Dy vjet pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, Serbia vazhdon të ndjekë strategjinë e saj hibride kundër Kosovës, paralajmëron Arben Fetoshi, drejtor i Institutit Octopus. Fetoshi e cilësoi inkursionin e 24 shtatorit 2023 si dëshmi të qarta të apetiteve shoviniste të Beogradit dhe të boshtit revizionist të mbështetur nga Rusia. “Dy vjet pas inkursionit në Banjskë, Ballkani vazhdon nën kërcënimin e apetiteve shoviniste të Serbisë dhe boshtit revizionist në krye me Rusinë,” shkroi ai. Pas dështimit të Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij, Serbia e ka zhvendosur veprimtarinë e saj drejt metodave hibride si dezinformimi, mashtrimi diplomatik dhe spiunazhi. Ai rikujtoi si pikë kthese dhjetorin e vitit 2021, kur SHBA vendosi sanksione ndaj Radoiçiqit, Veselinoviqit dhe rrjetit të tyre kriminal – masa që sipas tij ishin “një urdhër i heshtur për Kosovën që të mos e lejonte sundimin e krimit në veri”. Fetoshi theksoi se tentativa e armatosur në Banjskë kishte për synim destabilizimin e veriut dhe imponimin e një kordoni ndërkombëtar sigurie, por dështoi falë kapaciteteve të institucioneve të Kosovës dhe koordinimit me aleatët perëndimorë. Ai akuzoi Serbinë për fabrikimin e narrativave mashtruese si “terrori i Kosovës ndaj serbëve”, “ngacmimi i vajzave e grave serbe” apo “rrezikimi i trashëgimisë kulturore serbe”, me qëllim demonizimin e institucioneve të Kosovës në sytë e bashkësisë ndërkombëtare.
