Brickos

Adnan Abrashi “KALLE, KALLE, E QITJA TYMIN…”

(Digjet ndërtesa Komunale në Prizren. Opozita dyshon në zjarrëvënie të qëllimshme nga qeveria komunale e LDK-së)

Në pasditen e vonshme e 29 tetorit 2007 i përfshirë nga një mot i vranët dhe pjesërisht me shi, qyteti i Prizrenit kishte rënë në një heshtje të nemitur. Në një qetësi memece, e cila zakonisht nuk është karakteristikë e këtij qyteti. I kapluar nga atmosfera e kësaj zymtësie, intuita në mua sikur më paralajmëronte një ndjenë të keqe, dominimin e së cilës, pa vetëdije e luftoja nga vetëdija ime. 
Nuk zgjati shumë dhe në hapësirën e muzgut të mbrëmjes, u duk një gjurmë gjarpërore e tymit të zi që me shpejtësi pushtonte lartësinë qiellore. 
I paralajmëruar më parë nga ajo ndjenjë e keqe që pata, vrapova menjëherë kah dritarja ime e katit të dytë. Nga aty, nuk shihej qartë objekti që ishte në zjarr, por nga pamjet e drejtimit të daljes së tymit, supozova se vatra e zjarrit mund të ishte ndërtesa e re e Kuvendit Komunal. 
“Mos o Zot”! – brohorita – “A është e mundur se digjet ajo ndërtesë më e bukur dhe më kapitale e qytetit tim?!” Nuk e di as vetë se si vrapove furishëm dhe menjëherë veten e pash në rrugë. Me hapa të shpejtuara u drejtova rrugicave që më shkurtimisht më shpinin kah Kuvendi Komunal. Dhe, për befasinë time të madhe, aty pash atë gjë që e parandieja më parë, por nuk e dëshiroja sinqerisht. Në flakë ishte mu kjo ndërtesë kapitale e qytetit tim! Kisha mbetur i shtanguar në vend. Ktheva kokën përreth dhe vërejta se tanimë edhe heshtje e zymtë e qytetit ishte prishur nga gumëzhima e numrit të madh të qytetarëve kureshtar, të cilët me shpejtësi e kishin vërshuar hapësirën përreth ndërtesës së Kuvendit Komunal. Edhe pse, në pjesët më të më të mëdha të qytetit, për shkak të restrikcioneve të gjata të rrymës ishte terr, nga flaka e fortë e zjarrit që e kishte kapluar ndërtesën e re të Kuvendit Komunal, e tërë hapësira përreth ishte ndriçuar si në pikë të ditës. 
Në at çast, të gjithë ne si masë kureshtare e grumbulluar spontanisht, ishim të kapluar nga një ndjenjë, të cilën nuk e di as vet si ta përshkruaj. Ishte një përzierje emocionesh në formë të befasisë, dhembjes, pikëllimit, shqetësimit, dyshimit, revoltës, përbuzjes, urrejtjes… Papritmes, nga masa e grumbulluar u dëgjua një brohoritje: “ Hej miq…po digjet kadastra… dokumentacioni i tapive të patundshmërive të qytetit tonë!”. Në anën tjetër, një i ri filloi të shante turqit: “Jaktilar be, anasëni bunllarën” (E kallën bre, he n. ketyre)…tjetri krejtësisht pranë meje, i cili nga veshja dukej si më intelektual, u shfry nga zemra: “Shihi, shihi! Hajnat djegin gjurmët e dëshmive materiale të krimeve të tyre”… 
Nga këto reagime spontane të qytetarëve të tubuar, padyshim se kishte edhe aso nga spirituoze: “Sigurisht ja ka vu zjarrin ndërtesës Albin Kurti dhe lëvizja “Vertëvendosje”, sepse, për këtë sistem, vetëm ata janë fajtor kujdestar dhe gjithmonë veprojnë kundër institucioneve tona të fituara me gjak”. Më pas, tjetra: “Një ndërtesë të mëparshme, e rrënuan, kurse kësaj të resë, ja futën flakën. Si t’ju besojmë më atyre?”… 
Mjaft individ nga ky publik kureshtar që sa vinte e shtohej, tanimë, veç i kishin të mbuluara me shamia dhe lecka të ndryshme gojët dhe hundët, për tu mbrojtur nga kundërmimi i tymit të zi që përhapej me të madhe dhe kishte një erë të keqe. Një erë, që sigurisht më vonë nuk do të mbetej vetëm si ngacmues momenti i shqisave të nuhatjes, por, patjetër se do të ketë edhe pasoja të paparapara materiale, juridike dhe politike, jo vetëm për qytetin e Prizrenit, por edhe për tërë Kosovën. 
Mua që isha në mesin e tyre dhe i dëgjoja këto reagime, vetëm një dyshim më zihej në mendime: “U bë çka u bë, por frikohem se kurrë nuk do të gjendet fajtori i vërtetë !?” 
I pritja me padurim reagimet e zyrtarëve dhe ato nuk munguan. Kryetari dhe stafi i tij udhëheqës komunal, menjëherë shfaqën keqardhje për zjarrin e shkaktuar, duke shprehur kënaqësinë se në këtë tragjedi nuk ka asnjë jetë të humbur apo njeri të lënduar. 
Në anën tjetër, SHPK-ja si zakonisht, me deklarata të zyrtarëve të vetë, vetëm i përsëriste në formë të përshkrimit djegien, pamjet e të cilës ne veç i shikonim në ekranet tona televizive. Në fund të paraqitjes së zyrtarit policor ishte ai refren i mirënjohur për ne: “Ekipet tona profesionale të ekspertëve, punojnë me të madhe në zbardhjen e shkaktarëve të këtij zjarri… në lidhje me të nuk ka asnjë person i arrestuar si i dyshimtë”. 
Të nesërmen, përmes kryetarit të saj z. Zafir Berisha, reagoi ashpër Dega e PDK-së në Prizren, ku akuzat e tyre si dyshime të bazuara të shkaktimit të këtij zjarri të qëllimshëm, ishin të orientuara në drejtim të pushtetit të gjertanishëm lokal, i cili përmes kësaj vepre të shëmtuar, tenton t’i fsheh gjurmët e krimeve, dallavereve dhe matrapazllëqeve të bëra gjatë pushtetit të vet 7 vjeçar. 
Vetëm një orë pas akuzave dhe dyshimeve të bëra nga drejtuesit e degës së PDK-së në Prizren, nënkryetari i LDK-së, z. Eqrem Kryeziu, është kundërpërgjigjur, duke paralajmëruar se për këtë do të kërkoj[ sqarime nga Hashim Thaçi, dhe do të insistojë tek ai që të ndikojë pozitivisht te këta djem. 
Kësaj pune i thonë: “Hajt se ke me pa, kur t’i kallëzoj babës”. 
Pas këtij reagimi zyrtarë, populli përherë spirituoz kishte edhe komentin e vetë: 
“Hopaa,… po na del në shesh edhe ajo marrëveshja shumë e përfolur parazgjedhore për koalicionin e mundshëm LDK-PDK!! 
Mos vallë Eqremi në këtë takim, do t’i thotë Hashimit: “O Hashim! Nuk i kemi pas fjalët kështu, prandaj frenoi nga pak këta “axhami” të tu”?! 
Por, patjetër se populli mbetet popull, andaj, në çdo situata, sado që ato mund të jetë tragjike apo të hareshme, përherë dinë të thuri shaka. 
Jashtë këtyre mahive dhe thashethemeve të çarshisë, nga prononcimet zyrtare që u dhanë për këtë zjarr, mua, si një “jurist të dështuar në profesion”, tepër më shqetësoi një deklaratë tjetër inkurajuese drejtuar masave nga ana e Eqrem Kryeziut. Ai, në mbështetje të vlerësimeve të ekspertëve të vetë komunal të kësaj fushe, para kamerave televizive jepte shpresa popullit me inkurajime boshe se këto dëme shumë shpejtë dhe me mënyra të ndryshme, do të kompensohen. Këtu aludonte tek disa shënime të ruajtura pronësore-juridike në qendrën kombëtare kadastrale, më pas, për mjaftë sosh nëpër gjykata dhe në zyre të AKM-së? 
Nuk e kam të njohur nivelin e ekspertëve të kryetarit që e kanë këshilluar atë në këtë mënyrë, por nëse ata janë të nivelit të atyre që ju është besuar përkujdesja e mbrojtjes së objektit nga zjarri, atëherë vaj halli? 
Z. Kryeziu! Unë si një “jurist i dështuar në profesion”, pa tentuar që në këtë rast ta paragjykoj fajtorin e vërtetë, ju garantoj se dëmet e shkaktuara me këtë zjarr, janë jo vetëm katastrofale, por edhe tragjike dhe me pasoja të përmasave kombëtare. Nëse qytetarët tanë mund të paramendojnë vetëm 10 për qind nga ajo e vërtetë që unë i di si njëfarë juristi, atëherë sigurisht nuk i kishte zënë as gjumi i natës. Juve ma, hiq se hiq! 
Sikur ju kanë këshilluar këta ekspertë, se shumë shënime të djegura ka mundësi që të kompenson nga gjykatat, qendra kadastrale në Prishtinë, si dhe AKM-ja, janë më shumë se qesharake. Në gjykata mund t’i gjeni listat poseduese të pronësive dhe kopjet e planeve të tyre, vetëm për disa individë që kanë pasur, apo kanë ende në procedurë, ndonjë kontest pronësoro-juridik pranë asaj gjykate konkrete. Pastaj, AKM-ja, disponon me lista poseduese dhe kopje të planeve, vetëm për hapësira në pronësi shoqërore që tenton t’i privatizoj ose qe i ka privatizuar gjer më tani. Në anën tjetër, qendra kadastrale në Prishtinë, disponon kopjet e incizimeve globale të ngastrave kadastrave, e jo dëshmitë individuale për çdo posedues të patundshmërisë në veçanti. 
Nëse kisha marrë guxim t’i shpreh në përqindje këto burime të juaja, ato mbulojnë vetëm 2-3% nga dëmi i përgjithshëm i evidencës zyrtare të dëmtuar nga zjarri. 
Por, mos u dëshpëroni z. kryetar (i gjertanishëm mbase edhe i ardhshëm). Ka ende gjasa! Shpresa më e madhe qëndron mu aty ku ju e dini, por ka mundësi edhe mos ta dini? 
Me tërheqjen e serbëve pas bombardimeve të NATO-së, shumë dokumente publike dhe shënimet tjera zyrtare, por edhe ato të kadastrave, janë marrë nga ta dhe kopjet e tyre mund të gjenden në Serbi. 
Atë, për çka ne dikur i kemi akuzuar pse i kanë marrë (lexo:vjedhë), sot na erdhi puna të lutemi: “inshalla o Zot i kanë marrë!”. 
E shihni! Sërish nuk bënë pa Serbinë!? Për t’i siguruar këto kopje të mundshme, sigurisht se duhet negociuar me ta. Por, mendoj se edhe për këtë veprim, nuk duhet të ketë problem . Fundja, z. Kryetar, ne veç jemi të ushtruar mirë për negociata me Serbinë, a po?

Kontrolloni gjithashtu

Kosova dhe Serbia, janë zotuar se më 22 mars do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit në Kosovë

Pas diskutimeve, në Bruksel, Lajçak, paraqiti një dokument kompromisi lidhur me qëndrimet e të dyja palëve për dinarin e Serbisë

Në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk arritën një marrëveshje …