Ish-kryeministri i Kosovës dhe anëtari i Kryesisë së Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, lidhur me transferimin e 24 hektarëve tokë për Manastiri i Deçanit. Hoti tha se deklarata e Rashiqit e “zhvesh plotësisht” kryeministrin Albin Kurti nga, siç e quajti ai, retorika mashtruese që ka përdorur ndër vite për këtë çështje. Sipas Hotit, për vite me radhë është folur për “tradhti” dhe “falje të tokës për manastirin”, ndërsa tani, sipas deklarimit të ministrit të Kurtit, vendimi për transferimin e tokës është marrë lehtësisht dhe madje për arsye personale.“Për vite u fol për ‘tradhti’ dhe ‘falje të tokës për manastirin’. Sot, ministri i tij e thotë hapur se vendimi për faljen e tokës së manastirit ishte shumë i thjeshtë: ‘Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd’. Pra, ajo që dikur ishte tradhti, kur u bë vetë Kryeministër u bë lehtësisht për hatër”, ka shkruar Hoti. Ai ka shtuar se kjo tregon, sipas tij, një mënyrë jo serioze të vendimmarrjes shtetërore. “Kaq ‘serioze’ është vendimmarrja shtetërore e Kurtit. Hi syve për qytetarët, ndërsa vendime të kundërta e për hatër në prapaskenë”, ka theksuar Hoti.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
