Brickos

Azem Deliu: Kohësia e letërsisë dhe “bestsellerët përballë parimeve”

Është gjykuar, dhe vazhdon të gjykohet, roli i letërsisë si letërsi në jetën e një qytetërimi, dhe roli i shkrimtarit si individ e intelektual në udhën e popullit të tij. Letërsia që prej lindjes së saj, e gjer më sot, ka pasur disa detyra prioritare, por, për të mos i shtjelluar të gjitha, do të ndalemi tek detyra edukative një nga detyrat më të gjithëkohshme të saj. Shpeshherë letërsia është ngritur, qoftë në formë disidence të hapur, qoftë në formë alegorie letrare, kundër sistemeve të errëta të njerëzimit, sikundër shpeshherë, ka ditur të mos ketë kurrfarë mesazhi, dhe rol të ketë vetëm argëtmin. Ngrihet një pikëpyetje e madhe, a është roli i letërsisë dhe shkrimtarëve, udhërrëfyes apo argëtues? Ka një lloj të veçantë të letërsisë, që ka për qëllim të argëtojë masat, të shesë miliona kopje dhe përmes kësaj, të gjenerojë të hyra të mëdha. Me pak fjalë, pa u kujdesur shumë për vlerën e mirfilltë letrare, me ca ngjarje e historira të thjeshta për t’u kapur e me ca përshkrime relaksuese, qëllimet e kësaj letërsie janë komerciale. Në pamje të parë, kjo ngjan një gjë normale, krejt e zakontë për jetën e sotme ku gjithsecili kërkon të ketë më shumë se tjetri. Por, në një vështrim më të thellë në parimet mbi të cilat ngrihet “arti i shkronjave” del se kjo tentativë, nuk është edhe aq e padëmshme sa ç’duket. Dhe dëmet e saj, janë jo fort të lehta për t’u shpjeguar, e megjithatë, tentativa duhet të ketë (edhe pse janë të pakta) për të bërë përfundimisht dallimin mes vlerës dhe komercializmit. Më së miri nga të gjithë do të gjykojë koha, por, edhe ajo, për gjykimin dhe verdiktin e saj sipëran, merr parasysh parimet mbi të cilat ngrihet një vepër arti, dhe parimet e thjeshta për të mos thënë mungesën e parimeve, mbi të cilat ngrihet një “lexim argëtues”.


 


Parimi i vlerës


 


Parimi më i padiskutueshëm në rolin e tij, vlerat që janë krijuar, në kohën apo hapësirën e caktuar, dhe aftësitë që këto vlera të përshtaten me kohën apo hapësirën tjetër që mbart veç të tjerash, edhe kritere tjera. Ka pasur shumë polemika kohëve të fundit në lidhje më “çështjet e shijes”. Në të vërtet “bestsellerët komercialë” i janë përshtatur shijes së lexuesit më shumë sesa ajo që quhet “letërsi e mirfilltë” apo “letërsi legjendare”. Kjo ndodh për shkak se në masë gjejnë lexues shkrimtarët, librat e të cilëve nuk vlejnë për klasën intelektuale, që kërkon të kultivojë letërsi të kulluar, pa njollat e komercializmit. Misioni i kësaj letërsie (argëtueses) është siç e thotë vet emri, argëtimi i masave, dhe për këtë shkak, asaj nuk i nevojitet figurshmëria apo subjekti i trajtuar me delikatesë. Nuk i nevojitet vlerësimi i kritikës (të cilin nuk e merr asnjëherë, sepse, asnjë kritik i rangut të lartë nuk ulet që të diskutojë për të), dhe, mbi të gjitha, nuk i duhet të jetë sipas “filtrave të letërsisë”. Nuk e them troç që kjo do ta bëjë këtë letërsi automatikisht të pavlerë, por, do të jetë një minus i madh, në filtrin që “nëna kohë” ju bën veprave.


 


Parimi i moralitetit


 


Pikërisht këtu hyjnë rolet e letërsisë dhe shkrimtarëve në emancipimin gjithënjerëzor. Është, për shembull, shumë e vështirë që një letërsi që ka himnizuar një sistem të dështuar (siç e kemi rastin e sistemit komunist në Shqipëri), t’i mbijetojë kohës. Madje, fort e vështirë bëhet që, ky lloj letërsie, të mbijetojë edhe nëse i ka të plotësuara parimet tjera, por, nuk e ka parimin e moralitetit. Në këtë rast vije në shqyrtim roli i letërsisë tek mbarëvajtja e jetës njerëzore. Sapo lexova një koment të një intelektuali nga Shqipëria që thoshte:”Për vendet që janë në udhëkryqë të mëdha, letërsia duhet të jetë udhërrëfyese. Ndërkaq për vendet që kanë mbaruar rrugëtimin e tyre drejt stabilitetit dhe qetësisë, mund të jetë edhe argëtuese.” Në fakt, letërsia ka qenë dhe mbetet, mendoj unë, një udhërrëfyese e mirë e njerëzimit. Cila shoqëri e ka mbaruar plotësisht udhëtimin e saj për përmirësime të mëtutjeshme, dhe, cila shoqëri, s’ka nevojën e letërsisë për t’i hapur rrugë vetdijësimit e emancipimit njerëzor? Nuk është vetëm rruga drejt një stabiliteti e qetësie ajo në të cilën mund të ndikojë letërsia. Por, përmirësimet e vazhdueshme, perfeksionimet e metodave e sistemeve të jetës, një nevojë të madhe për ndihmën e letërsisë, dhe shpesh, një nevojë edhe më të madhe për ndihmën e shkrimtarëve. Prandaj, roli i letërsisë, edhe në vendet më të zhvilluara të botës, është edukativ. “Bestsellerët komercialë” (me qëllim i shtoj fjalën “komercialë” pasi, ka bestseller që janë vërtet letërsi për t’u duartrokitur) pra, duke mos e pasur as parimin e moralitetit, që nuk bazohet vetëm në kundërshtime sistemesh, por, edhe në rolin që ka luajtur kjo letërsi, në hapat përpara të një qytetërimi, i zvogëlojnë, për të mos thënë i shuajnë vetes mundësitë e mbijetimit në kohë, sado që kur janë botuar, mund të kenë bërë “bujë meditative”.


 


Në fund fare do të shtoja se, kur tentojmë përshembull të bëjmë një krahasim “në emër të shijes” mes shkrimtarëve të këtyre “librave rozë” dhe, shkrimtarëve si: Kafka, Borgesi, Hemingway, Orwelli apo Marquezi, ne bëjmë një gabim të madh. Sado që mund ta kemi shijen si arsyetim, kopjet e shitura nuk janë kriter mbi të cilin ngritet një letërsi e kulluar dhe e servuar me kujdesin e gjentilesën më të lartë. Përkundrazi, shpeshherë, e në mënyrë të përsëritur kohëve të fundit, mund të merren si kriter për të kundërtën. Pra, me këtë lloj të shkruari, letërsia rrezikon të humbasë nga rruga e saj. Për shembull, si do të ishte, sikur në një orë mësimore, nxënësit t’i iknin pjesës së vështirë (studimit) dhe t’i ktheheshin rrugës argëtuese, pa çarë kokën për njohuritë që duhet t’i marrin? Dyfish a trefish më keq, kur në këtë përçudnim, merr pjesë edhe mësuesi, që në parim, duhet të bëjë të kundërtën. Kështu edhe letërsia, ka pasur nevojë, e më shumë se ç’ka pasur, ka nevojë, që të lirohet nga “kompleksi i milionit” për të luajtur rolin, të cilin ja ka dhënë natyra, prej kur ajo ekziston. Ndërhyrja e parasë dhe e etjes për pasuri, në krijimtarinë e një shkrimtari, është një nga më të dëmshmet gjëra, që mund t’i ndodhin letërsisë. Për fat të keq, kjo po ndodhë sot, kudo nëpër botë, dhe ne, brezi i ri i shkrimtarëve, kemi për detyrë të luajmë rolin tonë me krijimtarinë tonë, në prezentimin e letërsisë së vërtet (kuptohet për aq sa kemi kapacitete), dhe, ta lejojmë kohën, që me filtrat e mekanizmat e saj, të flakë tutje pjesën e padenjë për të qenë letërsi. Më lejoni që për fund fare, të shpjegoj edhe një pikë të fundit. Letërsi argetuese ka pasur, shumë herët, shumë shumë heret, dhe kur e them këtë, bazohem në kapitullin për letërsinë argëtuese në librin “Teoria e lëtërsisë për shkollat e mesme” të autorit Zejnullah Rrahmani. Pra, letërsi të tillë, ka pasur qysh në kohët e mëhershme. Por, ku janë sot? Ku janë bashkëkohësit e Pushkinit, që kanë kultivuar këtë letërsi? Ku janë bashkokohësit e Shekspirit apo Servantesit që kanë kultivuar këtë lloj letërsie? Pse ata nuk i rezistuan kohës, ndërkohë që Pushkini, Gete, Shekspiri, Balzaku e Servantesi do të çmohen në jetë të jetëve si gjenitë më të spikatur në historinë e letërsisë? Sipas këtyre që i paraqita, besoj që më lejohet të konkludoj që e njejta do të ndodhë edhe me bashkëkohësit e Philip Rothit, Orhan Pamukut, Haruki Murakamit, Garcia Marquezit e Ismail Kadaresë. Gjenitë do të kujtohen si gjeni, të tjerët do t’i fundosë koha, që di më mirë se kushdo, të fus në filtrat më të sofistikuar vlerën, dhe ta lërë të mbijetojë, vetëm atë letërsi të kulluar, që kanë prezentuar gjenitë e të gjitha kohërave.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …