Dëshmitari Ali Gjyliqi ka dhënë dëshmi para trupit gjykues lidhur me trajtimin që, sipas tij, të burgosurit shqiptarë përjetuan në Burgun e Lipjanit gjatë luftës, duke përshkruar një të ashtuquajtur “kordon” të gardianëve ku të burgosurit rriheshin dhe torturoheshin gjatë kalimit. Gjyliqi po dëshmon në procesin gjyqësor ndaj Boban Toniqit, i akuzuar nga Prokuroria Speciale për krime lufte kundër popullsisë civile. Ai tregoi se të burgosurit detyroheshin të kalonin ndërmjet një numri të madh gardianësh, të cilët ishin rreshtuar në intervale të shkurtra dhe i godisnin gjatë kalimit. “Gjatë kalimit kishte rrahje dhe tortura. Kalonim pranë tyre, ishin të vendosur çdo një metër apo një metër e gjysmë. Kishte shumë, ndoshta më shumë se 50 persona”, deklaroi dëshmitari. Sipas rrëfimit të tij, dhuna nuk kurseu as personat që kishin pësuar plagë. Gjyliqi tha se edhe të burgosurit e plagosur detyroheshin të kalonin nëpër këtë rresht gardianësh, duke e përshkruar situatën si një nga përvojat më të rënda që kishte përjetuar gjatë qëndrimit në burg. Ai tregoi gjithashtu se disa prej gardianëve i njihnin të burgosurit dhe, pavarësisht dhunës së ushtruar gjatë kalimit, u drejtonin atyre edhe komente cinike. “Disa gardianë na kanë njohur. Bile, njëri prej tyre na pyeti: ‘A hala jeni gjallë?’”, rrëfeu Gjyliqi para trupit gjykues. Në fund të dëshmisë së tij, Gjyliqi kërkoi që Toniqi të shpallet fajtor dhe të dënohet, duke shprehur bindjen se të burgosurit shqiptarë kanë përjetuar padrejtësi të shumta. “Pres që të shpallet fajtor dhe të dënohet, sepse mjaft padrejtësi na janë bërë deri më tani”, tha ai. /sinjali/
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
