Arbanë Qeriqi, intervistë me ministrin e Administratës Publike, dr. Arsim Bajrami

RKL: Zotëri ministër sa keni arritur t’i afirmoni institucionet e Republikës së Kosovës, dy vite të pavarësisë, në mënyrë që këto institucionet të kenë jo vetëm pamje shtetërore?

Arsim Bajrami: Mendoj se viti 2009 ka qenë një vit i stabilizimit të shtetit tonë, është rrumbullaksuar struktura e kushtetuese e shtetit, sepse ne kemi ngritur të gjitha institucionet që parashihen në Kushtetutën e Republikës  së Kosovës. Natyrisht viti 2009-të, është ditëlindja e dytë e shtetit tonë, ne kemi arritur objektivat tona kryesore. Tani objektivat tona janë të një natyre krejt tjetër, meqë dalëngadalë objektivat ekonomike po i lënë vend zhvillimit ekonomik, mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë  ndikime strategjike zhvillimore, të cilat do të fokusohen kryesisht në arritjen e standardeve, për integrime evropiane, në procesin  e zhvillimit ekonomik, në procesin e integrimeve të komuniteteve pakicë, dhe mund të them se përgjithësisht  viti 2009 ka qenë vit i suksesshëm i Kosovës edhe pse pritjet e qytetarëve kanë qenë edhe më të mëdha, ngase ende gjendja ekonomike është e pakënaqshme, por shpresojmë se tani viti 2010 do të jetë vit i rezultateve konkrete, Kosova do të arrijë rezultate edhe më të mëdha, qoftë në proceset e integrimit, qoftë në zhvillimin e proceseve strategjike të zhvillimit ekonomik.

RKL: Gjatë vitit që po e lëmë pas MAP-i, ka punuar shumë në sistemin e E- Qeverisjes, që nënkupton se komplet administrata e nivelit republikan dhe nivelit lokal do të jetë e digjitalizuar dhe qytetarët do të kenë qasje direkte në tërë sistemin e të dhënave në Republikën e Kosovës, sa është realizuar kjo?

Arsim Bajrami: Ministria e Administratës Publike është ministria më e re e Qeverisë së Kosovës e sië e keni përcjellë edhe ju, kjo ministri ka dalë nga transformimi i ish ministrisë së Shërbimeve Publike. Ne kemi arritur që në muajin maj të këtij viti ta themelojmë këtë ministri dhe t’ia caktojmë misionin e saj të ri. Misioni i ri i kësaj ministrie është ngritja e kapaciteteve të administratës publike. Ne kemi punuar në tri drejtime, në arritjen e kësaj objektive: e para, përgatitja e bazës së re ligjore me standarde evropiane me reformën e administratës publike me këtë e kemi miratuar ligjin për shërbimin civil, ligjin  për  pagat, ligji për organet e administratës shtetërore dhe ne kemi krijuar një bazë të mirë ligjore për reformën e administratës publike. Segmenti i dytë është modernizimi i Administratës Publike përmes projektit të E- Qeverisjes, dhe tani ne kemi prodhuar mbi 20 produkte të këtij sistemi, jemi duke punuar me një plan dinamik, deri në vitin 2015 komplet Administrata e Republikës së Kosovës që nga niveli lokal e deri te ai qendror të bëhet digjitale. Pra nga sistemi manifaktural i administratës në një administratë digjitale e cila do të zhvillohet përmes internetit, dhe me këtë qytetarët do të marrin shërbime të shpejta të lira dhe efikase. Ata do të mund marrin shërbime të shpejta nga shteti nga shtëpia e tyre apo nga vendi më i afërt ku kanë qasje në internet, qoftë duke aplikuar për dokumente personale apo realizimin e të drejtave të  veta, apo duke marrë shërbime nga ana e shtetit. Ky projekt po gëzon mbështetje të madhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës, dhe nga donatorët ndërkombëtar, kemi siguruar donacione të mëdha për vitin e ardhshëm. Këto ditë kemi përuruar superstradën elektronike, rrjetin qeveritar që është shtrirë në tërë territorin e Kosovës, duke përjashtuar Veriun e Kosovës, po bëjmë përpjekje që edhe komunat e reja që dalin nga decentralizimi të kyçen në këtë rrjet qeveritar dhe komplet administrata lokale të jetë  e lidhur me portalin tonë qeveritar

RKL:  Çfarë do të na thoni për protokollin e shtetit, sa është punuar në këtë drejtim?

Arsim Bajrami: Natyrisht shteti i ri ka edhe sfida, një nga sfidat është edhe protokolli, ne duhet shumë të mësojmë për çështje të protokollit shtetëror, dhe jemi duke trajnuar stafin tonë për dy lloj protokolle, protokollin diplomatik është duke e bërë ministria e  Punëve të Jashtme dhe protokollin shtetëror që jemi duke e bërë ne. Jemi duke punuar në ngritjen e kapaciteteve të protokollit, sepse jemi shtet i ri  dhe kemi filluar me praktikat e vizitave të larta shtetërore, vizita në nivel kryetarësh e kryeministrash, dhe çështja e protokollit është një çështje që tregon pasqyrën e shtetit. Ne tani kemi edhe njësitin solemn të forcave të sigurisë i cili po ashtu është i përgatitur por brenda çdo institucioni çdo ministrie duke filluar edhe nga zyra e presidentit dhe e kryetarit të parlamentit jemi duke trajnuar stafin për çështje të protokollit shtetëror, jemi duke zhvilluar bashkëpunim me tri qendra diplomatike është Akademia Diplomatike e Shqipërisë, ku kemi filluar me trajnimin e grupit të parë rreth trendit me shërbyesit civil kanë filluar programet e trajnimit, është Akademia  për E- Qeverisje dhe diplomaci që është në Republikën e Estonisë, qendra Sllovene për perspektivë Evropiane, thjesht synimi im personal dhe i ministrisë sime është që ne të përgatisim shërbyesit të cilët janë lojalë ndaj shtetit dhe që dinë me organizuar pritje dhe përcjellje të nivelit të lartë. Të them të drejtën ne kemi kapacitete të ulëta që nga pritja e njerëzve në aeroport e deri te takimet e nivelit të lartë.  Ne kemi marrë shembull Republikën e Shqipërisë e cila ka arritur që të shkolloj kuadro në qendrën diplomatike franceze të përgatisë njësi të veçantë e kjo është që  i duhet një shteti të ri ngase performancë e një shteti varët shumë edhe nga kjo simbolikë shtetërore.

RKL: Po çështja e shërbimeve diplomatike e konsullore, sipas jush në çfarë faze është?

 

Arsim Bajrami: Tani më jemi duke u konsoliduar me qendrat tona diplomatike konsullore. Siç e dini Qeveria e Republikës  së Kosovës ka nda një buxhet për blerjen e ndërtesave të ambasadave, kemi blerë disa ambasada si në SHBA, Britani, Francë, Gjermani. Synimi ynë është që këtë buxhet të vogël që kemi ta shfrytëzojmë në mënyrë sa më racionale, të mos investojmë në pagesa të mëdha të qirave, të hoteleve të shtrenjta por më mirë është të blejmë ndërtesat tona  natyrisht modeste se nuk kemi mundësi të blejmë ndërtesa të mëdha dhe të kemi objektet e Republikës sonë në tërë Evropën dhe vajtje ardhjet e ministrave të kryeministrit, të kenë një adresë referimi, e ajo adresë është ambasada e Kosovës. Në këtë drejtim po tregojmë suksese të mira. Natyrisht do të jetë sfiduese sepse ne vetëm 10 ambasada do t’i blejmë  sivjet ndërkaq në vitin e ardhshëm, Qeveria do të bëjë përpjekje për të  siguruar buxhet  edhe për ambasada të  tjera. Jemi duke punuar edhe në trajnimin e stafit Diplomatik dhe Konsullor, tani kemi dërguar edhe mbi 50 diplomatë krahas ambasadorëve, të cilët do të sistemohen nëpër konsullata dhe do të afrojnë shërbime konsullare për qytetarët, duke filluar nga letërnjoftimet, pasaportat, me këtë do t’i shkurtojnë shpenzimet e mërgimtarëve tanë. Ne po punojmë edhe në kyçjen e qytetarëve tanë në regjistrimin e popullsisë, i cili siç e dini do të bëhet në vitin 2011. Thjeshtë shërbimi diplomatik është një urë lidhëse midis vendlindjes dhe qytetarëve tanë që ndodhën në botën e jashtme.

RKL: Z.Bajrami, cilat janë rezultatet konkrete të MAP-it, për këtë vit, që ju bëjnë të ndjeheni mirë?

 

Ministri Bajrami: Po, do t’i përmend disa suksese por edhe disa projekte që nuk janë kryer. Suksesi më i madh është themelimi i kësaj ministrie, sepse kjo ministri ka qenë në listën e shuarjes, sepse ka qenë ministria më e madhe pas luftës, por me kohën nga kjo ministri kanë dalë 4 ministri, mirëpo unë me ndihmën e ekspertëve britanik kam arritur që ta transformoj, ta shndërroj në një ministri të specializuar, moderne të Administratës Publike, ky është suksesi i parë. Suksesi i dytë: ne kemi arritur të hartojmë të gjitha ligjet dhe projektet e nevojshme për një reformë substanciale të Administratës Publike, në drejtim të krijimit të një Administrate me tri vlera. ku vlera e parë është profesionalizmi, vlera e dytë është një Administratë funksionale dhe vlera e tretë neutrale në pikëpamje politike.

Administrata është një shërbim shtetëror  nuk është shërbim partiak, do të thotë,  nuk është shërbim i një partie, por është shërbim i një shteti. Suksesi tjetër ka qenë suksesi në akomodimin e institucioneve të reja. Kemi pasur dy ministri të reja ajo e Punëve të Jashtme dhe MFSK-ja, kemi formuar  Agjencionin e Inteligjencës së Kosovës, dhe ne kemi përcjellë si ministri me logjistikë me godina me objekte. E dini që para do kohe është përuruar objekti i pallatit Rilindja, një objekt me rëndësi të veçantë, ne e kemi shpëtuar atë objekt nga shkatërrimi dhe tani  e kemi bërë një rezidencë moderne të qeverisë ku do të vendosën 4 ministri dhe afër 1000 zyrtarë, këto ditë do të përurojmë edhe objektin e Akademisë së Shkencave, gjithashtu i kemi vendosur edhe disa ministri në objekte të veta si Ministrinë e Energjetikës. Këto ditë edhe Ministria e Rendit do të kalojë në objekte të veta dhe tani më të gjitha ministritë kanë kushte solide për punë.

Cilat janë punët që kanë mundur të arrihen e në këtë vit e nuk janë përfunduar, natyrisht se është dashur që sivjet të hyjë në plan sistemi i pagave, por për shkak të vonesave në parlament, përplasja pozitë opozitë, këto ligje janë miratuar, por ende nuk kanë fuqi. Ndërkaq ju vetë po i përcillni, se ne kemi një sistem kaotik të pagave ku secili vendos për pagat e veta. Qeveria vendos për pagat e veta, Parlamenti për të vetat, e kjo nuk i duhet një shteti serioz. Një shtet serioz duhet të ketë një politikë publike shtetërore të pagave, ku me ligj të caktohen pagat më të larta dhe më ulëta, dhe nuk lejohen që institucionet të vendosin sipas dëshirë së tyre për lartësinë e pagave.

Ju keni përcjellë debatin për vendimin e parlamentit për të ngritur pagat, ne po insistojmë, që të bëjmë edhe hierarkinë e pagave siç e ka Shqipëria dhe vendet e tjera, dhe të caktohet paga më e lartë në bazë të kushtetutës duhet të jetë paga e presidentit dhe paga më e ulët, mandej duhet caktuar zingjiri i pagave dhe ai zingjir mos të jetë çështje e vullnetit të institucioneve për të qenë çështje e shtetit që e ka çdo shtet serioz. Ne kemi dashur që kjo të fillojë, me 1 janar, por për shkak të zgjedhjeve, për shkak të përplasjeve, për shkak të ndërlidhjes të ligjit për kryeqytetin, ligjin për deputet, kjo reformë do të filloj të implementohet në tre mujorin e dytë të vitit 2010. Natyrisht ne do të donim që gjatë këtij viti të realizohen edhe shumë projekte të tjera por për shkak të limitimit të buxhetit pra të kufizimeve buxhetore disa projekte nuk kanë arritur të realizohen.

RKL: Cilat ishin sfidat që ju përcollën gjatë kësaj periudhe?

Arsim Bajrami: Po natyrisht ne këtë vit kemi pasur edhe zgjedhjet lokale  që për herë të parë nuk po realizohen sipas objektivit në kohën e caktuar, por për herë të parë Kosova po hyn në rrethin e tretë të zgjedhjeve, dhe unë po shpresoj ta ruajmë standardin e zgjedhjeve, të mësohemi se zgjedhjet duhet të pranohen, të mësohemi se në zgjedhje dikush duhet të fitojë e dikush duhet të humbë. Deri tash ka qenë një vlerë e këtij vendi gjithmonë humbësi e ka pranuar, dhe mendoj se këtë vetëdije e ka ngritur Partia Demokratike e Kosovës, e cila sa herë që ka humbur gjithmonë e ka pranuar, do të thotë ne kemi pasur humbje të rënda  zgjedhore, por asnjëherë nuk kemi pasur idenë për t’i kontestuar zgjedhjet, për herë të parë po paraqitet ky fenomen. Zgjedhjet po kontestohen dhe kjo do të vonojë kompletimin e  strukturës së komunave, por ne po shpresojmë, që të jetë më tepër një akt i dëshpërimit të disa partive, që kanë pritur rezultate më të mira. Ne duhet t’i besojmë institucioneve që i kemi ngritur vetë KQZ-së, dhe KZAP-i, dhe po shpresojmë që në muajin janar të përfundojë cikli i formimit të komunave të reja. Sepse përsëritja e zgjedhjeve në Prizren dhe Lypjan sikur e vënë në peng komplet procesin elektoral , por po shpresojmë që në janar të kompletohen asambletë, kryetarët e komunave të japin betimin, sepse nuk guxojmë të krijojmë vakum në sistemin e qeverisjes lokale. Vitin e ardhshëm do të ketë jashtëzakonisht shumë sfida, është një realizim i pritjeve të qytetarëve, jo i retorikës politike ngase qytetarët dy vjet pas pavarësisë kanë të drejtë me parë një jetë më të mirë, një standard më të mirë, për të pasur një shpresë për punësim, natyrisht kanë të drejtë të jenë qytetarë evropian, të jenë përfitues të liberalizimit të vizave, po shpresoj që ky vendim është diskriminuar  nga pushteti evropian, të jetë më tepër një presion, që ne të lëvizim pak më shpejtë që edhe ne në fund të vitit të ardhshëm eventualisht në vitin 2011 të bëhemi qytetarë të lirë të Evropës.

Të lëvizim pa viza, thjesht ka qenë një vit i suksesit të shqiptarëve, kudo që jetojnë, sepse tanimë Shqipëria është një shtet Evropian, shqiptarët e Maqedonisë po bëhen faktor politik të rëndësishëm, pa të cilët nuk mund të këtë zhvillime të rëndësishme politike, dhe Republika e Kosovës po zhvillohet si një shtet i suksesshëm, sepse në aspektin global ne kemi ruajtur stabilitetin. Që nga shpallja e pavarësisë nuk ka akte të dhunës ndëretnike përkundër provokimeve që i kemi në Veri, dhe ne kemi arritur të tregojmë se shteti ynë është funksional, ka një stabilitet rajonal, kemi treguar se kemi ndërtuar një shtet, që shikon më shumë nga e ardhmja, edhe pse kemi pësuar shumë nga e kaluara, ne nuk po shohim tani në të  kaluarën tonë tragjike, por po mundohemi të ndërtojmë një të ardhme evropiane.

RKL: Porosia e Juaj për stafin Tuaj të punës

Arsim Bajrami: Po mendoj se Ministria e Administratës Publike si një nga ministritë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, vitin e ardhshëm do të jetë e përkushtuar kryesisht në ngritjen e një administrate  moderne, efikase dhe profesionale, ne do të punojmë me shumë përkushtim, është shumë pozitive që krahas një buxheti, që e ka ndarë Qeveria, që është bukur i madh që kap shumën 30 milion euro, ne kemi siguruar edhe 30 milionë të tjera donacion me projekte të ndryshme dhe kemi dashur që gjysma e projekteve tona të financohen nga donatorët e gjysma nga qeveria. Rreth 15 milion na ka raportuar Banka Botërore kredi. Unë jam i sigurt që me stafin tim dhe me stafin e ri që e kam marrë tani me projektin e kthimit të trurit kemi rreth 15 ekspert që kanë mbaruar  në universitetin  e jashtëm do të arrijmë që të krijojmë një administratë me të cilën Kosova mund të mburret me një administratë funksionale dhe efikase, që do të jetë plotësisht në shërbim të qytetarëve e jo në shërbim të partive politike. Të gjitha kushtet i kemi për ta arritur këtë objektiv dhe jam i sigurt që ky objektiv do të realizohet gjatë vitit të ardhshëm.

RKL: Faleminderit për kohën që ndatë me ne, urime festat e fund vitit dhe suksese të shumta për ministrinë që Ju e drejtoni!

Arsim Bajrami: Faleminderit, të gjithë dëgjuesve të Radios Kosova e Lirë shfrytëzoj rastin t’iu uroj festat e fundvitit dhe juve gjithë të mirat në vitin që do të hyjmë.

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …