Agron Tufa: Ego-fallo-centristët e pellazgianizmit dalipist

Agron Tufa: Ego-fallo-centristët e pellazgianizmit dalipist

Pak orë më parë kisha shkruar një status [Gjithë këto marrëzitë popullore me pellazgë dhe shpjegimin e çdo fjale, sendi apo dukurie të huaj vetëm e vetëm me anë të gjuhës shqipe, flet për një epidemi që po majmet, ardhanget, harliset e po moleps me delirin derdimen edhe atë pak kthjelltësi të arsyes së esëllt kritike. Tradita psikanalitike e Frojdit, Lakanit dhe Derridasë e ka quajtur “Fallocentrizëm”. Mendoj se te ne duhet pagëzuar, po në këtë frymë, por me termin më të saktë: “Ego-fallo-centrizëm”. Egofallocentristët tanë tashmë janë bërë të rrezikshëm, brutalë e kanosës. Provo t’i kundërshtosh!] për marrëzinë popullore të profanëve që i janë përveshur, përkundër analfabetizmit të tyre, misionit për të bindur këdo mbi dhe se çdo gjë që ka lëvizur, lëviz e fluturon – shpjegohet vetëm me fjalë shqipe. Asnjë gjuhë s’ka guxuar të ndodhë, pa rrjedhë prej pellazgjishtes? Ndoshta shqipja edhe është Big-Bangu i çdo gjuhe mbi faqe të dheut dhe qejfi do na bëhej të ishte – nuk ishte ky thelbi i diskutimit – por si e vërtetojnë këtë levendët e pellazgologjisë sonë? Me çfarë fjalësh? Se, me etimiologjinë akrobatike të shqipes-dalipishte [sipas Agron Dalipajt], step-by-step, nuk shkohet as në derë të vogël.

Marrim vetëm një shembull, fjalën e mbetur nga leksiku turk “aksham”. Si përgjigjen adeptët dalipistë?

“Aksham” – fjalë turke?! Jo, është shqipe e kulluar. Si? Shumë e thjeshtë. Ndiq hapat:

  1. ‘a’-në e dytë e bëjmë ‘e’. (Po pse nuk bëjmë edhe a-në e parë? Ashtu është një muhabet). Pra, akshEm.
  1. Shtojmë nga xhepi një ‘a’ tjetër pas ‘k’-së. Pse? Sepse nuk del. Pra, u bë akAshEm. A shtojmë një ‘a’ ose ‘u’ pas ‘m’? Rri urtë!
  1. Shtojmë nga xhepi një ‘h’ pas ‘e’-së që ishte ‘a’. Heu bre! Pra, del ‘akasheHm’.
  1. Tani arritëm në finale! Jo prit! Shtojmë edhe një ‘ë’ tjetër pas ‘m’-së. Del “akashehmë”
  1. Tani që e rregulluam sipas qejfit, vjen surpriza pellazge! Le ta ndajmë se bashku: a-ka-sheh-më. E kuptuat? Është shqip mo, shqip. Domethënë është fjalë-fjali pyetëse (duhet t’i shtojmë edhe një pikëpyetje akshamit ne fund, por e leme me kaq, se do bezdisen njerëzit). Pra, si themi ne kur errësohet dhe nuk sheh më: “A ka sheh më?” Hë mo, themi apo jo kështu? Ne pellazget kështu e themi. Ju që jeni shitur te turku, thoni: aksham. Ja pra, ika, se më zuri akashehmëi?

Pikërisht këtë lloj marrëzie, që çdo gjuhë të huaj, pa përjashtim, e shpjegojnë doemos përmes shqipes me këtë metodë “mbushamendëse”, e quajta Egofallocentriste. Dhe përfundoja: “Egofallocentristët tanë tashmë janë bërë të rrezikshëm, brutalë e kanosës. Provo t’i kundërshtosh!”

Nuk vonoi dhe u vërsul mbi mua “shkenca dhëmbaçe dalipiste”! O burra, t’i biem jezitit që na mohoi vatanë! I mbushën fejsbuqet e tyre deri më tash plot me mërzi jeshile botërore. Bini mor trajma, bini …!

 

Hall të ushtrosh lirinë tënde të mendimit pa këto pasoja, përndryshe, lëre derdimenin në shenjtninë e vet …

 

Kontrolloni gjithashtu

Takime vëllazërore me shqiptarët e Kroacisë

Kryetari i Nderit i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, njëherit dhe Anëtar i …