Afrim Hysenaj: Gjurmë historie të para 26-vjetësh në Likoshan dhe Çirez

Gjurmë historie të para 26-vjetësh në Likoshan dhe Çirez
MODESTIA E NJË GRUAJE
“Kur milicët serbë po masakronin djemtë e Ahmetajve, po shihja çmenduri dhe dëgjoja zëra tmerrues. Djalit 4 vjeç ia mbylla sytë me një harrën të bardhë, për mos me pa tmerrin, derisa më pyeste: ‘Nanë, kush po bërtet?…” Isha me dy djemtë n’oborr, njani 4, tjetri 2 vjeç, kur m’u afrua një milic serb, i armatosur rëndë dhe më pyeti: “Çka i ki kta thmi” I thashë me qëllim: “Njanin e djal e njanin çikë”, nga frika se, edhe nëse ma vrasin njanin, më shpëton djali tjetër…”
Gruaja që shihni në foton më poshtë është Ganimete Demaku-Gjeli me djemtë e saj.
Ganimetja është një prej të shumtëve që dha kontribut në organizimin dhe pjesëmarrjen në demonstratat e vitit 1981 në Drenicë dhe më gjerë. Ajo përjetoi edhe dhunën psikike dhe fizike brenda burgjeve të asaj kohe. Një prej komandantëve (shqiptar) të stacionit të milicisë së ish-Gllogocit në atë kohë ushtroi dhunë fizike, duke e goditur fort, pse ajo nuk i ka treguar shokët-organizatorë të demonstratës në pranverën e vitit 1981. Dënohet si e burgosur politike. Veprimtarët e asaj kohe e mbajnë mend angazhimin dhe kontributin e saj.
Ganimetja është protagonistja e gjallë e mbijetuar në përballjen që patën forcat serbe me grupin e djemve të UÇK-së dhe, më pas, krimin që bënë forcat serbe ndaj popullatës civile në fshatrat Likoshan dhe Çirez. Kjo ngjarje u zhvillua më 28 shkurt 1998.
Po ashtu, Ganimetja është motra e dëshmorit të kombit, mësuesit Vesel Demaku nga Abria e Epërme.
Ganimetja ishte bashkëshortja e dëshmorit të kombit Naser Gjeli nga fshati Likoshan, i cili ka rënë dëshmor së bashku me babanë, Muhametin, duke luftuar me forcat e milicisë serbe më 28 shkurt 1998 në truallin e shtëpisë së tyre në fshatin Likoshan.
Gjatë asaj dite të kobshme forcat e milicisë serbe futen në familjen Ahmeti, së cilës ia masakrojnë 10 djem-burra, nga mosha 17 deri në atë 65 vjeç. Trualli dhe shtëpitë e familjes Ahmeti në Likoshan pas luftës janë shndërruar në kompleks përkujtimor për vizitorë të shumtë.
“Kur milicët serbë po masakronin djemtë e Ahmetajve, po shihja çmenduri dhe dëgjoja zëra tmerrues. Djalit 4 vjeç ia mbylla sytë me një harrën të bardhë, për mos me pa tmerrin, derisa më pyeste: ‘Nanë, kush po bërtet?…” Isha me dy djemtë n’oborr, njani 4, tjetri 2 vjeç, kur m’u afrua një milic serb, i armatosur rëndë dhe më pyeti: “Çka i ki kta thmi? ” I thashë me qëllim: “Njanin e djal e njanin çikë”, nga frika se, edhe nëse ma vrasin njanin, më shpëton djali tjetër…”, rrëfen Ganimetja përjetimin e rëndë të asaj dite të kobshme.
26 vjet më parë, më 1 mars 1998, është bërë varrimi i 24 të masakruarve dhe katër dëshmorëve që kishin rënë më 28 shkurt 1998. Aty merrnin pjesë mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare. (Edhe unë kam marrë pjesë në varrim, A. H.).
Kur në foltore mori fjalën një përfaqësuese e një partie politike të asaj kohe, (L. P.), fjalimi i saj u përcoll me fishkëllima të mëdha dhe u ndërpre nga njerëzit e pranishëm. Ajo politikane u detyrua të zbresë nga foltorja. Masa ishte revoltuar për së tepërmi nga fjalimi i saj, nuk i ndalonte fishkëllimat dhe brohoritjet në kundërshtim të fjalës së saj.
Në foltore u shfaq Ganimetja me dy fëmijët, njërin 2 vjeç në krahë, tjetrin 4 vjeç të kapur për dore. Ajo e mori mikrofonin dhe iu drejtua masës së madhe e të revoltuar:
“Populli im i dashur, sot jemi në ceremoninë e varrimit të familjarëve tanë. Ju lutemi për mirëkuptim e për qetësi. Në emër të vjehrrit dhe burrit të vrarë, ju kisha lutur për bashkim. Këtu jemi në varrim, jo në miting politik. Ne si familje dhe si fshatra jemi përgatitur psikikisht dhe shpirtërisht që t’i bëjmë ballë kësaj tragjedie që na ka ndodhur dhe do të vazhdojmë së bashku drejt rrugëtimit tonë për çlirimin e Kosovës”.
Menjëherë njerëzit u qetësuan.
Tashmë në hyrje të truallit të dëshmorëve Muhamet dhe Naser Gjeli, në fshatin Likoshan, është vendosur një pllakë me flamurin kombëtar dhe shtetëror, derisa shtëpinë e re Ganimetja e ka ngritur me forcat e veta, mbi themelet e shtëpisë së djegur dhe të rrafshuar në fshatin Likoshan.
Ganimetja është nëna e tre djemve, Patriotit, Milotit dhe Naserit. Djali i vogël e bart emrin e babait dëshmor, i cili ka lindur pak muaj pas rënies së babait. Që nga pas lufta Ganimetja është kujdesur maksimalisht për t’i rritur dhe për t’i edukuar shqiptarisht tre djemtë e saj, me të cilët jeton dhe vepron në Austri. Shembull i një nane shqiptare.
Ajo qëndron krenare, e fortë dhe shumë e artikuluar në atë që shpreh. Shihet që leximin e ka pasion, sepse rrjedh nga një familje intelektualësh. Kjo grua modeste me heshtjen e saj, asnjëherë nuk kërkoi asnjë privilegj dhe asnjë përkujdesje nga shteti i Kosovës, as për veten, as për djemtë e saj të cilëve babai dhe gjyshi u ranë dëshmorë më 28 shkurt 1998.
Kjo le të mbetet në ndërgjegjen e gjithë klasës politike të pasluftës, për obligimin dhe përkujdesjen që kanë ndaj familjeve të dëshmorëve.
Të faleminderit për kontributin dhe sakrificën e dhënë në rrugën e çlirimit të atdheut, Ganimete Demaku-Gjeli. U kujtofshin ndër breza, dëshmorët e martirët e fshatrave rrëzë Çiçavicës!
I përjetshëm kujtimi për të rënët për çlirimin e Kosovës!

Kontrolloni gjithashtu

RrGK publikon Raportin Analitik “Më shumë zgjedhje përmes politikave miqësore për familjen”  

RrGK shpreh shqetësim të madh në lidhje me denimin e ulët të dhënë nga Gjykata Themelore në Prishtinë për rastin e dhunimit të 11-vjeçares

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) shpreh një shqetësim të madh në lidhje me denimin …