Azë Zekë Brahimaj (1.1.1921 – 3.8.1998)

Azë Zekë Brahimaj (1.1.1921 – 3.8.1998)

Femra shqiptare që nga koha e mbretëreshës, Teutë, e deti në kohën tonë gjithnjë ka qenë e angazhuar në luftë për ta mbotjur atdheun, nderin e familjes dhe dinjitetin e popullit e të kombit të cilit edhe i ka takuar. Edhe në luftë kundër pushtimit turk femra shqiptare mori pjesë me shpatë në dorë. Janë të njohura trimëreshat si: Donika Kastrioti, vashat e Kurbinit, Nora e Kelmendit, Tringa Smajli, trimëreshat e Sulit, Bublina e të tjera etj. Në luftë kundër pushtimit serb u shqus Qerime Halili nga Radisheva e Drenicës, e cila prej vitit 1924 e deri në vitin 1927 ishte edhe udhëheqëse e luftëtarëve dhe çetave popullore shqiptare në Drenicë e më gjerë, pas rënies së kryetrimit të luftës çlirimtare kundër mbretërisë okupatore despotike serbe, Azem Bejtë Galica.
Në luftë kundër forcave masakruese bullgare në Iliridë, në Malësinë e Gostivarit, në kohën e luftërave Ballkanike, në vitin 1913, u shqua Sulltane Qafa e cila ra trimërisht në mbrojtje të nderit dhe të familjes. Në luftë kundër ripushtimit serb të Kosovës u shqua heroina Marie Shllaku, të cilën regjimi komunist titist-jugosllav, e dënoi me vdekje-pushkatim.
Një femçr jo sa duhet e njohur ndër ne është edhe Gjystina Shkupi, infermiere dhe luftëtare në luftën e Spanjes së viteve 1937-1939 së bashku me shumë luftëtarë shqiptarë, si Asim Vokshi, Mehmet Shehu, Xhemal Kada e shumë të tjerë.
Femra luftëtare dhe dëshmore të UÇK-së janë: Zahide Jashari, Aze Brahimaj, Hidajete Jashari, Sala Jashari, Igballe Jashari, Adile Jashari, Elheme Jashari, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, Fatime Hetemi, Antigonë Fazliu, Luljetë Shala, Hyrë Emini, Mukadeze Lika, Myrvete Maksutaj, Gjylsere Sahiti, Lumie Raka, Jehonë Raka, Melihate Rama, Serbeze Gashi, Fatime Bazaj, Hadije Spahiu, Afërdita Spahiu, Njomëza Lipaj e të tjera.
Një nënë shqiptare e cila ka lënë një histori të veçantë në luftën e UÇK-së është edhe nënë, Azemine Brahimaj, e njohur si nënë Aza. Ajo ishte ndër ato nënat e mëdha që lindi e rriti me përkushtim fëmijët e saj. Gjatë luftës mirëpriti luftëtarët e lirisë, ashtu sikur bijtë e bijat e saj, të gjithë ata djem e vajza në ilegalitet e në luftë.
Azë Zekë Brahimaj ka lindur, më 1 janar të vitit 1921, në fshatin Grabanicë të komunës së Klinës. Ajo u martua me, Shaban Arif Brahimajn nga Jabllanica e Dushkajës komuna e Gjakovës. Në jetën e saj bashkëshortore ajo lindi e rriti bijtë e bijat: Arifin, Selmanin, Nazmiun, Lahiun, Rukën, e cila është nënë e heronjve të kombit Luan Haradinaj dhe Shkëlzen Haradinaj. Ruka lindi edhe bijën, Hyrën.
Kontributi i nënë Azës, në luftën për çlirimin e Kosovës është i madh.
Ajo në radhët e UÇK-së bashkë me krejt familjen ishte inkuadruar qysh në vitin 1996.
Me krijimin e celulave të para të UÇK-së, në Dukagjin, ajo priti në shtëpinë e saj, i strehoi, ju dha bukë, luftëtarëve çlirimtarë më vonë dëshmorë të kombit si: Zahir Pajaziti, Mujë Krasniqi, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Luan e Shkelzen Haradinaj, Abedin Rexha, Bedri Shala, ABEJA-ja, Xheladin Gashi, Xhelal Hajda, pastaj edhe Sylejman e Rexhep Selimit, Ramush e Daut Haradinaj, Kadri Veseli e Hashim Thaçi, Sahit e Musë Jasharit, Nait Hasani, e shumë të tjerë. Të gjithë këta e të tjerë nëna Azë i priste i përcillte, u jepte bukë, u jepte moral për luftën.
Ndihmesë të madhe luftës çlirimtare i dhanë edhe njësitë logjistike që shërbenin në zonat e lira pranë komandave, pastaj njësitë mobile që bënin lidhjet me logjistikën nëpër vende të ndryshme. Një kontribut të tillë dha edhe Azë Brahimaj, e cila shumë herë gjatë veprimtarisë së saj ilegale e legale kishte rrugëtuar nëpër vende të ndryshme të Kosovës, për të kontaktuar me grupe dhe për të mbajtur lidhjet e tyre si atë të Jabllanicës e Gllogjanit e të tjera.
Kur luftëtarët çlirimtarë nuk kishin mundësi lëvizjeje, në rrethana të caktuara të luftës, sidomos gjatë ditës kur ndodheshin në ndonjë bazë, ishte nëna Azë, ajo që shkonte e dërgonte porositë e caktuara, njëjtë sikur kishte vepruar në Prekaz, Sala Jashari. Me mund dhe pa u kursyer në moshën e saj të pleqërisë, ajo gatuante bukë dhe u mbante lidhje luftëtarëve të lirisë, që qëndronin me ditë e javë në shtëpinë e saj. Ajo mbahej krenare për bijtë luftëtarë, për Lahiun që ishte pjesë e kreut të luftës, për nipat në Gllogjan të cilët mbanin mbi supe fatin e luftës në Dukagjin. E vetëdijshme për pozitën me të cilën e kishte ballafaquar koha, ajo kishte marrë vendimin e saj definitiv, të qëndronte në shtëpi dhe ta mbronte konakun e burrit e të vetin, ku kishte lindur e rritur bijtë e bijat dhe ku kishte jetuar me nder e dinjitet.
Me 2 gusht të vitit 1998 në ofensivën që ndërmori ushtria serbe, nëna Azeminja nuk pranoi të largohej nga shtëpia. Ajo kishte ndarë mendjen me kohë dhe donte të qëndronte në shtëpi e të ishte krah për krah me djemtë e saj, që luftëtarëve të lirisë të mos u mungonte buka. Me 3 gusht të vitit 1998 forcat vrastare e vranë në oborr të shtëpisë, së bashku me nënën e saj Zizën, 100 vjeçare, e cila ndodhej te bija e saj.
Atë ditë nëna Azë e shpagoi veten. Ajo i zbrazi dy bombat e dorës, që i kishte ruajtur me muaj për një sulm të tillë. Nëna Azë u bë e pavdekshme me veprat e saja. Ajo vuri vetën në shërbim të interesave të kombit, nuk u kursye për asgjë deri në momentin e fundit të jetës së saj. Pas vdekjes, është dekoruar me mirënjohje nga ish presidentja Atifete Jahjaga, dhe nga kryetari i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. ( A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …