Kryetari i përhershëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë një takimi me mërgimtarë në Oslo, ka komentuar zhvillimet në Partinë Demokratike të Kosovës dhe marrëdhëniet mes subjekteve politike. Ai tha se VV-ja nuk e ka parë të arsyeshme t’i dërgojë letër PDK-së për bashkëqeverisje, duke theksuar se, sipas tij, në këtë parti ende nuk kanë ndodhur reforma të brendshme. Kurti deklaroi se në PDK “ndryshohen vetëm fytyrat”, ndërsa roli i kryetarit mbetet i paqartë. Ai tha se, ndonëse kryetari i ri i PDK-së ka thënë se nuk ka “vija të kuqe”, në një takim të thirrur nga presidentja lidhur me votimin e disa çështjeve në Kuvend, Bedri Hamza ishte i pari që kundërshtoi. Sipas Kurtit, kjo tregon se nuk ka ndryshim real në qëndrimet politike të partisë. Ai theksoi se PDK-ja ka pasur tre kryetarë brenda pesë viteve, por sipas tij, ndryshimet në emra nuk janë shoqëruar me ndryshim qëndrimesh. Ndërkohë, kritikat e tij nxitën reagime, me disa vlerësime se vetë Kurti mbetet figurë qendrore dhe e pakontestueshme brenda Lëvizjes Vetëvendosje, parti që ai drejton prej vitesh.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
