Babë Dudë Karbunara (1842 - 1917) atdhetar, arsimues dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë

Babë Dudë Karbunara (1842 – 1917) atdhetar, arsimues dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë

Babë Dudë Karbunara lindi në lagjen Kala në Berat më 22 prill 1842 me emrin Jorgji Karbunara. I gjyshi, të cilit i mori emrin, jo mbiemrin e parë “Tozhari”, kthyer në “Karbunara”, ishte vendosur aty pas largimit nga fshati Tozhar, kur si shumë të tjerë u detyrua të ikte nga fshati se nuk pranoi të ndërrohej në mysylman nën trysninë e ushtarëve të Ali Pashë Tepelenës. U sistemua në Berat ku u morr me qendistari, u martua me një vajzë qytetare me të cilën pati fëmijë, mes tyre i madhi, Theodhori, babai i Babë Dudës.

Në 10 vjeçarin e parë të jetës, Jorgji Karbunara u rrit në dyqanin e të atit, mes bisedave për çetat patriotike të Sinjës, Tërpanit e bëmave të Rrapo Hekalit. Shqipen e shkruar e mësoi fshehur me abetaren “Evëtari” të Naum Veqilharxhit, mbërritur në Berat në vitet 1845, një kopje e së cilës ruhej në shtëpi. Jorgji mësoi në shkollën greke “Dhimotikon” në Kala, hapur në 1780, e para jashtë kishës, ku mësues të parë kishte qënë Kostandin Berati, autor i shqipes së shkruar me alfabet grek (1768). Në këtë shkollë ku mësohej shkrim, këndim, matematikë, fe, histori, gjeografi, fillime të gjuhëve frengjisht, latinisht, italisht, etj, Jorgji Karbunara mbaroi filloren. Ra në në sy të miqve të familjes për zgjuarësi, që u përpoqën dhe e çuan për studime jashtë, së pari në Korfuz në një shkollë 2-vjecare. Atje u përball për herë të parë me mësuesit grekë, që e kapën të shkruante në shqip letrën për prindërit e tij, por duroi dhe mbaroi studimet për t’u rikthyer 17 vjeçar në Berat. Një tjetër mik i familjes, tregtari i madh beratas Kristo Xhymyrteka, që zhvillonte tregti të madhe deri në Vjenë, me shpenzimet e veta në 1859 e shkolloi në gjimnazin klasik të Triestes (Itali) për 4 vjet.

Me mbarimin e studimeve u rikthye në Berat në 1863. Ndonëse i arsimuar për kohën, turqit nuk e pranuan në administratë, ndaj të ardhurat për familjen i siguronte përmes tregtisë, që zhvillonte me vëllezërit dhe kushërinj të vendosur në Vlorë e emigrim. U martua dhe u bë baba i tre vajzave.

Ato vite në Berat jetoi 2 vjet Naim Frashëri e më pas, në 1885, erdhën Kostandin Kristoforidhi (kishte një motër martuar tek familja e njohur “Kapedani” në lagjen Goricë) dhe Hasan Tahsini, (rektori i parë i Universitetit të Stambollit) me mision, ngritjen e shkollave në gjuhën shqip. Kristoforidhi ka lënë në shënimet e veta pagesat e beratasve patriotë si ndihmë për punën e gjuhës shqipe.

Ishin vitet kur gjuha shqipe nuk lejohej të mësohej nga xhamitë e kishat, ndërsa revoltat zienin në bisedat, në çdo dyqan e familje. Babë Duda nisi të mësonte në kishë shqip, por kjo iu ndalua, ndërsa shqiptarizmi i theksuar i tij ra në sy të turqve.Kur beratasit çelën degën për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, e zgjodhën anëtar të komitetit. Kështu bashkë me mësimin e shqipes, nisi rruga politike e tij për çështjen kombëtare.

Me mbërritjen në 1897 në Berat të “Alfabetarja e gjuhës shqip” e Jani Vretos, vetë Jorgji Karbunara u mësonte fshehur gjuhën shqip djemve, burrave e më pas dhe çupave, fillimisht tek Hani i Doracit, më tej tek hani i Xheblatit, në banesa, sa në një lagje, në tjetrën.

Me mësimin e gjuhës shqip nisi dhe kalvari i ndjekjeve nga turqit, që rritën presionet pas hapjes së shkollës së parë shqipe në Korçë. Në një nga numrat e gazetës së përditshme “Terxhuman-I Shark” që drejtonte në Stamboll Sami Frashëri, shkruhet :”…në Berat, Jorgj Karbunara me të tjerë bënë përpjekje për të çelur shkollën shqip, por nuk u bë e mundur për shkak të terrorit të egër të qeverisë turke dhe inkuizicionit të Fanarit…”.

Përpjekjet për mësimin e shqipes nga Babë Duda u bënë të njohur në qarqet patriotike shqiptare jashtë vendit. Në 3 dhjetor 1902, Babë Duda me një letër drejtuar Nikolla Naços, (drejtor i një shkolle të mesme arumune në Bukuresht), i kërkonte të ndërhynte për t’u arsimuar atje djem beratas, që në kthim të organizonin shkolla në Berat (AQ, Fondi Nikolla Naco, Dosja nr. 4, nr. 11). Ndërsa Jani Vreto i shkruan beratasit Sotir Kolea në Ohër, më 12 dhjetor 1892 se “… edhe Jorgji Karbunarës në Berat, i cili përpiqet të vërë gjuhën e vendit, shqipen ndë skolitë edhe këtij do ti shkruanj një kartë veçan…”. Në 24 gusht 1898 nga Vlora konsulli austrohungarez i shkruante konsullit francez në Janinë për Babë Dudën: “…ai burrë nuk matet me sy. Atë burrë që i është kundërvënë pashait dhe mitropolitit, e kanë halë në sy…”.

Shqiptarizmi i theksuar i tij ra në sy të turqve, të cilët më 1895 i dogjën shtëpinë në Berat.

Në vitin 1898, Babë Duda u bë nismëtar në krijimin e degës së shoqërisë “Bashkimi” në Berat. Punoi për shpërndarjen e librave në gjuhën shqipe. Kjo degë ngarkoi mësuesin Llambi Goxhomani, që kërkoi në Bukuresht çeljen e një gjimnazi arumun (në Berat jetonte një komunitet arumun, ardhur aty pas tre djegieve të Voskopojës). Me ndërhyrjen e shoqërisë së shqiptarëve të Bukureshtit, qëllimi u arrit. Në vitin 1898, në lagjen Goricë në banesën e avokatit të njohur Spiro Megu u çel gjimnazi arumun me drejtor mësuesin e diplomuar në Bukuresht, Llambi Goxhomani, (patriot i shquar beratas, më pas delegat në Kongresin e Lushnjes në 1920 dhe deputet në Parlamentin e parë shqiptar në 1921). Trupi mësimor kishte drejtor Llambi Goxhomani dhe mësues Babë Dudë Karbunara, Llazar Kilica, Llazar Puli dhe Aleksandër Xhuvani, ku studionin djem dhe vajza e mësohej shqipja fshehurazi.

Në kujtimet e tij Filip Kristoforidhi, i biri i Kostandin Kristoforidhit (që studioi aty kur jetoi tek halla e tij, motër e Kostandinit martuar tek Kapedanët) shkruan: “… rreth vitit 1898. kur kam mësuar tek gjimnazi i Beratit, Babë Dudë Karbunara jepte lëndën e italishtes dhe kontabilitet. Kam marrë prej shtëpisë një fjalor të Rosit italisht-shqip dhe ja kam dhënë Dudës…. Pasi i përkthente fjalët, na i mësonte t’i shqiptonim e shkruanim në gjuhën amëtare…”. Ky karshillëk nuk mbeti pa ndëshkim nga qeveria turke. E përshkruan Babë Duda në ditarin e tij: “… më 8 shtator 1905, sipas kalendarit Julian, qeveria turke arrestoi dhe burgosi Llambi Goxhomanin, që në 20 prill 1906, nën akuzën për vepra politike kundër shtetit, gjyqi e dënoi me tre vjet burg. Porse më 8 gusht 1906 u deklarua i pafajshëm nga gjyqi i apelit dhe pas 11 muajsh mbajtje në burg, u la i lirë…”.

Më 1906, Berati u përfshi nga lëvizjet popullore në përgjigje të Kongresit të fshehtë shqiptar të Bajo Topullit, çetat e Baba Medin Gllavës dhe Kamber Velabishtit lehtësuan shpërndarjen e librave dhe gazetave shqip, dërguar nga shoqatat e shqiptarëve në Bukuresht, dhe Misirit (Kajros). Si ndërlidhës kujtohet dhe Babë Duda.

Nën ndikimin e tij dhe anëtarëve të tjerë atdhetarë, klubi “Bashkimi” e kundërshtoi rreptësishtë alfabetin arab. Në qytetin e Beratit u organizua më 28 shkurt 1910 një miting masiv në mbrojtje të alfabetit latin. Në mes të pazarit u dogjën publikisht, në mënyrë demonstrative, rreth 10 mijë libra shkollorë të shkruara arabisht. Nga ky miting iu dërgua një telegram qeverisë turke ku ndërmjet të tjerash thuhej: “… për të nderçmet shkronjat tona mos na përzihet kush, ndryshe do të derdhet gjak”. Babë Duda i shkruan Sotir Koleas në Egjipt: “shkurtazi të them se dje, nga një përmbledhje prej 50 shpirt nga më të parët e Beratit, u vendos me të shkruarë të hapurit’ e dy mësonjëtoreve shqip, vetëmë shqip, ndë qytet tonë, e të hënën që vjen fillon mësimi”[1]. Kështu ndodhi, pasi të hënën, më 4 gusht 1908, u çelën dy shkollat e para shqipe në Berat, njëra në një godinë (sot përballë ndërtesës së Mitropolisë), shkolla tjetër pranë Sahatit të Madh (te xhamia) në lagjen Muratçelepi.

Që ditën kur u shpall Kushtetuta Turke më 1908, patriotët beratas hapën shkollën shqipe në katin e fundit të një dyqani 3-katësh të Muharrem Rulit, të drejtuar nga Babë Duda e ku mësonin fillimisht 55 nxënës.

Gjatë viteve 1911-1912, Babë Duda luftoi me atdhetarë për rritjen e lëvizjes së armatosur me çetat e Hysen e Servet Zaloshnjes, Medin Gllavës e Kamber Velabishtit në Skrapar, Tërpan, Shpirag e gjetkë. Më 23 korrik 1912 u mblodh Kuvendi i Sinjës me përfaqësues të çetave kryengritëse të Jugut, mes tyre dhe Babë Duda. Memorandumi i Sinjës synoi pavarësinë e Shqipërisë. Në këtë frymë patriotike erdhi Kuvendi i Vlorës. Beratasit në vlerësim të veprës së mësuesit të shqipes e zgjodhën delegat 72-vjecarin Jorgji Karbunara në Kuvendin e Vlorës të 28 nëntor 1912 ku edhe nënshkroi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë me siglën J. Karbunara. Kuvendi e zgjodhi dhe anëtar të “Pleqësisë”. Në AQ, në fondin e Qeverisë së Vlorës ndodhet përshkrimi i firmosjes së Aktit të pavarësisë nga 40 delegatët patriotë.

Periudha pas Pavarësisë që kaloi ishte shumë e vështirë për Babë Dudën. Mësuesi atdhetar, përfaqësues i Beratit në Kuvendin e Vlorës në moshë të thyer u torturua mizorisht nga mercenarët e Esat Toptanit. Përveç se i shkatërruan pasurinë në vitin 1915, rebelët e Haxhi Qamilit kur hynë në Berat e kapën, e hoqën zvarrë në qytet duke e rrahur me shkop. Nga kjo dhunë, Babë Duda ishte në gjendje të rëndë shendetësore deri në fund të jetës. U nda nga jeta më 17 dhjetor 1917, në moshën 75-vjeçare.

Në shenjë mirënjohjeje populli i Beratit, më 27 nëntor 1937, i ngriti Babë Dudës bustin e mermertë, vepër e skulptorit Dhimitër Çani, në sheshin e vogël që sot mban emrin “Babë Duda”. Në përurim u mblodh gjithë qyteti dhe u mbajtën fjalime në kujtim të veprës së tij nga njerëz të thjeshtë dhe autoritetet. Babë Dudë Karbunara mban titullin e lartë “Mësues i Popullit”. Një nga shkollat e mesme të qytetit të Beratit mban emrin “Babë Dudë Karbunara”. (Vikipedia)

Kontrolloni gjithashtu

Nermin Vlora – Falaschi (1921-2004)

Nermin Vlora-Falaschi ( 1921- 2004), studiuese e zellshme dhe intelektuale e dalluar shqiptare

Nermin Vlora – Falaschi lindi më 18 prill të vitit 1921 në Tiranë. Filloi nxënien …