Kujtim Gjonaj

Albert Z. Zholi : “Mjeshtri i Madh”, Kujtim Gjonaj, dhe historia e dokumentarit shqiptar

          Më 17 prill 1947 u krijua Ndërmarrja Kinematografike Shqiptare dhe pranë saj u mblodhën të gjithë njerëzit që ishin marrë me fotografinë në atë kohë. U gjetën dy-tre kamera dhe aksesorë ndihmës të mbetura nga lufta. Kineasti i parë që do hynte në historinë shqiptare është Mandi Koçi. Mbas tij u afrua edhe Hamdi Ferhati dhe në vitin 1948 kjo ndërmarrje çoi njerëzit e parë për specializim në Rusi dhe Çekosllovaki. Studentët e parë qenë Agim Fortuzi, Sokrat Musha, Endri Keko, Xhanfize Keko, llo Pando dhe Koço Tollko, që shkuan për të mësuar elementët kulturoro-artistikë dhe profesionalë, të asaj që quhej kinematografi dokumentare. Pas dy vjetësh kursi erdhën kuadrot e para të riaftësuara nga vendet e kampit lindor. Krahas tyre ishte dhe Hamdi Ferhati që kish qenë fotograf, profesion që është afër kamerës. Dhe u bënë filmat e parë shqiptarë kronikalë me ndihmën e jugosllavëve, të rusëve derisa kinematografia shqiptare nisi të ecë me këmbët e veta. Deri në vitet ’65-70 u bënë disa filma dokumentarë, kryesisht kronikalë të realizuar nga Endri Keko, Ilo Pando,Viktor Stratoberdha, Shkëlzen Shala, Gëzim Erebara e ndonjë tjetër, ku fiksohej pak a shumë historia e vendit dhe ndodhitë më të mëdha si ndërtimi i hekurudhave të para, shpërthimi i puseve të naftës apo ndërtimi i hidrocentraleve, ndërtime veprash dhe fabrikash, tharje kënetash, hapje rrugësh etj. Ishte një periudhë mjaft e vrullshme kur u hodhën themelet e kësaj ndërmarrjeje të madhe e cila në vitet ’70 e më pas mori përmasa të mëdha.

Nga një film për Enver Hoxhën

…Ishte viti 1985 kur u dha direktiva që të bënin nga një film për Enver Hoxhën në lidhje me çdo rreth të Republikës. Filmat e kolanës u quajtën. Dhe ai zgjedh Tepelenën dhe Përmetin. Në Mezhgoran, ku ndahet kufiri mes dy rretheve, pikërisht në grykën e Mezhgoranit, një vend ku skalitet bukur epikja dhe lirikja ndalonte gjithnjë për të shijuar bukurinë e asaj lugine mahnitëse. Xhiruan në Tepelenë, xhiruan në grykën e Mezhgoranit, vendet ku ishin bërë luftërat partizane me okupatorin fashist dhe kur po xhironin në grykë mëson që një kushëri i tyre kishte një baxho. Sa herë kalonte atje me shërbim ulej në atë kafen e thjeshtë të Luadhit dhe pyeste me shumë dashuri se ç’bëhej në fshat, kush kishte lindur e kush kishte ikur nga kjo botë. Kishte gjithnjë nostalgji për vendin ku kishte lindur. Kishte një lloj meraku dhe dëshire për ta kuptuar atë vend, për të parë së afërmi njerëzit dhe fshatin. Dhe gjithnjë ndalte në zyrat e kooperativës dhe takonte njerëz që i donte me të vërtet shumë. Dhe aty merrte informacion për njerëzit, të afërmit dhe për fshatin. Shkon e takon Haxhiun që punonte në baxho. Dhe mendon ta xhirojë në film, në fund të fundit ishte kushëri i tij, por edhe punëtor i mirë. U gëzua kur ndaloi në Luadh për një kafe, dhe i folën mirë për të. Siç ishte kërkesa atëkohë duhej që njerëzit që dilnin në film të ishin të pastër, të rruar dhe të rregullt.

– Haxhi hajde të të rregullojmë, të jesh sa më i rregullt. Dhe bëj kujdes sa më shpejt të veprosh, në mënyrë që të mos harxhojmë shumë film!

Ishin vitet e krizës maksimale në Shqipëri dhe atëherë Kinostudio kishte norma në përdorimin e filmit. Ishte krizë ekonomike, sociale, mendore.

– Mirë.

Dhe ndërkohë ia shtrojnë muhabetit duke folur për kohën, për fshatin, të njohurit, farefisin. Sheh rreth e rrotull. Të gjithë punonjësit e filmit ishin zhdukur, por e qetësoi mendjen duke thënë se ndoshta ishin duke bërë gati aparaturat. Bëhet gati Haxhiu dhe shkojnë për të xhiruar.

– Haxhi, si të thashë. Çdo veprim me saktësi sipas profesionit tënd, vetëm shpejt. Ta bësh mirë, bukur dhe shpejt!

– Në rregull!

– Ka motor?

– Ka

– Fillojmë…

– Fillo Haxhi!

Prit ai se po nxirrte Haxhiu copat e djathit për t’i vënë në vozë. Hiç. Prit… hiç.

– Hë Haxhi se më iku filmi!

Haxhiu e shikonte atë si i habitur.

Bëhet gati t’i thoshte kameramanit stop. E kundron dhe vëren që ai kishte vënë syrin në lupë. Elektricistët merreshin me dritat kokulur. Pra, në pamje të parë të gjithë në punë. Një situatë normale pune.

– Hë mo Haxhi! Nxirre të shkretën!

– S’ka.

– Ça s’ka?

– S’ka djathë.

– Stop. Ku është djathi?

Të gjithë rrinin kokulur. Ishte viti i vështirë ’86, kohë krize. Sigurisht që nuk ishte gjë normale. Nisi të shajë, të bërtasë.

Kur nuk të kthen njeri përgjigje egërsohesh edhe më shumë. Një moment dhe skenë sa dramatike aq dhe qesharake. Dikush qeshi nën zë. Kaq u desh. Më pas plasi e qeshura. Djathin e kishin marrë elektricistët. Gomarllëk me brirë. Kur ngritën blicat kullonin ujë. Ishte një skenë me humor, banale, por dhe e dhimbshme. Çdo film ka momente dhe episode të kësaj natyre.

Kosova, dashuria dhe mohimi

          Qysh djalë i ri mahnitej nga historia e Kosovës. Ajo histori e lavdishme e larë me gjak trimash dhe kulte heronjsh. Dashuria për Kosovën tek ai lindi që herët dhe dashuria për këtë pjesë të Shqipërisë, ka ardhur duke u forcuar dhe duke u rritur gjithnjë e më shumë. Në shkollë të mesme kishin dy shokë me origjinë nga Kosova. Të parët e tyre kishin ardhur herët prej andej dhe nganjëherë bisedonin për trevat mbetur matanë në Jugosllavi. Ylberi tregonte me pasion, sa herë binte fjala për krahinën e tij, të mbetur andej matanë kufirit. Pra, i ngacmuar edhe nga leximet, në atë kohë romani i Haki Stermillit “Sikur të isha djalë” ishte nga më të lexuarit, si dhe tregimet e shokëve, në fillim të viteve ’70 i lindi dëshira për të bërë një film për Kosovën. Ishte koha e normalizimit të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave në atë periudhë dhe Krahina Autonome e Kosovës kishte fituar disa të drejta qytetare dhe kushtetuese. Shkëmbeheshin delegacione kulturore dhe arsimore të shumta. Teatri Kombëtar kish bërë një turne të suksesshëm. Po kështu edhe disa grupe artistike amatore këngësh e vallesh. Edhe një grup kineastësh nga Kinostudio me Endri Kekon, Viktor Gjikën e disa aktorë qenë ftuar nga Kosova Filmi.

Ndërkohë kishte ardhur në Shqipëri aktori i shquar Bekim Fehmiu. Shumë pedagogë të Universitetit tonë shkonin dhe jepnin mësim në Universitetin e Prishtinës dhe shumë shkëmbime të tjera në mjaft fusha të ndryshme. Ishte si nje behar i bukur në marrëdhëniet e shqiptarëve të të dy vendeve. Në këtë kuadër bën propozimin për të xhiruar një film mbi kryengritjet e mëdha të Kosovës, propozim që u miratua jo vetëm nga Këshilli artistik i Kinostudios, por edhe nga instancat shtetërore, për të bërë xhirime jo vetëm për kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912, por për të filmuar në të gjitha trevat shqiptare, ngjarjet historike dhe figurat e shquara që lidhen me këto ngjarje. I hyri punës me gëzim, por edhe me përgjegjësi, duke nxjerrë dhe renditur dokumente, vende xhirimi, figura patriotësh, luftëtarë dhe shumë materiale te tjera, që do të kërkoheshin dhe xhiroheshin atje. Një punë voluminoze dhe me mjaft përgjegjësi shkencore. Dhe miratimi për këtë dokumentar u konsolidua në prag të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Si duket jo vetëm nga Ministria e Kulturës, por edhe diku më lart qe dhënë miratimi për këto xhirime. Ishte një ekip i përbërë nga ai, regjisorja Vitori Çeli, operatorja Diana Diamanti, dhe një kameraman nga televizioni shtetëror, Besnik Shima. U vunë në dispozicion dy makina për një udhëtim njëzet ditor në Kosovë dhe në gjithë trevat shqiptare që në atë kohë ishin brenda shtetit jugosllav. Ishte një shërbim me emocione të mëdha, se lidhej me një respekt e dashuri të veçantë për këtë pjesë të popullatës shqiptare, që gati 70 vjet ndodhej nën juridiksionin e një shteti tjetër.

Natën kur kaluan kufirin në Qafë-Thanë dhe fjetën në Strugë, në një hotel buzë liqenit, një hotel modern i ndërtuar pas ngjarjeve të tërmetit të viteve ’60, përbënin moment me emocione të mëdha. Momenti kur shkelën nga Shqipëria, në tokë shqiptare, por matanë kufirit, përbënë një shok emocional tek ai dhe pa dyshim dhe te të tjerët. E ka thënë dhe vijon ta thotë shpesh sot, në mjaft intervista dhe biseda televizive, atë që e mendoi dhe ja tha vetëm vetes atë natë, kur kapërceu kufirin, Shqipëria ishte i vetmi vend në botë që gjatë gjithë kufirit të saj, rrethohet me shqiptarë dhe toka shqiptare. Absurd i pabesueshëm, por i vërtetë. Ka patur gjithnjë emocione të mëdha historike. Ishte sikur historia i vijëzohej me ngjarjet e mëdha në një figurë njerëzore. Është e çuditshme por Shqipëria i është dukur gjithnjë, si një zonjë e mrekullueshme, ku historia me bëmat e saj gdhendej në figurën e saj të bukur. Dhe meqenëse ka qenë dhe mbetet ateist, ai sot më shumë se kurrë është i bindur se Shqipëria në jetën e tij ka luajtur rolin e perëndisë. Asaj i është falur si nënës.

Pritja në Prishtinë, ishte mbresëlënëse. Në atë kohë drejtori i “Kosova Film” ishte një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë së shqiptarëve të Kosovës, Azem Shkreli, të cilin nga ai moment e deri në frymën e fundit, do ta kishte mik të mirë. Një miqësi që u lidh në ambientet e “Kosova Film” dhe u konsolidua me kalimin e viteve. Ishte shkrimtar i talentuar, por mbi të gjitha një njeri me virtyte të mëdha pozitive. E takon përsëri dhe çmallet me të në fund të vitit 1991 në Zvicër, teksa xhironte dokumentarin “Me shqiptarët e Zvicrës” dhe në vitin 1993 kur i boton dhe i promovon librin me esse dhe publicistikë “Muri përfundi shqipeve”. Azem Shkreli për të mbetet një shkrimtar i madh dhe mik i mirë.

Po të kthehemi përsëri te takimi me të, në “Kosova Film”. Një pritje e jashtëzakonshme. Të gjithë ata e ndienin veten si të përkëdhelur. Gjatë ekspeditave në Kosovë dhe trojet shqiptare të ish-Jugosllavisë kishin dy djem shoqërues të mrekullueshëm, që ndrisnin kur flisnin me të: Adil Begolli, punonjës i “Kosova Filmit” dhe Mark Krasniqi, inspektor në Ministrinë e Informacionit. I shoqëronte dhe Agim Bobi, me të cilin Kujtimi krijoi një miqësi të mirë. Pra, ishin njerëz që jo vetëm i pritën me dashuri, por nuk lanë pa plotësuar asnjë dëshirë dhe kërkesë të tyren, për të siguruar dhe regjistruar çdo material, që u duhej për filmin. E shkelën Kosovën cep më cep. Ngjarjet duket sikur dilnin nga errësira ku ishin pluhurosur dhe merrnin dritë e ngjyra në celuloid. I kujtohet që diku, në një cep të largët ku kishte mbajtur një tubim Isa Boletini me Bajram Currin, Verrat e Llukës quhej vendi, në afërsi të Deçanit, kish gjetur një foto të fiksuar në këtë tubim të vitit 1912 të dy patriotëve legjendarë Isa Boletinit dhe Bajram Currit. Foton e njihte, se e kishte gjetur në arkiv të shtetit, ndaj duhej kërkuar dhe gjetur vendi autentik për ta xhiruar. Dhe i çuan te vendi “Verrat e Llukës”, e teksa po xhironin rastis të takojnë një plak me plis të bardhë si bora, që të jepte një ndjesi fisnike kur e shikoje me ato tirqet e bardha prej leshi me vija të zeza. Ishte matanë një ledhi duke punuar tokën. Kur pa grupin që po lëviznin me kamera dhe po xhironin pyet:

– A jeni të Prishtinës, a?

– Jo, kemi ardhë nga Tirana. Televizioni i Shqipnisë.

– Ah!

Mori frymë lehtësimi i përmalluar dhe një pikë loti iu var mbi mollëzat e rreshkura deri në mjekrën e bardhë. Dhe tha:

– Aman, më jepni një shenjë.

I dhanë një paketë cigare “Partizani”.

– Njo, jam kah e dhez… Ndërsa paketën do ta çoj në shtëpi t’ua tregoj nipave.

 Dhe e futi nën xhamadan, në krahun e zemrës, a thua se i kishin dhënë një lingotë floriri. Ishte një ndjenjë kënaqësie. Të krijonte jo vetëm respekt, por dhe dashuri për këta njerëz.

Xhiruan në Gjakovë, ku takuan të afërmit e piktorit të nderuar Abdurrahim Buza. Një mikpritje dhe dashuri e jashtëzakonshme. I shoqëruan në çdo skaj të Gjakovës dhe në rrethinat e saj. Në kullat e Abdulla Pashë Drenit, të kthyer në muze, gjetën dhe filmuan mjaft dokumente dhe foto interesante për ngjarjet e viteve 1910-1912. Adil Begolli, që i shoqëronte bëri të pamundurën për të gjetur dhe vënë në shërbim të grupit të filmit, gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Pas një dite të lodhshme atë natë mblidhen në lokalin më të njohur të Gjakovës me vëllain e heroit të popullit Hajdar Dushi. Për fat atë mbrëmje, erdhi dhe e famshmja Nexhmije Pagarusha, për të kënduar. Biseduan e kënduan deri vonë. Folën për flamurin dhe dashurinë e madhe që ushqenin për Shqipërinë. Miqtë ishin shumë të gëzuar. Ata u ndjenë vërtet të lumtur nga mikpritja e vendasve. Një mbrëmje e jashtëzakonshme vëllazërore, miqësore dhe gdhinë deri në tre të mëngjesit. Flitej me shumë dashuri për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Flitej për sakrificën që u duhej të paguanin, për dashurinë që ndjenin për Shqipërinë.

Në kohën e Rankoviçit

Në kohën e Rankoviçit vetëm pse shihnin një makinë spedicioni dhe shkëmbenin një tungjatjeta, hanin ditë të tëra burg. Tregonin që në bulevardin e Prishtinës, Korza i thonë, serbët u hidhnin nga lart kova me ujë të nxehtë, pse kërkonin statusin e Kosovës së pavarur. Biseda çmallëse, që nuk hynin në politikën e kohës. Ata ndiqnin me përparësi të madhe çdo gjë që ndodhte në Shqipëri. E kishin idhull fjalën Shqipëri, flamurin, shqiponjën, Skënderbeun. Emrin shqiptar e shqiptonin me dashuri. Dhe ishte pikërisht kjo ndjenjë kaq e qashtër dhe e madhe që ata i mbajti gjallë. Ata njihnin shumë mirë letërsinë e para luftës, por njihnin dhe penat e mëdha të Shqipërisë së kohës si Kadare, Agolli, Arapi etj.

Ditën që xhiruan në Junik, që është po thuaje ngjitur me kufirin e Shqipërisë, vendasit e kthyen në ditë hareje.

Rreth shtëpisë ku qe mbledhur Kuvendi i Junikut, një kullë dykatëshe dhe e punuar bukur me dru, u grumbulluan shumë banorë. Të gjithë donin t’i takonin, të bisedonin, t’i ftonin për kafe. Xhirimet e asaj dite u kthyen në festë. Një dashuri marramendëse shpërthente nga të gjitha krahët. Ata bisedonin për kuvendin, për Bajram Currin, për Isa Boletinin, për luftën e zhvilluar në këto treva duke harruar dhe mënjanuar të vërtetën e hidhur: Sa pranë dhe sa larg ndodheshin njëkohësisht.

 Rezultati i këtij turneu 20 ditor ishte një film për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe filmi “Kryengritjet e mëdha” që u vlerësua me çmim të dytë dhe i dhuroi kënaqësi shumë të veçantë. Kosovës i është rikthyer gjithnjë dhe në filmin e mbas viteve 90-të “Me shqiptarët e Zvicrës”, si dhe me filmin dokumentar për Rramush Haradinaj, por ka bërë dhe udhëtime të tjera dashurie, për këto hapësira shqiptare. Me filmat për Kosovën ai mbushi një boshllëk të madh të krijimtarisë së tij. Kosova, historia dhe njerëzit e saj kanë qenë dhe mbeten gjithnjë permanente në krijimtarinë e tij me dokumentarët “Lidhja shqiptare”, “Kryengritjet e mëdha”, “Po lufton Idriz Seferi”, “Me Shqiptarët e Zvicrës”, “Gjithçka për Kosovën” etj. Në mendësinë e tij ka patur të ravijëzuar idenë që krijimtaria e tij duhet të përshkruajë dhe të hedhë në celuloid gjithçka që është shqiptare. Deri në atë moment qoftë me festivalet folklorike dhe qoftë me filmat e tjerë të veçantë, ai kishte mbushur boshllëkun e madh të një hapësire që quhet Shqipëri dhe të një hapësire tjetër të madhe, që quhet Kosovë. Në këtë drejtim thellë në unin e tij mbetej gjithnjë ai mendimi se akoma ka diçka të pathënë për historinë Shqiptare. Dhe kur xhironte ndonjë film jashtë kufijve për personalitete historike si Ali Pashë Tepelena, Faik Konica etj., që një pjesë të madhe të aktivitetit e kishin në shtetin fqinj jugor, pa e kuptuar i lindte dëshira instinktive për t’u hedhur në Çamëri, dhe në çdo vend ku shqiptarët kishin gjalluar e përjetësuar historinë e tyre të lavdishme. Ishte ndërgjegjja e krijuesit. Për të thënë ato që nuk kishte thënë. Sepse historia është gjithnjë e lidhur me trojet shqiptare nga ku kanë dalë këto figura madhore. Dhe ai gjithnjë ka patur si dëshirë, dhe përparësi dhe detyrë morale të plotësojë dhe të përjetësojë në filmat e tij, historinë shqiptare.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …