leoni

Arbana Qeriqi- Gashi: Vjosa Osmani,  një presidente që i shërben imazhit personal, jo shtetit

Ka momente kur fjalët e një politikani nuk janë thjesht klishe fushate. Janë shigjeta që godasin shtetin. Janë plasaritje në murin e brishtë të imazhit ndërkombëtar. Dhe shpesh këto plasaritje vijnë jo nga armiqtë, jo nga kritikët e jashtëm, por nga vetë ata që duhet të ishin mburoja e shtetit. Deklarata e presidentes së Kosovës se “janë shkatërruar 900 banda kriminale” është një shembull brutal i mënyrës se si papërgjegjësia politike shndërrohet në rrezik real për të ardhmen e një vendi. Nuk ka rëndësi sa shpejt presidentja u përpoq ta korrigjojë deklaratën duke thënë se “i referohej rasteve, jo bandave”, dëmi tashmë ishte bërë. Titulli jetoi, narrativi u shpërnda, perceptimi u ngulit. Kosova u servua para syve të botës si një vend i kriminalizuar deri në asht. Dhe kjo është tragjike. Sepse nuk e tha një gazetar i huaj, nuk e tha një analist skeptik, por e tha Presidentja e Republikës, figura që duhet të mbrojë dinjitetin e shtetit, të peshojë çdo fjalë, të komunikojë me maturi dhe profesionalizëm. Ajo që në protokoll quhet “përfaqësuesja e unitetit të popullit”, por që në realitet shpesh sillet si shefe e një partie të vetme politike.

Kosova nuk është SHBA, nuk është Brazil, nuk është vend me 50 milion banorë ku statistikat humben në det.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga regjistrimi i fundit (2024), popullsia rezidente është 1,602,515 banorë.. Një shtet i vogël, i ri, që ende lufton për njohje, për besim, për stabilitet. Dhe kur presidentja flet për “900 banda kriminale”, ajo po thotë botërisht se praktikisht çdo lagje, çdo qytet, çdo fshat ka bandën e vet.

Kjo është:

  • diplomatikisht katastrofike
  • politikisht e papërgjegjshme
  • profesionalisht e pafalshme

Në vend të forcimit të pozitivitetit, presidentja projekton frikë. Në vend të krijimit të besueshmërisë, ajo prodhon dyshim. Në vend të mbrojtjes së imazhit, ajo prodhon njollë. Për një vend që kërkon investime, integrime dhe stabilitet, një deklaratë e tillë është helm i pastër. Sepse investitorët e huaj nuk e lexojnë “sqarimin e dytë”, por lexojnë titullin: 900 banda kriminale. Këto deklarata nuk mbeten në ekran. Ato ndikojnë në psikologjinë e popullit. Ndikojnë në mënyrën si ndihet qytetari në rrugë, si e sheh veten shteti, si e sheh e ardhmja. Por më shumë se të gjithë, i godasin të rinjtë. Brezi që ka lindur pas luftës, brezi që ka ëndërruar Evropën, brezi që ka sakrifikuar duke studiuar, punuar, investuar energji, meriton një president që u jep shpresë, jo frikë. Meritonte udhëheqje që i ngre lart, jo që i poshtëron me deklarata që e shndërrojnë Kosovën në “vendin e 900 bandave”. Ata të rinj që sot rrinë me pasaporta në ambasada, që luftojnë për vizë pune, që përpiqen të ndërtojnë jetë në vendin e tyre, çfarë të thonë nesër kur dikush u thotë: “Ju vini nga një vend me qindra banda kriminale?” Kush ua krijoi këtë imazh? Jo Serbia. Jo ndonjë raport armik. Por vetë presidentja. Një presidente që i shërben vetes e jo shtetit, politikës e jo vendit, momentit elektoral e jo të ardhmes. Një udhëheqëse shtetformuese, nëse me të vërtetë do të kishte informata për 900 banda të shkatërruara, do të duhej:

  1. të publikonte raporte zyrtare
  2. të mbante konferencë të koordinuar me Policinë dhe Prokurorinë
  3. të siguronte transparencë
  4. të ruante dinjitetin e shtetit
  5. të sillte fakte, jo thashetheme numerike

Por ajo zgjodhi rrugën e kundërt: deklaratë senzacionale, pa burime, pa prova, pa përgjegjësi institucionale. Dhe në diplomaci, ku çdo fjalë matet me gram, kjo lloj papërgjegjësie i kushton shtrenjte një shteti të vogël si Kosova. Atëherë jemi përballë diçkaje më të rëndë: jemi përballë abuzimit me detyrën. Nëse presidentja përdor sigurinë kombëtare si mjet propagandistik për fushatë, atëherë kemi të bëjmë me një rrezik të drejtpërdrejtë për stabilitetin politik dhe diplomatik të vendit. Sepse një presidente që sheh votën para shtetit, personalen para vendit, interesin partiak para interesit kombëtar nuk është më garantuese, por rrezik për rendin. Kosova nuk ka nevojë për një presidente që shpik numra. Kosova ka nevojë për një presidente që mbron të vërtetën. Nuk ka nevojë për marketing. Ka nevojë për dinjitet. Nuk ka nevojë për sensacion. Ka nevojë për seriozitet. Nuk ka nevojë për arsyetime qesharake. Ka nevojë për përgjegjësi. Populli i Kosovës e ka parë këtë film shumë herë: politikanë që e përdorin shtetin si skenë teatrore për interes personal. Por çdo teatër ka një fund. Dhe duket se edhe ky po afron. Njerëzit janë lodhur nga gënjeshtrat. Janë lodhur nga statistikat e sajuara. Janë lodhur nga figura që flasin shumë, por mendojnë pak. Janë lodhur nga udhëheqës që e bëjnë Kosovën të duket më keq sesa është. Janë lodhur nga politikanë që i veshin vendit imazh kriminal vetëm për të marrë zemrat e militantëve. Dhe më e rëndësishmja: Janë lodhur nga presidentë që harrojnë se para se të jenë politikanë, janë simbol i shtetit. Kosova është vend i ndjeshëm, i vogël, i brishtë dhe i dashur për popullin e vet. Ka kaluar shumë, ka luftuar shumë, ka paguar çmim të madh për lirinë që sot gëzon. Nuk e meriton të përdhosen. Nuk e meriton të keq përfaqësohet. Nuk e meriton të shitet si terren kriminal.

Presidentja kishte një detyrë: të mbrojë imazhin e Kosovës, të ruajë seriozitetin, të peshojë fjalën. Dhe në këtë rast, ajo dështoi. Jo si politikane, sepse politikanët gabojnë çdo ditë. Ajo dështoi si presidente. Dështoi si simbol i shtetit. Dështoi si zë i matur i vendit. Dështoi si garantuese e dinjitetit kombëtar.

Kosova meriton më shumë. Kosova meriton lidership që e ngrit, jo që e ul.
Liderë që e ndërtojnë, jo që e përlyejnë. Liderë që flasin me përgjegjësi, jo me propagandë. Dhe deri sa të arrijmë aty, populli mbetet mburoja e vetme e të vërtetës së këtij vendi.

Kontrolloni gjithashtu

Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: FUNDI I DIKOTOMISË “NE – ATA”: DEMAGOGJIA, MJETI I VETËM I ALBINIT NË 20 VJET POLITIKË

Ardhja në pushtet e Albin Kurtit ndodhi përmes një fijeje të hollë ideologjike, megjithëse populizmi, …