Viktor Malaj: Iluzionet e shumicës së shqiptarëve për perëndimorët i kanë shfrytëzuar me sukses sharlatanët tanë politikë të këtyre 25 viteve

Kur ra regjimi komunist në 1990, shumica dërmuese e shqiptarëve kishin për Perëndimin atë imazh që iu ishte krijuar kryesisht nga kanalet televizive: bollëk ekonomik pa hesap, për të gjithë dhe, madje, pa punuar shumë, pastërti dhe bukuri urbanistike dhe arkitektonike të mjediseve, të natyrës, femra dhe meshkuj të hijshëm që s’bëjnë gjë tjetër veç dashuri dhe luajnë filma. Këtyre imazheve, sa reale aq edhe të gënjeshtërta, iu shtua propaganda e paskrupullt e gjithfarë gangsterëve politikë shqiptarë që besuan se erdhi koha e tyre që, mbi prapambetjen shekullore shqiptare të ndërtonin strategjinë e ardhjes në pushtet sa më parë, duke krijuar iluzionin se Shqipëria do të bëhej shumë shpejt” si Evropa”, por me një kusht “të vogël”: të vinin këta në pushtet sa më parë, me çdo mjet dhe me çdo rrugë.

Mirëpo “këta” erdhën në pushtet, jo një herë por disa herë dhe sot, pas 26 viteve nga “revolucioni demokratik”, me gjithë disa ndryshime pozitive, kryesisht në aspektin ekonomik, gjendja e punëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve paraqitet jo e mirë, larg parashikimeve dhe premtimeve të dikurshme dhe përsëri pas gjithë vendeve të tjera evropiane. Pyetja e parë që lind në këtë rast është: Pse? Si është e mundur që, me një sistem politik krejt tjetër dhe me qeveritarë të ndryshëm, antikomunistë të thekur dhe “demokratë të çartur”, pa kurrfarë kufijsh fizikë dhe ideologjikë me Perëndimin dhe me ndihmën “kolosale” të vendeve perëndimore, ky vend dhe ky popull sillet në vorbullën e paqartësisë, kaosit moral, ekonomik, politik dhe social që e mban të shtrënguar në një dëshpërim të vazhdueshëm? Demagogët, që njëherësh janë edhe projektuesit dhe krijuesit e këtij kaosi për përfitime personale politike dhe ekonomike, e drejtojnë gishtin e fajësisë vetëm tek e kaluara e afërt politike e vendit dhe tek kundërshtari politik i radhës. Me gjithë gabimet dhe fajet e periudhës së para 1990, prapambetja shqiptare ka rrënjë të vjetra dhe të thella historike, kulturore, psikologjike e sociale. Në vetëdijen time ka zënë vend bindja se shkaktarët kryesor të prapambetjes jemi vetë ne shqiptarët, e të gjithë brezave. Por objekt i këtij shkrimi nuk janë shkaqet komplekse të prapambetjes tonë. Objekti është i kufizuar. Është ai që e tregon titulli i shkrimit.

Një ndër iluzionet e krijuar tek shqiptarët është ai se zhvillimi dhe përparimi i vendeve perëndimore ka ardhur vetëm për shkak të parimeve që ata propagandojnë dhe të vlerave morale që bartin dhe se ata gjithmonë zgjedhin njerëzit e duhur, të mirë e të drejtë në drejtim të qeverisjeve të vendeve të tyre. Për rrjedhojë, shqiptarët, ashtu si zogjtë e sapoçelur që presin me gojë hapur ushqimin që iu sjell prindi, konsiderojnë thuajse çdo politikan të huaj si engjëll dhe broçkullën më banale që mund të na tregojë ndonjë i huaj e vlerësojnë si aforizëm të artë.

E vërteta është se vendet perëndimore na kanë ndihmuar gjatë këtyre gati tri dekadave dhe na janë gjendur në mjaft raste me ndihma ekonomike e financiare, me pritjet dhe stabilizimin e shqiptarëve emigrantë. Për këtë arsye ne u jemi dhe duhet t’iu jemi gjithnjë mirënjohës. Por, kjo nuk do të thotë që të mos “i japim Cezarit çfarë është e Cezarit dhe Zotit çfarë i takon Zotit”. Refreni 25 vjeçar i këshillave të tyre ka qenë bajat dhe i pasuksesshëm, ndërsa parada e qëndrimeve të tyre ndaj zhvillimeve dhe aktorëve tanë politikë ka qenë e paqartë, me shumë standarde, belbëzake, as mish, as peshk dhe, jo rrallë, edhe e gabuar dhe e dëmshme duke i ekspozuar ata si zhonglerë politikë që tjetër thonë e tjetër bëjnë. Madje, në jo pak raste, zyrtarët dhe kancelaritë perëndimore kanë mbajtur qëndrime mjaft të dëmshme për perspektivat politike të Shqipërisë. Me sa duket, për këto personalitete dhe institucione politike perëndimore e rëndësishme ishte që shqiptarët “u kthyen” në të njëjtën fe politike me të tyren, ndërsa për fatin dhe perspektivën politike të Shqipërisë duket se ata mendojnë, ndonëse nuk e shprehin, se “kaq meritojnë, thefshin qafën…”.

Një popull i pjekur, i zhvilluar dhe dinjitoz i respekton popujt e tjerë dhe shtetarët e tyre. Ndërkohë përpiqet të përfitojë nga përvojat dhe arritjet e të tjerëve, por nuk ia lejon vetes të tregohet aq inferior sa të presë me gojë hapur t’i tregojnë gjithnjë çfarë është e mirë apo e keqe, e drejtë apo e padrejtë, e moralshme apo amorale, përparimtare apo regresive. Ne vërtetë duhet të jemi nxënës gjithë jetën, por jo nxënës që ngelin në klasë.

Iluzionet e shumicës së shqiptarëve për politikanët perëndimorë i kanë shfrytëzuar me sukses batakçinjtë dhe sharlatanët tanë politikë të këtyre 25 viteve duke u përpjekur t’i shesin marrëdhëniet e ndërsjella politike, shoqërimet protokollare apo qoftë edhe një fotografi me figura dhe figurina politike të huaj si dëshmi të vlerave të tyre me demek hyjnore, vlera që nuk i kanë pasur kurrë.

Kjo gjë na kujton një rrëfenjë të vjetër për dy shokë të ngushtë. Pas shumë vitesh, fatet e kishin sjellë që njëri prej tyre të mbetej thuajse askush, ndërsa tjetri të bëhej i pari i vendit. Një ditë të bukur rastisi që i pari i vendit shkoi në qytetin ku banonte shoku i rinisë dhe gjatë ceremonive pritëse ndeshi në shokun e kahershëm. Pasi u takuan, i pari i vendit e pyeti shokun me se mund ta ndihmonte. Shoku i rinisë nuk i kërkoi gjë tjetër veçse sa herë të kalonte afër tij të ndalej për t’i dhënë dorën që të tjerët të shihnin se e kishte mik.

Qëndrimet e gabuara të të huajve në marrëdhënie me shqiptarët dhe Shqipërinë mund të kategorizohen në dy lloje: në qëndrime haptazi të gabuara, antidemokratike dhe të paligjshme, të kundërta me parimet e propaganduar prej vetë atyre dhe në qëndrime as mish, as peshk, të mbajtur kinse për hir të balancave dhe stabilitetit politik por, gjithsesi të gabuara dhe të dëmshme. Qëndrimet e llojit të parë filluan qysh në vitin 1991 kur, për hir të kalimit me çdo kusht të pushtetit politik nga duart e një grupi komunistësh të matufepsur dhe të velur me pushtet në duart e pasardhësve të tyre “atëmohues”, të etur marrëzisht për pushtet, lavdi dhe për pasuri, autoritete të huaj, që shërbenin nën maska diplomatike, ndërhynë brutalisht për të zhvlerësuar rezultatet e zgjedhjeve të para pluraliste duke iu kundërvënë praktikisht vullnetit të popullit shqiptar.

Nëse këto qëndrime mund “të justifikoheshin” në ato fillime, ka qenë i pajustifikuar dhe i turpshëm qëndrimi i disa figurave politike evropiane në përkrahje të Sali Berishës edhe pasi ai u bë botërisht i njohur si shkelës i parimeve demokratike që vetë i propagandonte. Nëse flasim për konsekuencë politike dhe integritet moral, dhunimet masive të zgjedhjeve të përgjithshme politike të 26 majit 1996 duhej të kishin qenë caku i fundit i karrierës politike të tij. Këtë cak dhe theqafje politike e kishin në dorë vetëm kancelaritë perëndimore, të cilat kanë qenë të vetëdijshme për hendekun pafundësisht të madh midis fjalëve dhe veprave të këtij sharlatani të dhunshëm.

Kur precedenti i 26 majit solli krizën e marsit 1997, ish-kancelari austriak, Franc Vranicki, i cili erdhi në Shqipëri si përfaqësues i Evropës për zgjidhjen e krizës, u pyet nga gazetarët se cilët ishin engjëjt dhe cilët ishin djajtë e kësaj krize, ai tha: “Edhe djajtë kanë qenë dikur engjëj”. Nënkuptimi ishte i qartë se bëhej fjalë për “engjëll-djallin” Berishë, por shumë pak e kuptuan. Edhe deri këtu ishte mbushur kupa por, meqenëse engjëll-djalli nuk u ndëshkua, erdhi marrja me dhunë e pushtetit në 14 shtator 1998. Pyetja që bëjnë sot ende shumë shqiptarë është: Çfarë do të kishte ndodhur në cilindo shtet perëndimor sikur këto sjellje dhe veprime kriminale t’i kryente dhe kryesonte një politikan i tyre i çmendur? A kanë vallë dy standarde morale, politike dhe demokratike perëndimorët që ndërhynë të mos dënohej keqbërësi shqiptar? Nëse po, atëherë pse e mbajnë prej 25 vjetësh popullin shqiptar në sallën e provimit dhe nuk ia japin “diplomën politike” që e bën pjesëtar të bashkësisë së tyre me pretekstin se nuk ka plotësuar standardet e kërkuar prej tyre? Nëse kërkohen standarde të njëjta në sjellje, pse nuk zbatohen standarde të njëjta edhe në ndëshkime?

Janë tërësisht të padenja dhe të paefektshme disa qëndrime të kancelarive perëndimore siç ishte një reagim gjysmë ilegal ndaj pengmarrjes së prefektit të Shkodrës dhe djegies së komisariatit të policisë në shkurt-mars 1998, i cili dilte nga ambasada kryesore perëndimore në Tiranë dhe e cilësonte Jozefina Topallin si “terroriste”. Po kështu nuk ka qenë aspak e denjë meseleja e “Krokodilit” e vitit 2009, kur për zgjidhjen e krizës së hapjes së kutive të votimeve të falsifikuara u thirrën politikanët kryesorë shqiptarë në një restorant evropian dhe, ende sot, shqiptarët nuk e dinë çfarë u vendos dhe cila palë kishte të drejtë: falsifikuesit e votimeve apo kërkuesit e verifikimit të së vërtetës. Një sjellje prej kulimash ishte edhe dhënia për botim e një raporti të OSBE-së vitin e kaluar i cili ishte thjesht përmbledhje e akuzave që i kishin bërë në media njëra-tjetrës dy partitë kryesore politike. Pyetja që lind është: Ti që jep për botim raporte të tillë, je organizatë politike prestigjioze ndërkombëtare në Tiranë, apo je redaksi e një shtypi bulevardesh? Pse nuk komunikohet qartë, saktë dhe drejtpërdrejt me popullin shqiptar ?

Botimi i një pjese të korrespondencës diplomatike të ambasadës amerikane në Tiranë me qeverinë e vet dhe sjellja e disa ambasadorëve të tyre në Shqipëri nuk lënë vend për dyshime se politikanët perëndimorë tjetër gjë mendojnë për ne dhe sherrxhinjtë tanë politikë dhe tjetër gjë na thonë, të tjera vlerësime bëjnë dhe iu dërgojnë eprorëve të tyre për ta dhe me të tjera fjalë duan të na nanurisin neve. Megjithëse qeverisë së tyre i thonë se Sali Berisha është falsifikator dhe dhunues zgjedhjesh, nëpërkëmbës dhe dhunues i drejtësisë, autokrat dhe shkelës i normave demokratike dhe fjalori i tij politik është një turp kombëtar (eh, kush e di sa gjëra të tjera duhet të përmbajë korrespondenca e pazbërthyer nga Wikileaks!), neve na thonë se ai është “burrë shteti” dhe, pas gjithë zullumeve që ka bërë, shkojnë tani dhe e takojnë në zyrë për t’i marrë mendim (ndoshta leje) për reformën në drejtësi, reformë që, normalisht, duhej ta çonte në burg! Nuk është vetëm për t’u çuditur dhe aq. Është edhe për të pyetur: me ç’kushte ua jep Saliu “mendimet”?

Ishte shumë komprometues dhe i dëmshëm edhe për vetë autoritetin diplomatik e politik të misionit amerikan në Tiranë qëndrimi i ish-ambasadorit të tyre në vitin 2011, kur u ul këmbë mbi këmbë e llërëpërveshur për orë të tëra në sallën e numërimit të votave për bashkinë e Tiranës dhe, megjithëse i uroi fitoren Ramës me dhjetë vota diferencë, heshti kur peshkaqeni politik Sali Berisha realizoi falsifikimin e rezultatit duke mbledhur vota të pavlefshme nëpër kutitë e këshilltarëve bashkiakë.

Edhe pse Lulzim Bashën ua portretizojnë eprorëve të tyre si një “menaxher i dobët” dhe i korruptuar me tenderë rrugësh, neve na e shesin si “yll në ngjitje”. Po mirë, mor miq të respektuar, ky individi është një yll që po ngjitet falë kulturës, intelektit dhe integritetit të lartë moral, apo këto vlera nuk i ka por ju ia vishni që të jetë vegël në makinacione të leverdishme politike? Për çfarë iu nevojitet shqiptarëve një politikan i paaftë dhe i korruptuar që për t’u dukur kokorosh deklaron qysh sot se do të bojkotojë zgjedhjet politike pas një viti e gjysmë, nëse deri atëherë do të jetë kryeministër ai që shumica e popullit shqiptar e ka konfirmuar dy herë me votë të lirë? A mund të përputhet nocioni i demokratit me formimin e një njeriu që kërkon të zëvendësojë vullnetin popullor me vullnetin dhe dëshirat e tij vetjake, ashtu siç ka bërë babai i tij politik me të cilin, siç tha vetë, konsultohet për gjithçka?

A mund të konsiderohet kontribuues për demokracinë në Shqipëri takimi i z. Eduard Kukan me Sali Berishën pak ditë pasi familja e të vrarit nga qeveria Berisha i kërkonte takim zyrtarit të lartë evropian për t’u ankuar për vrasësin e të afërmit të tyre? A mund ta justifikojë këtë takim preteksti i z. Kukan se paskan “bashkëpunuar ngushtë me njëri-tjetrin për të paktën pesë vjet”, kur njëri ishte Kryetar i Delegacionit Evropian për Çështjet e Jashtme dhe tjetri kryeministri i Shqipërisë, fshehës i provave të vrasjeve të demonstruesve dhe pengues i drejtësinë në hetimin e atij krimi? Madje z. Kukan e konsideron “të afërt”!

Ashtu si reklamimi i një makine pranë një kampioni botëror të boksit krijon iluzionin se edhe makina është e fortë si kampioni, po ashtu shoqërimet dhe takimet e personaliteteve politike perëndimore me politikanë shqiptarë karagjozë dhe delinkuentë i faktorizojnë dhe i mbajnë gjallë këta të fundit për të keqen e vendit dhe të popullit tonë.

Jo, të nderuar miq! Sjellje të tilla përbëjnë shpërdorim të mirënjohjes që populli shqiptar ka dhe shpreh për vendet dhe popujt tuaj. Ato sjellje po shihen gjithnjë e më qartë si pengesa për përparimin e shoqërisë shqiptare drejtë standardeve që kanë arritur popujt në vendet e zhvilluara që ju përfaqësoni. Natyrisht që nuk është faji i politikanëve të Evropës dhe SHBA pse ne kemi figura politike të pamoralshme dhe të dëmshme, por faji i politikës perëndimore qëndron në faktin se me sjelljet e tyre kanë ndihmuar dhe ndihmojnë që këto figura të mbijetojnë jo për të mirën, por për të keqen tonë. Të ndihmosh të keqen dhe të padrejtën do të thotë të krijosh kushte për kultivimin dhe shumimin e saj edhe në të ardhmen.

Shqiptarët janë mirënjohës, por nuk janë aq naivë sa të mos kuptojnë se mirënjohja e tyre po shpërdorohet. Ka ardhur koha që politikanët perëndimorë dhe përfaqësuesit e tyre në Shqipëri ose të ndryshojnë parimet, ose të ndryshojnë sjelljet dhe qëndrimet e veta ndaj shkelësve të parimeve. Të dyja bashkë nuk mund të rrinë. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Studimi i së ashtuquajturës ‘Akademi e Studimeve Shqiptare’ në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, masakron historinë e LANC-it

Historianë dhe studiues gjysmakë,  me prejardhje balliste e profashiste,  në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë …