Ahmet Qeriqi: Meditimi e dhembja poetike e krijuesit të mirënjohur, Bajram  Bekteshi

U  bënë 30 vjet  qyshkur e kam përcjellë me vëmendje rrugëtimin poetik të Bajram Bekteshit, duke filluar  prej përmbledhjes së parë poetike, “Këmishë e përgjakur”, të botuar në vitin 1994. Që në fillim, asokohe kur ishim bashkë në Partinë Parlamentare të Kosovës  kisha  vërejtur talentin e tij, sidomos me qëllim  për ta thënë troç fjalën mirë, por mbi të gjitha vullnetin e pakursyer, për ta shprehur botën e ndijimeve, botën komplekse të çasteve jetësore të përditshmërisë, e cila e ka sfiduar dhe e sfidon prore, sepse nuk mund të pajtohet me të ligën, të keqen, nuk pajtohet dot me veset e mbrapshtitë njerëzore, ashtu sikur nuk janë pajtuar dhe nuk pajtohen poetët, krijuesit, artistët e vërtetë dhe të përkushtuar në misionin e tyre vullnetar dhe shpirtmirë.

Tani 30 vjet më vonë, Bajram Bekteshi ka kaluar një rrugë të gjatë dhe të mundimshme të jetës duke u ballafaquar me të gjitha vështirësitë  e saj, në radhë të parë duke i dalë zot Atdheut në momentin e duhur. Ai është luftëtari i lirisë, ish-eprori i UÇK-TMK-FSK-së, veteran dhe invalid i luftës dhe krijues i talentuar.

Bajrami i takon radhës së poetëve   të Kosovës, të cilët krijimtarinë e tyre e kanë filluar në vitet e robërisë dhe nuk e kanë ndalur më, kanë ecur me kohën dhe nuk e kanë ndaluar hapin. Duke i mbetur besnik kumtit poetik, frymëzimeve të mbara, gjithnjë në kacafytje me botën e mbrapshtë, poeti zhvillon pandërprerë betejat poetike, të cilat nga njëherë e trazojnë më shumë se sa betejat fizike në luftën çlirimtare, ku kishte marrë pjesë me pushkë e penë, ku ishte plagosur rëndë fizikisht, por asnjëherë shpirtërisht.

Edhe përmbledhja e fundit poetik e Bajram Bekteshit, “Meditime e dhembje”  është në vazhdën e tematikave paraprake, por kësaj radhe duke medituar më shumë, duke u thelluar në fshehtësitë e jetës, duke vënë në spikamë ngjarje e ndodhi të caktuara, duke i  përkujtuar heronjtë dhe mesazhet e tyre, duke pretenduar t ia diagnostifikojë sëmundjen shoqërisë, në përpjekje për  ta shëruar sado pak,  por nuk e gjen dot  laboratorin për t ‘ i bërë analizat e caktuara..

I joshur pas zanave dhe i harruar pas sirenave

Kam braktisur veten, ninullën, mortin dhe dasmën,

Me mendjen e humbur se ndaj dot ditën nga nata

Vëlla, ma gjeni laboratorin ta ekzaminoj sëmundjen!  

                         (SËMUNDJE PA DIAGNOZË  f. 10)

Në pamundësi  për ta gjetur diagnozën dhe për ta shëruar sëmundjen rrënimtare, poeti mallkon botën e çoroditur, atë botë që nuk e zapton dot mirësia, sepse ajo nuk e njeh atë, sepse është bota tjetër, bota e territ dhe e  ndeshtrashave  njerëzore, bota e mujsharëve dhe e arrogantëve, bota noprane që nuk ndreqet dot.

 

Ti ecje i mbuluar me petkun e errtë

Të errtë e kishe jetën dhe qiellin mbi kokë,

Po të ishe Zeusi fatin do ta drejtoje vet

Pa e përplasur konferencave dhe kongreseve.

 

 

I vetmuar çanë përmes botës së çoroditur

Se gjen dot shokun ta mbash në krah,

Ditën të sillen si dele dhe natën kthehen në ujqër

Të t’i kullufisin eshtrat me rroba dhe opinga.

     ( PËRMES BOTËS SË ÇORODITUR  f. 17)

Dhe, në botën e çoroditur me të gjitha sëmundjet e mundimet, të ligat e veset   njerëzore, ai që provon ta ndreq atë bie në kurthin e saj, andaj përpjekja për të dalë nga kurthi  është si ajo përpjekja  për të dalë nga “zalli i gjallë”, kur në një  çast të nxjerrë pak jashtë, po përnjëherë të fundosë gjithnjë thellë e më thellë. Këto meditime në dukje pesimiste e nihiliste ia turbullojnë mendjen poetit, sepse dikur i ka besuar premtimit, ka besuar se e mira dhe njerëzorja një ditë do të ngadhënjejnë, por ja që është dëshpëruar, sepse nuk kanë thënë kot më të diturit e botës: “Gjithsecili njeri  është i  detyruar t i shërbejë Atdheut të tij, pa shpërblim, po nuk është për t’u qortuar ai i cili i shërben atdheut edhe shpërblehet,  por nuk ka gjë më të poshtër sesa ta vësh atdheun në rrezik për interesa personale”.  Kjo u ndodh mujsharëve, u ndodh inatzinjëve, xhelozëve, u ndodh njerëzve të kompleksuar me vetëbesim të sëmurë e paranojak,  por  faji më i madh në këtë botë është t’ ia mbash anën atij që nuk ka të drejtë, e të  bëhesh armik i së drejtit.

Nga ti kërkova hapin tënd të së nesërmes,

Të djeshmen ta lë varur në murin e kullës,

Thirresh në prijetar me lavdinë e vizionarit

Ta mbyllësh misionin me diktatet e listuara.

 

Mbete në udhëkryq me duart e lidhura në gjoks

Me buzën e kafshuar me dhëmbë dhe pa rrugëdalje,

Të tjerët të pasojnë për ëndrrën e shtegut të dritës

Ti hiqesh i shurdhër dhe dremitesh në pikun e ditës.

 

Të djeshmen dhe të sotmen i ke bërë lëmsh

Vrapojnë pas teje njerëzit e humbur në kohë,

Do të lindin sërish bijtë e shekullit të ri

Etërit e kreshpëruar t’i ulin me këmbët në tokë.

                               (I KE BËRË LËMSH  f. 52)

Shpresa është ëndërr që shihet syhapur, por nuk bën do bota njerëzore pa shpresën e vogël apo të madhe, vetiake apo të përgjithshme, kombëtare apo gjithënjerëzore, pasi ajo është  si vetë finalja e jetës, vdes e fundit. Shpresat e pamotivuara, iluzore, imagjinare, lënë prapa zhgënjimin, pesimizmin, ndjenjën e mashtrimit dhe vetëmashtrimit, andaj ajo të zgjon nga gjumi syhapur dhe të kalit besimin se në të ardhmën nuk do t i varësh shpresat, në verigun ku i varim rrobat për t’u tharë nga rrezet e diellit dhe nga era.

 

Edhe këtë vit shpresat i hëngrëm me bukë

Ëndrrat na mbeten në historinë e së kaluarës,

Vazhdojmë të jemi njerëz të shtresës së dytë

Eksperiment laboratorësh për të ardhurit

                                                 shumëngjyrësh.

 

Edhe këtë vit plot shporta zotimesh e premtimesh

Vitet mbesin nën petkun e njëjtë e politikanët ndërrohen,

Burrat udhëhiqen nga gratë e gratë në demonstratë

Kundër padrejtësisë dhe dhunës ndaj gjinisë së tyre.

 

Me gojën plot atdhetarizëm shtegtojmë pyjeve pa dhiare

Me këmbët e ngatërruara ecim therrave dhe drizave,

Me një karamele të hedhur mashtrohemi si fëmija

Dhe bimë në gjumin e thellë me shpresa për ëndrrat.  

                                                      (EDHE KËTË VIT f. 63)

Për dallim nga 12 përmbledhjet poetike, paraprake,  nga ,,Këmishë e përgjakur” –  e deri ,,Bulbëri mendimesh”, kjo e trembëdhjeta, “Meditime e dhembje” ka hapur një horizont të ri në vokacionin poetik e artistik, një nivel të fortë të vetëbesimit krijues e intelektual të poetit, veprimtarit, luftëtarit të lirisë, ish-eprorit të UÇK-TMK-FSK-së, veteranit  dhe invalidit të luftës dhe krijuesit të talentuar, Bajram Bekteshi. Jo më kot i përsërita meritat, sepse ato flasin vetë, ndërsa poeti është pjesë përmbajtësore e gjenetike e asaj  ADN-je, është nus-prodhim i saj, andaj është ky që është. Bajrami, sipas vlerësimit tim, ka qenë dhe po mbetet i vetëdijshëm se fatkeqësitë e mëdha jetësore e njerëzore, lypin zotësi të fortë e rrallë për t i përballuar dhe për t ia dalë, deri atje ku mund t’ia dalë njeriu i pajisur me virtyte e të mira njerëzore.

Kontrolloni gjithashtu

Tefta Cami: NË SHKOLLËN 100 VJEÇARE TË GJORICËS

NË SHKOLLËN 100 VJEÇARE TË GJORICËS DHE PREJ 35 VITESH SI SHKOLLË 9-VJEÇARE “AHMET CAMI” …