Alfred Sena : Në Shqipëri konsumohet duhan me përbërje radioaktive

Shqiptarët duhanpirës, pa e ditur, janë edhe konsumatorë të lëndëve radioaktive me origjinë nga ish-centrali atomik Rus, “Çermobil”. Kjo sepse të gjitha cigaret që hyjnë nga Greqia në vendin tonë, janë të prodhuara me duhan, i cili e ka origjinën prej Ukrainës dhe disa ish-Republikave Sovjetike. 
Pikërisht nga këto republika, sasi të mëdha duhani të magazinuara prej rreth 3 dekadash kanë nisur të sillen rregullisht në Greqi nëpërmjet detit e të ambalazhohen brenda paketave direkt për tregun shqiptar. Burime tepër konfidenciale pranë sektorit të Antikontrabandës në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, e kanë konfirmuar një lajm të tillë duke thënë se, “rreth 68 për qind e cigareve që vijnë në Shqipëri nga Greqia janë të prodhuara apostafat për tregun dhe duhanpirësit shqiptarë, me duhan mjaft të vjetër dhe me përbërje radioaktive, pasi ka qenë i magazinuar në magazina shtetërore në Ukrainë që në vitet ’80”. Linja e kontrabandës së cigareve nis nga magazinat e Ukrainës, ku mësohet se duhani u shitet kompanive greke fare lirë dhe më pas ai vjen në Portin e Pireut, ku pasi duhani kthehet në cigare dhe ambalazhohet me të gjitha etiketat në paketa, futet nëpërmjet kufirit tokësor dhe atij detar, si edhe nga Maqedonia për në drejtim të tregut shqiptar, ku numri i lartë i duhanpirësve është konsumatori më i mirë. 

Markat e falsifikuara 

Burimet nga Antikontrabanda përmendin si paketat me duhanin më të dëmshëm cigaret e kompanisë “Karelia”, për të cilat kanë thënë se “cigaret e firmës ‘Karelia’, por edhe të disa lloj cigareve që vijnë gjithashtu nga Greqia, paketohen në punishte thuajse artizanale në lagjen e Pireut në Athinë, duke u ambalazhuar nga punëtorë kinezë dhe filipinas e më pas nisen me kamionë drejt kufirit tokësor, ose me anije që kanë si destinacion Portin e Durrësit, ku futen dhe pa pulla akcize, pasi kanë lidhje me përfaqësues të lartë të doganave shqiptare”. Po sipas këtyre burimeve, mësohet gjithashtu se, “duhani që vjen nga Greqia me ambalazhet Karelia, Marlboro, Merit, Camel, edhe pse ambalazhet prodhohen në Pire, i gjithë duhani vjen në portin me të njëjtin emër nga anije ukrainase ose ruse nëpërmjet Detit të Zi në Egje, nga portet e Ukrainës në ato të Greqisë, dhe është mjaft i vjetër e madje edhe i kontaminuar me rrezatime nga të Çermobilit. Për këtë arsye është i ndaluar që të përdoret në tregun grek ose atë të BE-së”. 

Konstatimet e specialistëve 

Specialistë të sektorit të Antikontrabandës kanë thënë për gazetën se “skema e cigareve të falsifikuara apo e a tyre që janë prodhim direkt për në tregun shqiptar, është mjaft e rafinuar”. Sipas tyre, janë pikërisht segmentet e kontrabandës që kanë përhapur në popullatë mentalitetin se “paketat pa pullë janë më të mira”, në një kohë që është paradoksale që cigare mjaft të njohura dhe të shtrenjta në tregun shqiptar të shiten më lirë se në Bashkimin Europian, apo dhe vende të tjera të botës. Të njëjtat informacione janë konfirmuar nga burime konfidenciale edhe pranë EU-CAFAO-ALBANIA, të cilët kanë deklaruar për gazetën se, “janë në dijeni të një fakti të tillë dhe se për këtë janë duke investiguar bashkë me autoritetet doganore dhe të antikontrabandës shqiptare, me qëllim zbardhjen e këtij trafiku që sjell fitime kolosale për kontrabandistët e rajonit”. Lidhur me këtë çështje, jo pa qëllim kreu i EU-CAFAO-ALBANIA, Vito Malanga, thirri disa ditë më parë në doganën e Qafë-Thanës në Pogradec krerët e Doganave, Tatimeve, Ministrisë së Financave, Policisë Kufitare dhe të dy doganave të Pogradecit. Lajmi u konfirmua për gazetën nga burime konfidenciale pranë doganës së Qafë-Thanës, të cilat bënë me dije edhe për hollësitë e takimit që kishte në qendër të tij evidentimin dhe marrjen e masave nga ana e autoriteteve shqiptare të kufirit dhe doganave në lidhje me kontrabandën e shtuar të cigareve. Por, lidhur me këtë çështje, pra me problemin e kontrabandës së cigareve, kreu i EU-CAFAO-ALBANIA, Vito Malanga, ka folur edhe në një intervistë ekskluzive për “Albania”-n, ku ndër të tjera ka pranuar faktin e kontrabandës së organizuar të cigareve nga Greqia dhe Maqedonia për në drejtim të tregut shqiptar. 

Doganat dhe Tatimet, të pafuqishme të ndalin cigaret kontrabandë nga Mali i Zi 

Prej shumë kohësh, në tregun shqiptar, përveç paketave që shiten pa pullë, qarkullojnë edhe mjaft cigare, të cilat mbajnë etiketa dhe pulla fiskale të shteteve të rajonit. Prej disa javësh në tregun shqiptar po shiten lirshëm paketa cigaresh, të cilat mbajnë pulla fiskale të Greqisë, Maqedonisë, apo dhe Malit të Zi, të cilat shiten me çmime të njëjta me cigaret që mbajnë pullat fiskale të Ministrisë shqiptare të Financave. Inspektorë të Policisë Tatimore të Tiranës, të pyetur nga gazeta lidhur me faktin e shitjes së cigareve në treg dhe dyqane me pulla malazeze ose maqedonase, kanë thënë se, “ato janë produkte kontrabandë, të cilat hyjnë në vend nëpërmjet pikëkalimeve me Malin e Zi ose Maqedoninë dhe më pas tregtohen fshehurazi nga tregtarët”. Por edhe pse inspektorët e Tatimeve kanë dijeni për origjinën dhe vendin se nga vijnë këto paketa kontrabandë, asnjë masë nuk është marrë për bllokimin e tyre ose heqjen nga tregu vendas. Po kështu, as Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nuk është prononcuar në lidhje me numrin në rritje të kontrabandës së cigareve, si dhe rënien e nivelit të zhdoganimeve për muajt maj-qershor 2007. 

Komiteti i Duhanit kërkon që 50% e paketës të jetë me “sinjale alarmi” 

Sipas ligjit kundër duhanit, reklama për cigaret në media tashmë nuk lejohet, por edhe në paketë duhet të shkruhen mesazhe, të cilat të ndërgjegjësojnë pirësit për efektet e dëmshme të duhanit. Komiteti për Duhanin nuk ka përcaktuar ende rregullat për sipërfaqen e reklamës në paketat e duhanit, por disa kompani kanë nisur të respektojnë ligjet e BE-së. Ato do të prodhojnë paketa me shënime paralajmëruese, që do të zënë 30 për qind të sipërfaqes ballore, ndërsa ligji i miratuar përcakton 50 për qind ose më shumë të sipërfaqes së shfaqur. Komiteti do të mblidhet javën tjetër në Ministrinë e Shëndetësisë për të diskutuar detajet. Kompanitë e duhanit do të ndjekin rregullat e BE-së për sipërfaqen e njoftimit në paketa. Pas hyrjes në fuqi të ligjit kundër duhanit, një nga kompanitë që importon cigare ka bërë të ditur se shënimi do të jetë 30 për qind në pjesën ballore, 40 për qind në pjesën e pasme dhe 10 për qind në atë anësore. Ministria e Shëndetësisë do të mbledhë javën tjetër për herë të parë Komitetin ndërministror për mbrojtjen nga produktet e duhanit, në mënyrë që edhe kompanitë e tjera të prodhimit të duhanit të marrin masa për llojin e germës dhe sasinë e njoftimit në paketë. 

Shifra 
50 
për qind është kufiri i detyrueshëm në bazë të ligjit që duhet të zërë “sinjali i alarmit” në sipërfaqen e shfaqur të paketave 
10 
miligramë katran për cigare është kufiri maksimal, sipas ligjit, që duhet të ketë një paketë që tregtohet në vendin tonë 
1
miligram nikotinë për cigare duhet të ketë në bazë të ligjit çdo paketë që tregtohet në tregun shqiptar 
300 
milionë dollarë në vit është sasia e parave që shpenzohet nga duhanpirësit në vendin tonë, për të blerë cigare 
850
mijë dollarë i bie që të harxhohen në ditë për cigare nga duhanpirësit shqiptarë, sipas llogarive të bëra nga ekspertët 

Përtej investigimit/Kur shteti bën sikur nuk dëgjon

Prej më shumë se dy javësh, gazeta “Albania” ka botuar thuajse çdo ditë të dhëna faktike, të cilat flasin për rritjen e kontrabandës në vendin tonë. Pasi “Albania” faktoi se Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka tjetërsuar shifrat e nivelit të kontrabandës, ky fakt u mbështet dhe nga shefi i EU-CAFAO-ALBANIA, Vito Malanga, i cili është dhe autoriteti më i lartë i Bashkimit Europian në Shqipëri. Statistikat virtuale të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe deklarata e shefit të EU-CAFAO-ALBANIA, Vito Malanga, se në Shqipëri po lulëzon kontrabanda e duhanit, duket se nuk janë një arsye e mjaftueshme për qeverinë që të fillojë të bëjë pikëpyetjet dhe të shohë se cilat janë arsyet që Shqipëria ka dyfishuar nivelin e kontrabandës në dy vitet e fundit. Vetë autoriteti më i lartë doganor i BE-së në vendin tonë, e tha qartazi se për nga mënyra se si është e organizuar në Shqipëri kontrabanda e duhanit apo dhe duke u bazuar në itinerarin e “linjës së kontrabandës”, që kanë gjurmuar zyrtarët europianë, atëherë mendimi më i natyrshëm do të ishte se këtë kontrabandë nuk mund ta “bekojë” askush tjetër veçse pushtetarëve, të cilët kanë mundësitë që të “hapin portat” e Shqipërisë, për ta shndërruar vendin në një treg prej 4 milionë njerëzish që konsumojnë produkte që një Zot e di se nga vijnë. Sërish heshtje. Qoftë edhe një deklaratë rutinë nuk ka mbërritur as nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave e as nga Kryeministria. Shqetësues është gjithashtu edhe fakti se as Prokuroria e Përgjithshme nuk ka dhënë ndonjë sinjal (të paktën deri më tani), se ka vlerësuar faktet e publikuara në media, apo konfirmimin e tyre nga zyrtarë të Bashkimit Europian. Një shprehje e vjetër thotë se heshtja është një nga mënyrat më të mira për të aprovuar atë që ndodh. Shpresojmë që kjo shprehje të mos jetë në harmoni me realitetin e lulëzimit të kontrabandës në Shqipëri në dy vitet e fundit. (Kjo analizë u interpretua nga GLOCAL)

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në takim me kryeministrin Kurti pajtohet për shpërndarjen e Kuvendit

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka vlerësuar  takimin e tij me kryeministrin Albin Kurti, duke …