Ahmet Qeriqi: Kultura e tolerancës fetare ndër shqiptarë, shembull sublim i paqes në historinë e qytetërimit

 


Në fjalën e tij hyrëse, të paraqitur në seancën vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila u mbajt në vjeshtë të vitit 2006, në Nju Jork, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, ka paralajmëruar për rrezikun e një luftë të re fetare, në shkallë globale.
”Keqkuptimet dhe stereotipet që nënvizojnë idenë për përplasjen e qytetërimeve, po përhapen gjithnjë e më shumë, ashtu si dhe ndjeshmëria ndaj besimeve apo simboleve të shenjta të njerëzve të tjerë. Me qëllim apo pa qëllim, këtë sikur mezi e presin ata që duan të shkaktojnë një luftë të re fetare, por këtë herë në shkallë globale”, deklaroi Anan, duke shtuar se “klima e frikës dhe dyshimit vazhdimisht po nxitet nga dhuna në shumë vende të botës”.
Këto fjalë të sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara janë një thirrje alarmi drejtuar botës përparimtare, janë një thirrje drejtuar ndërgjegjes së njerëzimit për të përforcuar tolerancën fetare.
Kultura e tolerancës fetare ndër shqiptarë është shembull faktik, nga i cili mund të mësohet. Ky segment shumë i rëndësishëm i jetës shpirtërore shqiptare, duhet të afirmohet dhe të thellohet në përmasa botërore, për të rikonfirmuar se bashkekzistenca fetare është e mundshme, madje është edhe fare e natyrshme si fondament i paqes dhe mirëkuptimit ndërnjerëzor dhe jo vetëm kaq.

Toleranca fetare ndër ne ka një traditë shumë shekullore. Jemi mbase i vetmi popull në botë, ku asnjëherë nuk mbahet mend të ketë ndodhur ndonjë luftë fetare apo ndeshje fetare me përmasa, që ka ndodhur te popujt e tjerë. Nuk ka pasur as përçarje kombëtare mbi baza fetare. Ky unitet i ndërtuar para së gjithash si realitet faktik gjatë tërë historisë së kaluar, mbase tregon shpirtgjerësinë shqiptare, sidomos sa i përket nderimit dhe respektit të feve të ndryshme, edhe pse duhet të konstatojmë me keqardhje se kjo shpirtgjerësi nuk ekziston edhe në segmente të tjera të jetës sonë të organizuar, të paktën jo në nivelin e kulturës së tolerancës, harmonisë dhe bashkëjetesës fetare shqiptare.

Duke folur për këtë fenomen, kryetari i Shqipërisë, Alfred Mojsiu, në fjalën e tij, mbajtur në Forumin e Oksfordit, në Angli, më 9 nëntor 2005 ka veçuar:

“Në kryqëzim të dy botëve, shqiptarët kanë marrë e dhënë me të dyja perandoritë, duke ruajtur thelbin e vet identifikues, duke shërbyer si urë kalimi ndikimesh dhe duke përvetësuar edhe vetë prej tyre. Kështu u formua te shqiptarët bindja historike se dallimi, qoftë ky fetar, rajonal, racor, gjenetik, kombëtar, kulturor nuk paraqet rrezik, por pasuri. Një bindje e tillë ka formësuar tolerancën ndërfetare dhe më gjerë tek shqiptarët, një bindje e tillë e ka bërë qytetërimin e saj një qytetërim të hapur. Pluralizmi paqesor fetar ka shërbyer si element bashkues midis njerëzve, familjeve dhe grupeve të ndryshme në shoqëri. Komunitetet fetare mbeten besnike e frymëzimeve të tyre fillestare të së mirës dhe paqes, si dhe me përkushtim të madh luajnë rol aktiv në kapërcimin e problemeve sociale, rritjen e edukimit të të rinjve, forcimit të rolit të familjes, kulturës dhe identitetit kombëtar evropian”.

Mendjet e ndritura të kombit, prijësit fetarë, filozofët, teologët, shkrimtarët e pse jo edhe politikanët shqiptarë, do të duhej që shembullin e tolerancës fetare ndër ne, ta përhapim, me qëllim për të treguar me vepër se shumësia dhe bashkekzistenca fetare është begati njerëzore dhe jo herezi apo blasfemi. Mësimet e Biblës, të Kur-anit dhe të librave të tjerë, që konsiderohen të shenjtë, sjellin shumë e shumë shembuj ku flitet për tolerancë mes feve, madje Islami pranon trashëgiminë dhe traditën e përmbajtjeve shkrimore të hebraizmit dhe të krishterimit.
Pikërisht në përmbajtjet e tilla të afrimit të feve duhet të ndërtohet e ardhmja e njerëzimit. Shembull i mirë dhe konkret në këtë mes është kultura e tolerancës fetare ndër ne.
Se deri në ç’ nivel është ngulitur kjo kulturë në entitetin shqiptar flasin sa e sa shembuj, madje edhe të kohës dhe të aktualitetit tonë. Edhe pse fryma fetare e ortodoksisë greke vazhdimisht ka sfiduar ndarjen dhe përçarjen fetare ndër ne, ajo nuk ia ka arritur qëllimit të vet. aspak fetar dhe aspak të lëvdueshëm. As grupet e ndryshme ekstremiste myslimane, të cilat kanë një ikonografi të dukje ekstreme, nuk kanë gjetur klimë të volitshme për të manifestuar ndonjë përçarje apo yshtje të përmasave brengosëse.
Ka pasur dukuri të mos durimit fetar, të cilat janë shprehur për shkak të luftës në Irak dhe në Afganistan, luftë kjo që ka krijuar një klimë të keqe dhe të rrezikshme mes feve, por në asnjë rast dhe në asnjë moment nuk është lëkundur bazamenti i kulturës, bashkëjetesës dhe tolerancës fetare ndër ne. Ky bazament tipik i botës shqiptare, ky shembull i veçantë i botës sonë, ka nevojë të afirmohet kudo nëpër botë.
Një popull i vogël, sikur jemi ne, jetojmë në përbashkësi me të gjitha fetë monoteiste. Në trojet shqiptare, për veç feve të njohura botërore moniste si krishterimi dhe islami, tashmë veprojnë të organizuar mirë edhe bektashinjtë islamë, evangjelistët krishterë, dëshmitarët e Jehovait, protestantët dhe grupime të tjera, të cilat në gjirin e popullit shqiptar kanë gjetur klimën e vet të tolerancës dhe shumësisë fetare.
Kjo shumësi fetare është begati e llojit të veçantë, është në vetvete promovim dhe rrezatim i një qytetërimi, që ka bazament shumë të vjetër emancipues, qytetërim që ka mbijetuar gjatë shekujve falë tolerancës fetare, e cila në shumë raste edhe na ka dëmtuar, sidomos në raport me popujt fqinjë, të cilët mjerisht janë treguar dhe po tregohen të paaftë për të bashkëjetuar mbi principe universale të qytetërimit, të tolerancës dhe bashkë ekzistencës. Rastin e izolimit, mos durimit dhe fanatizmit shovinist fetar sot e paraqet kisha ortodokse serbe në Kosovë, e cila është barrikaduar në mitet e mesjetës, duke kultivuar njëmendësinë fetare në shërbim të politikave agresive, hegjemoniste e kolonialiste. Kisha ortodokse serbe ka promovuar politikën antiislame, antikatolike dhe antishqiptare. Ajo ka bekuar vrasësit e kriminelët bastardë si: Milosheviq, Sheshel, Arkan, Karaxhiq e Mlladiq, të cilët janë përgjegjës për vrasjen, dëbimin dhe masakrimin e qindra mijëra myslimanëve, kroatëve dhe shqiptarëve. Pikërisht për mungesë totale të tolerancës ajo po vetizolohet dhe po vetë-getoizohet, andaj edhe po kërkon krijimin e zonave të ashtuquajtura të mbrojtura.

Promovimi i vlerave tona të kulturës së tolerancës fetare kudo nëpër botë është më se i nevojshëm, sepse ky është një realitet faktik, që rrezaton nivel shumë të lartë qytetërues, është një fakt historik i pamohueshëm, është një bazament nga i cili mund të mësojë shumëkush në botë. Dhe pikërisht për këtë, mund të thuhet pa e tepruar se intelektualët, prijësit fetarë, teologët dhe filozofët shqiptarë, kanë para vetës një mision shumë të rëndësishëm njerëzor, mision për ta përuruar shembullin shqiptar të tolerancës fetare gjithandej nëpër botë.

Disa shembuj të tolerancës fetare ndër ne

Shembujt, kur në vepër është manifestuar dhe manifestohet toleranca fetare ndër shqiptarë, janë të shumtë dhe i përkasin praktikës së jetës së përditshme mbarëshqiptare, qoftë me pjesëmarrje në varrim të pjesëtarëve të feve të ndryshme, qoftë në urime e përgëzime për festat fetare, qoftë në lidhje miqësore, martesa e të tjera.
Po sjellim vetëm disa shembuj karakteristikë, do të thosha shembuj antologjikë të tolerancës fetare ndër ne.
Në një fshat të malësisë së Madhe vdes një besimtar i fesë islame. Hoxha nuk ndodhej në fshat dhe nuk pritej të vinte për disa ditë. Hoxhë tjetër nuk kishte atypari dhe koha nuk priste për ta bërë ceremoninë e varrimit. Pasi familjarët kryejnë ritet e larjes dhe e përgatisin tabutin i drejtohen priftit të fshatit me lutje, që të marrë përsipër varrimin e të afërmit të tyre. Prifti pa hezituar fare, gjen në qelën e tij një kapitull të përkthyer nga Kurani dhe shkon në varrim. Lexon tri sure të shkurta të Kur-anit dhe familjarët e të afërmit e varrosin të vdekurin e tyre.( Shembull të cilin e vë në pah edhe studiuesi, Genc Myftiu). Në aspektin fondamental fetar të parë kemi të bëjmë me një sjellje blasfemie, por në traditën e tolerancës fetare ndër ne, ky është vetëm një shembull më shumë, shembull unik i tolerancës fetare shqiptare në vepër.
Ka ndodhur edhe dukuria tjetër analoge në Kosovë, në gjysmën e dytë të shekullit XX. Një i konvertuar vonë i një fshati të Drenicës, para se të vdiste ua le amanet bijve që ta varros prifti katolik NN. Djemtë e përfillin amanetin. Ditën e vdekjes së babait e thërrasin priftin, ndërsa prifti i mençur para se të shkojë te familja e të vdekurit, shkon te hoxha i fshatit dhe kërkon që edhe ai të jetë prezent në varrimin e besimtarit. Hoxha duke kuptuar sinqeritetin e kolegut, duke qenë edhe vetë pjesë e tolerancës fetare pranon ofertën dhe të dy marrin pjesë në varrim.
Në varrimet që organizoheshin për martirët dhe dëshmorët e kombit, gjatë dhe pas luftës sonë çlirimtare kanë marrë dhe marrin pjesë së bashku priftërinjtë katolikë shqiptarë dhe hoxhallarët shqiptarë.

Disa shembuj që sjellë Tomë Berisha : në studimin e tij “Toleranca fetare ndër shqiptarët e Kosovës, shembulli më i mirë në Evropë dhe në botë”

“Në vitin 1913, kur brigadat serbo-malazeze kishin pushtuar Rrafshin e Dukagjinit, duke bërë masakra të tmerrshme dhe detyruar shqiptarët e besimit katolik dhe mysliman të ndërronin fenë dhe të bëheshin ortodoksë, për t’u sllavizuar më lehtë, në atë kohë, ushtria serbo-malazeze kishte tubuar në Gjakovë shqiptarët e besimit katolik në një anë dhe të besimit mysliman në anën tjetër, për t’i pushkatuar, mbase nuk donin të ndërronin fenë e tyre. Dhe, për këtë alarmohet ipeshkvi katolik nga Prizreni imzot Lazer Mjeda, i cili shkon dhe ndërhyn shpejt tek komandanti malazez, duke i thënë, se po nuk i lëshove do të alarmojë Evropën, për këtë gjenocid dhe etnocid të paparë. Ndërkaq, komandanti malazez, i thotë Ipeshkvit të Kosovës imzot Lazër Mjeda këto fjalë: “Ja ku i ke, merri katolikët tuaj!”
Mirëpo, Ipeshkëvi Mjeda, i përgjigjet komandantit malazez, se: “Edhe myslimanët janë të tij, sepse të gjithë janë shqiptarë”.Pastaj, të marrim rastin e vitit 1914, kur në kohën e Austro-Hungarisë, në Gjakovë, duhej të ndërtohej një kishë për nevojat e shqiptarëve të besimit katolik, tribuni i madh popullor, Bajram Curri, i thotë Konsullit austriak: “Ne shqiptarët e komunitetit mysliman në Gjakovë, i kemi 18 xhami, zgjidhe njërën prej tyre ta bëjmë kishë”. Në Kosovë ka pasur raste deri vonë, kur nën një kulm shtëpie kanë jetuar dy familje, përkatësisht dy vëllezër, njëra e besimit katolik dhe tjetra e besimit islam, ku toleranca fetare ka qenë për çdo lakmi, sepse gjatë muajit të Ramazanit, femrat e shtëpisë së besimit katolik, kanë qëndruar pa gjumë gjatë natës, për t’ua përgatitur “syfyrin”, anëtarëve të familjes së besimit mysliman. Përveç kësaj, në Kosovë, në shumë vendbanime të përziera islame-katolike, besimtarët katolikë nuk kanë mbajtur derra, për hir të familjeve të besimit islam. Gjatë sundimit të Perandorisë Otomane, ka pasur raste në Kosovë, kur ky pushtues, i ka luftuar e djegur familjet e njohura katolike, konkretisht familjen Paloka nga Gurakoci, i Burimit (Istogu), ndërsa familja Osmanaj nga Prekalla e po kësaj komune, e ka strehuar dhe mbajtur me bujari këtë familje të madhe të besimit katolik. Përveç kësaj, në Kosovë, pjesëtarët e besimit islam i kanë ruajtur manastiret dhe kishat, duke i konsideruar ato si objekte të shenjta fetare, si dëshmi e kulturës, tolerancës dhe e civilizimit të popullit shqiptar në Evropë.

Genc Myftiu: “Shqiptarët kanë qenë tolerantë dhe kurrë nuk kanë derdhur gjak kundër njëri tjetrit për shkaqe fetare”

Mark Milani, i Malit të zi ka pohuar në të kaluarën se “sa herë që ne përpiqeshim të ndërsenim në Shkodër katolikët kundër myslimanëve apo anasjelltas e kishim betejën e humbur, sepse Shqiptarët e kishin ndjenjën kombëtare shumë më të fortë. Ekzistencën e tolerancës fetare e vunë re edhe fashistët italianë të cilët hartuan një strategji për ta ruajtur këtë ekuilibër, sa që katolikët e ndjenë vetën si të lënë pas dore.Prej fundit të mesjetës e këndej hapësira shqiptare ishte zonë ekuilibri ndërmjet dy perandorive më të fuqishme të kohës, Perandorisë Osmane dhe Perandorisë Austro-hungareze. Midis këtyre dy perandorive janë nënshkruar disa marrëveshje, të quajtura “kapitulacione”, të cilat rregullonin barazinë e ndikimeve, duke i njohur Perëndimit të drejtën e kujdesit për faltoret e të krishterëve, përmes doktrinës “cultus protectorati” – mbrojtja e klerit.
Në Shqipëri mund te gjesh shpesh dy fe (krishterim e myslimanizëm) në një familje ose në një fis (Lurë, veri), ose dy fe në të njëjtin njeri (Shpat, Elbasan), i cili mban dy emra, si i krishterë e si mysliman, dhe bën ritet e festat fetare të të dy besimeve. Heroi kombëtar i shqiptarëve Gjergj Kastrioti lindi në një familje ortodokse, u be mysliman në oborrin e sulltanit, u bë bektashi (ky ishte kusht për t’u bërë jeniçer), u kthye në Shqipëri dhe mori fenë e babait (ortodoks) dhe kur vdiq la amanet që të varrosej në një katedrale të të krishterëve katolikë (Lezhë). Njëri nga vëllezërit e Gjergj Kastriotit, përkundrazi, kërkoi të varrosej në manastiret e Athosit, një prej vendeve të shenjta të ortodoksisë.
Në Shqipëri nuk njihen konfliktet fetare, as në formë episodike. Ka qenë krejt normale në të kaluarën që një shqiptar, nëse nuk i pëlqen prifti, predikimi apo sjelljet e tij, të braktisë kishën dhe ta kërkojë lidhjen me zotin në xhami. Përkthyesi i parë i Kur’anit ishte i krishterë (Ilo Mitkë Qafëzezi). Myslimanët shqiptarë festojnë Shën Gjergjin e Shën Mërinë, një pjesë tjetër Shën Nikollën e Krishtlindjet, kurse të krishterët u bëjnë vizita vëllazërore myslimanëve për festat e tyre karakteristike në Bajram, Kurban Bajram etj. Në një qytet si Shkodra, ku popullsia myslimane është e përzier me të krishterë katolikë dhe ortodoksë, në ditët e ramazanit edhe tregtarët jo-islamikë ndalonin shitjen e mishit të derrit në dyqanet e tyre. Po në Shkodër kane qene familjet bujare myslimane, të cilët mbrojtën ndërtimin e kishës katolike, kur disa fanatike filluan shkatërrimin e themeleve gjatë natës. Ndërtimet e kishës vazhduan kur bujarët myslimane dolën në mes të popullit duke thënë “mos i prek kush se këto janë themelet tona”.

Kontrolloni gjithashtu

Shqipëria fillon restaurimin e trashëgimisë kinematografike

Procesi i restaurimit të trashëgimisë kinematografike në Shqipëri ka një rëndësi të madhe për ruajtjen …