Afrim Sadri Gashi (26.12.1977 – 3.8.1998)

Afrim Sadri Gashi (26.12.1977 – 3.8.1998)

Fshati Kryshec i komunës së Skënderajt luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për liri dhe pavarësi nga robëria serbe i ka dhënë pesë dëshmorë dhe 32 martirë. Ky fshat ashtu sikur po thuajse të gjitha fshatrat e Drenicës ishte bashkuar i tëri me luftën dhe i mbarti mbi supe pasojat e shkatërrimet e regjimit shqiptar-vrasës së Serbisë së Milosheviqit.
Sadri dhe Xhezide Gashi nga fshati Kryshec i Drenicës lindën e rritën pesë bij dhe një bijë: Mehdiun, Shemsedinin, Vjollcën, Afrimin, tani dëshmor, Besimin dhe Bekimin.
Afrimi u lind më 26 dhjetor të vitit 1977. Mësimet e para i mori në fshatin Polac, ndërsa shkollën e mesme teknike, tani “Anton Çetta” e mbaroi në Llaushë.
Në vitin 1997 ishte regjistruar në Degën e Gjuhës Angleze në Universitetin e Prishtinës, shkollimi në shtëpi private, meqë regjimi i Beogradit kishte mbyllur të gjitha shkollat e mesme dhe Fakultetet kudo në Kosovë.
Duke qenë se Ushtria Çlirimtare në Drenicë kryente aksione dhe lufta ishte në shpërthim, Afrimi, ashtu sikur shumë bashkëmendimtarë të tij kudo në vendin tonë, ndërpret mësimet dhe fillon angazhimin në radhët e UÇK-së. Paraprakisht kishte kontaktuar me luftëtarët e lirisë dhe ishte përgatitur për luftë. Beteja në Rezallë të Re, ish-Ludovig më 26 nëntor dhe dalja publike e UÇK-së më 28 nëntor të vitit 1997, kishte bërë që rinia e Drenicës në mënyrë masive t’i bashkohej luftës së UÇK-së.
Afrimi ishte sistemuar në pikën e quajtur “Gulinovi” në fshatin Llaushë, të Skënderajt, ku komandant i pikës luftarake ishte luftëtari i njohur i kësaj ane, Jetullah Geci.
Më vonë sistemohet në radhët e njësitit “Shigjeta” të Brigadës 113 “Mujë Krasniqi” të Zonës Operative të Drenicës.
Në qershor të vitit 1998, me kërkesë të Shtabit të Përgjithshëm, me disa shokë dërgohet përforcim në Zonën Operative të Dukagjinit. Pas një kohe kthehet sërish në Drenicë dhe merr pjesë në aksione të shumta që zhvilloheshin nëpër pikat luftarake të UÇK-së me bashkëluftëtarët: Shkëlzen Dobra, Naser Gashi, Mensur Gashi, Çaush Dobra e të tjerë.
Në fillim të gushtit të vitit 1998, forcat serbe marrin një ofensivë në shkallë të gjerë kundër luftëtarëve të UÇK-së. Duke qenë se forca numerike serbe kishte epërsi në teknikë ushtarë dhe policë ishte dhënë urdhri që luftëtarët të largoheshin nga pozicionet e para dhe të tërhiqeshin, meqë breshëria e armëve armike kishte goditur nga çdo anë dhe disa luftëtarë kishin marrë plagë të rënda.
Më 3 gusht të vitit 1998, Afrim Gashi i bashkohet sërish njësitit të komandantit, Jetullah Geci, i cili operonte në afërsi të Manastirit serb të Deviçit dhe papritmas has në forcat serbe. Pas një luftimi ballë për ballë dhe një rezistence shembullore disa orëshe të luftëtarëve të kësaj pike, Afrimi bie heroikisht në altarin e lirisë së Kosovës.
Bashkëluftëtarët nuk kishin arritur ta tërheqin trupin e tij, për shkak se forcat serbe kishin sulmuar pandërprerë.
Trupi i tij kishte mbetur për një kohë në vendin e rënies.
Në tetor të vitit 1998, me ndërhyrjen e forcave të OSBE-së trupi i Afrim Gashit ishte tërhequr nga vendi ku kishte rënë dhe me nderime ushtarake ishte varrosur në varrezat e fshatit Krushec më 10 tetor 1998. Ai ishte dëshmori i parë i fshatit, ndërsa deri në fund të luftës nga ky fshat kanë rënë dëshmorë edhe: Shkëlzen Dobra, Xhavit Dobra, Arsim Gashi dhe Afrim Shaqir Gashi.
Afrim Gashi është i shpallur dëshmor dhe familja e tij ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Zona Operative e Drenicës, Shoqatat e luftës, ndërsa më urdhër të kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi, është shpallur hero, më 24 korrik të vitit 2017. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …