Shkak janë ligji zgjedhor, Kushtetuta dhe, mbi të gjitha, fakti se palët janë betonuar në taborë të kundërt. Nuk ka pajtueshmëri, nuk ka tolerancë, jo pse nuk e duan atdheun, por sepse mungon vullneti për bashkëpunim.
Rezultati i zgjedhjeve nuk e zgjidh problemin. Opozitarët, në një mënyrë, i pranuan zgjedhjet si të lira dhe demokratike, por e kontestuan fitoren, duke folur për manipulime dhe blerje votash.
Ata u vetëkënaqën me rritjen e vogël që arritën dhe me faktin se fituesi pati rënie të mbështetjes. Mirëpo, që në momentin e parë treguan se nuk ka pajtim, nuk ka bashkëpunim dhe as bashkëqeverisje, gjë që nënkupton se nuk do të ketë institucione funksionale.
Fituesi shfaqi kënaqësinë e fitores, u ekzaltua me epërsinë ndaj të tjerëve dhe haptas tha: “Nuk më intereson fare nëse pajtoheni apo jo. Unë jam Qeveria dhe Kryeministri, qoftë në detyrë apo i rregullt. Kam fituar mandatin e katërt. Deshët apo jo, Presidentja është në detyrë. Po deshët e bëjmë Parlamentin, nëse jo, ne vazhdojmë qeverisjen në detyrë. Nesër, në orën tetë, jemi në punë dhe vazhdojmë.”
Sa i përket afrimit me opozitën, nuk shfaqet as dëshira më e vogël për kompromis.
Po për Kosovën dhe këtë popull, kujt po i dhemb koka?
Këtë gjendje e kemi, këtë bylmet, këtë tlynë e kemi gatuar vetë.
Mjerë Kosova, mjerë mileti, çfarë na qenka pushteti!
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
