Astrit Hekuran Suli (13.4.1976 - 27.5.1999)

Astrit Hekuran Suli (13.4.1976 – 27.5.1999)

Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu bashkuan edhe shumë bij e bija të Shqipërisë, ndër ta edhe eprorë dhe ushtarakë të mirënjohur. Në mesin e tyre, në fushëbetejat e UÇK-së kanë rënë edhe disa luftëtarë emblematikë si: Tahir Sinani, Astrit Suli, Ind rit Cara, Halit Coka, Arian Ibrahimi, Dinë Koleci, Bilal Breçani, Naim Cema, Artan Kovaçi e shumë të tjerë.

Astrit Suli lindi në fshatin Luzaj të komunës së Lumasit të Beratit. Familja e Hekuran Sulit ishte e varfër ekonomikisht, por e mirënjohur për tradita atdhetare, e cila çlirimit të trojeve të atdheut i dha shumë trima e trimëresha. Prindërit e tij rritën gjashtë bij e dy bija. Shkollën tetëvjeçare e kreu në vendlindje. Ndërkohë aftësohet në ndërtimtari dhe merr diplomën teknik i ndërtimtarisë.

Qysh i ri tregon interesim për të gjetur punë dhe për t’ i ndihmuar babait në mbajtjen e familjes shumanëtarëshe. Ashtu si shumë të rinj nga Shqipëria, edhe ai merr rrugë për të siguruar ndonjë punë në Greqi.

Me rastin e shpërthimit të luftës në Kosovë, Asrtit Suli, ashtu sikurse shumë liridashës të tjerë nga të gjitha viset e robëruara të Shqipërisë, shfaq interesim për t’ iu bashkuar radhëve të UÇK-së.

Ishte duke punuar në Greqi, në kohën kur ushtria dhe policia serbe kishin filluar masakrimet kundër shqiptarëve në Kosovë, duke dëbuar dhunshëm popullatën civile shqiptare për në Shqipëri e në vende të

tjera. Një natë ndodhej në një lokal, në mesin e disa grekëve, kur televizioni po transmetonte pamje të dëbimit të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike. Disa grekë kishin qeshur me cinizëm, ndërsa Astriti reagon me tërë forcën fizike, duke u përleshur me ta dhe duke ua rrokullisuar tavolinat.

Qysh atë natë iku nga Greqia dhe fare pa u lajmëruar në familje depërton në qendrën stërvitore të UÇK-së, në Burrel. Qëllimi i tij ishte që sa më parë që ishte e mundur të futej në frontet e luftës në Kosovë. Gjatë atyre pak ditëve sa qëndron në Burrel, i dërgon një letër xhaxhait të tij, Misir Sulit, ku shkruan:

… Ndodhem në Burrel. Iu bëj shumë të fala të gjithëve. Jam bashkuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kjo më bën krenar, më bën të lumtur dhe më jep shpresë për jetë. Nga çasti në çast pres urdhrin për t ‘u futur në luftën e shenjtë për çlirimin e trojeve shqiptare. Besoj, xha Misir, se kjo të gëzon edhe ty dhe çdo shqiptar të ndershëm. Babi dhe mami! Ju vëllezër dhe motra, iu uroj të jeni mirë dhe me më pak halle. Unë jam mirë, veç ndiej dhembje për ju dhe atdheun, për popullin shqiptar në tërësi, të cilit jam i gatshëm t’ ia kushtoj jetën time. Ju e dini se kjo është jeta ime: Kosova e lirë dhe Shqipëria etnike. Ju uroj edhe një herë të jeni mirë dhe të gjithë u takofshim në KOSOVËN E LIRË.

Në fillim të majit të vitit 1999, Astriti sistemohet në Zonën Operative të Pashtrikut, në Malësinë e Gorozhupit. Në brezin kufitar, që asokohe i ndante përmes trojet e Shqipërisë, ishin pozicionuar qindra luftëtarë të lirisë, të cilët me tërë forcën po bënin përpjekje që njëherë e përgjithmonë ta rrënonin kufirin.

Në ditët e fundit të majit të vitit 1999, thotë bashkëluftëtari i Astritit, Arsim Rexha, filluan luftimet e ashpra në tërë vijën kufitare të Gorozhupit, i cili sa e sa herë ishte skuqur me gjakun e dëshmorëve. Luftëtarët e UÇK-së kishin sulmuar nga të gjitha pozicionet e tyre. Forcat armike ishin kundërpërgjigjur me armatim të rëndë.

Në muzgun e 27 majit, derisa luftëtarët e UÇK-së po sulmonin forcat armike, Astrit Suli goditet nga plumbat e serbit. Ishte mbështetur afër një lisi dhe kishte rënë në altarin e atdheut, duke thithur për herë të fundit ajrin e Kosovës. Atë ditë në frontet e luftës bien edhe pesë dëshmorët të tjerë të lirisë.

Bashkëluftëtarët e tyre, trupat e dëshmorëve i varrosin në frontet e luftës, në malet e Gorozhupit. Të gjithëve brenda në varr iu kishin futur edhe nga një shishe të qelqit, në të cilat kishin shënuar të dhënat elementare jetëshkruese.

Në shtator të vitit 1999, bashkëluftëtarët trupin e dëshmorit Astrit Suli dhe të dëshmorëve të tjerë nga malet e Gorozhupit i rivarrosin në Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë, afër Prizrenit.

Me kërkesë të familjes, trupi i dëshmorit Astrit Suli merret nga Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë dhe rivarroset në varrezat e familjes së tij në Luzaj të Beratit, në Shqipëri.

Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës i ka dhënë Mirënjohje. Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së e ka dekoruar me Mirënjohje. Astriti nuk ka qenë i martuar, edhe pse ishte njoftuar me një vajzë austriake, gjatë kohës sa ka punuar në Greqi, me të cilën dëshironte të martohej.

Familja e dëshmorit, babai, nëna, motrat, vëllezërit dhe bashkëluftëtarët ruajnë kujtimin e paharrueshëm për të, letrën e vetme që ka mbetur dhe formularin e rekrutimit në UÇK, ku Astriti ka shënuar disa të dhëna karakteristike për vetveten.

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …