Arbanë Qeriqi-Gashi: Intervistë me Rrezarta Samiun, bijë e dëshmorit të Kombit, Rrahim Samiu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Intervistë me Rrezarta Samiun, bijë e dëshmorit të Kombit, Rrahim Samiu

RKL: Mirë se vini në Radion Kosova e Lirë, e nderuara Rrezarta, bijë e dëshmorit të Kombit, Rrahim Samiu.

Rrezarta Samiu: Përshëndetje nga Tetova, dhe më lejoni që t’u përgëzoj për veprimtarinë tuaj në dobi të kombit, duke dashur që kurrë të mos ndaloni.

 

RKL: Për dëgjuesit e tanë çka mund të veçoni nga aktiviteti i Babit Tuaj nga ajo që keni dëgjuar për të?

Rrezarta Samiu: Të jem e sinqertë, unë kam qenë tepër e vogël kur babai im ishte pjesëtarë në lëvizjet e mëdha kombëtare. Por, kur takohem më shokët e tij të lëvizjes dhe të luftërave që u bënë në atdheun tonë, dhe kur i shikoj Mirënjohjet dhe Dekoratat, vetëm mund të them se krenohem që ishte babai im, e që mbeti dëshmorë i kombit. Kjo më bënë që edhe unë nesër të mbetem po me atë krenari, në shërbim të kombit e atdheut.

 

RKL: Babi i Juaj ishte pjesëtar i tri Luftërave Çlirimtare . Një kohë deri sa ndërroi Jetë ishte invalid lufte. Si e Kujtoni Babin Tuaj?

Rrezarta Samiu: Po, ka qenë pjesëtarë i tre luftërave, pata shumë pak kohë që ta njoh më shumë, sepse nga plagët e marra ndërroi jetë, duke na lënë me plot amanete e, në veçanti Flamurin dhe tre plisa, që kurrë të mos e harrojmë gjakun tonë prej shqiptari. Si baba ishte shumë i dashur, i ëmbël dhe guximtar, duke biseduar gjithmonë për lirinë që na mungon. Jam e lumtur që të paktën, për pak kohë arriti të na thotë: atdhetar dhe kombëtar nuk të bën vetëm lufta, por edhe dija e urtësia, ndaj kurrë mos u ndani nga librat dhe shkollimi.

 

Rrahim Samiu

 

RKL:  A ju vizitojnë  bashkëluftëtarët e babit, a mbani kontakte me shokët e Tij?

Rrezarta Samiu: Po, na vizitojnë na këshillojnë dhe na japin kurajo që jetën ta vazhdojmë. Mbajmë kontakte dhe këshillohemi, sepse vetë autoriteti i babait që kishte mes shokëve, besoj se edhe i obligon moralisht nëse jo më shumë të na e hapin derën e të na thonë- një tungjatjeta.

 

RKL: Ku jeni sot Ju bijat e dëshmorit Rrahim Samiu ?

Rrezarta Samiu: Ne, si bijat e Komandant Zogut jemi mes shqiptarëve, jetojmë në Tetovë ku unë dhe motra, Era, vazhdojmë shkollimin, për të mbetur nesër emra ndër shqiptari, unë si poete dhe piktore, që kam të botuar një libër me poezi, që u zgjodh edhe libri më i mirë për vitin 2018, në Maqedoni dhe, në proces të botimit librin e dytë të miratuar nga Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë. Kam marrë disa mirënjohje dhe çmime, që më japin vullnet për të vazhduar edhe më tej me shkrime dhe me pikturë, por edhe në mësime jam e shkëlqyeshme. Dashtë Zoti që nesër të jem një mjeke në shërbim të njerëzve. Edhe motra Era,  njëjtë, është nxënëse e shkëlqyeshme dhe këngëtare, ku këtë vit mori edhe çmimin e dytë në Festivalin “Bletëza”, të këngëve për fëmijë.

 

RKL: Po nga OVL e UCK, dhe nga Presidenca po shpallen e tituj e grada për dëshmorët, po selektohen kush dëshmor e martir e dikush hero, cili është komenti i Juaj?

Rrezarta Samiu: Unë mendoj se të gjithë dëshmorët meritojnë respektin nga institucionet shtetërore, njëjtë si babai im që u dekorua më titullin “Urdhri i Lirisë” nga Presidentja e Kosovës zonja, Atifete Jahjaga. Më shumë s’di ç’të them, besoj se duhet të flasin njerëzit me përgjegjësi kombëtare e shtetërore, lidhur me këtë kategorizim…

 

Rrahim Samiu

 

RKL: Cila është përkrahja konkrete, që keni marrë nga shoqëria dhe nga institucionet e vendit dhe a mjafton ajo?

Rrezarta Samiu: Së pari, falënderoj nënën time – Lulen, që ma jep përkrahjen më të madhe morale dhe, miqtë e shokët e babait, në veçanti zonjën, Behare Neziri dhe zotëri Rami Kamberin, dhe kuptohet i falënderoj institucionet që më  përkrahin për çdo aktivitet timin nga Komuna e Tetovës e deri te Ministria e Kulturës.

 

KL: A mendoni se po bëjmë mjaft për të quar në vend amanetin e dëshmorëve?

Rrezarta Samiu: Për amanetin e dëshmorëve dhe heronjve të kombit, unë mendoj se nuk bëjmë aq sa duhet, ngase këtë që e them e dëshmon vetë gjeografia e trojeve shqiptarë të ndarë në pesë shtete.

 

RKL: E nderuar Rrezartë, të falënderojmë se u bëre pjesë e intervistave në Radion Kosova e Lirë. Suksese dhe shëndet!

Rrezarta Samiu: Shumë faleminderit që më bëtë pjesë Tuajën, uroj suksese për ju, dhe shpresoj që të jemi bashkë përsëri  me programet e radios tuaj. Zoti u bekoftë dh suksese paçi gjithmonë.

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …