leoni

Albert Z. ZHOLI: Libri poetik “Dimër me tulipanë” dhe qasja provokuese e Alketa Ballkamenit

Albert Z. ZHOLI: Libri poetik “Dimër me tulipanë” dhe qasja provokuese e Alketa Ballkamenit

Libri poetik “Dimër me tulipanë” i autores, Alketa Ballkameni, erdhi tek unë një ditë fillim vjeshte, teksa moti i nxehtë ende donte të vazhdonte kokëfortësinë e të nxehtit të gushtit. Duke lexuar poezitë, ato vinin me radhë si një fllad pranveror, dhe pse vjeshta tashmë kishte ditë që pretendonte se kishte hyrë në stinën  e shtratit të vet. Me një stil lakonik, të ngrohtë, plot figura letrare, sarkazma dhe krahasime, metafora dhe hiperbola,  ky vëllim poetik dëshmon ëndrrën dhe dëshirën e kahershme të autores për të qenë pranë lexuesit. Dhe pse vjen për herë të parë me një vëllim, autorja jo vetëm që dëshmon se është një krijuese me përvojë (pasi ka vite  që lëvron jo vetëm poezi apo ese sepse ka qenë prezente vazhdimisht në shtypin shqiptar), por njëherazi tregon bindshëm se është një poete sqimatare, me kërkesa ndaj vetes,  koherente, pragmatiste dhe vizionare, me poezi plot mesazh dhe  brumë letrar. Tematika e plotë,  e përzgjedhur të tregon qartë se poetja asnjëherë nuk është statike në shije dhe interpretim, ajo jetën poetike e sheh në lëvizje, në zhvillim progres, në harmoni me ndjenjat e saj, ndaj është në përballje me zhvillimet  e mangëta politike në vend. Nëse e lexon me vëmendje në poezitë e Alketës, shpirti kritik, kryengritës është tipari dallues poetik. Të bësh opozitën me varg është një nismë sa e vështirë po aq dhe fisnike. Të rrallë janë poetët që ngjyejnë penën me nektarin e bukur të kritikës ndaj fenomeneve negative të shoqërisë. Poetë të tillë janë të paktë sot ndaj dhe shoqëria shqiptare duket paksa e shtypur apo e nënvleftësuar nga politika e ditës. Me një përgjegjshmëri intelektuale, autorja e kritikon ashpër  mënyrën e qeverisjes pasi e sheh si problemin kryesor  në problematikat a pamata të shoqërisë së sotme shqiptare. Mërgimi, korrupsioni, varfëria, verbëria e militante, paaftësia e tyre, arroganca e të drejtuarit. Mendjemadhësia e politikanëve,  kanë bërë që vendi ynë të jetë i fundit në mirëqene në Europën plakë. Me nëntekst autorja nënvizon politikanët indiferentë që shohin vetëm interesin e vet, politikanë që e shohin vendin si pronë dhe popullin si dele që vetëm duhet të dëgjojnë. Së dyti dua të theksoj se poezia e Alketës është një poezi moderne, tejet bashkëkohore, emancipuese dhe me shpirt të theksuar demokratik. Vargu i saj modern ka një qasje  artistike  që të tërheq, të tundon dhe të  detyron ti kushtosh rëndësi. Përpos tyre, ky vëllim poetik është një ndërthurje e vargut modern me vargun klasik që tregon se autorja është një poete e kompletuar, një poete plot energji, dije dhe kulturë të gjerë për letërsinë. Kurrsesi nuk mund të përcjellësh një ndërthurje të tillë poetike në një vëllim pa pasur këto cilësi dalluese. Por autorja është po kaq vëzhguese dhe reale edhe ndaj fenomeneve apo anëve negative të vetë shoqërisë sonë. Pijanecët, llafazanët, ngatërrestarët, hipokritët, servilët, të paaftët jo vetëm që janë pjesë e shqetësimeve të shoqërisë, por edhe pjesë e problematikave të tjera që, për penën e autores përbëjnë një shënjestër karakteristike. Ja si shprehet autorja tek poezia  “Llafazania”:

Llafazania

Më erdhi llafazania një ditë mysafire në shtëpi,

Gjithë fjalë e trillime komentoi çdo komshi,

Mua?!

 Jo, fare s’më qortoi,

Plot me lajka e lajle më mbuloi.

Por duke ikur, iu kujtua se me dikë ishte zënë,

E se për mua diçka jo të mirë na i paskësh thënë.

E përcolla llafazanen, por fjala në mendje më mbeti…

Një poezi  speciale, për të qeshur dhe për të qarë. Një problem social-shoqëror që pak është  rrokur në poezi por që përbën një fenomen apo problem shqetësues të shoqërisë shqiptare. Llafazanet në çdo sistem apo në çdo vend pune apo situatë jetësore, janë ata që tjetërsojnë realitetin, zmadhojnë apo tjerrin problemin, nxitin mos marrëveshjet, rrisin gamën e shpifjes, cenojnë personalitetin e njeriut, ndajnë familje, përçmojnë të suksesshmin, lartësojë të paaftin, vegjetojnë pa punuar etj, etj. Dhe në fakt, për këtë është bërë një studim psikologjik dhe shkencor. Femrat i ka bërë llafazane pushteti i burrave, që u ka rrëmbyer gjithçka përveç gjuhës- thekson  Jakov Xoxa. Apo “Llafazani flet për të tjerët, i bezdisshmi flet për veten, biseduesi brilant flet për ty” sqaron Lisa Kirk. Por jeta na ka lënë të besojmë se kush ka llafe shumë, nuk ka sesi të mos mbesë vetëm, por nga ana tjetër  ka njerëz që flasin e flasin, derisa gjejnë diçka për të thënë.  Zoti me mençurinë e tij nuk ua dha femrave qimet e mjekrës, pasi ato nuk do të kishin qenë të afta ta mbanin gojën mbyllur, ndërkohë që do të rruheshin. thekson Alexandre Dumas.  Ekzistojnë dy lloj femrash: ato që flasin gjithmonë dhe ato që nuk heshtin kurrë përfundon Oscar Wilde, pasi u duhet besuar pak, ose aspak atyre që flasin shumë. Idenë e rrënjosur se femrat e dashurojnë të folurën, ndërsa meshkujt janë më të rezervuar në bisedat mes tyre është përpjekur që ta analizojë shkenca. Por poezia e Alketës është konkrete, reale, e përjetuar, dhe që përbën një problem vërtet shqetësues që i duhet dhënë përgjigja dhe vëmendja e duhur. Me një qasje të tillë autorja tregon realisht se është tepër e vëmendshme në realitetin jetësor dhe di të sjell me elegancë disa detaje që nuk duken të mëdha por që në fakt shqetësimet i sjellin në përmasa të mëdha. Llafazanet janë pjesë dhe e administratës shtetërore, janë pikërisht ajo pjesë që me llafe u mbushin mendjen eprorëve se janë më të aftat nga ana tjetër tentojnë dhe sfumojnë maksimalisht punën e të aftit, korrektit, njeriut të punës që s’miret me llafe.

II

Tematika e dashurisë ka një vend të veçantë për autoren në këtë vëllim. Ajo i këndon me pathos dashurisë së pastër, dashurisë ideale. Por Dashuria nuk është vetëm gëzim, hare, pasi ajo ka edhe anën tjetër  të medaljes. Dashuria ka ankth, vuajtje, durim, pritje, lot, kontradiktë, grindje, ndarje, ribashkim, meditim, ëndrra, kërkesa, lodhje, hamendësi….Ja si shprehet autorja në poezinë “Takimi i parë”:  ….

Takimi i parë

Jashtë, po fryn pak fllad i lehtë..

Jashtë po bie përsëri shi!

Kujtimet nga dremitja i zgjoi,

Trokitja në xham e piklave të tij!

Jashtë, po bie shi si atëherë!

Takimi i parë,

Rikthehet me kujtimet e brishta përsëri,

Ishte si kjo pranverë e lagësht,

Ishin ditë të bekuara pashkësh, si tani,

Të dy strukur nën një çadër të vjetërsuar,

Fshehur nga më i buti shi,

Tinëzari ngadalë rrëshqiste brenda nën këmishë,

Në lëkurë miqësisht,

Ishte më i ngrohtë se duart e tij

Dashuria e parë! Kush e ka përjetuar dhe nuk i ka kënduar heshtazi apo në vargje. Tek kjo dashuri sipas autores janë përmbledhur mendimet, vegimet, idetë, dëshirat  ku të dy partnerët janë pjesë e ëndrrës së dashurisë së dëshiruar. Takimi i parë është pjesë e atij universi ku askush s’është i fuqishëm të depërtojë në momentin e parë, por vetëm të ëndërrojë pafundësisht në kohën mes dy stinëve më të bukura jetësore, takimit dhe dëshirës për tu lidhur përjetësisht. Me mjaft elegancë dhe me penë fine autorja të bën të besosh se dashuria e vërtetë të shtyn drejt madhështisë, sakrificës, guximit, marrëzisë drejt një planeti të ri të panjohur, që mbetet mister deri në fund. Askush nuk mund të thotë që i ka zbuluar misteret e dashurisë, pasi çdo dashuri ka të veçantën e vet, ka karakteristikën e vet, ka ndjesitë e saj dhe kohën dhe vendin e saj. Në dashuri të gjithë kemi qenë apo jemi si dy pika vese mëngjesi herë të rëna nga petalet e një trëndafili rozë, herë nga ato të një trëndafili të kuq, apo karafili të bardhë. Çdo dashuri ka aromën e saj të veçantë që populli i ka thurur lavdet më të madhërishme duke e ngritur në tempujt e shpirtit dhe në zërin e zemrës. Në takimin e parë çdo njeri ndjehet një botë me vete, një botë plot trëndafila të lulëzuar dhe çdo fjalë e thënë,  çdo buzëqeshje e syve  kthehet në një këngë  dashurie që e këngëzojnë të dy. Në takimin e parë edhe pemët e rrugës janë dyshimtare  të një kohe të bukur që ndez vullkanin e madh njerëzor për ndjenjën më fisnike të të gjithë kohërave. ..

III

“Shefit”!Këtë poezi e veçova jo më kot. Rroka në këtë vëllim ato poezi që rrallë i kam ndeshur në librat e tjerë. Arroganca, prepotenca, mendjemadhësia e disa shefave në administratën shtetërore të befason. Vetëm se janë militantë, vetëm se janë mik apo mikesha të ministrit, ata/ ato vegjetojnë, drejtojnë, përfitojnë, fyejnë, shajnë, nënvleftësojnë dhe krekosen sikur të jenë në arë të babait. Një fenomen tipik shqiptar që zor se e gjen në vendet e tjera Ballkanike.  Pothuajse çdo ditë ndeshesh në zyrat e shtetit me shefa e nëpunës të pandërgjegjshëm, që nuk e bëjnë detyrën për të cilën i paguajnë taksapaguesit shqiptarë por e shohin vendin e punës si kolltuk përfitues dhe jo si përgjegjësi për të shërbyer me ndershmëri. Duke u ndeshur me nëpunës të tillë, jo vetëm të paaftë, por edhe të pandërgjegjshëm e arrogantë, qytetari i thjeshtë ia hedh fajin shtetit. Pavarësisht se edhe shteti nuk mund të dalë i larë nga përgjegjësia, faji kryesor për një mosshërbim korrekt ndaj popullit është i eprorit direkt nga varet nëpunësi. Në vende normale shefat apo liderët mbajnë afër njerëz të përgatitur, të cilët u ndihmojnë në realizimin e synimeve që kanë para vetes, në të mirën e përgjithshme, ndërsa te ne “shefat” mbajnë afër vetes servilë, të cilët në të shumtën e rasteve mund të kenë ndonjë diplomë universitare si mbulesë, për t’u dukur si intelektualë, edhe për veshjen përkujdesen mirë, por që nuk e njohin mirë ABC-në. “Shefat” në shoqërinë tonë janë edhe vetë tillë, përndryshe s’do të pranonin të rrethohen nga gjysmanalfabetët dhe injorantët.

Shefit

Sa frikë kisha nga shefi im!

Lart e poshtë veç ulërin.

Ç’të bëjë?!

E mbytën të paaftët,

Dembelët dhe hipokritët.

Sa lodhet tek drejton!

Ti mësuese, kafenë pse ma vonon?!

Ja dhe kjo antikapatja,

Emrat në certifikatë gabim shënon.

Kësaj idiotes do t’i jap një penel e bojë,

Faqen me gabime të mbulojë,

Hiqet se gjoja mëson shumë,

Kujton se me doktoraturë,

Di më shumë se unë.

Veç ky djali, tek klasa përbri,

Edhe pse s’ka diplomën e duhur është flori,

Ndonjëherë e përdor edhe taksixhi.

 

Sjelljet e tilla në vendin e punës të mbytin idetë me arrogancën dhe injorancën, por nga ana tjetër ia ulin vlerat atij që punon, hesht, ka vizion. Ndodh rrallë që njerëzit prepotentë të pranojnë se nuk janë sjellë mirë ose të kërkojnë falje për sjelljen e tyre. Shpesh ata u bien më qafë punonjësve që janë të zotë, të besueshëm dhe që gëzojnë respektin e punëtorëve të tjerë. Punonjësit që vuajnë si pasojë e prepotencës zakonisht nuk arrijnë të jenë edhe aq të frytshëm në punë. Thuhet se një sjellje e tillë është shkaku i më shumë se 30 për qind të sëmundjeve që lidhen me stresin. Të gjitha të këqijat e këtij fenomeni, autorja i ka sjellë me një stil të thjeshtë, plot harmoni, me vargëzim të besueshëm dhe plot mesazh.

IV

Në këtë vëllim mora si analizë disa poezi që mua më bënë për vete si qytetar, pastaj si redaktor dhe si krijues. Ky vëllim poetik me një titull tepër indetifikues është një nismë letrare e guximshme, tunduese, provokuese por që të gjitha lidhen në një të tërë në fjalën aq të kërkuar që e bëjnë të besueshme çdo varg tek lexuesi. Herë-herë vargu është tekanjoz, herë i lirë, herë provokues, herë dyshues, herë i drejtpërdrejtë, herë me nëntekst, herë i befasishëm, por i formësuar bukur artistikisht, me një kurorë figuracioni admirues që e bën librin të asimilueshëm. Autorja në këtë vëllim është sfiduese, flet me gjuhën e së vërtetës dhe beson tek forca e fjalës së vërtetë. Ajo me vargun e saj do të thotë se vërteta dhe e drejta vonojnë por nuk do të zhyten. Në këtë shoqëri të ç’ekuilibruar, kur numri i zërave të vërtetë do vij në rritje, ahere do themi vërtetë se fjala e poetit do zërë vend në shoqërinë shqiptare dhe përballja me politikën e çoroditur do ketë akses dhe do gjej domosdoshmërisht respektin dhe vëmendjen e duhur. Autorja në këtë vëllim fshikullon fenomenet negative, guxon në ide, sjell një frymë të re estetike në ndërtimin e veprës, nuk përulet para presioneve të kohës, por mbi të gjitha ajo ngre në piedestalin e duhur rolin e gruan në shoqërinë demokratike. Ajo është kundër nënshtrimit të gruas, kundër indiferencës që tregohet nga politika për to, kundër nëpërkëmbjes nga individë apo pjesë të caktuara të shoqërisë dhe e thotë me krenari se emri grua është një Yllësi e veçantë që i jep dritë, kënaqësi, madhështi, eufori, dhe rigjenreron njerëzimin. Gruaja mbetet sipas saj një hyjneshë në mbretërinë qiellore që i ndriçimi saj nuk venitet kurrë  por do te mbizotëroj dhe do shtoj ndriçimin në jetë të jetëve. Por jo pak ajo ndalet tek figura e Nënës, ikona e gjithë njerëzimit. Ajo e përshkruan figurën e saj me melodinë më të bukur të shpirtit, me fjalët më poetike të zemrës. Duket se në vargjet për të ajo flet me gjuhën e Shekspirit: “Nuk gjen në botë jastëk më të mirë se sa prehri i nënës, e as trëndafil më të bukur se sa thellësirat e shpirtit të saj!”, dhe përfundon me fjalët e Gorkit: “Pa diell nuk ka lule, pa dashuri nuk ka fat, pa grua nuk ka dashuri, pa nënë nuk ka poet, as heronj”.

Albert Z. ZHOLI: Libri poetik “Dimër me tulipanë” dhe qasja provokuese e Alketa Ballkamenit

Kontrolloni gjithashtu

Tefta Çami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Tefta Cami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Me 26-27 tetor të këtij viti shkova e vizitova me vajzën time, Alma dhe me …