Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka zhvilluar një takim mirëseardhës me ambasadorin e ri të Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, në zyrat e Fondacionit Jahjaga, duke riafirmuar partneritetin e ngushtë mes Kosovës dhe Gjermanisë. Jahjaga e ka uruar ambasadorin Rudolph për misionin e tij të ri diplomatik, duke e falënderuar njëkohësisht për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Kosovës ndër vite, veçanërisht në forcimin e institucioneve demokratike, ndërtimin e paqes dhe zhvillimin shoqëror. Gjatë takimit janë diskutuar projektet aktuale dhe të ardhshme të Fondacionit Jahjaga, me theks të veçantë në drejtësinë tranzicionale, fuqizimin e grave dhe të rinjve, përfshirjen e grupeve të margjinalizuara, si dhe ballafaqimin me të kaluarën. Jahjaga ka nënvizuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë për realizimin e nismave që kanë ndikim afatgjatë për shoqërinë kosovare. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe vizitës në Muzeun e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale Gjatë Luftës në Kosovë “Çast”, një hapësirë kujtese dhe edukimi që, sipas Jahjagës, përfaqëson një dëshmi të rëndësishme të ruajtjes së së vërtetës dhe nderimit të të mbijetuarve. Ky muze është realizuar falë mbështetjes së Ambasadës Gjermane. Takimi u zhvillua në një frymë pozitive dhe konstruktive, me shprehje gatishmërie nga të dyja palët për thellimin e bashkëpunimit të ardhshëm ndërmjet Fondacionit Jahjaga dhe Ambasadës së Gjermanisë, në funksion të së mirës së përgjithshme dhe forcimit të paqes e dialogut në shoqërinë kosovare.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
