Avni Zhabota

Avni Ali Zhabota (1.6.1963 – 4.8.1998)

Heroi i kombit, Avni Zhabota u lind më 1 qershor të vitit 1963 në fshatin Bubavec të Malishevës. Ndërsa katër vite me vonë familja e tij zhvendoset në fshatin Shtupel të Klinës. Prindërit: Aliu dhe Raba lindën dhe rritën më përkushtimin më të madh gjashtë fëmijë: Avniun, Ramadanin, Avdiun, Bahriun, Nazmiun dhe Havën. Gjendja ekonomike e kësaj familje atëherë ka qenë e rëndë sikurse e të gjitha familjeve të tjera që mezi mbijetonin nga varfëria dhe skamja që ishte rezultat i robërisë shekullore. Kur ai ishte 16 vjeç i vdes babi dhe më pastaj e gjithë barra e familjes i bie mbi supe Avniut.

Shkollimin fillor e mbaroi në Shtupel për të vazhduar në gjimnazin “Luigj Gurakuqi” në Klinë dhe pastaj për Shkollën e Lartë të Mësimit Klasor, në Gjakovë. Ai qysh si i ri shfaqte horizont të jashtëzakonshëm të dijes dhe interesit të historisë dhe çështjes kombëtare. Gjatë viteve 1984 – 1985 Avniu ishte në kuadër të shërbimit të detyrueshëm ushtarak në ish armatën jugosllave, në Rjekë të Kroacisë, por gjatë kësaj kohe përcjellje në çdo hap sigurimi ushtarak serb, pasi konsiderohej si shqiptar i rrezikshëm.

Ndërsa pas kësaj kohe ai për një kohë punën në Slloveni e më pas edhe në Austri për ngritjen e mirëqenies ekonomike familjare. Por fati dhe çështja e kombit të robëruar nuk e lenë të qetë dhe vendos që të kthehet në atdhe për të kontribuar. Duke qenë së ai ishte vazhdimisht i informuar nga vëllai i tij Ramadani si aktivist i hershëm i LPK-së lidhur me atë së çfarë shkruanin gazetat ilegale të kohës si “Zëri i Kosovës”, “Çlirimi”, “Lira” dhe të tjera lidhur me gjendjen e rënd të popullit shqiptar të Kosovës dhe dhunën që e ushtronte aparati shtetëror serb ndaj shqiptarëve. Urrejtja për okupatorin vetëm sa rritej e shtohej në shpirtin liridashës të tij. Pas rënies në burg për aktivitetin kombëtar të vëllait tij Ramadanit, Avniu e vazhdon aktivitetin e tij kombëtar në fshatin Shtupel por edhe rrethinën e Klinës.

Por pas daljes në skenë të LDK-së ai u inkuadrua në këtë subjekt të ri politik shqiptar dhe si aktivisht i shquar dhe i dëshmuar më përkushtim ai u zgjodh kryetar i nëndegës së kësaj partie në fshat, aktivitet të cilin e vazhdoi deri në vitin 1998 ku më pas i bënë kontaktet më veprimtarë të devotshëm, për të vetëdijesuar dhe organizuar popullin që në një të kohë të afërt të rrokën armët për çlirimin e vendit. Vazhdimisht mbante kontakte më shokët e idealit që vepronin në ilegalitet si në Drenicë si edhe në Dukagjin. Në vitin 1990 ai martohet më Hidajete Kastratin nga Zajmi i Klinës, së cilës më 22 maj të vitit 1998 forcat policore e ushtarake kriminale serbe ia vrasin babanë, Bajram Kastratin dhe dajën, Brahim Ukën. Avniu si aktivist ishte mjaft energjik dhe ishte aty ku kishte nevojë populli gjatë viteve të 90-ta, por as nuk e anashkalonte punën si mësues që punonte më shumë zell e vullnet për edukimin e brezave të rinj.

I takoi brezit të atyre mësuesve që më shpirt atdhetar, punoi pa pagë vetëm e vetëm të mos ndërpriste punën shkolla shqipe. Atdhedashurinë dhe shpirtin liridashës ai e shfaqte kudo, kishte një largpamësi dhe analizim objektiv të asaj se çfarë do të ndodhte me vonë. madje edhe sot ekzistojnë video e audio dëshmi ku heroi i kombit Avni Zhabota thoshte: “së në Kosovë janë duke u bërë padrejtësi të mëdha dhe se asgjë nuk është në rregull deri sa Kosova nuk është e lirë, gjithçka që ne ndërtojmë sot është në pikëpyetje”.

Më shpërthimin e luftës dhe daljen publike të UÇK-së, Avni Zhabota veçse ishte pjesë e saj në radhë të trimave luftëtarë të lirisë. Fillimisht ai u mobilizua për grumbullimin e ndihmave për vatrat e para të luftës sidomos për Açarevë, ku ndjehej dukshëm nevoja. Ai kontaktet e para më krerët e luftës i kishte bërë me komandantin emblematik Abedin Rexha – Sandokani, pastaj Sylejman Selimin, Ismet Rrahmanin e Bekim Berishen “Abeja”, strateg i shquar i luftërave çlirimtare në ish-Jugosllavi i cili ndër të tjera e ka hartuar edhe ideuar planin e pikës “Baregemi” të fshatit Shtupel e shumë trima të tjerë. Inkuadrimi i tij në kuadër të luftës ishte moment i gëzimit të madh për të sepse pas tij do të rreshtohej i vëllai Nazmiu e shumë bashkëfshatarë dhe shokë të idealit për liri. Por inkuadrimi i djemve të Klinës në radhët e UÇK-së ishte tejet i rëndësishëm dhe strategjik sepse si rajon ishte në mes të tri zonave operative të luftës: Drenicës, Dukagjinit dhe Llapushës.

Shpirt luftarak dhe gatishmëria e tij për sakrificë sublime është parë edhe në varrimin e dëshmorit Arben Halitit ku pati thënë: “se sa lakmi po ia kam Arbenit që ra në altarin e lirisë”. Por ai ishte më së i shpejt në reagime dhe veprime. Nuk humbi shumë kohë dhe e formoi fillimisht njësitin dhe më pas edhe Shtabin e UÇK-së, në Shtupel që për komandant e emëroi, Avni Zhabotën pasi ishte atdhetar, mësues, trim e vizionar i pa shoq. Ndërsa zëvendës të tij u zgjodhën Ilir Qallapeku dhe Hysni Arifi. Ky shtab quhej “Bagremi” dhe i numërtonte mbi 40 luftëtarë që sa vinin e shtoheshin. Më 15 qershor të vitit 1998 nga një ofensivë e ashpër e armikut sulmohet fshati Shtupel por trimat e këtij fshati më në krye komandant, Avni Zhabotën bëjnë luftë heroike dhe qëndresë titanike duke mos lëvizur mbrapa nga istikamet. Ndërsa disa nga banorët ishin zhvendosur nga frika dhe nga të papriturat e luftimeve Avniu i kishte kërkuar bashkëshortes së tij që të qëndronte në shtëpi dhe të gatuante bukë për luftëtarët e lirisë. Më krijimin e Brigadave të tjera luftës Shtabi i Shtupelit ai veproi në kuadër të Brigadës 112 “Arben Haliti”.

Një ditë deri sa ai sikur rrufeja po nisej në luftime, nëna Rabë e përqafon dhe i thotë ma bëj hallall, se ndoshta më nuk kthehesh. Ai i thotë “nënë, unë do të vij më lirinë, për mua dhe shokët e mijë mos qani”.

Në një fragment të ditarit të luftës së komandant Avni Zhabotës thuhet: “Sot më 25 korrik 1998 u zhvillua një betejë e rreptë në mes të UÇK-së, dhe forcave serbe. Ata dëshironin të hynin në shkollën e Kerrnicës por u ndeshën me forcat shqiptare të ndihmuar nga Ilir Qallapeku dhe Nezir Dallaveri, Avni Zhabota dhe Xhavit Dauti, serbët nuk hynin dot në Shkollën e Kerrnicës”. Kështu që vera e vitit 1998 ishte me vapë dhe e shoqëruar më dinamikë e zhvillime lufte, ku do beteja, ku do rezistencë titanike të gjitha këto ishte në vijën e parë, Avni Zhabota. Më 3 gusht të vitit 1998, po bëhej një luftë e rreptë për ta mbrojtur Açarevën, luftë kjo që nuk i zmbrapste trimat çlirimtar por të nesërmen e kësaj dite më 4 gusht forcat serbe të tmerruara nga rezistenca e trimave çlirimtarë, ndërmarrin ofensivë të shkallës së gjerë nga të gjitha anën në drejtim të Açarevës dhe po atë ditë në luftëtarë të ashpër bie për mos të vdekur kurrë, bie në altarin e lirinë komandant, Avni Zhabota.

Atë ditë, nëna Rabë u durua e qëndroi trimërisht dhe tha “Po bëjmë gajret se luftë pa derdh gjak nuk ka dhe çdoherë kam thanë së një djalë do ta jap për lirinë e Kosovës”. Pa dyshim së rënia e tij ishte humbje e madhe për bashkëluftëtarët por edhe motivim për ta vazhduar luftën dhe qëllimin e tij për çlirimin e Kosovës. Trupi i tij fillimisht është varrosur në Açarevë e pas luftës është rivarrosur në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në Grabanicë të Klinës. Ai pas ka lënë nënën, vëllezërit, motrën si dhe bashkëshorten, Hidajetën, vajzat Arjetën, Valerinën si dhe djalin Aliun.

Sot shkolla e fshatit Shtupel e mbanë më shumë krenari emrin “Avni Zhabota”, gjithashtu edhe rruga kryesore e fshatit Shtupel e mban emrin e tij, por edhe rruga për tek lapidari te lagja “Fyllët” në Açarevë quhet “Avni Zhabota’. Një lapidar i është ndritur në oborrin e shkollës dhe një në Açarevë, te vendi njohur si “Fyllët”. Në Shtëpinë e tij është vendosur pllaka e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pasi ajo strehë ishte shndërruar në Shtab gjatë luftës. Familja Zhabota pas luftës ka marr Mirënjohje dhe dekorata nga institucionet e përkohshme, shoqatat e dala nga lufta si dhe nga institucionet shtetërore. Në tetë-vjetorin e pavarësisë së Kosovës ai është dekoruar me medaljen presidenciale “Urdhri Luftëtar i Lirisë – Adem Jashari” nga kryetarja e Kosovës Atifete Jahjaga. Ndërsa më 18 qershor 2020 në përvjetorin e çlirimit të Klinës. është dekoruar nga kryetari i Kosovës Hashim Thaçi me “Urdhrin Hero i Kosovës”. Për të këndohen këngë është shkruar libri “Avni Zhabota mësues dhe dëshmor i kombit” nga autori, Asllan Krasniqi. (L. D.)

Kontrolloni gjithashtu

Januz Zejnullah Jashari (18.5.1959 - 18.4.1999)

Januz Zejnullah Jashari (18.5.1959 – 18.4.1999)

Prindërve Zejnullah e Zejnie Jashari nga Strofci i komunës së Vushtrrisë u lindi fëmija i …