Ardian Ramadani: Shqipëria dhe Kosova në prizmin e dr. Rexhep Qoses

Akademiku shqiptar nga Kosova, ideologu i shqiptarizmës, njeriu i penës dhe i librit, autori i cili me veprat e tija frymëzoi gjenerata të tëra në drejtimin e zgjimit të vetëdijes kombëtare shqiptare, solli freski dhe botoi një libër mjaft domethënës vitin që lamë pas, pra më 2013. Titulli që ishte mjaft sfidues «Shqipëria dhe Kosova, Si janë dhe si do të duhej të jenë» nuk ishte asgjë në krahasim me përmbajtjen e librit. Ky libër i cili ka një vlerë mjaft domethënëse, i domosdoshëm për lexim nga secili dashamirë i librit, fillon me moton e autorit, i cili i frymëzuar nga Mishel Turnije shprehet: «Çdo shkalle të pushtetit duhet t`i përgjigjet shkalla përkatëse e dijes. Ajo së cilës duhet t`i frikësohemi është fuqia e pakufizuar pushtetore e mendjes së pakufizuar ». Autori i librit duke vështruar dhe analizuar në sy kritik veprimtarinë politike të partisë së atëhershme në pushtet, PD-së dhe kryetarit të saj Sali Berisha, i cili kishte monopolizuar gjithçka, duke bërë shtetin parti, e partinë lider, shkërmoq në detaje gabimet trashanike, dukuritë, ngjarjet dhe veprimet e ndryshme politike të asaj konjukture. Akademiku pranon edhe vet se në përzgjedhjen e titullit kishte hasur në vështirësi ngase i gjendur përballë dy titujve, të dytë të pranueshëm dhe të dytë të saktë, kishte zgjedhur atë titull, i cili ishte më i përafërt mbase me titullin e platformës së ideologut rilindas, Sami Frashërit « Shqipëria çka qenë, ç`është dhe çdo të jetë ». Kësisoj mes titullit « Koha e ngadhënjimit të dhunëtarëve dhe e humbjes së idealistëve » si dhe « Shqipëria dhe Kosova, Si janë dhe si do të duhej të jenë », ai kishte zgjedhur titullin e dytë.

Autorit, frymëzimi për titullin e parë i kishte ardhur nga të këqijat e shumta e të shumëllojshme të jetës politike dhe shtetërore, që vinin si pasojë e ushtrimit të pakufishëm të pushtetit nga ana e mendjeve të kufizuara, nga ana e dhunëtarëve, të korruptuarve dhe mashtruesve, por edhe nga ana e ish idealistëve të dikurshëm, të cilët kishin braktisur idealizmin, si parim krucial dhe sublim, e ishin përcaktuar për tjetërsim të po atij idealizmi, duke u bërë pjesë e kakistokracisë, ndërsa frymëzimi dhe përcaktimi për titullin e dytë i kishte ardhur nga vepra e Sami Frashërit e botuar më vitin 1899, 13 vjet përpara shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

 

Përderisa në atë kohë kur ishte shkruar vepra e Sami Frashërit, shqiptarët gjendeshin ende nën supremacinë dhe pushtimin osman, në kohën kur ishte shkruar dhe botuar libri i akademikut të shquar, ende nuk ishin arritur vlerat e ëndërruara politike, shoqërore dhe kombëtare të rilindasve tanë. Ata edhe më tej mbeteshin dëshira të ëndërruara në jetën e shqiptarëve. Akademiku Qosja pjesën e parë të librit me titull « Shteti, uzurpuesit dhe shpërdoruesit e tij », e kishte përpiluar duke u frymëzuar nga vrasja e katër protestuesve në protestën e 4 janarit2011 në Tiranë, ditën kur sipas akademikut të nderuar, kryeministri Berisha kishte vendosur të bënte gjithçka që me gënjeshtra dhe me trillime, t`i shfajësonte vrasësit e t`i fajësonte viktimat. Rexhep Qosja në tërë pjesën e parë të librit merret me atë se si ai kishte perceptuar dhe përjetuar si dhunuese e shfytyruese politikën e Sali Berishës, nga sharjet, fyerjet, shantazhet dhe kërcënimet e tij si dhe shpura përreth tij, me mashtrimet e gënjeshtrat e pandalshme të regjimit të tij. Sipas R. Qosjes kjo politikë e cenonte kulturën politike shqiptare, kjo politikë sipas tij e kishte dobësuar bërthamën etike në jetën kombëtare shqiptare e kishte pakësuar e gati edhe shuar mospajtimin, qëndresën popullore. Sali Berisha në sytë e akademikut të shquar e kishte shndërruar partinë në shtet e shtetin në parti, duke zëvendësuar popullin me partinë, kishte ligjësuar një neodespotizëm politik e shtetëror, i cili davaritej në çdo pore të jetës, e kishte arritur bile edhe në fshikëzën e asaj që quhet pushteti i katërt, nëpër mediume, duke proklamuar dhe përcaktuar një fizionomi politike, shoqërore dhe shtetërore të përcjellë me gjuhë të vulgarizuar, trysni të shumëllojshme. Duke mos ndaluar këtu ajo politikë shpërfytyruese kishte arritur edhe në gjyqësorin duke korruptuar tërësisht këtë institucion, duke bërë tejkeqësimin e kushteve për krijimtari shkencore dhe artistike, duke krijuar një kapitalizëm primitiv të ngjashëm me atë të shek. 19, duke krijuar një turbofolk dhe një kiç nacionalizëm, duke shkelur Kushtetutën dhe ligjet, duke futur vendin në kaos moral, duke bërë tradhtinë e interesave kombëtare, duke mosndëshkuar zyrtarët e lartë të korruptuar, duke keqpërdorur edhe nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme nëpër fushata zgjedhore, duke ndotur historinë kombëtare me rehabilitimin e figurave tradhtare sikurse Ahmet Zogu, duke glorifikuar bashkëpunëtorët e fashizmit italian e të nazizmit gjerman, duke promovuar përbindëshin kleptokratik, vjedhjen, grabitjen, plaçkitjen e pasurisë kombëtare nga ana e oligarkisë politike, duke shpërfillur në themele vlerat themelore antropologjike. Sipas akademikut, mospajtimi i tij, i qëndisur bukur në këtë libër ishte çështje, mision i etikës së tij intelektuale, por edhe çështje e përkushtimit të tij ndaj Shqipërisë dhe Kosovës, respektivisht çështje të atdhetarizmit të tij të pandashëm.

 

Rexhep Qosja duke folur për demokracinë e shumë trumbetuar këtu tek ne, thekson se demokracitë moderne nuk shenjtërojnë, fetishizojnë dhe mitizojnë shtetit. Kjo lloj demokracie sipas Qosjes mungon në Kosovë dhe në Shqipëri. Sipas tij qeverisja në trevat shqiptare është e prirur të prodhojë ligje të panumërta, por më shumë sipas tij paria shqiptare kënaqet kur i shkel po të njëjtat ligje.

Qosja duke kritikuar mënjanërinë dhe indiferencën intelektuale, perifrazon Karl Poperin në librin e tij “Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj” i cili thekson: “adhurimi i fuqisë politike është njëra prej idhujtarive më të shëmtuara njerëzore, është kujtim i kohës së kafazit dhe i nënshtrimit të njeriut”. Sipas Qosjes kuptimi i lirisë është i ndryshëm, nga ajo që e jetojnë aktualisht shqiptarët. Qosja duke cituar Albert Camus në librin e tij “Urrejtja robëruese” shprehet që liria nuk do të thotë të flitet çka t`i bie kujt në kokë, as të rritet numri i gazetave përplot skandale, as vendosja e diktaturës në emrin e lirisë së nesërme. Liri para së gjithash d.m.th mos të gënjesh.

 

Qosja duke kritikuar mungesën e këtij sensi të lirisë ndër politikanët shqiptarë kritikon edhe biznesmenët e ndryshëm të cilët përkrahin dhe mbështesin politikanët, që gënjejnë, politikanët që nuk duan lirinë. Ai i kritikon ata përmes thënies “ata janë miqtë tanë por ata janë edhe biznesmenë. E miq i kemi sepse janë biznesmenë”.

Duke kritikuar vobektësinë e botimit të librave shqip për Kosovën dhe trevat shqiptare, autori thekson se vetëm në Zvicër ekziston një shtëpi botuese serbe, e cila përkthen libra në frëngjisht mbi Kosovën dhe Serbinë, vepra shkencore, historike dhe letrare. Ndërsa elitat shqiptare të ndoruara (në shërbim të qeverive dhe pushteteve) dhe duke përkrahur mënjanërinë kanë zgjedhur rrugën e omertës dhe të përkrahjes së elitave qeverisëse. Rexhep Qosja duke folur për atë se a është realizuar katarsisi i duhur i elitave politike dhe intelektuale shqiptare, të cilat janë shndërruar në soditës të së keqes, krahason rastin me gjermanët, ai thekson se në procesin e Nyrembergut (1945/46) u dënua kryeredaktori, autori i kryeartikujve të gazetës DER STURMER, sepse i kishte predikuar popullit gjerman filozofinë e rrenave, mashtrimeve, vrasjeve dhe urrejtjes, edhe pse kishte koeficientin mendor 106.

Në njërën prej intervistave të tija shprehet se nuk është bërë shkrimtar për të shkruar libra po për të sendërtuar mision, për të luftuar të këqijat. Ai këtë e ka dëshmuar me veprat e tija të shumta të shkruara në kohën e aparteidit serb ndaj Kosovës, ku as për një moment nuk u zmbraps nga veprimtaria e tij patriotike, kombëtare dhe intelektuale. Edhe pse Kosova nën thundrën serbe ai mëton se kjo nuk arsyetonte heshtjen dhe mungesën e botimeve nga ana e intelektualëve shqiptarë të asaj kohe. Duke marrë si shembull shkrimtarin italian Silvio Pelika ai thekson se ky shkrimtar me veprën e tij më të lexuar “Burgjet e mia” kishte ndihmuar shumë për çlirimin e Lombardisë dhe Venedikut nga pushtimi austriak. Duke kritikuar rolin e Ibrahim Rugovës gjatë veprimtarisë së tij politike, Qosja jep një fakt tronditës, atë kur Millan Millutinoviq kishte falënderuar në një bisedë televizive me gazetaren e Beogradit, Mira Adanja, I. Rugovën për mikpritjen e tij të jashtëzakonshme, në kohën kur shqiptarët e Kosovës hiqnin të zinjtë e ullirit. Në mes tjerash Rexep Qosja, akademiku i shquar kritikon edhe sjelljen servile të shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, si vegël e pushtetit komunist dhe atij postkomunist. Sipas Qosjes, Kadare në librin e tij “Nëntori i një kryeqyteti” shkruante për madhështinë e PPSHsë dhe fitoret e saja, e atëherë kur PPSH dhe Enver Hoxha u thoshin imperialistëve amerikan dhe socialimperialistëve sovjetikë se Shqipëria është kështjellë ku ata do të thyenin dhëmbët ,Kadare do të botonte veprën “Kështjella”, kur do të prisheshin marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, Kadare do të shkruante veprën “Dimri i vetmisë së madhe” apo “Dimri i madh” ku ofron mendime raciste për rusët, kur predikonte revolucionin kulturor ai do të shkruante “Dasmën”, ndërsa kur PPSH dhe Enver Hoxha u shqiptonin anëtarëve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror fletërrufe për devijime “mikroborgjeze”, Kadare do të shkruante “Pashallarët e Kuq”. Përmes këtyre argumenteve ai tenton që të demaskojë fytyrën e vërtetë të Kadaresë, si shkrimtar tipik oborrtar i pushteteve.

Rexhep Qosja përveç kësaj, shprehet edhe për atë se cilët shkrimtarë lexohen dhe vlerësohen më shumë. Duke radhitur taksativisht ata që sipas Qosjes ishin të shquar dhe të çmuar prej letërsisë, por jo edhe të dashur dhe lexuar prej lexuesve ai numëron: Marsel Prustin, Xhems Xhojsin, Virxhinia Volf, Uiliem Folkner…… ndërsa më tutje ai kategorizon edhe ata të cilët janë shumë të lexuar dhe të dashur prej lexuesve, por jo edhe aq të çmuar prej studiuesve të letërsisë si: Agata Kristi, Zhorzh Simon, Den Braun etj. Me këtë vepër të shquar, dr, Rexhep Qosja  lëshon kumtin përmbyllës e ai është se beteja për demokracinë dhe qytetarinë nënkupton shporrjen e autoritarizmit, primitivizmit, dogmatizmit, tribalizmit, provincializmit. Andaj ky libër, gjykoj se duhet të jetë pjesë përbërëse e secilës bibliotekë, pasi që të lexohet dhe analizohet me kujdes.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …