Në moshën 79 vjeçare ndërroi jetë drejtori i Radios-Kosova e Lirë, profesor, Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Çka duan të na tregojnë Jugo-nostalgjikët për “të mirat” e Kushtetutës së vitit 1974

Dje dhe sot në disa portale është përkujtuar “Kushtetuta” e Krahinës së Kosovë Metohisë e vitit 1974, duke e cilësuar si në të arritur dhe fitore të madhe të komunistëve shqiptarë, jugosllavë:  Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Mahmut Bakalli, Kolë Shiroka, Azem Vllasi dhe tërë nomenklatura politike e atyre viteve.  Rikthimi në kujtesë i kësaj “ngjarje me rëndësi” bëhet për të treguar se politika e drejtë e bashkim vëllazërimit, e shokut Tito dhe besnikëve të titizmit e të rankoviçizmit kishte avancuar Kosovën në Republikë, por pa emër.   Madje mund të lexohen edhe konstatime si këto: “Gjendja e shqiptarëve në Kosovë u përmirësua dukshëm nga vitet 70, e sidomos me nxjerrjen e Kushtetutës së Kosovës… Kushtetuta e re jugosllave e vitit 1974, që mbeti në fuqi deri në shthurjen përfundimtare të Jugosllavisë, i siguronte Krahinës Autonome të Kosovës një status të barabartë, në shumë rrafshe me ato të republikave. ( Kosovapress, 22. 2. 2016).

Pastaj afishohen të dhëna rreth barazisë, prosperitetit të Kosovës në kuadër të Jugosllavisë, zhvillimit të arsimit, shkencës, kulturës dhe shkohet deri atje sa konstatohet se kemi pasur të bëjmë me zhvillimin më të madh të mundshëm të shqiptarëve në Kosovë, madje edhe të mirë se sa tani në Kosovën e çliruar nga robëria shekullore serbe e jugosllave dhe krijimit të  Shtetit të pavarur.

Mendjet jugo-nostalgjike janë mendje të robëruara. Ata  shohin e analizojnë vetëm një segment të realitetit, pa vënë në spikamë se cila forcë dhe cila rezistencë aktive kishte çuar në avancimin e pozitës së shqiptarëve, duke lënë të kuptohet se krejt zhvillimi dhe përparimi ishte rezultat i politikës së drejtë të RSFJ-së në raport me pakicat kombëtare.

Pikërisht në kohën e “artë” të jugo-mendjeve, në Kosovë kishte filluar fushata e egër e arrestimeve të kundërshtarëve të jugosllavizimit të shqiptarëve, me kërkesa për shkëputjen e Kosovës nga RSFJ  dhe bashkimit të saj më Shqipërinë. Vetëm një vit më vonë u arrestua për herë të tretë Simboli i Rezistencës Kombëtare, Adem Demaçi dhe shumë bashkëmendimtarë e bashkëveprimtarë të tij. Ai edhe asaj radhe u dënua 15 vjet burg ashtu sikur edhe shumë bashkëveprimtarë të tjerë të tij. Dihet se cili kishte qenë qëndrimi i kreut autonomist të Kosovës i asaj kohe ndaj Adem Demaçit, i cili për herë të tretë ishte prangosur për shkak të bindjeve të tij kombëtare e politike. Për avancimin e të drejtave të shqiptarëve, gjatë tërë kohës së Jugosllavisë, të gjitha burgjet e atij Shteti kanë qenë të mbushura me shqiptarë. Kjo dihet botërisht edhe pse fshihet me dinakëri nga jug0-shqiptarët, bijtë e bijat e tyre dhe mbetjet e tilla të  ndryshme në vendin tonë.

Përpjekjet, që avancimi i pozitës kushtetuese të Kosovës të lidhet me emrin e Titos dhe kreut komunist jugosllav, apo kreut komunist të Kosovës autonome në kuadër të Serbisë, me një përfaqësim krejtësisht formal edhe në federatë, gjithnjë si “Krahinë autonome” janë përpjekje antihistorike, demagogjike, pse jo edhe antikombëtare. Se realiteti kishte qenë krejt ndryshe dhe jo sikur mundohen të na bindin jugonostalgjikët, ka folur e ka dhënë shpjegime të mjaftueshme edhe vetë Josip Broz Tito, i cili kishte kundërshtuar fuqishëm avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës, duke fajësuar për këtë edhe shokët e tij më të ngushtë, disa nga komunistët e Kosovës si dhe Republikën e Shqipërisë.

Në fjalimin e tij në Karagjorgjevë , më 21 dhjetor 1979 dhe më 22 dhjetor 1979, Josip Broz Tito kishte thënë: Shokë, më duhet të them, kur është fjala për Kosovën, se të gjithë ata që votuan për Kushtetutën e vitit 1974 do të jenë fajtorë për fatin e Jugosllavisë. I vetmi që pati guxim të votojë publikisht kundër Kushtetutës, ishte heroi i popullit Radenko Mandiqi, i cili pohoi se Kushtetuta e tillë është kundër parimeve të KAÇKJ-së (AVNOJ-it). A nuk është e rëndësishme edhe porosia e Kardelit, i cili, gjatë aprovimit të Kushtetutës, tha: “Nuk është i rëndësishëm shteti, porse ata që kanë pushtetin”. Dhe, po e shihni, tash, kur kemi këso kushtetute, e ajo na e pamundëson kontrollin, sidomos në hapat politikë në republika dhe në krahina, po merr hov nacionalizmi, sikur në Kosovë. Nga kreu ynë ushtarak kam marrë, si bazë për këtë bisedë, një informacion të gjerë me shkrim, të cilën ma ka dhënë gjenerali Lubiçiq, informatë të cilën e kanë nënshkruar edhe të gjithë komandantët e zonave ushtarake, si dhe komandanti i MLJ dhe i ALJ. Duke e lexuar atë informatë, kam qenë i shokuar me informacionet e theksuara mbi situatën në vend. E kam ditur se situata e sigurisë në Kosovë, e për këtë do të flasim gjerësisht pak më vonë, është e keqe, por nuk e kam ditur se marrëdhëniet ndër-republikane mes republikave tona kanë rënë në nivel aq të ulët. Kështu, në atë informatë theksohet se disa kuadro kroate, që edhe gjatë Luftës Nacionalçlirimtare kanë pasur ambicie të tilla nacionaliste, tash, në qarqe të njëjta bashkëmendimtarësh, flasin se kemi gabuar që Bosnjë-Hercegovina është formuar si republikë, se ajo i takon Kroacisë,  sikur në kohën e luftës kur ishte nën N-D-H-së. Veç kësaj, nga shokët që kanë qenë tek unë para Havanës kam dëgjuar se edhe në Slloveni nuk është duke shkuar puna ashtu si duhet, ndërsa në Serbi thuhet  se krahinat paskan fituar, status shteti”.

Nga ky fjalim shihet se idoli i bashkim vëllazërimit dhe i barazisë së kombeve dhe pakicave kombëtare, njeriu i cili ka lënë ndikim të madh te komunistët shqiptarë të Kosovës, nuk e kishte mirëpritur, jo vetëm avancimin e pozitës kushtetuese, por as barazinë e shqiptarëve me popujt e tjerë, ndërkohë që kishte kundërshtuar me forcë bashkëpunimin e Kosovës me Shqipërinë socialiste. Ai për këtë kishte fajësuar dobësimin e federatës, marrëdhëniet e këqija mes republikave, forcimin e nacionalizmit ekonomik dhe politik dhe kizën në vend, e cila ishte mbarsur me antagonizma klasore e politike, të cilat do të çonin në shkatërrimin e pashmangshëm të RSFJ-së, që edhe ndodhi dhjetë vjet më vonë.

Përpjekjet që po bëjnë disa qarqe politike në Kosovës dhe disa medie në shërbim e varshmëri të tyre, lidhur me mundësinë e rikthimit të bashkëjetesës së shqiptarëve e serbëve, sipas modelit të përbashkësisë dhe bashkim vëllazërimit, duke marrë si shembull Titon dhe “pozitën e avancuar” të Kosovës në vitet ’70, janë përpjekje, të cilat kanë për qëllim degradimin dhe degjenerimin e pavarësisë së Kosovës dhe kthimin e Serbisë në Kosovë. Mjerisht, kjo edhe po ndodh në shumë segmente.

Kjo mendësi politike në emër të pajtimit të shqiptarëve me serbë, derisa Serbia nuk lë ditë pa e shfrytëzuar për sulme bizare kundër Kosovës, pastaj  fushata kundër UÇK-së, kundër opozitës dhe kundër të drejtës historike të shqiptarëve për një shtet të përbashkët etnik, është dominuese te klasa e sotme qeveritare e Kosovës. Pikërisht për këtë arsye propagandohet e kaluara e “artë” e bashkim vëllazërimit, për këtë arsye nuk botohen shkrime e kritika kundër Josip Broz Titos, komunistit kroat, i cili është shpallur fundërrinë dhe tradhtar i çështjes kombëtare kroate, ndërsa në Kosovë ndonjë ditë mund të shpallet edhe Hero nga fundërrina titiste, rankoviqiste e millosheviqiane.

Fakti se në Kosovë qeverisin titistët e të gjitha përmbajtjeve si në Qeveri, polici, prokurori, gjykata, në disa ministri, në AKI dhe në tërë administratën, bën jo vetëm të mendojmë por edhe të organizohemi e të veprojmë kundër restaurimit të reaksionit titist dhe kundër mendjeve të degjeneruare të bashkim vëllazërimit e përbashkësisë së shqiptarëve me serbë e sllavë të tjerë.

Rikthimi qoftë edhe për  nostalgji i Kushtetutës së vitit 1974, është përpjekje për minimin e Kushtetutës së sotme,  të cilën e shkel sa herë të dojë kryeministri, zëvendësi  i tij dhe shumë qeveritarë të tjerë.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …