Edi Rama

Ahmet Qeriqi: Fitorja e Edi Ramës dhe PS-së në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021, do të jetë fitore e të gjithë shqiptarëve

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Qysh prej kohës, kur tetë vjet më parë mori timonin e Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama me stafin e tij  kishte filluar një epokë e re, në përpjekje për ta parandaluar erozionin e përgjithshëm, jo vetëm të ekonomisë por edhe e të gjitha vlerave kombëtare, pothuajse   në të gjitha segmentet e jetës,  në të cilin e kishin zhytur  Shqipërinë oligarkët me namin më të keq dhe me tragjeditë e mëdha që i shkaktuan kombit e Shqipërisë, prej viti 1991.

Askush nuk kishte pritur që Qeveria e re me Edi Ramën në krye  do të mund të bënte një kthesë të përnjëhershme, sepse qeveritë e kaluara aq shumë e kishin  degraduar çdo segment të jetës, sa  do të duheshin jo vetëm vite, por edhe decenie për të vënë në binarë real zhvillimor vendin, duke e ndarë nga e kaluara e klasës së zhvatësve të pasurisë kombëtare, e shitësve të saj në ankand publik, e manipuluesve që rrezikonin jo vetëm Shqipërinë po edhe shqiptarët kudo jashtë kufijve të saj.

Goditja që kryeministri, Edi Rama në fillim të qeverisjes së tij i kishte  dhënë korrupsionit, trafikut dhe prodhimit hapur të drogës, krimit të organizuar e shëmtive të tjera të panumërta  ishin treguesit e parë  të një kthese të mundimshme, të rëndë e të vështirë në të gjitha segmentet e jetës, por koha tregoi se Rama e kishte marrë punën me seriozitetin më të lartë të mundshëm dhe me të gjitha forcat që i dispononte.

Qysh gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 21 qershorit  të vitit 2013, kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, iu kishte premtuar shqiptarëve se do të bënte kthesa në qeverisje, se do ta luftonte korrupsionin, do të forconte lidhjet me Kosovën dhe të gjithë shqiptarët në rajon e më gjerë. Premtimet gjatë fushatës zgjedhore, asnjëherë nuk janë marrë, as merren gjithaq me seriozitet për shkak se të gjithë premtojnë, por pasi fituesit ta marrin pushtetin fillon periudha e mbajtjes së fjalës apo e anashkalimit të saj.

Pas krijimit të Qeverisë, kryeministri Rama po vonuar filloi luftën kundër trafiqeve, krimit të organizuar, kundër kumarit e bixhozit, kundër mafies së drogës në Llazarat dhe në Malësi të Madhe, kundër korrupsionit në Polici dhe në shumë institucione, ku krimi i organizuar, korrupsioni, abuzimet, keqpërdorimet ishin trashur e majmur  për shumë vjet.

 

Në fillim të Qeverisjes, Rama paralajmëroi një takim të përbashkët të Qeverisë së Shqipërisë dhe të Kosovës, në Prizren. Ishte hapi i parë, sado që simbolik për nga përmbajtja, që iu dha zemër shqiptarëve liridashës, jo vetëm në Kosovë, ku aspirata e bashkimit kombëtar është e gjallë dhe e fuqishme, por edhe gjithandej ku shqiptarët jetojnë ende  jashtë dy shteteve tona.  Dhe, hapërimi strategjik kombëtar i tij nuk u ndal vetëm në retorikë boshe politike, sikur zakonisht kanë bërë dhe bëjnë shumica e liderëve tanë politikë, këndej e andej kufirit. I sfiduar nga krerët e opozitës, të cilët nuk lënë gur pa përdorur kundër çdo paraqitjeje, veprimi apo aksioni të tij politik, social, ekonomik, diplomatik, Rama deri tani ka përballuar me shumë sukses të gjitha sfidat dhe nuk ka ndaluar asnjëherë, madje duket se nuk e ka ndërmend të ndalojë, i vetëdijshëm se çdo zmbrapsje nga presioni i opozitës dëmton programin e tij, të cilin tash për tash, pavarësisht të gjitha pengesave po e realizon me shumë sukses.

Qeveria reformatore e tij në luftë kundër krimit të organizuar kundër gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar, kundër deputetëve me dosje të rënda penale dhe kundër të gjithë shkelësve të ligjit, ka ecur me shumë vështirësi por edhe me një vendosmëri të paparë deri tani në 30  vitet e fundit të qeverisjeve, në Shqipëri.

I ballafaquar me një opozitë të vrazhdë, cinike, goditëse, hakmarrëse, arrogante, shantazhuese dhe kurdoherë e gatshme për ta marrë pushtetin, qoftë edhe me dhunë, ashtu sikur ka  provuar shpeshherë dhe ka bërë disa herë, Qeveria Rama, deri tani  ka treguar tolerancë maksimale, kulturë të fortë politike, durim deri në shkallën sipërore, por edhe veprim të fortë institucional në  realizimin fillestar të programit  e reformave, të cilat tashmë kanë filluar të prekin të gjitha segmentet e jetës, sepse 20 e më shumë vjet keqqeverisje, korrupsion, plaçkitje bizare të gjithçkaje, ndërtime pa leje, dëmtim i pasurisë publike, vjedhje e energjisë elektrike, vjedhje madje edhe të Thesarit të Shtetit, arsim dhe shëndetësi të korruptuar e të manipuluar,  20 vjet anarki, nuk kalohen dot me disa qeverisje të mirë dhe në dobi të qytetarit shqiptar, apo të shqiptarëve përgjithësisht.

Hapat konkretë që deri tani ka realizuar  Qeveria e Kabinetit Rama, janë për çdo lëvdatë, në të gjitha segmentet. Këta hapa i vërejnë shqiptarët kudo ku jetojnë dhe i përcjellin me vëmendje zhvillimet në Shqipëri, sepse vetëm një Shqipëri e fortë, stabile, një Shqipëri perspektive është në dobi të kombit të katandisur në pesë shtete, kombit, të cilit iu ka kërkuar në të kaluarën  dhe i kërkohet aktualisht  të jetojë i ndarë për hir të paqes në rajon dhe për hir të interesave të Serbisë, Greqisë, Maqedonisë, Malit të Zi, e mbi të gjitha edhe për hir të BE-së, e cila ekskluzivisht kërkon paqe në rajon, pavarësisht se sa dëmtohet zhvillimi dhe perspektiva e shqiptarëve në këtë drejtim.

Në një gjendje të tillë, ku Shqipëria po lufton për të vendosur ligjin, rendin, sigurinë dhe funksionimin e shtetit në të gjithë sektorët, ku Kosova po ballafaqohet me presionin gjithnjë në rritje të Serbisë, për t’ ia  deformuar pavarësinë  dhe perspektivën e saj, ( vazhdimisht e përkrahur edhe nga Brukseli zyrtar) ku shqiptarët në Maqedoni nuk po arrijnë të realizojnë qëllimet për të cilat kanë luftuar, ku shqiptarët e Kosovës Lindore nuk gëzojnë madje as të drejtat elementare njerëzore e kombëtare, ku shqiptarët në Mal të Zi janë shumë larg realizimit të një niveli normal të të drejtave të tyre elementare,  është vështirë të bëhet ndonjë kthesë për tetë vjet, edhe pse shumëçka është arritur. Megjithatë, në të gjitha këto segmente të jetës kombëtare e shoqërore të shqiptarëve në Ballkan ka një lëvizje, të paktën një qëndrim më unifikues të Qeverisë së Tiranës, në mbrojtje të interesit kombëtar të shqiptarëve, që tani po artikulohet me një  gjuhë më realiste, jo më me atë  gjuhën e dhjamosur diplomatike, të ndrydhur dhe të frikshme, e rezervuar për ta thënë troç të vërtetën.

Edi Rama, të vërtetën faktike të shqiptarëve dhe të aspiratave të tyre e tha në Beograd, pa u frikësuar fare, e kumtoi burrërisht atje ku nuk e kishte thënë asnjë politikan shqiptar i derisotëm, e tha edhe në Prishtinë e në Tiranë dhe pa asnjë mëdyshje do ta thotë edhe në BE dhe në OKB, sepse nuk mund të shtyhet më tej padrejtësia historike shumë shekullore që iu ka bërë dhe po iu bëhet 7 milionë shqiptarëve të shkapërderdhur në pesë shtete të Ballkanit.

Duke gjalluar ndër  shekuj me ndjenjën e inferioritetit, të skllavit, të pacifistit, politikani shqiptar i së kaluarës, në një masë të madhe edhe ai i së sotmes,  mbi të gjitha ka qenë një servil i neveritshëm në qasje e sjellje  ndaj çdo të huaji. Vetëm në raste të veçanta ai ka shprehur qartë identitetin, kërkesën e tij të ligjshme dhe të natyrshme dhe ka mbrojtur interesin e kombit e Atdheut. Kryeministri Rama ka shkëlqyer në këtë drejtim, jo me retorikë false, jo me ekuivoke e servilizëm  sikur bënte Sali Berisha e të tjerë, por ka vepruar me një qëndrim dhe veprim të pjekur politik, të moderuar në kuptimin realist të fjalës, pavarësisht se i ka mbetur apo jo hatri Evropës Plakë.

 Ta mbrosh të drejtën tënde, të drejtën e kombit e të popullit tënd të ndarë e të copëtuar padrejtësisht, nuk është asgjë tjetër, nuk është asgjë më shumë, pos një e drejtë e natyrshme dhe e patjetërsueshme, është detyrë mbi të gjitha detyrat, sepse kështu bëjnë qeveritarët e vërtetë kudo në botë.

Edi Rama nuk ka nevojë për lavde as elozhe, madje ai duket krejt indiferent ndaj tyre, por ka nevojë për përkrahje e mbështetje nga të gjithë shqiptarët liridashës, jo sepse vjen nga radhët e Partisë Socialiste, jo sepse është i majtë, por sepse e ka treguar  me vepër  atë që nuk e treguan si duhet e sa duhet pararendësit e tij në Qeverinë e Tiranës, të paktën jo në nivelin e tij.

Kësaj radhe do ta kursejmë edhe nga disa gabime të cilat i ka bërë, ose për të cilat ne kemi menduar dhe mendojmë se i ka bërë, pasi edhe ai vetë e ka pranuar se gjatë punës së tij janë bërë lëshime, por jo me qëllim. Sepse puna kolosale, e cila shihet e argumentohet në çdo cep të Shqipërisë, ka kredibilitet aq të madh sa i zbeh të metat e gabimet.

Natyrisht, dihet se “nga e thënë në të bërë ndodhet një det i plotë me rërë”, por nuk thuhet kot se  “një kokërr grurë nuk e mbush hambarin, por i ndihmon kokrrat e tjera për ta mbushur”.  Edi Ramës i duhet përkrahje, i duhet dhënë votat pa asnjë rezervë, sepse ka treguar dhe po tregon si di të qeveris, i mbanë premtimet, nuk e shkel fjalën.  Ai dhe Partia të cilën e përfaqëson  duhet të përkrahet nga të gjithë ata shqiptarë, që angazhim dhe synim  primar të jetës dhe aktivitetit politik e patriotik   kanë Shqipërinë, përparimin e saj, jo vetëm për hir të BE-së e miqve tanë, por në radhë të parë  për hir të brezit të tashëm e  brazave të ardhshëm, për domosdonë e marrjes në dorë të  fatit të  kombit të nëpërkëmbur. Përkrahja e të  tillëve i duhet  jo vetëm  nga radhët e zyrtarëve të tij, politikanëve e intelektualëve që jetojnë në Shqipëri,  por i duhet nga të gjithë ne dhe gjithandej, ku bukës i thuhet bukë, kripës kripë  e zemrës zemër.

Rama u ballafaqua me sfida ndër më të rëndat e më tragjiket që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë këtyre tetë viteve. Sfidat kulmuan me tërmetin katastrofal të vitit 2019 e pak më vonë edhe me pandeminë e virusit korona. Të dy këto tragjedi të natyrës së jetës njerëzore, Shqipëria i ka përballura me vendosmëri, kujdes, përgjegjësi dhe në nivelin më të larë të mundshëm, në kushte dhe rrethana tepër të rrezikshme, pa mbështetje të opozitës, për më tepër të një opozite destruktive e cila i dogji mandatet, doli në rrugë dhe u dha flakën institucioneve të Shtetit, me qellim të  shkatërrimit dhe  kthimit të Shqipërisë në vitin 1997 e më keq.

Një ballafaqim me sfida të tilla, nuk e ka përballuar askush në të kaluarën as do të mund ta përballonte kurrë sikur e përballoi me suksesin meritor, Edi Rama, me stafin e tij qeveritar dhe përkrahësit e përkushtuar, secili në vendin dhe në punën e vet.

Meritat e panumërta, puna serioze dhe e përkushtuar, menaxhimi i çdo krize të pritur apo të papritur, dalja zot e çdo situate, ka bërë që ai të fitojë edhe mandatin e tretë, nëse nuk është, përgatitur paraprakisht ndonjë diversion nga treshja ogurzeze e Shqipërisë, Meta-Berisha-Basha.

Nëse zgjedhjet do të zhvillohen me standarde, pa ndërhyrje e pa pretendime për t’i manipuluar ato, duke u bazuar në sondazhet e deritanishme por edhe të disponimit të shumicës së shoqërisë shqiptare në Shqipëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarët, Edi Rama dhe Partia Socialiste do të fitojë edhe kësaj radhe, për herë të tretë, që do të jetë një precedent për të mirë  i llojit të vet, por edhe një realitet që po ndodh para syve tanë, sepse tetë vite të qeverisjes së mirë, madje shumë të mirë, hetohen kudo në të gjitha pjesët e vendit, në rrugë, ndërtim me leje, ngritje të qindra shkollave e spitaleve të reja, ngritja e aeroporteve, ngritja e mirëqenies së popullit dhe sa e sa përparime të tjera, të gjitha të dukshme në çdo kënd të Shqipërisë.

Fati i së ardhmes së Shqipërisë dhe i shqiptarëve përgjithësisht është fitorja edhe kësaj radhe e Edi Ramës dhe e Partisë Socialiste.

Kontrolloni gjithashtu

Fronti Europian: 8 maji do të jetë Referendum, të rrethojmë numrin 4 për të ardhmen europiane

Fronti Europian sot mbajti konferencë për media ku kandidati për deputet Naim Bajrami ka elaboruar …