Rexhep Qosja

Rexhep Qosja: Si edhe shumë votues dhe qytetarë të Kosovës e ndiej veten shumë mirë pas zgjedhjeve të 6 tetorit

Akademiku shqiptar, Rexhep Qosja, i cilësuar shpesh si autoriteti moral i shqiptarëve këtej e andej kufirit, dy ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë në artikullin e titulluar “Zgjedhjet e parakohshme dhe kriza e vlerave”, tregoi votën e tij dhe besimin që kishte te Lëvizja Vetëvendosje. Një ditë pas fitores së subjektit politik të udhëhequr nga Albin Kurti, profesor Qosja tregon, në një intervistë me Rudina Xhungën, pritshmërinë e tij nga një qeveri vetëvendosëse, duke iu referuar edhe emër për emër humbësve të këtyre zgjedhjeve, nga Mustafa te Thaçi e Haradinaj. Ai gjithashtu thekson se fituesja e vërtetë në zgjedhjet e Kosovës është “shpresa”.

Duke nënvizuar se koha ka treguar se mjerisht shqiptarët nuk kanë mësuar nga pësimet e njëri tjetrit, profesor Qosja nuk shprehet optimist se Shqipëria mësoi diçka nga zgjedhjet në Kosovë. Në fund, profesor Rexhep Qosja rithekson besimin e tij të palëkundur te bashkimi i trojeve dhe i kombit në një: “Në këtë mision politik, demokratik, shoqëror e atdhetar të tyre pashmangshëm duhet të jetë i përmbajtur edhe ideali historik: bashkimi i Kosovës me Shqipërinë”.

Intervista e plotë:

Rudina Xhunga:  Profesor, ju e parashikuat këtë fitore të VV-së, ose thënë më mirë e orientuat votën, duke deklaruar pritshmëritë tuaja për VV-në. Si ndiheni sot, një ditë pasi ndodhi?

Rexhep Qosja: Si edhe shumë votues dhe qytetarë të Kosovës e ndiej veten shumë mire pas zgjedhjeve të 6 tetorit. Dhe e ndiej veten shumë mire sepse zgjedhjet u zhvilluan dhe përfunduan me plotësimin e standardeve të larta të demokracisë. Kosova, me këto zgjedhje e dha një provë pjekurie politike që duhet të çmohet prej bashkësisë ndërkombëtare. E ndiej veten mirë, posaçërisht mirë, pse në këto zgjedhje fitoi partia, vlerat dhe meritat e se cilës i kam paraqitur në shkrimin e bërë publik pak ditë para zgjedhjeve. E fituese e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti.

Rudina Xhunga: Profesor, sa rëndësi kanë këto zgjedhje për frymën që i sjellin Shqiptarisë?

Rexhep Qosja: Zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit janë të rëndësishme, aktualisht dhe historikisht të rëndësishme, për arsye se botës shqiptare i sjellin shpresën për ndryshime të thella e të gjithanshme të gjendjes me krizë të thellë të vlerave politike, shoqërore, demokratike, kulturore, domethënë se sjellin shpresën për shërimin e shoqërisë dhe shtetit të Kosovës nga pasojat e rënies së thellë morale të prodhuar prej politikës së deritashme.

Rudina Xhunga: Profesor, mesa duket fituan Albini dhe Vjosa, si frymë, por matematika e politikës mund të sjellë qeverisje të Isa Mustafës dhe Veselit? A do ta pranojë Kosova këtë?

Rexhep Qosja: Ju po thoni me të drejtë se fituan Albin Kurti dhe Vjosa Osmani dhe njëkohësisht shprehni drojën se fitorja e LDK-së si parti e dytë në zgjedhje mund të sjellë qeverisje të Isa Mustafës. Sipas mendimit tim, roli qeverisës i kryetarit të LDK-së është i përfunduar. Dhe është i përfunduar për disa arsye: e para, për arsye se LDK-ja ia ka dhënë rolin e qeverisjes Vjosa Osmanit; e dyta, për arsye se Isa Mustafa është i rënduar politikisht prej disa veprimeve shumë të dëmshme që bëri në koalicionin me PDK-në dhe e treta, për arsye se është i rënduar fort prej korrupsionit, nepotizmin dhe konfliktit të interesit të ushtruar si bashkëqeverisës me PDK-në dhe si kryetar i LDK-së. Ai tani mund të bëjë vetëm një gjë: mund ta sabotojë dhe ta prishë koalicionin Vetëvendosje–LDK.

Rudina Xhunga: Humbja e Haradinajt, Limajt, Veselit, çfarë mesazhi është për ata që fituan luftën?

Rexhep Qosja: Fitorja e Vetëvendosjes dhe e LDK-së si parti e dytë, sidomos fitorja e Vetëvendosjes për Hashim Thaçin si kryendërtues i politikës së Kosovës pas krijimit të shtetit të Kosovës, për Ramush Haradinajn, për Kadri Veselin e për Fatmir Limajn është pësim e mësim i madh. Por, ata kanë treguar se mësimet nuk duan t’i mësojnë prandaj në shtetin e Kosovës janë sjellë si në shtëpinë e tyre private. Njeriu shtëpinë e vet e ruan dhe e merendon me kujdes, por këta shtëpinë e quajtur shteti i Kosovës e përdorën, e shpërdorën, e ç’merenduan dhe e plaçkitën pa mëshirë!

Rudina Xhunga: LDK-ja vetë dhe kreu Mustafa, çfarë mesazhi morën?

Rexhep Qosja: LDK-ja dhe kryetari i saj, Isa Mustafa, e morën këtë mesazh: fitoret politike mund të jenë edhe të dhuruara dhe fitoren si parti e dytë në këto zgjedhje LDK-së ia dhuruan Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj me pelegrinazhet e tyre LDK-iste dhe me amnistimin e tyre për të gjitha të bërat e të pabërat tridhjetëvjeçare të LDK-së në kurriz të Kosovës.

Rudina Xhunga: Shqipëria çfarë mësimi mori nga këto zgjedhje dhe cili është besimi juaj, a po e pret Shqiptarinë një fryme e re?

Rexhep Qosja: Ç’mësim mori Shqipëria nga zgjedhjet e parakohshme në Kosovë? Historia na mëson se shqiptarët shpejt nuk kanë pranuar të mësojnë prej pësimeve dhe mësimeve të njëri-tjetrit. Mjerisht.

Rudina Xhunga: Profesor ju kurrë nuk bëtë kompromise me parimet, jeni ndër të vetmit autoritete morale orientuese të këtij kombi! A besoni ju se erdhi dita? Siç qe slogani i VV-së, që shqiptaret të votojnë dhe udhëhiqen nga njerëz të mençur dhe sidomos që e duan kombin. Koha e sistemit, vidh e vrit, se të mbuloj unë, po merr fund!

Rexhep Qosja: A besoj se erdhi dita? Ky ishte një slogan premtues i gjetur me mend, që mund të besohet, ushtroi ndikim në vullnetin dhe vetëdijen e votuesve. Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj Albin Kurti, megjithëse ka rreth vetes një numër të dukshëm burrash e grash me kulturë të shquar politike, me përgatitje profesionale, me nivel të dukshëm të gjykimeve politike, lejohem të them, edhe me gatishmëri e vullnet që pakursyeshëm të bëjnë më të mirat për Kosovën, për shqiptarët në përgjithësi, nuk do ta kenë lehtë. Prapë po e thërras në ndihmë historinë e cila na mëson se shqiptarët–opozitarë, qëllimeve më të mira jo rrallë s’ kanë ngurruar t’u vënë pengesa të ndryshme, të cilave vetëm dreqi dhe i biri do t’ua dinin prejardhjen dhe përmbajtjen. Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj Albin Kurti, me bashkëpunëtorët e bashkëpunëtoret e tij kanë përpara jo detyra politike po misione politike: që të reformojnë të gjithë përbërësit, domethënë të gjithë sektorët e jetës politike, shoqërore, administrative-shtetërore, ekonomike, arsimore, shëndetësore dhe kulturore, që ta bëjnë Kosovën shtet i të drejtës, që ta bëjnë Kosovën shtet social, në të cilin të gjitha dinjitetet do të jenë barabar të kujdesura e të siguruara. Në këtë mision politik, demokratik, shoqëror e atdhetar të tyre pashmangshëm duhet të jetë i përmbajtur edhe ideali historik: bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. (dritare.net)

Kontrolloni gjithashtu

Flet Kryetari i grupit lab “Bijtë e Tepelenës” Kastriot Lamaj: Kënga labe ka qënë është dhe do të mbetet pjesa më e artë e identitetit tonë kombëtar

Flet Kryetari i grupit lab “Bijtë e Tepelenës” Kastriot Lamaj: Kënga labe ka qënë është dhe do të mbetet pjesa më e artë e identitetit tonë kombëtar

– “Në Tepelenë ka disa grupe labe që mbajnë gjallë dhe mbartin këngën më të …