Ahmet Qeriqi: Aeroplanë bombardues të NATO-s goditin bazën ushtarake serbe në Feronikel të Gllogocit (E enjte 29 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Aeroplanë bombardues të NATO-s goditin bazën ushtarake serbe në Feronikel të Gllogocit (E enjte 29 prill, 1999)

Moti ka filluar të përmirësohet dukshëm. Ka zhvillime reshje të bardha e të jonizuara por nuk po bie. Përgjithësisht  duket qetë në orët e para ditës.

Sot, derisa po punonim në përgatitjen e emisionit në tendë ka ardhur njëfarë Ramadan Jolla i Arllatit. Ai njihet me Nusret Pllanën dhe na ka sjellë gjysmë kilogrami qaj. Ramadani flet për të masakruar, për humbjet tona, për sa e sa gjëra të tjera dhe më duket se është traumatizuar rëndë nga lufta. Ai tregon se si serbët ia kanë djegur shtëpitë dhe tërë pasurinë.

Na premton se edhe herëve të tjera do të na vizitojë dhe do të na sjellë qaj, meqë ne nuk e pimë duhanin as kafenë, ndërsa çajin e konsiderojmë artikull ushqimor meqë në mëngjes bukën e hamë me qaj.

Derisa me Nezirin po i përgatitnim lajmet, në orën 13,30 kemi dëgjuar një shpërthm të fuqishëm në drejtim të Gllogocit. Përnjëherë kemi dalë mbi zabel dhe kemi vërejtur tymin që ka filluar të ngrihet nga kompleksi I Feronikelit. Po në të njëjtën kohë, aeroplanët e NATO-s, kanë goditur edhe bazën strategjike të okupatorit në Biraq të Duhles. Ndërkohë forcat serbe të pozicionuara te Gryka e Llapushnikut kanë goditur me raketë në drejtim të aeroplanëve të NATO-s. Pa vonuar dy aeroplanë të tjerë të forcave të Aleancës e kanë identifikuar vendin nga ku kanë sulmuar serbët, ndërsa me një shpejtësi rrufeje ka goditur aeroplani tjerë të cilin nuk e kemi vërejtur se kah erdhi. Afër gjysmë orë kanë zgjatur bombardimet në Feronikel dhe në bazën serbe te Gryka e Llapushnikut. Forcat serbe kanë pësuar humbje të konsiderueshme. Tërë spektaklin e kemi përcjellë nga maja e Pallanikut. Tymi i dendur i bazenave të mazutit, ku kanë goditur aeroplanët është shtrirë në tërë luginën e Drenicës.

Luftëtarët tanë me rastin e sulmeve të tilla po i godasin forcat serbe të cilat po dezorientohen.

Sot NATO-ja ka goditur edhe një bazë radiotransmetuese serbe në Komaran. Sulmi i ditës  së sotme ka qenë më i rrufeshmi deri tani në rajonin tonë.

Pak më vonë bëhet e ditur se NATO-ja ka goditur edhe disa njësi të motorizuara të armikut në Podgur dhe në Llapushë.

Luftime të rrepta në mes të njësiteve tona dhe armatës serbe janë zhvilluar edhe në fshatin Terpezë. Luftëtarët tanë atje janë në pozicione në krye të fshatit, ndërsa pozicionet serbe në hyrje të fshatit. Nuk kemi të dhëna për të rënë apo të plagosur nga radhët tona.

Sot serbët i ka goditur rrufeja qiellore. Të gjithë ata që kanë shpëtuar nga ky zjarr qiellor ferrin e ditës së sotme nuk do ta harrojnë gjatë tërë jetës. Zëdhënësi politik i NATO-s Xhejmi Shia ka bërë të ditur se qysh sot fillon operacioni i quajtur 24 orë. Kjo nënkupton sulme të pandërprera si gjatë ditës ashtu edhe gjatë natës mbi bazat ushtarake ekonomike e qeveritare jugosllave. Si duket qysh sot po fillon një etapë e re e luftimeve meqë serbët ende nuk e kanë ngritur flamurin e bardhë dhe nuk i kanë plotësuar pesë kushte e parapara të NATO-s për ndërprerjen e armatimit.

Emisionin e lajmeve e kemi freskuar edhe me zhvillimet e fundit të luftimeve, të cilat i kemi përcjellë drejtpërdrejt nga vend transmetimi.

Për të gjitha këto serbët do t`i hakmerren popullatës civile për këtë jemi fare të sigurt. Mirëpo luftë është dhe kthim prapa nuk ka, sidomos tani kur NATO-ja ka filluar ta rrisë shkallën e ndëshkimit.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Bandat serbe kanë vrarë profesor Fehmi Aganin. Ata po bëjnë përpjekje që këtë akt të tyre qyqar t’ia adresojnë UÇK-së. Aeroplanë të NATO-s kanë goditur godinën e Ambasadës kineze në Beograd. (E shtunë 8 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Bandat serbe kanë vrarë profesor Fehmi Aganin. Ata po bëjnë përpjekje që këtë akt të tyre qyqar t’ia adresojnë UÇK-së. Aeroplanë të NATO-s kanë goditur godinën e Ambasadës kineze në Beograd. (E shtunë 8 maj, 1999)

Shi dhe mjegull. Natyra megjithatë është mbushur me gjelbërim. As moti i lig, as predhat …