Driton Qemajl Ferati (26.10.1973- 27.3.1999)

Driton Qemajl Ferati (26.10.1973- 27.3.1999)

Driton Qemajl Ferati ka lindur me 26 tetor të vitit 1973 në fshatin Qëndresë, ish Randobravë.
Prindërit Qemajl e Bahrije sollën në jetë vajzën, Shkezimen dhe djemtë Sinanin e dëshmorin e ardhshëm, Dritonin.

Dritoni, mësimin fillor e kreu në fshatin e lindjes në shkollën që mbante emrin e luftëtarit “Idriz Seferi”, kurse shkollimin e mesëm në “Shkollën Teknike” tani që mban emrin, “11Marsi“, në Prizren. Në vitet 1991-1992, Dritoni mori pjesë në disa protesta studentore për të drejtat e shqiptareve që organizoheshin në qytetet shqiptare si në Prizren, Prishtinë etj.
Kur i erdhi ftesa për shërbimin e detyrueshëm ushtarak serb Dritoni nuk iu përgjigj ftesës për shërbim por la vendlindjen dhe shkoi në Zvicër ku kishte edhe vëllanë.
Edhe në mërgim së bashku me bashkëveprimtarë ishte aktiv ne çdo manifestim që bëhej për çlirimin e atdheut.
Në muajin maj të vitit 1997 me datë 2 , 3 dhe 5 maj arrestohet nga forcat Serbe për armëmbajtje pa leje dhe çështje atdhetare e politike të kohës, me ç ’rast maltretohet fizikisht e shpirtërisht.
Në fillimin e vitit 1998, Dritoni vendos kontaktet e para me UÇK-në, në fshatin Drenofc, atje takoi bashkëluftëtarët e ardhshëm si: Mensur Zyberaj, Skender Hoxha, Zahit Hoxha e shumë të tjerë.
Më 11 nëntor të vitit 1998 jep betimin në Shtabin e fshatit Reti, në Brigadën 124 Zona Operative e Pashtrikut “Gani Paçarizi”, në mesin e shumë luftëtarëve disa mandej dëshmorë të ardhshëm të kombit si: Toni e Mici, Masar Ferati, Fadil Ferati, Naim Ferati, Besnik Ferati etj.
Dritoni ishte angazhuar edhe në sigurimin e rrugës Prizren Gjakovë, që forcat serbe të mos pengonin varrimin në Krushë të madhe të ushtarëve, që kishin rënë më 4 dhjetor 1998 në Pashtrik.
Dritoni fillimisht vendoset në fshatin Randobravë. Emërohet kapiten i skuadrës, pastaj me vonë merr gradën Toger.
Me 27 shkurt 1999 forcat serbe granatuan fshatin, njësitit luftarak i vijnë në ndihmë edhe luftëtarë të Batalionit të udhëhequr nga Nehat Basha, Bashkim Suka, Luan Ferati, Shaip Rexhepi etj.
Bashkëluftëtaret e tij me të ngushtë ishin: Zait Hoxha, Abit Hoxha dhe Shefit Hoxha me te cilët ishin shumicën e kohës së bashku.
Meqenëse luftimet ishin zgjeruar në shumë fshatra, luftëtarët çlirimtar detyroheshin të bënin sigurimin por edhe përcjelljen e tyre në vende më të sigurta, kështu ai me disa bashkëluftëtarë urdhërohet të bëjë përcjelljen e një pjese të popullatës nga fshati, Reti e Ulët të Rahavecit për në Mamushë. Në rrugëtim e sipër ndeshen me forcat ushtarake policore serbe me ç rast plagoset luftëtari, Driton Ferati. Ai aty mori ndihmën e parë nga shokët dhe bashkëluftëtaret e tij dhe nga luftëtari, Nusret Berisha nga fshati Drenoc. Dritoni pasi mori mjekimin nuk u ndal por vazhdoi me shokët në luftime.
Me 27 mars të vitit 1999 njësiti luftarak çlirimtar ishte nisur për në fshatin Pagarushë, por në rrugëtim e sipër ata bien në një prit të forcave serbe. Këtu u zhvillua një betejë e pabarabartë mes luftëtarëve çlirimtarë dhe forcave ushtarake serbe. Dritoni këtu ra dëshmor, pikërisht në livadhet e fshatit Samadraxhë të Therandës, ish-Suharekës. Aty ushtria serbe merr trupat dhe i transferon në Serbi, në Batajnicë, ku më vonë do të zbulohet në një varreza masive me trupat e shqiptarëve të varë gjatë luftës dhe të transferuar atje për ti humbur gjurmët e krimit barbar.
Me 8 maj të viti 2003 trupi i Driton Feratit sillet në Kosovë. Pas bërjes së ADN-së, me 16 maj të vitit 2003 familja e tij lajmërohet për kufomën e tij.
Me 23.05.2003 dëshmori Driton Ferati rivarroset në fshatin e tij me ceremoni ushtarake të Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Varrimi i tij ishte tejet madhështor ashtu siç ishte edhe vet vepra dhe heroizmi i dëshmorit. Në varrim ishin të pranishëm shumë bashkëluftëtar si: Fetah Bekolli, profesor, Sabahajdin Cena, Zafir Berisha, Rifat Dina, etj.
Me 26 mars të vitit 2009 trupi i Dritonit dhe i gjithë dëshmorëve të fshatit Randobravë rivarrosen në fshatin, Landovicë, ku pushojnë në tokën e larë me gjak për shekuj me radhë. Dritoni sikur shumë djem e vajza të Kosovës nuk kishte arritur të priste trashëgimtarin e tij. Ai kishte bërë vetëm një vit e gjysmë martesë me Sibajete Xhemajliun nga fshati Krushë e Madhe. Pas pesë muaj të rënies së tij heroike i lind djali i cili nga nëna dhe bashkëshortja u pagëzua me emrin Rrezon. Sibajetja, Rrezoni por edhe mbarë familja e ruajnë kujtimin dhe janë ballëhapur për veprën e dëshmorit, Driton Qemajl Ferati.
Emri i tij është përjetësuar në përmendoren tek shkolla “11 Marsi “ në Prizren, tek Posta e madhe në Prizren është ngritur Pllaka Përkujtimore me emrat e dëshmorëve ku është edhe emri i Dritonit. Po ashtu në fshatin e Randobravë është Përmendorja e 22 Dëshmorëve të fshatit.
Pas rënies së tij, ai është graduar me Mirënjohje, Certifikatë dhe embleme Komunale. Në vitin 2008 Enver Cikaqi i ka ndarë Lëvdatë.
Shkrime për Dëshmorin janë botuar në librin: “Shtigjet e Lirisë” i autorit Nexhat Çocaj. (Rrezon Driton Ferati)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …