leoni

Adnan Sadik Shyti (25.5.1978 – 29.5.1999)

Adnan Sadik Shyti (25.5.1978 – 29.5.1999)

Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, banorët e fshatit Oshlan i kanë dhënë 4 dëshmorë dhe 16 martirë. Duke qenë një pikë e lartë natyrore strategjike dhe falë gatishmërisë së trimave për të çliruar atdheun, ky fshat qe bërë fortesë e fuqishme e UÇK-së, ndërsa për shumë kohë barrikadë e pakalueshme për forcat policore e ushtarake okupatore serbe.
Adnani ishte djalë i Sadik Shytit, pjesëtar i një familjeje të varfër fshatare, por e njohur për mikpritje dhe traditë të dëshmuar atdhetare. Sadik dhe Hamide Shyti lindën e rritën katër bijë: Esatin, Ibrahimin, Adnanin, Kujtimin dhe pesë bija: Hatemen, Shehiden, Azeminen, Hasimen dhe Mevliden.
Adnani shkollën fillore e kreu në vendlindjen e tij në fshatin Oshlan, ndërsa shkollën e mesme në qendrën shkollore ‘’Muharrem Bekteshi’’ në Vushtrri, drejtimin për autoelektricist. Për shkak se familja e Sadik Shytit ishte e varfër ekonomikisht, Adnani nuk e vazhdon shkollimin universitar.
Dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor të vitit 1997, luftimet dhe masakrat që ndërmori policia serbe në Qirez e Likoshan, bënë që rinia atdhetare e Oshlanit të vetorganizohet për të filluar rezistencën dhe për ta zgjeruar atë edhe në fshatrat e rrethit të Vushtrrisë. Me qëllim të armatimit dhe përforcimit të radhëve të UÇK-së, më 6 qershor të vitit 1998, një grup luftëtarësh nga Oshlani nisen për në Shqipëri me qëllim për të marrë armë dhe municion. Në atë grup bënin pjesë: Bekim Shyti, udhëheqës i grupit, Adnan Shyti, Musli Shyti, Naim Shyti, Adem Shyti, Vedat Shyti, Shaip Hyseni, Hamdi Sheremeti dhe Muhamet Shala.
Ky grup luftëtarësh të lirisë për një kohë qëndron në bazat stërvitore në Shqipëri, ndërsa në gjysmën e dytë të korrikut kthehen në frontet e luftës.
Përgjegjës i pikës së zjarrit në Oshlan caktohet Bekim Shyti. Në këtë pikë vëzhgonte dhe kryente të gjitha detyrat që i ngarkoheshin edhe Adnani, një djalosh i zgjuar dhe kurdoherë buzagaz. Ai tanimë kishte kallashin, mortajën e dorës, uniformën e UÇK-së, që aq shumë e kishte dëshiruar, kishte kurdoherë pranë edhe bashkëluftëtarët, me të cilën kishte parakaluar nëpër alpet e Shqipërisë gjatë furnizimit me armatim. Ishte kudroherë i gatshëm për t’u përballur me forcat serbe, me të cilat nga pika e zjarrit të UÇK-së në Pantinë, ku ishte vendosur pika e mbrojtjes, i ndanin vetëm rreth 500 metra në vijë ajrore.
Përgjegjësi i pikës, Bekimi, pastaj Adnani, Musliu e të tjerë me shembullin e tyre grishin në radhët e UÇK-së tërë djalërinë liridashëse të fshatit të tyre e më gjerë. Në verë të atij viti ishim rreth 80 luftëtarë, -thotë Musli Shyti, duke evokuar kujtimet për kushëririn dëshmor.
Ndërkohë, pikat e zjarrin ishin zgjeruar edhe në Shtitaricë, Pirq, Pantinë e gjetkë. Komandant i këtyre pikave, në periudhën para strukturimit të UÇK-së ishte caktuar eprori Brahim Gjaka, i cili kishte pranë Xhemajl Pllanën, Bedri Shalën e të tjerë. Ata bënin përpjekje të suksesshme për konsolidimin e radhëve dhe koordinimin e pikave për të vepruar me përgjegjësinë e detyrës dhe zhvillimit të situatave në terren.
Më 22 shtator të vitit 1998, forcat ushtarake dhe policore serbe ndërmarrin një ofensivë të përshkallëzuar, duke vënë nën rrethim sidomos Qyqavinë dhe të gjitha fshatrat që i mbante nën kontroll UÇK-ja.
Pas një rezistence të fuqishme në fshatin Pantinë, Adnani me bashkëluftëtarët arrijnë të tërhiqen në Oshlan. Forcat serbe kishin vazhduar granatimin nga distanca drejt këtij fshati. Banorët kishin arritur të tërhiqeshin në male, ndërsa luftëtarët e lirisë ishin barrikaduar në pikat përreth malit në mbrojtje të popullatës.
Pas hyrjse në fshat, serbët plaçkitin e me pas djegin pothuajse të gjitha shtëpitë e fshatit. Ndërkohë, pas tërheqjes së tyre, meqë ata ndiheshin fare të pasigurt të qëndronin atje sidomos gjatë natës, luftëtarët e lirisë rivëjnë nën kontroll pozicionet e mëparshme. Adnani, së bashku me Musli Shytin e luftëtarë të tjerë kanë marrë pjesë në luftimet që janë zhvilluar në Pantinë, Polac, Bukish, Liqej, në Shipol e në pika të tjera të frontit. Pas ristrukturimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në tetor e nëntor të vitit 1998, njësiti ushtarak i Oshlanit, ku bënte pjesë edhe Adnani, sistemohet në Batalionin e Dytë të Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës. Komandant i zonës ishte Rrahman Rama, kurse komandant i batalionit, Brahim Gjaka, ndërsa zëvendës i tij, Muhamet Shyti. Në kuadër të kësaj brigade ishte edhe Njësia Speciale, të cilën e komandonte luftëtari Bekim Shyti, ndërsa Adnan Shyti ishte caktuar komandant skuadre në radhët e kësaj njësie luftarake.
Pas intervenimit të aeroplanëve të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe forcat serbe fillojnë të ndërmarrin veprime edhe më energjike kundër të gjitha pikave ushtarake të UÇK-së. Tërë rajoni i Zonës së Katërt ishte përfshirë në luftime të pandërprera e të përgjakshme. Luftëtarët e lirisë taktizonin nga pika në pikë dhe sulmonin në prita forcat armike, ndërsa shumë herë luftonin ballë për ballë, sidomos kur duhet të mbrohej popullata civile, e cila edhe në kushte dimri jetonte e strehuar nëpër male.
Në fillim të majit të vitit 1999, luftëtarët e njësitit të Adnan Shytit ndodheshin në fshatin fqinj Pirç, nga ku ishte larguar popullata civile, meqë forcat armike bombardonin pandërprerë fshatin nga distanca.
Më 29 maj të po atij viti, Adnani zgjohet qysh në orën 5 të mëngjesit dhe depërton në pozicionin e tij, në fshatin Pirç. Atje kishte edhe bashkëluftëtarët Bahtir Haxhiun, Fadil Spancën, Xhavit Shytin e të tjerë. Forcat serbe kishin identifikuar lëvizjet e luftëtarëve të lirisë dhe fillojnë sulmin – thotë bashkëluftëtari dhe kushëriri i Adnanit, Musli Shyti.
Një predhë e minahedhësit armik godet vendpozicionin e Adnan Shytit. Pjesa e predhës i kishte depërtuar thellë nën sqetull. Plagosen edhe luftëtarët Xhavit Shyti dhe Fadil Spanca. Luftëtarët e tjerë: Rifat Segaça dhe Ismajl Kalludra bëjnë përpjekje ta tërheqin Adnanin, i cili përmes radiolidhjeve lajmëron Bekim Shytin se ishte plagosur rëndë. Bekimi me tre luftëtarë, nëpërmes breshërisë së pandërprerë të armëve të forcave armike, arrin në vendin ku kishte rënë në altarin e atdheut, Adnan Shyti. E tërheqin trupin e dëshmorit dhe gjatë natës me nderime ushtarake e varrosin në varrezat e fshatit në Oshlan.
Pas luftës fitimtare kundër okupatorit serb, bashkëluftëtarët, trupin e dëshmorit Adnan Shyti e rivarrosin në vendin e quajtur Zhare, ku tani ndodhen Varrezat e Dëshmorëve dhe të martirëve të fshatit Oshlan.
Në shenjë përkujtimi për dëshmorin, vëllai i tij, Esat Shyti ka përtrirë emrin e Adnanit duke i dhënë këtë emër djalit të vet, i cili kishte lindur pas rënies dëshmor të xhaxhait.
Një rrugë anësore në magjistralen Vushtrri-Mitrovicë mban emrin e dëshmorit, Adnan Shyti. Familja Shyti ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme dhe nga Kuvendi komunal i Vushtrrisë.

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Një plejadë djelmoshash të zgjedhur mal e vërri, që patën braktisur Kosovën si të ndjekur, …