht merret me studime të veçanta, me të cilat nuk është marrë gati askush ndër ne, ose merret fare pak, por jo në thellësinë e gjykimeve e vlerësime që e karakterizojnë qasjen e tij shkencore lidhur me këtë problematikë.

Vështrimet analizat dhe studimet e tij kohëve të fundit janë fokusuar në disa  probleme  kryesore, tematike, si:

– Vështrimet e tij në raport me planet dhe projektet e Serbisë për Kosovën dhe për ish republikat e Jugosllavisë,

– Çamëria, si plagë e  pashëruar e kombit, historia, kultura degdisjet…

– Shkrime e studime lidhur me probleme aktuale në Kosovë e më gjerë

– Shkrime e studime  letrare, përkthime etj.

Vështrimet e tij në raport me planet dhe projektet e Serbisë për Kosovën për ish republikat e Jugosllavisë, studiuesi i zellshëm Adil Fetahu i ka paraqitur në   shkrimet:

– Kryqëzatat serbe kundër shqiptarëve,

– Lufta speciale e Serbisë me fqinjët, zbatim i Memorandumit të Dytë të ASHAS-it

– Si diskriminoheshin fëmijët shqiptarë me shtesat për fëmijë, në kohën e regjimit okupues serb?

– A po vazhdon faza e tretë e kolonizimit serb edhe në Kosovën e pavarur?

– Elitat serbe që nxitën dhe justifikuan gjenocidin ndaj shqiptarëve në Ballkan,

– Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë, Laborator i propagandës antishqiptare

– Marrëveshjet e fshehta për copëtimin e Shqipërisë

– Pretendimet e Serbisë ndaj “Trepçës” juridikisht janë të pa baza, politikisht të pamoralshme, e të tjera.

E veçanta e këtyre shkrimeve studimore është se autori, e njeh thellë materien të cilën e shqyrton, e njeh metodologjinë e punës shkencore dhe i qaset problemeve me profesionalizëm të faktuar e të dokumentuar, duke paraqitur të dhëna relevante, të cilat na japin një pasqyrë të plotë, lidhur me qëndrimet konstante antishqiptare të Serbisë zyrtare, Serbisë “akademike”, Serbisë kriminale, e orientuar thellësisht kundër të gjithë fqinjëve, posaçërisht kundër shqiptarëve.

Në trajtimin e kësaj problematike, për mendimin dhe vlerësimin tim, Adil Fetahu është njohësi ndër më të  thellët dhe më i ploti në mesin e atyre, që janë marrë dhe merren me këtë problematikë. Është fatkeqësi e madhe për institucionet tona, veçmas  për zyrtarët tanë të lartë, që nuk këshillohen me këtë studiues të zellshëm, lidhur me raportet e Kosovës dhe të shqiptarëve përgjithësisht me fqinjët, veçmas me Serbinë. Është fatkeqësi e llojit të vet nëse ata të paktën nuk i lexojnë këto studime, të cilat botohen në disa portale, por anashkalohen dhe nuk iu bëhet vend në mediet e portalet  që kanë më shumë shfletues, ose botohen thjesht si opinione, pa e kuptuar rëndësinë, thellësinë, qasjen dhe problemet shoqërore, historike, shkencore që i trajton ky intelektual i njohur.

Autori ka trajtuar me përgjegjësi intelektuale e shkencore edhe temat si:

– Pretendimet e Serbisë ndaj “Trepçës” juridikisht janë të pa baza, politikisht të pamoralshme,

– Në “Trepçë” janë ngatërruar grekët, amerikanët, suedezët, rusët…

– Gënjeshtra serbe për Jasenovcin, u dhjetëfishua numri i viktimave,

– Serbia vazhdon të shkelë ligjet e veta dhe ato ndërkombëtare për pensionet,

– Çmenduria e një historiani serb etj.

Në shkrimet e kësaj tematike spikatet qëndrimi serioz i autorit, në raport me zhvillimet e përditshme për problemet kapitale lidhur me të ardhmen e vendit tonë por edhe të rajonit në përgjithësi. Ai me të drejtë vjen te përfundimi se në Serbi nuk ka ndryshuar asgjë në të mirë të vetë kombit serb, dhe në raport me fqinjët, sepse vazhdon të jetë e instaluar logjika e njëdimensionalitetit, e shovinizmit, urrejtjes, mbështetjes së verbër në  mite e legjenda, gënjeshtrës dhe përsëritjes së saj të pandërprerë, krejt derisa  ajo të tingëllojë si “e vërtetë”, të paktën për ta, por edhe për të tillët që i besojnë.

Adil Fetahu është i njohur edhe për guximin e tij intelektual në kohën më të vështirë nëpër të cilën po kalonte Kosova.

Ai më 16 qershor  të 1997, ka ngritur Padi Private, në Gjykatën e Parë Komunale të Beogradit, kundër ish-kryetarit të RFJ-së, Zoran Liliq, duke e akuzuar për tri vepra penale:

– Fyerje të ndjenjave kombëtare të  Shqiptarëve,

– Nxitje të urrejtjes e mos-tolerancës ndaj Shqiptarëve,

– Deklarim të rrejshëm… (shih fq.146 të librit “Në mbrojtje të Drejtës dhe Drejtësisë).

– Më 14 prill 1998, në “Rilindje” ka botuar  shkrimin e gjatë: “Millosheviqi patjetër do të gjykohet nga Tribunali i Hagës”.

Adil Fetahu është marrë dhe merret me “Çështjen Çame” plagën e pashëruar shqiptare, plagën më të dhembshme të kombit, e cila dhemb edhe sot, sepse ajo vazhdon të injorohet nga mujsharët e politikave globale, sepse është i vetmi vend në botë ku banorët e saj autoktonë nuk kanë të drejtë të kthehen e të vendosen në vendlindjet e të parëve nga ku ishin dëbuar mizorisht e kafshërisht nga grekët, por edhe me përkrahje të Fuqive të Mëdha të kohës.

Janë me interes shkrimet si:

– A po lëviz guri i Çamërisë?

– Çamëria, fidanishte e figurave të shquara kombëtare

– 27 Qershori, ditë e paharruar e masakrave greke kundër çamëve

– Loja e fashizmit Italian me ndjenjat kombëtare të shqiptarëve

– Çamëria, plaga jonë e pashëruar- në njëqind-vjetorin e pushtimit

Çamërinë përherë në mendje e zemër ( separat 79 faqe)

Përveç me temat, disa nga  të cilat i kemi evidentuar në këtë shkrim të shkurtër për krijimtarinë e Adil Fetahut, një vend me rëndësi në shkrimet e tij zë edhe kritika letrare. Duke qenë se lexon shumë dhe nuk ndahet dot nga libri, ai shkruan vështrime e recensione për to, me qëllim për të vlerësuar librat e autorëve të ndryshëm, duke segmentuar probleme të krijimtarisë, temave që ata trajtojnë, si dhe vlerave letrare e artistike të atyre veprave.

Gjuha e shkrimeve të tij është e kuptueshme, e pasur me përmbajtje stilistike dhe artistike,  mjaft depërtuese në mesazhet që përçojnë veprat  e caktuara.

Duke analizuar një vepër letrare, ai në radhë të parë segmenton temën, pastaj rrëfimet dhe lidhjet harmonike mes tyre, situatat,  personazhet, preokupimet dhe në përgjithësi totalitetin e perceptimit dhe mbarështimit të veprave që i merr në trajtim.

Nga vështrimet letrare kemi zgjedhur për të veçuar me këtë rast:

– Një roman për Çamërinë, dhembjen tonë të madhe

– Libri i shkrimtarit, Adrian Majuru, “Bukureshti i shqiptarëve”

– Fati i çamëve në romanin e Arben Kondit: “Mëhalla e Muhaxhirëve”

– Një roman për dy tema sociale

– Një letër e vitit 1990 nga Krusha e Madhe, në mbrojtje të Ukshin Hotit

– “Vatra“ e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi dhe zhdukja

– Urtësia popullore, origjinale në veprat e Zeqir Lushajt

– Romani “Burgu” trazon botën e heshtur për të burgosurit e ndërgjegjes, e të tjera.

Adil Fetahu edhe pse në moshë, nuk rresht punën dhe aktivitetet e tij studimore, të cilat kanë një rëndësi të veçantë për letrat tona, për literaturën shqiptare përgjithësisht. Ai e ka pasuruar dhe vazhdon ta pasurojë publicistikën tonë, studimet shkencore, gjithnjë  me tema dhe qasje të veçanta, të cilat hapin horizonte për të kuptuar dhe  për ta njohur realitetin, me të cilin jemi ballafaquar dhe po ballafaqohemi.

Ky shkrim ka për qëllim që t’ i njohë lexuesit e Portalit  të Radios-Kosova e Lirë, me njërin ndër bashkëpunëtorët më të zellshëm të saj, familjarin e përkushtuar,  mësuesin, veprimtarin, intelektualin, studiuesin, publicistin, Adil Fetahu, të cilit i dëshirojmë jetë të gjatë sa malet, shëndet, suksese të tjera në pasurimin e literaturës sonë kombëtare…

Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …