Arbanë Qeriqi-Gashi: Intervistë me Fiknete Abaz Mazrekajn, motër e dy dëshmorëve të kombit, Tahir e Agim Mazrekaj

Arbanë Qeriqi-Gashi: Intervistë me Fiknete Abaz Mazrekajn, motër e dy dëshmorëve të kombit, Tahir e Agim Mazrekaj

RKL: E nderuar Fiknete, motër e dy dëshmorëve të Kombit, mirë se vini në këtë intervistë për dëgjuesit e Radios-Kosova e Lirë!

Fiknete Abaz Mazrekaj: Falënderimi ju takon ju shumë e nderuar, Arbana. Radio Kosova e Lirë është sensibilizimi më inkurajues i luftëtarëve të lirisë prej fillimit të luftës e deri tek fitorja e saj, është vazhdim dinjitarë i historive të biografive secilit dëshmor që nuk janë të paktë, thjeshtë në ketë medium gjejmë historinë reale të kombit tonë!. Ju përgëzoj nga zemra për punën e pa lodhshme dhe shumë emocionale. Gjatë vizitës time në Radio Kosova e Lirë e pashë me sytë e mi në ç ‘kushte të rënda punoni, të anashkaluar nga institucionet e vendit. Por mos harroni puna juaj vlerësohet nga shqiptarët e veçanërisht familjet e dëshmorëve janë përjetësisht mirënjohës, sepse lehtësimi i vuajtjeve tona gjendet pikërisht aty.  Faleminderit që jeni çdo ditë me ne.

 

RKL: Familja e Juaj gjatë luftës u mobilizua për t’ i dalë zot atdheut, ku dhatë një kontribut të çmuar në luftën tonë të lavdishme çlirimtare dhe fitimtare. Na tregoni diçka për angazhimin e vëllezërve tuaj, Tahirit e Agimit në radhët e UÇK-së?

Fiknete Abaz Mazrekaj: Familja ime luftën për liri e priti me krah hapur dhe jo rastësisht. Pavarësisht pasojave të ditura, lufta për liri në familjen tonë ishte vazhdimësi e shumë e shumë përpjekjeve dhe sakrificave paraprake. Historia familjare fillon nga stërgjyshi ynë (Kajtaz Ahmeti ) Mazrekaj, luftëtar  në çetat e Shaban Polluzhes i vrarë në vendin e quajtur ( Rogopeç) të Vokshit. Pastaj vazhdojnë me Babin tim, Abazin, i mbijetuar i Masakrës Tivarit,  me pas burgimin e tij nga xhandarmëria famëkeqe asaj kohe, ku e dënojnë  3 vite burg, 1 vite e gjysmë në Goli Otok dhe një vite e gjysmë tjetër në Prizren. Kanë  vazhduar persekutimet e vazhdueshme të burgosjeve , maltretimeve dhe gjërave më të tmerrshme që ka ditur t’ i bëjë armiku serb.

Historia familjare e përcjelli edhe vëllain e madh Tahir Mazrrekun ( Bacën) tani më dëshmorë i atdheut. Si i ri në shërbimin ushtarak të ushtrisë më kriminale të ish-Jugosllavisë  u arrestua në rastin e Paraçinit gjoja për helmim të ushtarëve serbë, sepse shërbente në kuzhinë. U dënua me 9 muaj burg për fatin e mirë të tij t‘ mos kthehej në arkivol si shumë ushtarë tjerë u lirua me pretekste se kishte probleme psikike dhe ketë falë Xhaxhai tonë i cili punonte gjeneral ushtrie atë kohë, në Suboticë.

Më pastaj gjërat në familjen tonë shenjtëroheshin akoma më fortë dhe Baca ( Tahir ) u detyrua të emigrojë por duke marrë me vete shpirtin e vendit tij. Veprimtaria tek ai vetëm sa fuqizohej duke mbajte lidhjet me njerëzit më kombëtarë.

Më kujtohet si e re që Revistën “Zëri i Kosovës”, për herë të parë e solli ai nga Mërgimi prej shumë ekzemplarësh dhe e shpërndanim tek njerëzit e sigurte kombëtarë me qëllimin e propagandës reale te një populli të robëruar i cili duhet të lirohet pa menduar asnjë çmim. Më pas në vitin 96‘ unë së bashku me të fejuarin atë kohë kaluam ilegalisht në Shqipëri qëndruam plotë 45 ditë , atë botë autoritetet e Shqipërisë na kthyen në Qafë të prushit ku ishte i vendosur kufiri artificial Kosovë- Shqipëri. Autoritetet e atëhershme shqiptare na dorëzuan në duart e shkive dhe disa shqipfolësve që punonin me armikun atë kohë! policë e ushtarakë të ndyrë duke na dërguan direkt në prokurori në bodrumet e tyre të famshme dhe fundi ishte dënimi për vepër penale armiqësore. Burgu nuk ishte asgjë kundër maltretimeve psikike e fizike që përjetuam. Që nga lirimi i burgut e deri te lufta  e UÇK së,  ne si familje përjetuam shumë vuajtje e diskriminim edhe më të theksuar shkollim e punësim as që vinin në shprehje. Përkundrazi edhe më tepër në fokus të vëmendjes për çdo gjë që bëhej në atë ne u mal tretonim deri sa u detyruam komplet vëllezërit motrat të emigrojmë sepse asnjë të drejtë të vetme se kishim më në vendin tonë!. Kurse sërish Baca Tahir u detyrua te kthehet nga mërgimi për t ‘mos ngelë shtëpia e mbyllur. Ai vazhdoi ashtu jetën e tmerrshme duke qenë i maltretuar brutalisht shpesh herë në oborr të shtëpisë para prindërve. para gruas dhe fëmijëve të tij. Mirëpo ai pa zë vepronte duke lidhur komunikimin ilegalë me shumë familje tropojanë duke kaluar me dhjetëra herë kufirin maleve tona. Baca Tahir kishte lidhje te forta me Familjen Haklaj sidomos me Fatmirin,  i cili i ndihmonte të sillte armatim shpesh deri tek ne në shtëpinë tonë, pastaj familja bazë e tije ishte Familja e Hamez Bajramit Badeshit të cilëve u jemi mirënjohës nga shpirti për bukën , pritjen e përcjelljen e vëllezërve të mi pa hezituar dhe pa menduar rrezikun.

 

 RKL: Na thuani fillimisht si vendosën vëllezërit Tuaj Agimi e Tahiri për t’ iu bashkuar luftëtarëve të UÇK-së, cili ishte motivi i tyre? Ku vepruan në fillim dhe ku u sistemuan më vonë në radhët e UÇK-së?

Fiknete Abaz Mazrekaj: Agimi ( Heroi ) i atdheut emigroi në vitin 1990, pas shërbimit të detyrueshëm ushtarak, nga ngjarja e tmerrshme e një plagosjeje me policinë serbe, asgjë nuk ishte plumbi në trup sa maltretimet fizike që akoma s’mund të bindem si ka mund të mbijetojë. Vëllai Tahiri dhe motra, Luljeta, arritën ta ikin nga spitali të cilin ruanin forca te mëdha policore që sa po të shërohet pak a shumë ta dërgonin në burg. Kjo taktikë vjedhje mund ta quaj ishte edhe falë ndihmës së Kirurgut të atëhershëm ( Dr Hysen Mazreku). Agimin e dërguan në Kralan të Gjakovës tek familjaret që në këtë rast ishin dajallarët tonë dhe ishte strehim absolutisht i sigurt deri sa Baca Tahir t’ i bënte përgatitjet ta largonte Agimin nga Kosova . Dhe ashtu u bë Agimin e solli Baca në Zvicër pikërisht në Bazel tek unë, ku ai pastaj vazhdoi shërimin në Spitalin e Rajonal Bazelit dhe pas një rehabilitimi 6 mujorë u shërua kompletë dhe fitoi statusin e Azilit politik.

Veprimtaria e Agimit këtu në Zvicër për 8 vite deri në vitin 1998 kur u kthye ndër vullnetaret e parë në luftë është e njohur për të gjithë shqiptaret që kanë pasur fatin ta njohin. Një i ri human  i heshtur plotë energji guxim e trimëri!. Agimi dy gjera në jetë nuk i ka njohtë – Frikën dhe mburrjen. Atë e lartësonte vepra e tije jo fjalët qe i kishte shumë të pakta. Agimi meqë e kishte të ndaluar Kosovën shumë herë udhëtonte në Shqipëri dhe nga aty me ( Bacen) Tahir dhe ndihmën e Fatmir Haklajt dhe Familjes Bajrami të Badeshit udhëtonin bjeshkëve të futeshin në Kosovë gjithmonë të ngarkuar me armatime duke ditur gjithmonë se përgatitjet për një luftë janë të pa shmangshme !.

 

RKL: Tani në 23 vjetorin e përjetësimit të vëllait, Agim Mazreku, çka do të mund të veçonit për të, ndonjë kujtim të rrallë, ndonjë fjalë apo porosi të tij. Po për vëllanë tjetër dëshmor, Tahirin, çka mund të na thoni me këtë rast?

Fiknete Abaz Mazrekaj: Janë dy momente më të vështira që nuk më hiqen nga kujtesa janë ngjarje të hidhura si e filmave Aksion por të përjetuara në realitet. Në vitin 1993‘ kur kanë burgosur Avdylin dhe mbas lirimit nga burgu me një shumë marramendëse parash ( Kaucion) për tu paraqitur çdo javë në polici . Nuk kishte mundësi te udhëtonte për Zvicër sepse dokumentacionin i kishin ndaluar policia. Baca Tahir duke i ditur mirë rrugët ilegale e largon Avdylin nga Kosova për në Shqipëri për tu larguar në Zvicër. Rrugës në bjeshkët plotë borë dimër me acar Bacës i ngelë çizmja e njërës këmbë në borë dhe nga te ftohtit e këmbës së ngrirë nuk e kupton se ecën i zbathur me njërën këmbë deri sa kanë mbërritur në Badesh te shtëpia tyre e dytë në konakun e Hamez Bajramit.

Rasti i dytë kur janë nisë mbas një viti nga Shqipëria Baca dhe Agimi përsëri u nisen të futeshin në Kosovë dhe acari i madh i borës i ndalon janë detyruar të ktheheshin dhe në Konakun e Axhes Hamez. Agimi kishte qajtur pa reshtur gjë që nuk e bënte kurrë por ato lotët thoshte ishin nga inati që i mora natyrës se pse na ndaloi udhëtimin e planifikuar e kushedi edhe sa e sa përjetime sakrificë për vendin e shenjtë te tyre!.

Dy rastet e para janë plotë dhimbje por një ngjarje tjetër që më bën të vuaj dhe të krenohem shumë: Siç e ceka Unë dhe Agimi jetonim në Bazel. Kur u nis Agimi për në luftë unë kisha vajzën, Kosovaren, dy vjeçe dhe djalin. Luftëtarin të sapo lindur 2 javësh. Agimi duke mos dashur te më ngarkojë mua me pagesa meqë edhe Avdyli ishte në luftë, mi la në zarfe 5 mijë franga atë kohë që i kishte llogaritur për disa muaj t’i ja paguaj sigurimin shëndetësorë, por më la edhe një amanet. Po te vritet këto para ti japë për fondin “Vendlindja thërret”   që ishte i dedikuar për luftën e ushtrisë sonë çlirimtare.

Lajmin e hidhur për rënien e Agimit erdhën të ma kumtojnë Baca. Jashar Salihu , Ibish Neziri dhe i treti që me shumë dhimbje mori guximin ishte Beslim Elshani gazetar i Zërit të Kosovës në Zvicër atë kohë. Se si ndjehesha unë mund ta paramendoni por nuk lotova se kisha amanet nga Agimi t ‘mos qes asnjë pikë loti!. Ata çanin unë u shtanga vetëm i thash bacës Jashar mbas dy tri dite dot iki për Shqipëri të shkoi t’ i vizitoi prindërit se do jenë keq.

Baca Jashar i nxori 1000 franga dhe deshi të mi japi e tha ; e di se ne ç ‘gjendje financiare je ti kesh të paktën për udhëtim. I thash faleminderit shumë por prit se unë kam diçka për ty nga Agimi. Ai u bë kureshtar , shkova në dhomën tjetër mora zarfin me 5000 dhe i thash shënoma Çekun në emrin Agim Mazrreku  për fondin „Vendlindja Thërret „ Dhe ata u emocionuan aq shumë sa që nuk i ndalnin lotët dot. Unë nuk desha t’i bëja me lot por desha ta kryej porosinë e amanetin e  vëllait tim. Prandaj e thash se kjo ngjarje më bën të vuaj dhe te ndjehem krenare.

Të vuaj për arsyen kur dëgjoi sa është keqpërdorë ai fonde. Por unë motra e heroit Agimit po ju them një gjë te vetme që s’ndryshon kurrë dhe s’behet dy. Të gjithë ata që keqpërdorën mjetet e dedikuara për luftë, të gjithë ata që e zhvaten vendin tonë të larë me gjakun e bijve e bijave më të mirë të kombit ka për ti mallkuar po ai gjak, dhe tek familja ime e unë asnjëherë s’kanë për ta pasur as më të voglin respekt.

Krenare më bën vepra e vëllait tim Hero që me vetëdije të plotë dha çka kishte nga vetja për vendin e tij në fund edhe jetën!. Kështu janë burrat e mëdhenj, të japësh e të luftosh deri sa te fitohet Liria . E jo të luftosh e në Liri të shkatërrosh atë që u ndërtua me gjak njerëzish e jo me ujë burimesh!.

 

RKL: Rënia e Tahirit dhe Agimit ishte humbje e madhe për UÇK-në, për ju, krejt familjen dhe bashkëluftëtarët e Tij, por në të njëjtën kohë ka qenë dhe ka mbetur për jetë edhe një krenari e përjetshme kombëtare.

Fiknete Abaz Mazrekaj: Siç e ceka në fillim pra lufta për liri dhe kyçja e dy vëllezërve të mi në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishte vazhdimësi e mijëra përpjekjeve të pasuara një pas një!. Fillimi i luftës në 1998‘ Bacën Tahir Mazreku e ka gjetur të përgatitur në pritje dhe me armatim s’ka qenë fare keq, por kur janë mobilizuar fshatarët të shkonin në Shqipëri për të sjellë armatim për luftë Baca Tahir duke i ditur rrugët e atij rajoni mirë nuk i lenë bashkëfshataret vetë dhe niset me ta për të sjellë armatim.

Gjatë kthimit nga Shqipëria plotë armatim për në Kosovë në mëngjesin e hershem të 23 Prillit të vitit 1998 bien në pritë të organizuar mirë nga forcat serbe në vendin e quajtur “Xharre e Koshares”. Pas 9 orëve luftime të ashpra bien heroikisht Baca Tahir me 8 bashkëfshatarët e fshatit Sllup, më 11 te gusht të atij viti  në Hereç të Gjakovës dhe dy bashkëluftëtarë të Dujakes.

Kjo ishte humbje e madhe për Ushtrinë tonë Çlirimtare dhe familjaret e tyre.

Lajmi për këta luftëtarë Agimin e tronditi dhe pas një jave sa u mbajtën ceremonitë e ngushëllimeve te njerëzve të shumtë, Agimi u nis drejt Shqipërisë ku qëndroi një natë në shtab të UÇK-së, në Tropojë dhe direkt në Kosovë me Bajram Mazrekun nga Gjermania dhe Kajtaz Krasniqin nga Zvicra dhe luftëtarë tjerë që kushedi sa kanë qenë.

Agimi, Bajrami dhe Kajtazi vendosen në shtabin e Vokshit për përforcime te reja për shkak luftimeve të ashpra. Për gjatë dy muaj e gjysmë në luftë shokët e tij tregonin se Agimi ishte i pa ndalshim i vrullshëm dhe shumë agresivë ndaj armikut siç e thashë më parë duke mos njohur frikën.

Gjatë qëndrimit të tij 2 muaj e gjysmë deri në rënie kam mundur 2 herë të flas me të në telefonin satelitorë që i mbanin herë pas here në shtabe, herën e dytë mbaj mend mirë, e pyeta a keni shumë luftime dhe si motrat gjithherë duke ju lutur te kujdeset për vete !. Me tha po shumë kemi se shkijet po acarohen kur po kanë humbje dhe janë në pozicione afër nesh dhe çdo ditë kemi luftime te ashpra, më e keqja është tha se po na shpenzohet edhe municioni shpesh, por tha do të shkoi në Sllup te vendi ku ka pas Baca armatimin mos ka mbetur akoma dhe i marr të gjitha. Ashtu kishte ndodhur dhe dy ditë më vonë në mëngjesin e 7 korrikut ai kishte shkuar kishte gjete gjithë armatimin dhe i kishte mbushur plot traktorin e familjes që kishte mbetur akoma pa u kallur.

Duke u ngjitur rrugës për te shtabi kishte pas gjuajtje të shumta, Agimi, tre ushtaret që kanë ndihmuar me ngarkuar armatimin i gjuan nga traktori vetë qëllohet nga një snajperist.

Ashtu vazhdon dhe për t mos i rrezikuar tjerët deri sa e lëshon fryma e fundit ka ecur në këmbë për tu futur brenda oborrit te shtabit. Kështu bie heroikisht Agim Mazrreku duke lënë amanet si të gjithë dëshmorët e atdheut vazhdimin e luftës për liri dhe bashkimin e tokave shqiptare!. Kjo është sakrifica e tyre e fundit duke e dhënë edhe më të madhen e tyre për të na dhënë jetë ne nga jetët e tyre, për të na dhënë frymë lirie nga fryma tyre e fundit.

Ne familja nuk jeni rrëfyer asnjëherë duke u nisur nga ajo se çdo gjë që kemi mund sa do pak të kontribuojmë e kemi bërë me shumë dashuri të sinqerte për atdheun tonë të shtrenjtë , nuk kemi dashtë të bëhemi viktima por shenjtërorë mbrojtës për ne dhe brezat e ardhshëm.

 

RKL: Si ndiheni sot kur kanë kaluar 23 vjet nga rënia e tyre?

Fiknete Abaz Mazrekaj: -Mbas 23 viteve të përjetësimit të vëllezërve të mi, kujtimi për ta është i freskët sikur atëherë kur ishim fëmijë , sikur atëherë kur u rritem dhe sikur tani që janë çdo sekondë jete në shpirtin tim, krenare pa fund për çdo pjesë të jetës tyre. Mungesa fizike më mallëngjen por fjalët, trimëria guximi e heroizmi tyre i jashtëzakonshëm më japin forcë ta luftoi çdo betejë që më sfidon jeta!. Bacës Tahir e Gimit tim dua t’ju them se s ka shkëmbe në këtë botë që mundë ti tundë porositë dhe amanetet tuaja nga shpirti im, dua t’ju them se ndjeheni të qetë se familja juaj është ashtu siç ishte, nuk e ka ndryshua asnjë centimetër rrugëtimin tuaj, bile Baces i them se edhe këngët tuaja folklorike të preferuarat i dëgjoi çdo ditë. Edhe ty Agim ato video incizimet me filma Karatesë i shohë në mbrëmje siç i shikonim bashkë!. Dhe dua t’ju them se ju heroit e atdheut tim jeni bazamenti i shtetit i sepse në themelet e tij është gjaku juaj i njomë. Ju jeni të pa harruarit e popullit tonë, përjetësisht e brez pas brezi!.

 

RKL: E nderuara Fiknete, cili është mendimi i Juaj, lidhur me trajtimin e familjeve të dëshmorëve nga qeveritë e pasluftës, a kanë bërë sa duhet, a kanë mundur të bëjnë edhe më shumë?

Fiknete Abaz Mazrekaj: -Mendimi im për trajtimin ndaj familjeve dëshmorëve nga qeveritë e pas luftës besoj që nuk dallojnë shumë për familjet të dëshmorëve tjerë ,përveç atyre që kanë ndonjë familjarë në punësime te larta dhe kanë arritur aq deri në pushtetarë. Ne sot në Kosovë jemi dy kategori njerëzish, dy kategori familjesh dëshmorëve dhe dy kategori luftëtarësh 1.  Familje të dëshmorëve me plotë dinjitet pa prekur asnjë interes personal në dëmtim të shtetit e lëre ma gjakun e derdhur të bijve tyre. Luftëtarë atdhetarë në rrënjët e tyre idealiste. 2 Dhe kategoria dytë: Disa familje të dëshmoreve, krejt të pakët por që janë të devijuar, të lakuar në lakmi apo interesa tjera që çfarëdo do çofshin nuk kanë asnjë justifikim, por janë krejt pak…

Më të shenjtë se jeta dhe gjaku i njeriut nuk ka.

Dhe luftëtarë të paktë, por komandantë të shumtë që lakminë e kanë mbi vlerë shtetërore, humane, e njerëzore, e fatkeqësisht ky është realiteti. Atëherë vjen pyetja si mund ta presësh përkrahjen prej njerëzve të tillë?. Familjet e dëshmorëve në këtë rast edhe familja ime nuk duhet, as nuk kërkojnë lëmoshë.

Ne na mjafton përkrahja , mirënjohja dhe respekti i popullit , çka ne kërkojmë nga institucionet dhe politikë bërësit tonë, ata ta përkrahin shtetin, mos ta dëmtojnë shtetin tonë duke ja marrë secili ka një copë si çakejtë e qartën. Në mos hiq për asgjë për hir të jetëve të fëmijëve te sapo lindur, dhe mos të harrojnë se më çdo pëllëmbë të asaj toke sa të prekin me hile mos sot nesër kur zgjohen në mëngjes kanë mi pa duart e tyre te kuqe prej gjakut te mijëra e mijëra njerëzve të vendit tonë.

 

RKL: Cila është përkrahja konkrete që ka marrë familja Juaj nga shoqëria dhe nga institucionet e vendit dhe a mjafton ajo?

Fiknete Abaz Mazrekaj: Ne familjet e dëshmorëve s’kemi folur akoma, duke pritur reflektimin e tyre, por pa ngopsh mëria tyre kalon çdo normë!. Mjaft është madje është  tepër. Kurse sa i përket përkrahjes për ne hiq s’merakosemi fare për njerëz të tillë që i shohim një herë në 2 dhe 4 vjet kur është koha zgjedhjeve shpërndahen si ujqit në bagëti! Në vend të përkrahjes shpirtërore mundohen mi hipnotizua njerëzit me mëndu njëjtë siç mendojnë vetë, dhe shkojnë aq larg saqë po nuk ua përfille mendimin nuk të kursejnë çofsh edhe familjar i Skënderbeut pa te etiketua me fjalë të dobëta . Por t mos harron askush asnjë nuk është më i madh as me i vogël se tjetri . Te gjithë ata që dhanë diçka më t vogël apo më t madhën , dhanë për atë vend ku u linden dhe ku janë rrënjët e tyre.

 

RKL: A mbani kontakte me bashkëluftëtarët e vëllezërve, a ju vizitojnë a ju mbështesin, edhe pse shumica prej tyre kanë brengat e hallet e përditshme, meqë nuk janë të trajtuar meritorisht nga asnjë qeveri e pasluftës në Kosovë?

 Fiknete Abaz Mazrekaj: Nga shokët e vëllezërve dhe populli kemi mbështetje dhe respekt pa fund, kjo mjafton për familjen tonë. Sa i përket Qeverive siç thashë fatmirësisht s’kemi pas asnjë nevojë për ta, por edhe po te kishim pasur, ne jemi ata që jemi. Për turp e dhimbje do ta kishim të mendonim ti merrnim diçka sa do te vogël shtetit për të cilin i dhamë gjak e jeta njerëzish për ta ndërtuar!.

 

RKL: A mendoni se po bëjmë mjaft për të quar në vend amanetin e dëshmorëve, kur disa nga krerët kryesorë luftës tonë çlirimtare dhe fitimtare ndodhen në Hagë, të akuzuar për vepra të paragjykuara penale?

Fiknete Abaz Mazrekaj: Amanetin e dëshmorëve e vazhduan luftëtarët e betejës së Kumanovës nga të cilët 10 Heronj të vrarë e 32 të burgosur me dënime kapitale te përjetshme. Popujt tjerë të botës do të ndiheshin të privilegjuar ta kishin këtë skuadër elite madhështore ushtarake. Djemtë më të fortë të vendit, kurse politik bërësit tonë kanë frikë ta vejnë në gojë emrin e tyre pse? Sepse karrigia ju lëkundet kaq ka qenë i rëndësishëm amaneti i dëshmorëve!.

Kurse sa i përket Krerëve të UÇK së në Hagë, asnjëherë në jetë nuk do të doja që më i thjeshti ushtarë me tri shkronjat më të arta të historisë sonë lavdishme të ulej në ato banka, absolutisht!. Por kjo është arsyeja më e forta që ne duhet t’i komunikonim vetvetes pse , pse?  Është e dhimbshme kur për kauza shumë të mëdha heshtim si foshnjat e pa fajshme , kurse për gjërat e kota apo më mirë thënë të dobëta ndaj njeri tjetrit s’na ndalon as gjykatat e Strasburgut. Mjerim ku ishim ku jemi dhe ka po shkojmë.

 

RKL: E nderuar Feknete, të falënderojmë që u bëre pjesë e intervistave në Radion Kosova e Lirë. Suksese dhe shëndet.

 Fiknete Abaz Mazrekaj: Të faleminderit nga zemra Radios Kosova e Lirë, për mundësin e rrëfimit tim, edhe pse emocionalë por me ndjeshmëri të pastër e krenari që prekë qiellin !. I përjetshëm ndër breza çoftë kujtimi për të gjithë Heronjtë e atdheut tonë të shtrenjtë sa vetë qielli e toka! Çdo ofshamë, loti apo vuajtje e njerëzve tanë në Kosovën e lirë , mos çofshin mallkim për Lirinë e atdheut tim. Urimet dhe lutjet e pa fundme për të mirën e këtij populli dhe atdheut tim. Faleminderit punë të mbarë, ju uroi nga zemra forcë në punën tuaj aq të ndjeshme! Gjithherë mirënjohëse!.

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …