Alush Zeqir Berisha (5.4.1956 - 28.7.1998)

Alush Zeqir Berisha (5.4.1956 – 28.7.1998)

Fshati Gjurgjevik i Komunës së Klinës është fshat i njohur i rezistencës kombëtare shqiptare, por dhe vendlindja e mësuesit të parë të gjuhës shqipe dhe prijësit të Nacionaldemokkratikës shqiptare, Ymer Berisha. Në këtë fshat gjatë Luftës së Dytë Botërore u dogjën e u masakruan 23 anëtarë të familjes së Isuf Dushit. Po gjatë Luftës së Dytë Botërore familja e kryetrimit Sadik Rama u përball me armikun serb. Në këtë fshat ndërroi jetë edhe kryetrimi i Drenicës heroike, Azem Bejta. Fshati Gjurgjevik edhe gjatë luftës së lavdishme Çlirimtare ishte në shënjestër të pa ndërprere të forcave okupatore serbe. Me fillimin e daljes publike të UÇK-së, në pranverën e vitit 1998 Gjurgjeviku i Madh, ishte shënjestër e granatimeve të pandërprera të ushtrisë kriminele serbe. Në fillim të qershorit të vitit 1998 ky fshat ishte në mbrojtje dhe në kontroll të UÇK-së.
Alush Berisha u lind në fshatin Gjurgjevik i Madh, komuna e Klinës më 5 prill të vitit 1956. Alushi ishte fëmija i dytë i prindërve Zeqir dhe Shkurte Berisha, të cilët kishin edhe katër djem e një vajzë, Haxhiun, Ahmetin, Ganiun, Aliun e Salë.
Ai shkollën fillore e kreu në Jashanicë ndërsa të mesmen në Klinë. I takonte një familje e cila tradicionalisht nuk u pajtua me regjimin kriminal serb. Alushi ishte pjesëmarrës në demonstratat e Pranverës së madhe të marsit e prillit të viti 1981.
Me rastin e shtrirjes së UÇK-së në këto anë më 3 qershor të vitit 1998, Alushi u inkuadrua në rradhët e UCK-së, në njësitin Pika dielli-të Brigadës 113, e cila më vonë emërohet me emrin e dëshmorit dhe heroit të Kosovës, Mujë Krasniqi. Në pikën ku vepronte kishte edhe bashkëluftëtarët: Gazmend Berisha, Amrush Berisha, Tahir Berisha, Haki Berisha dhe Ibish Berisha. Ishte me tërë familjen në shërbim të luftës së shenjtë, për çlirimin e atdheut, duke dhënë kontribut në forma të ndryshme, si në strehimin e ushtarëve të UÇK-së, duke u ofruar ushqim, duke hapur bunkerë dhe istikame në fshat, sepse vetëm 500 metra i ndante vija ajrore nga forcat serbe, të cilat ishin të stacionuara në fabrikën e kërpudhave në Pogragjë, ku kishin stacionuar në numër dhe në armatim shumë herë më të madh se numri dhe armatimi i UÇK-së.
Përkundër këtij fakti Alushi dhe ushtarët e tjerë të UÇK-së, nuk trembeshin por qëndronin të palëkundur në rrugën të cilën kishin nisur. Për dy muaj rresht Alushi përkujdesej edhe për familjet. Ai bënte edhe transportin dhe sigurinë e tyre, me qëllim që t’i dërgonte për strehim në fshatrat tjera më në brendi të zonës, në vende që konsideroheshin më të sigurta dhe që ishin në kontroll të UÇK-së.
Kur forcat kriminele serbe pësonin humbje në frontet e luftës në Klinë me rrethinë nga forcat Çlirimtare, atëherë ato nga distanca bombardonin Gjurgjevikun, meqë e dinin se aty ndodhej popullata civile. Me 25 korrik të vitit 1998 në mbrëmje forcat serbe fillojnë të marrin ofensive artilerie duke goditur fshatrat: Gjurgjevik i Madh, Dush dhe Siqevë. Alushi vendos që largojë familjen nga fshati dhe fillimisht i vendos nën urën e lumit të fshatit Shtaric. Diku nga mesnata gjen në shtëpi dhe i vendos në të babanë, Zeqirin, bashkëshotën, Minire, dhe fëmijët Rrahmanin, Shkurten, Valtonin, Elidonën, Bleonën Fatonin, si dhe kunatën e vëllait me fëmijë. Pasi i sistemon ata vendos prapë të kthehet në fshatin Gjurgjevik pran ushtareve tjerë ku ishte bashkë me djalin Gazmendin dhe djalin e vëllait, Amrushin të cilët ishin inkuadruar në UÇK, qysh në prill të vitit 1998 dhe ndër të parët në fshatin Gjurgjevik i Madh.
Të nesërmen herët në mëngjes shkon tek familja në fshatin Shtarc, i merr dhe i vendos në traktor, i dërgon në fshatin Rrëzall të Skenderajt tek miku i tij Ahmet Zabeli, i cili ishte kuadër i njohur i UÇK -së. Miku i tij Ahmeti kishte sistemuar një numër të madh të ushtarëve të UÇK-së, të asaj zone. Alushi i lë amanet atij familjen e vet, meqë konsideronte se në Rrëzall kishte siguri më të madhe për popullatën civile.
Në mbrëmje të datës 26 korrik 1998 kthehet në Gjurgjevik të Madh. Aty pos ushtarëve të tjerë kishte edhe birin, Gazmendin dhe djalin e vëllait Amrushin, të cilët qëndronin ende në vija të frontit dhe bënin rezistencë të fuqishme për të mos lejuar të hynte këmba e shkaut në këtë fshat.
Me 28 korrik të vitit 1998, qysh në mëngjes forcat serbe fillojnë granatimin e fshatrave shqiptare, ndërkohë që ishin nisur edhe me këmbësori ne drejtim të fshatrave: Gjurgjevik i Madh, Dush e Siqevë.
Plotë 5 orë rezistencë të pabarabartë dhe të pandërprerë ushtarët çlirimtarë luftuan nën breshërinë e plumbave dhe granatave të kalibrave të ndryshëm. Këtë ditë kriminelët serbë sulmuan edhe me tanke. Alushi së bashku me Haki Berishën caktohen që të bëjnë evakuimin popullatës civile, në mesin e tyre gra, pleq dhe fëmije të fshatit. Një pjesë të tyre i evakuojnë mbas kodrës së Vuçakëve, në drejtim të fshatit Doberdol. Luftëtarët çlirimtarë nisën të kthehen në frontin e luftës, ku vendi qe mbulura me tym e flakë nga palët ndër luftuese. Rreth orës 12 e 15 minuta, kur arrijnë në kodrën e Vuçakëve ata goditën nga një predhë e tankut serb. Alushi merr plagë të rënda në anën e djathtë të stomakut ndërsa Haki Berisha merr plagë në dorën e majtë, Gazmendi djali i Alushit merr plagë në veshin e majtë dhe Tahir Berisha merr plagë në shpinë. Alushi kishte plagë më të renda andaj e vendosin në një traktor dhe e dërgojnë në drejtim të fshatit Ujmir, ku doktori Pashk Buzhala i jep ndihmën e parë, për ta transferuar pastaj në spitalin ushtarak të UÇK-së, në Likoc. Mirëpo gjatë rrugës për në Likovc, në fshatin Aqarevë, Alushi nuk mund t’i rezistojë më tej plagëve dhe për herë të fundit thith ajrin tërë tym të luftës dhe ndërron jetë, me besim të patundur se lufta vendimtare e UÇK-së do ta shporrte përgjithmonë armikun serb nga trojet tona. Kur e dërgojnë në Likovc, mjekët e konstatojnë rënien e tij. Ofensiva nga ana e forcave serbe nuk kishte pushuar, dhe në shumë fshatra si dhe Gjurgjevik kishin depërtuar forcat serbe. Kriminelët serbë kishin djegur çdo shtëpi, çdo vendbanim madje edhe tokat e mbjella me grurë. Ndërkohë, komandanti Ahmet Zabeli merr vendim që dhëndrin e tij, Alush Berisha, më 28 korrik 1998 ta varrosë nën përcjellje dhe me nderime ushtarake në varrezat e të afërmeve të tij, në Rrezallë. Trupi i dëshmorit, Alush Berisha është rivarrosur më 28 korrik të vitit 2000, në Klinë nën përkujdesjen e Kuvendit Komunal të Klinës dhe Shoqatës së dëshmorëve të UÇK-së, në varrezat e dëshmorëve në Grabanicë të Klinës.
Familja e dëshmorit të kombit, Alush Berisha ka përjetuar edhe dy vdekje të dhembshme e të pikëllueshme. Më 5 prill të vitit 2010 ka vdekur djali i tij, Fatoni në moshë 24-vjeçare dhe më 29 janar të vitit 2014 ka vdekur Valtoni 26-vjeçar. Pavarësisht dhembjes e pikëllimit, familja e dëshmorit të kombit, Alush Berisha ka gjetur forcë për qëndruar me shpresë për ditë më të mira. Ai ka lënë bijtë: Gazmendin, Rrahmanin, Shkurtën, Elidonën dhe Bleonën. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Mursel Rrustem Boletini (19.11.1977 - 4.5.1999)

Mursel Rrustem Boletini (19.11.1977 – 4.5.1999)

Dëshmori i kombit Mursel Boletini rrjedh nga familja e njohur Boletini, e cila dha shumë …