Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka përfaqësuar Republikën e Kosovës në edicionin e nëntë të Forumit Botëror të Paqes, që po mbahet në Jakarta të Indonezisë, ku liderë nga mbarë bota po diskutojnë për promovimin e paqes, demokracisë, drejtësisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Në fjalimin e saj para pjesëmarrësve të forumit, Jahjaga ka theksuar rëndësinë e vlerave demokratike, barazisë gjinore, gjithëpërfshirjes dhe fuqizimit të gruas në lidership, si shtylla të domosdoshme për paqe të qëndrueshme dhe zhvillim shoqëror. Ajo ka folur me krenari për përvojën e Kosovës si një shtet i dalë nga lufta, që përmes përpjekjeve të vazhdueshme ka arritur të ndërtojë institucione demokratike dhe një shoqëri gjithnjë e më të hapur. “Në fjalën time theksova se ngritja dhe ringritja e Republikës së Kosovës para dhe pas luftës, sfidat dhe vështirësitë e shumta që kemi kaluar, si dhe rrugëtimi im personal si presidentja e parë grua e vendit, janë pjesë e historisë sonë të qëndresës dhe suksesit,” ka shkruar Jahjaga. Ajo ka shtuar se pjesëmarrja në këtë forum ishte një mundësi për të treguar rrugëtimin e Kosovës drejt stabilitetit dhe zhvillimit, duke dëshmuar se vendet e vogla mund të japin shembuj të mëdhenj të qëndrueshmërisë, solidaritetit dhe progresit demokratik. “Kontributi im për Kosovën ka kaluar nëpër faza dhe pozicione të ndryshme institucionale, por gjithmonë me të njëjtin qëllim – të mirën e përgjithshme të qytetarëve,” ka theksuar ajo.Forumi Botëror i Paqes, që këtë vit po mbahet nën moton “Ndërtimi i besimit për paqe të përbashkët”, mbledh personalitete nga politika, akademia dhe shoqëria civile nga mbi 100 vende të botës. Pjesëmarrja e Jahjagës në këtë ngjarje e vendos sërish Kosovën në qendër të diskutimeve ndërkombëtare për paqen, demokracinë dhe të drejtat e njeriut.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
