KEK
Fillimi / Kultura / Baki Ymeri : Visar Dodani dhe kujtimet e tij

Baki Ymeri : Visar Dodani dhe kujtimet e tij

JEMI BIJ TË NJË KOMBI QË NA E NDEZ ZEMRËN ME NJË ZJARR TË SHENJTË 

Porsi gjaku dhe fryma që janë shpirti i njeriut, gazetat dhe dituria janë shpirti i një kombi 

Duke i falënderuar birit të një rilindasi korçar (Thanas Kristo Rëmbeci), para ca vitesh na ra në dorë një libër i vjetër dhe i rrallë: “Memorjet e mija” (Kujtime mbi zhvillimet a para të Rilindjes së Kombit Shqiptar në Bukuresht). Kjo vepër e një rëndësie të jashtëzakonshme albanologjike, u botua para 78 vitesh në Shtypshkronjën “Albania” të Konstancës (1930). Autori i saj, Visar Dodani, ishte një nga figurat më të shquara historike të atdhetarizmit shqiptar në Rumani. U Lind në Korçë, më 1857, dhe vdiq në Bukuresht, diku nga vitet ’40, pas një periudhe të përbujshme publicistike, letare e kombëtare. Shkollimin fillestar, në gjuhën greke, e kreu në Korçë, në vitin 1878. Qysh si i ri, filloi të merret me tregti: Blente fasule dhe lëkura dhensh, dhe ia dërgonte Mihal Lakos në Selanik, i cili i shiste për llogari të përbashkët. Sipas tij, “ajo që ia shtyu dëshirën e madhe për të lexuar dhe shkruar shqip, është “Bleta Shqiptare” e Thimi Mitkos”. 
I frymëzuar nga kryevepra e atëhershme e folklorit shqiptar, Dodani bën përpjekjet e para letrare, me vargje kushtrimi kundër pushtuesve osmanë e grekë, për dëbimin e të cilëvet kërkon karvanë kuajsh: “me fishek’ e me martina”. Në vitin 1882, këto thirrje kryengritëse të botuara, ia sjell nga Korça në Bukuresht Spiro Markua, duke e qortuar: “ Po të na i gjente policia, do të na varnin!”. Përmes Filip Manos, bie në kontakt edhe me vargjet e Hasan Zyko Kamberit, të cilat ia kishte dhënë babait të tij, Baba Shehu i Korçës. Pas shpërnguljes nga Korça në Bukuresht (1878), pati fat t’i lexojë e rilexojë edh poezitë e Nezim Beratit, si dhe dy bibla kishtare: njëra e Pjetër Budit, ndërsa tjetra e shkruar prej priftit katolik gegë, Pjetër Bogdani. Në historiografinë e letërsisë shqiptare Visar Dodani njihet më tepër si emër i cituar se sa si publicist dhe shkrimtar që ka dhënë kontribut të denjë për botime gazetash, librash dhe përkthimesh me vlera të pakontestueshme letrare. 
Autori është i njohur si kundërshtar i Naços, të cilin e fyente, por ishte edhe vetë i fyer, madje edhe i etiketuar nga ana e shkencëtarëve të marksizëm-leninizmit, gjoja se paska bërë “tradhëti” pse paska pranuar “protektoratin italian mbi vendin tonë”. Në të vërtetë, Dodani është njëri ndër tre inisiatorët që e shndërruan Bukureshtin në një qendër patriotike të mërgimtarëve shqiptarë. Në kuadrin e kujtimeve të tij, që i boton në moshën 73 vjeçare, Dodani e konsideron vetveten si “ushtar besnik i paraushtarëvet që rrëmbyen përsëpari në Stamboll, flamurin e luftës së shenjtë, dhe e ngritën lart për ngjalljen e letërsisë sonë kombëtare, si dhe për shpëtimin e Atdheut të dashur nga zgjedha e dyfishtë e Turqve dhe Grekëvet”. Në vitin 1898, boton në Shtypshkronjën e Shqiptarëve në Bukuresht, librin “Mjalt’ e mbletësë”, ndërsa 7 vjet më vonë (më 1905), vëllimin “Tringëllim a sërb e zuzarëvet”, e cila mund të konsiderohet si përmbledhja e parë shqiptare me vjersha satirike. 
Pesë vjet më vonë, më 1910, nën përkujdesjen, zgjedhjen, shqipërimin dhe komentimin e tij, boton në Bukuresht melodramën e Salvatore Kamarines: “Trovatore”. Visar Dodani ishte njëri nga gazetarët më të njohur të Rilindjes, drejtor i të përjavshmes “Shqipëria”, 61 numrat e së cilës dolën në Bukuresht, ndërmjet viteve 1897-99, me artikuj në gjuhën shqipe, rumune dhe frenge”. Faktikisht, “Shqipëria” e tij është “periodiku i parë shqiptar i Rumanisë, që arrin të lidhë urat me botën europiane, qytetërimin dhe kulturën e saj”. Në kuadrin e artikullit “Shqiptarët dhe gazetat”, Dodani thekson faktin se “porsi gjaku dhe fryma që janë shpirti i njeriut, gazetat dhe dituria janë shpirti i një kombi”. 

Vepër me vlera të larta albanologjike

Libri “Memorjet e mija”, pa kurrfarë dyshimi mund të konsiderohet si kryevepra e epistolarisë shqiptare e periudhës interbelike, edhepse autori i saj nuk defilon këtu vetëm si shkrimtar letrash, por edhe si një krijues që din ti rradhisë kronologjikisht ngjarjet dhe letërkëmbimin, duke e nxjerrë në pah atdhetarizmin e një varg personalitetesh historike, që nga vëllezërit Frashëri dhe korçarët e Bukureshtit, e deri te shqiptarët e mëdhenj të diasporës: Spiro Dine, Gavril Dara, Mid’hat Frashëri, Fan Noli, Faik Konica, Dervish Hima, etj. Aty shohin dritën e botimit rreth njëqind letra të tij e të rilindasve tanë, si dhe 40 fotografi me nga një mikro/biografi të figurave më të njohura historike, shqiptare dhe filoshqiptare, me të cilat ka bashkëvepruar “për të parë të realizuar, idealin e shenjtë, që nga viti 1881 dhe më pas”. Libri ka gjithsejt 198 faqe dhe i përkushtohet “Shkëlqesisë së Tij, Mid’hat Frashërit”, të cilin e konsideron si bashkëluftëtar letrar dhe vlastar i familjes së madhe, që qe e zonja të zgjojë “ndjenjat kombëtare ndër kombëtarët e vërtetë që fituan luftën e shenjtë dhe përjetësuan emrin e familjes së Halit Frashërit”. 
Nga artikujt e botuar në shtyp, si dhe nga letrat e ekspedituara në adresë të rilindasve shqiptarë, Dodani njihet për një varg pseudonimesh letrare: Viskë Dodani, Rivas Naiddo, Aiddon, Naiddo, etj. Ai insistonte që përmes kësaj vepre ta njohë për së afërmi lexuesin shqiptar me periudhën e ndritur të Rilindjes Kombëtare, duke ia zhgjuar kështu atij ndjenjat patriotike për fisnikërimin e shpirtit dhe lartësimin e dinjitetit. Libri strukturohet në 16 kapituj. Ndërmjet kapitullit të parë (Kujtimet e para nga Korça) e deri te ai i fundit (Një letrë kryeministrit Fan Noli), defilojnë kujtimet e tij mbi lëvizjet e para në Rumani, ardhjen e Nikolla Naços në Bukuresht, propagandën kombëtare në Korçë, veprimet e shoqërisë “Dituria”, “Përpara Independencës”, “Si u zvordhën patriotët”, etj. Janë këto disa nga titujt e kaptinave të veprës së këtij atdhetari të harruar, të cilin Don Gjin Aladro Katsrioti e nderon “për mëmëdhetarësinë e flaktë, që rritet në shpirtin e tij“. Duke e ndjerë veten të kënaqur për punën që pat bërë në Bukuresht, “për çështjen shpëtimtare të Kombit tonë”, Dodani jep në pasthënie, qëllimin e kësaj vepre: paraqitja e letërkëmbimit që pat me “farë-farësh vëllezër atdhetarë, kombëtarë dhe miq të vyer, dashamirës të kombit tonë”. 
Në kuadrin e parathënies, duke e përkujtuar të madhin Zot, autori bën fjalë për lashtësinë e shqiptarëve, duke shtuar nevojën që përveç trimërisë, duhet edhe dituria: “Po të kishim shkruar gjuhën dhe të dinim istorinë t’onë, se cilët jemi ne, nuku do të armiqësoheshim vëlla me vëlla”. “Për shumë shkaqe u detyruam të largohemi nga vendi t’onë. Shqipëria mbeti pa burra: mënjanë i hëngri kurbeti, më tjatrë anë luftrat për të huajtë”. Pasi mallkon zgjedhën tiranike të grekëve dhe turqve që mbanin kombin në errësirë, duke mbjellur grindjen midis vëllazërisë, autori shpreh keqardhje “pse kishim mbetur posi evgjitrit: pa dituri, pa literaturë”, ngase kështu “kish dashur i Madhi Zot”. 

Si u ndez flaka e shqiptarizmit në qytetin që mban emrin më të bukur të të folurit shqip

Autori arrin në Bukuresht më 4 Mars 1880, pas 17 ditë udhëtimi, ku gjeti punë falë korçarëve me të cilët kishte kaluar djalërinë. U vendos në rrugën Smërdan, te ungji i tij Tërpo, ku ish edhe vëllau i tij Pando Dodani. Smërdani kryqëzohej me do rrugë tjera fqinje (Stavropoles, Lipskani), në kafenetë e të cilavet mblidheshin korçarët dhe vllehët e Arnautllëkut. Të frymëzuar nga profesor Karajani dhe Apostull Margariti, që mbanin letërkëmbim me vëllezërit Frashëri, këta të fundit, kishin filluar të zgjoheshin në pikpamje kombëtare. Vëllezërit Frashëri e përkrahnin çështjen vllahe. Në kuadrin e librit “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë” (Bukuresht, 1899), Samiu i konsideron vllehët si miqët më të mirë të shqiptarëve, parashtron nevojën që ata të bashkohen me shqiptarët “e të ruajnë gjuhën’ e kombërin’ e tyre kuntrë djallëzivet të Grekër(v)et”, duke shtuar se ”në Rumani është bërë e para shoqëri, se atje është hapurë e para shtypëtore, se janë shkelurë të paratë livra shqip. Këtë të mirë Shqipëria nukë do t’ia haronjë Rumanisë, edhe do t’ia çpërblenjë duke dashurë e duke mbajturë mirë Vllhet’ e Shqipërisë”. 
Qëllimi i Karajnit dhe Margaritit ishte që t’i zgjojnë nga gjumi letargjik edhe sivëllezërit e tyre në Maqedoni, Shqipëri dhe Greqi. Kështu, në Nëntor të vitit 1880, Karajani vajti në Romë, për t’i afirmuar aspiratat e një koalicioni shqiptaro-vllah, që do t’i bënte ballë persekutimeve greke. Atje njihet me Françesko Krishpin, politikan i kohës që kishte simpati të madhe ndaj shqiptarëve, ngase edhe vetë, përnga gjaku dhe zemra, ishte shqiptar. Krishpi e fton vllahun në shtëpi, pastaj e dërgon te i nipi i tij, Anton Krispi, “i cili i foli shqip dhe e pyeti për farefar punësh, në të cilat edhe Karajani i-u përgjigj si ay me mirë, punë që e gëzojti shumë Anton Krishpin. Dua të them se asi kohe, dhe aromenjët lëftonin dorë për dore nën dhe me bejlerët shqiptarë të Konstantinopojës, prandaj dhe Sami Frashëri mbante letrë-këmbime me Karajanë” (f.12). 
Duke bërë fjalë për Ligën e Prizrenit, Dodani jep fakte relevante lidhur me bashkëpunimin e vëllezërve Frashëri me arumunët dhe shqiptarët e Bukureshtit, njërin prej të cilëvet e sheh vetë në Bukuresht, te daja i tij, Vasil Tërpo, që kish ardhur me lejen e Sulltanit, për të vajtur në Shqipëri e për të bërë Ligën e Prizrenit, për të shpëtuar Plavën, Gusinë, Matin dhe trojet e tjera shqiptare, të cilavet u kërcënohej rreziku i gllabërimit nga fqinjët. Një konsideratë të veçantë, autori shpreh për Bektashinjtë “dyke truhur fshat më fshat, dhe qytet më qytet, në Toskëri dhe në Gegëri, arinë t’i mbledhin tërë Shqipëtarët me një lehtësirë në këtë “Ligë” (f.12). 
Atdhetarë të flaktë dhe pasanikë me dituri të lartë

Duke shfletuar kronologjikisht faqet e kësaj vepre të çmuar, kuptojmë se tri nga inisiatorët që e ndezën flakën e atdhedashurisë shqiptare në Bukuresht, ishin Thimi Markua, Gjorgji Gjeçua dhe Visar Dodani. Ata mblidheshin shpesh në Rrugën Lipskan, dhe atje, më 1881, vjen një shqiptar nga Stambolli, me një letër të Apostull Margaritit, dhe ia jep Konstantin Belimaçit që mbante restorantit e Gj. Gjeços. Ky ishte Polo Meksi, vëllau i multimilionerit shqiptar, Vangjel Zhapës. Vjente këtu nga Stambolli për ta kërkuar pasurinë e Zhapës, duke hapur një proces gjyqësor, që zgjati 30 vjet. Polo Meksi vjen të mbledhë lajme lidhur me pasuritë e vëllaut të vet. Me të, takohet një herë Dodani te Belimaçi dhe kur kuptojnë përpjekjet që bëjnë arumunët për të krijuar literaturë në gjuhën amtare, u krijua një miqësi e ngushtë mes Gjorgji Gjeços dhe Konstantin Belimaçit. 
Tërë këto biseda, me të vajtur në Stamboll. Polo Meksi ia tregon Naim Frashërit, i cili gëzohet dhe kërkon adresat e shqiptarëve të Bukureshtit që, të inkurajuar nga lëvizja kombëtare vllahe, duke marrë shembullin e tyre, insistojnë që edhe ata të organizohen në fushë të shqiptarizmës. Por, meqë Polo Meksi kishte dyshim te shqiptarët myslimanë, Naimi i jep gjithfarë vjershash përmes të cilavet ia bën më dije se s’janë turq, po shqiptarë të fesë islame, “atdhetarë të flaktë dhe me dituri të lartë”. Një nga vjershat që ia jep Meksit për bashkatdhetarët e krishterë të Bukureshtit, për t’ua nxjerrë frikën nga shqiptarët e një feje tjetër, ishte “Shqipëria” me vargjet si “Pirrua qe nga Shqipëria/ Që po e lëvdon istoria/ Skënderbegu Kastrioti/ Q’u dëftye aq i zoti/ Ishte burr’ i Shqipërisë/ Q’i dha dërmënë Turqisë”. 
Kështu, dalngadalë, si pasojë e cenzurës dhe represioneve osmane, duke mos patur të drejta totale veprimi në fushë të shqiptarizmit, “Drita” shqiptare e Stambollit, hap degën e saj në Bukuresht. “Drita” e Stambollit, faktikisht drejtohej prej një shqiptari të krishterë: Pandeli Sotiri, që do të bëhet më vonë (falë kontributit të shqiptarëve të Bukureshtit), mësuesi i parë i shkollë së parë shqipe në Korçë. Tani hapet korrespondenca me Naimin dhe Samiun, të cilët kishin interesim t’i botojnë veprat e veta në Bukuresht, ngase “në Stamboll as që mund të punohet, as që mund të niset një punë e tillë” (f..18), ngase Turqia s’i lente të vëllazërohen shqiptarët midis tyre. Kështu, asokohe: në kohën e Dodanit, lind ideja e hapjes së një shoqërie shqiptare, në kryeqendrën mbretërore të Rumanisë. Autori jep fakte, data, emra, vende: 

Anastas Avramidhi i dhuroi Shoqërisë dymijë leja

Gjeçua kish të jatin, Vangjo Gjeçon, tregtar i vjetër në Bukuresht, që kish shpëtuar nam shqiptarësh nga varfëria. Të gjithë i thonin Usta Vangjeli. Dodani kish poashtu katër dajallarë (vëllezërit Tarpo), të ardhur këtu që nga viti 1863, të gjithë tregtarë të pasur e të zellshëm. Thimi Markua poashtu kish miq të shumtë e të ndershëm. Ata kishin pastaj dhe Anastas Lakçen, milionar i përmendur edhe në Historinë e Popullit Shqiptar. Përhapet fjala se ishin ndërmarrë hapat e parë të bashkëveprimit me vëllezërit Frashëri në Stamboll. Të gjithëve u doli frika dhe kështu, thirrin një mbledhje në shtëpi të Vasil Tërpos, në të cilën u vunë bazat për themelimin e një shoqërie të vogël, për të shtypur libra në gjuhën shqipe, dhe ia vunë emrin “Deg’ e shoqërisë së Stambollit për vivlla shqipe”. 
Në kuadrin e kapitullit “Krijimi i Shoqërisë “Drita” në Bukuresht, përmendet Konstantin Eftimiu, një tregtar i madh dhe i njohur në qarqet qeveritare, të cilit i dëgjohej fjala kudo. Ai kish dhe një nip, Spiro Eftimiun, i cili poashtu pranoi të hyjë në shoqëri. Shoqëria filloi të forcohet dita-ditës, me shqiptarë të shumtë, e me njerëz me rëndësi. Më 1844, mbahet një mbledhje e shoqërisë së vogël, dhe pagëzohet tani me emrin “Drita”, me statut të ri dhe me kryetar Anastas Avramidh Lakçen, me nënkryetar, arkëtar dhe këshilltar, njëri ndër ta duke qenë edhe Visar Dodani. Me këtë rast u hap një listë për të mbledhur fondin e parë. Me këtë rast grumbullohen të hollat prej 3.725 leja, prej të cilavet më i pasuri, plaku milionar Anastas Avramidhi, i dhuroi shoqërisë dymijë leja. Çështja shqiptare, sipas autorit, merr nga e mbara, duke patur si mbështetje, pos tregtarëve shqiptarë të mëdhenj e të pafrikshëm, edhe përkrahjen, dashamirësinë dhe zemërgjerësinë e qeverisë rumune. Përmes Jani Vretos, Pandeli Sotirit etj. krijohen lidhjet mes atdhetarëve të Bukureshtit dhe atyre të Stambollit. Shoqëria i dha Vretos 20 napolona të shkojë në Egjypt e të hapë edhe atje një shoqëri për qëllime kulturore, letrare e kombëtare. 
Në kaptinën e tretë, autori bën fjalë për ardhjen e Naços në Bukuresht, ndaj të cilit shpreh antipati pse u ndërlidh me qeveritarët e këtushëm, e sulmoi Konstantin Eftimiun dhe krijoi një gjendje konfuze në rradhët e shoqërisë, si pasojë e së cilës do të vijë deri te shpërbërja e saj dhe lindja e dy shoqërive të reja: “Drita” e N.. Naços dhe “Diturija”. Dodani e fshikullon Naçon dhe bashkëmendimtarët e tij nga pozita opozicioniste, duke kaluar nga tabori i “Dritës” në atë të “Diturisë”. Naçua megjithë fshikullimet alegorike që pat përjetuar nga Dodani, edhe në broshurën “Tringëllim(ë) e zuzarëve”, do të mbetet fugura qëndrore dhe apostull i shqiptarizmit në Rumani. Ai nuk hynte as në kategorinë e shqiptarëve që ëndërrojnë “të hanë, të pinë dhe pa punë të rrinë”, as në atë që atyre që presin një fjalë: “që bakshishi të dalë”, dhe as në atë të atyre “që s’kanë frikë fare,/ dhe janë bërë kaq të liq,/ sa kur duan të bëjnë pare,/ hyjnë në çdo rrezik. 

Naimi i ftonte shqiptarët në fe të shqiptarizmit

Nga rradha e bashkatdhetarëve që kanë dhënë kontribut të shenjtë për realizimin e idealeve të larta të kësaj periudhe, Dodani i prezenton me fotografi dhe vlerësime karakteristike: Abdyl Frashërin (“Shpirt-ndrituri që në rininë e tij ish falur ndë çështjen e madhe të përlindjes së Shqipërisë”); Naim Frashërin, (“që e mbushi Shqipërinë me vivlla shqipe”, “bir i zgjedhur i Shqipërisë”, që i ftonte shqiptarët: “në fe të shqiptarismës”); Sami Frashërin (“i pari që mbajti letrë-këmbim me kombëtarët nisjatorë të Bukureshtit”); Louis Benloew (“Një nga më të mëdhenjtë filologë të Francës. Filoshqiptar i ndezur. Si doktor filolog ka folur shumë për gjuhën shqipe me anë të së cilës ka zhgjidhur gjërëra të hershme për dituri të larta”); Luigj Gurakuqi (“Atdhetar i dëgjuar me famë për kombëtarësinë e tij, luftëtar i madh dhe mik i pandarë i të madhit burrë Ismail Qemal Vlorës”). Në kuadrin e kësaj vepre, autori i nderon me nga një medalion dhe fotografi, edhe shqiptarët e Bukureshtit. Po i citojmë vetëm disa: 
Anastas Avramidh Lakçja (“Mirëbërësi i Korçës, i pari plak milionar që inkurajoi idealet e inisiatorëve të çështjes së shenjtë”); Thimi Markua (“një nga tri nisjatorët e lëvizjes kombëtare në Bukuresht më 1881”, “i nderuar dhe i dashur nga gjithë atdhetarët, këtu dhe në atdhe”, një nga shqiptarët “më të pasur, më të pashitur dhe më të pafajshëm”); Vasil Tërpua (“shpirtndrituri, direku i çelniktë dhe promotori i lëvizjes kombëtare për ngjalljen e letraturës shqipëtare.”); Thanas Harito (“direk i fortë i idhesë së shenjtë”, në shtëpinë e të cilit pat banuar edhe Asdreni, para se të shkojë në botën e hijeve); Diamandi Tarpo (mirëbërës i shquar që la me testament krejt pasurinë për çështjen e Atdheut. Atdhetari që dha shtëpinë në Korçë për hapjen e Shkollës së parë shqipe (1887); Pandeli Evangjeli (“karakter i urtë, i duruar, i ndershëm, kujdestar i madh për përparimin e çështjes së shenjtë. Kombëtar i zgjedhur, i mësuar, i matur, që këtu në Bukuresht, nuku bëri dot asnjë armik”.). 
Letrat e para, drejtuar nga Stambolli në adresë të Dodanit në Bukuresht, që i paraqet kjo vepër, janë ato të Sami dhe Naim Frashërit. Pos tjerash, në to bëhet fjalë për Pandeli Sotirin “i cili u nis për në Korçë të bëhet mësonjëtor”, për porosinë e “vivllave” me postë, nga 20 a 30 për çdo javë, dhe atë në adresë të Selanikut, prej nga do ti marrë njeriu i Sotirit, e do t’ia dërgojë atij në Korçë; për përpjekjet e poshtra të pushtetit osman, i cili do që të shkruajnë e të këndojnë shqip të krishterët, po nuku do që të përzjehen edhe musullmanët, të cilët i kanë për tyrq e s’duanë t’u ndahenë”(10 shkurt 1887). Pasojnë letrat e Efthim Markos me një parathënie mbi mbledhjen e parë të shqiptarëve të Bukureshtit (1884), ku plaku Anastas Avramidhi Lakçe, për të parën herë shikon bashkatdhetarë mbledhur tok për një qëllim të lartë e të shenjtë, “gjithë plot gëzim e entusiasmë, dyke përshëndoshur e uruar njëri-jatrin, e dyke sjellë nderë të mëdha plakut milionar”. 

Zoti e bekoftë Shoqërinë dhe Vëllazërinë në punë të mbara! 

I entuziazmuar pa masë për këtë inisiativë fisnike që jipte shpresa të mëdha, atij i kujtohet fakti se një shok i tij korçar, Jovan Banka, edhe ai i pamartuar, po atë kohë, krejt pasurinë e tij e kishte dhuruar në Greqi, duke u bërë i famshëm. Tani, Lakçeja këshillohet me ne, thekson Dodani, dhe premton që edhe ai të bëjë një të mirë për kombin shqiptar. Kështu, në mbledhjen e dytë që u bë me 300 shqiptarë, kur u themelua shoqëria “Drita”, plaku u shfaq me zjarr të madh, që ay të falë gjithë gjënë, për ngjalljen e literaturës kombëtare shqipe”(f.37). Në një letër tjetër, E. Markua e njofton Dodanin për entiziazmin e shqiptarëve të Greqisë, të cilët urojnë për shkollën dhe na lusin “t’u dërgojmë nga një vivllë për të gjithë”. 
Vazhdon korrespondenca me vëllezërit Frashëri, të cilët më 16 maj 1887, i shkruajnë Dodanit në Bukuresht: “shtypëshkronja të mos mbylletë kurrë, se kjo do t’(n)a bëjë shqipëtarë të mbaruar (përsosur). Në gas të math jemi që shohëm se pun’ e mbarë zu fill sërish. Përqafojmë gjithë vëllazërit e shoqërive që përpiqen për punë të mbarë e të perëndishme, edhe u jemi për jetë nënë barë. Zot i vërtetë e bekoftë shoqërinë e vëllazërinë dhe punën e sjelltë djathtazi”(f.47). Jovan Kosturi e lajmëron Dodanin për hapjen e shkollave nëpër Shqipëri, duke numëruar Korçën, Pogradecin, Elbasanin, madje edhe fshatra si Treska, Polena, Luarasi, Erseka, Leskoviku etj. ku shqiptarët e rinj, kanë filluar të mësojnë shqip.Një vjet më vonë, Eftim Mitkua, e këshillon nga Egjypti Dodanin: “Mblidhi vëllazërisht të gjithë, trimëroji…sa me mund që të mos na marrin nëpër këmbë grekërit, (ngase) ne jemi palca e kombeve të Ballkanit, dhe Europa e di mirë. Po duhet edhe neve vetë të dëftehemi se ron Shqipëria e nuk u tret” (f.48). 
Në kuadrin e veprimeve të shoqërisë “Dituria”, me kryetar Kostaq Duron, Visar Dodani paraqitet si “shkronjëtor”. Si në kuadrin e “Dritës”, poashtu edhe në këtë të “Diturisë”, krahas shqitarëve tjerë të pasur, edhe vëllezërit Dodani figurojnë si donatorë. Ndër më të shquarit në këtë drejtim ishte Erakli Duro, pronar i madh dhe mirëbërës i shoqërisë, i cili, sipas një dorëshkrimi të pabotuar të Dhimitër Kristo Rëmbecit, vdiq në vitin 1914. Para se të vdesë, duke patur besim të plotë, ia la amanet kunatit të tij, Kristo Kotadit, t’ia plotsojë dëshirën e fundit, që nga të ardhurat e birarisë në rrugën Belvedere (400.000 leja) të bëjë një vepër të madhe: ngritjen e një spitalit në Korçë, që do të mbajë emrin e tij: Erakli Duro, si dhe porosinë që nga të ardhurat e tjera, të mbahet spitali. Kristoja iu lut Eraklit t’i japë një afat prej 10 vjet, që të përfitojë edhe ai nga përdorimi i kësaj sume, por, për fat të keq, dëshira e tij nuk u plotsua. Spitali nuk u ngrit. Këtë pabesi të Kristaq Kotadit, e përmend me shkrim, edhe një korçar tjetër: prof. Dhimitër Polena. 

Nami i shqiptarëve të Bukureshtit arriti deri në Amerikë 

Kaptinës së gjashtë të kësaj vepre, i paraprin teksti “Nga arësimi në kryengritje”, me një varg komplimentesh në adresë të shqiptarëve të Bukureshtit, nami i të cilëvet arriti në krejt qytetet ku rrojnë shqiptarët, në Shqipëri, Evropë, Amerikë e gjetiu. Ndjenjat kombëtare të popullit shqiptar, u përqafuan me një ngrohtësi të mrekullueshme. “Vëllazërimi ndërmjet shqiptarëve muslimanë dhe të krishterë zuri rrënjë të thella, dhe ngjarjet e jashtme bashkë me tiranitë e halldupeve të brendshme, i forcojnë kaq shumë shqiptarët, sa zjarri e kaploi Pejën, Gjakovën, Prizrenin, Gucinë, Tetovën, Prishtinën dhe të gjitha anët. Klubet dhe shoqëritë për literaturë në Shqipëri, u kthyen në shoqëri të fshehta revolucionare. Në të gjitha anët, lëvizje kryengritëse. Guverna otomane dërgonte njerëz shumë me premtime të reformave(…). Riza bej Gjakova shpall një proklamatë, duke dëftuar (të vërtetën) se “turku na ve të vritemi vetëm për te, por ndonjë mirësi për Shqipërinë s’i kujtohet (ta bëjë)”. Shtypi i Evropës po kallzonte si shqiptarët po ngriten kundër qeverisë osmane. “La nazione albanese” dëften të këqiat që heq kombi shqiptar nga turqit. De Rada, Anselmo Lorechio, ngrehin zërin, duke treguar vuajtjet e pambarueshme të popullit”(f.58-59). Shtypi shqiptar dhe çështja kombëtare; Mid’hat Frashëri dhe çështja e shkronjave; Zjarri u ndez në të katër anët; Shqiptarët e Italisë në valle; Letërkëmbime me Gavril Darën, Spiro Dinen, Jashar Erebarën, Faik Konicën; Don Gjin Aladro Kastriotin, Pandele Evangjelin, Dervish Himën, Gjergj Qiriazin, Fan Nolin dhe patriotë të tjerë, janë kaptina të veçanta, të kësaj monografie të shkëlqyer me karakter epistolar. 

Jemi bij të një kombi të pamposhtur 

Gavril Dara (më 19 Maj 1898), ia përkujton faktin se jemi bij të një kombi të pamundur, të një kombi që na e përkujton atdheun që na e ndez zemrën, me një zjarr të shenjtëruar. Spiro Dine (14 mars 1898) shpreh keqardhje për fatin se “në mëmëdheun tonë, gjendemi në një rrezik të madh”. Midf’hat Frashëri ia zë për të madhe pse nuk e ze në gojë emrin e Kristoforidhit midis fotografive që do të vejë në këtë vepër, dhe ka frikë “mos harrohet ky mëmëdhetar që na ka bërë aq shërbime të mëdha për gjuhën”. Për Ali Pashën thot se “ia ngjeth mishtë”, se “ky njeri është fytyr’ e pabesisë dhe e ligësisë”. Murat Toptani i shkruan se “Ëndërr e italianëve është të kenë Adriatikun e lirë, se po qe të jetë në dorë t’Austrisë, s’u punon më tregtia” (f.81). Faik Konica e konsideron si “vëlla dhe mëmëdhetar i ndershëm”. Njësoj si me Naçon, pothuajse në të njëjtën periudhë, Faiku me Dodanin këmbejnë pesë letra (1897-1901). Edhe ky, shpreh keqardhje për të pasurit që s’ndihmojnë dhe për të papasurit që s’punojnë. Dodani e kritikon “Albaninë” e Konicës duke e pyetur: “Ç’do me thënë :”Ca zotërinj hapin udhën e orthodhoksisë ruse”, duke ia përkujtuar më tej dëshprimin që e bëri të largohet nga Shqipëria e të kërkojë trashëgime nga pushtetet fqinje, duke i shkruar pastaj se “diplomacia është shtatë hile dhe një trimëri” dhe se “Shqipëria (duhet) të jetë për Shqipëtarët”(9 Maj 1899). Faiku megjithatë, nuk zemërohet nga një ton i ashpër i Dodanit, duke i admiruar letrat e tij për hirë të faktit se janë të shkruara pa hipokrizi. Në një letër (11 Qershor 1898), Konica shpreh dyshim ndaj Pandeli Evangjelit “mos është i paguar prej grekërve, për të ndaluar përparimin e vetëndjesës kombëtare të Shqipëtarëve. Prandaj ky zot-thonë mëmëdhetarët, as ndih nonjë punë për shqipen, as përkujdeset të mirësohet shkolla e Korçës, as shtyp shpejt bibllat q’i dërgojnë, të cilat i mban muaj e vjet pa çpallur” (f.88). 

Më 16 Qershor, Konica shprehet: “Kemi qindëra mijë shqipëtarë fanatikë: Si të bëjmë: duhet një ditëtore(gazetë) që të punojnë me të tillë mënyrë që t’u pëlqejë këtyre njerësve”, ndërsa Dodani ia kthen përgjigjen se Pandeliu nuk është i shitur, se intrigat e tilla i kurdisin “shokët e Naços apo ndonjë grekoman”. Në letrat tjera, Faiku proteston kundër njëfarë italiani, i quajtur Baldaci, që paska shkruar gjoja se “shqiptarët janë egërsira dhe egërsira”. I fshikullon pastaj “këmbë-lëpirësit e Sulltanit”, ndërsa Dodani shpreh keqardhje për ata shqiptarë që hahen si qenj mes vedi, duke ngritur lart karakterin e shqiptarëve të Italisë, “që janë të paqmë”. 

Zoti ju shpërbleftë me njëmijë të mira! 

Në kuadrin e kaptinës së IX-të, mes letrave të ndryshme, figuron edhe një letër e Çajupit (4 tetor 1898), që ia dërgon nga Kajroja. Ia bën me dije se i dërgon 25 franga parapagim për gazetën ”Shqipëria”, dhe e lut Dodanin t’ia dërgojë dy vëllime të Historisë së Skënderbeut, të Naim Frashërit, “të cilin pata rastin t’a njoh personalisht në Stamboll, ku kam një xhaxha avukat të qojtur Gjorgjes Tchako”(109). Një vit para shpalljes së Pavarësisë, Fan Noli e përkujton nga Bostoni Dodanin me një përzemërsi të veçantë: “ I nderçim Zoti Dodani! Ju përhironj nxehtësisht për pritjen e mirë që më bëtë në Bukuresht, për simpathinë që më dëftyet, për natën e paharruarëshme që shkuam bashkë dyke kënduar “Serben e Zuzarëve”, dhe për ndihmën fisnike që më dhatë për librën fetare. Zoti Ju shpërbleftë me njëmijë të mira. Dyke ju uruar motin e ri të mbarë, mbetem Juaji me besë, F. S. Noli”. Një rëndësi specifike ka edhe korrespondenca e Dodanit Me Luigj Gurakuqin, në një kohë kur bëheshin përpjekje madhore për lirinë dhe pavarësinë e popullit shqiptar, atëherë kur dita-ditës shkrepëtinin dritat e një lëvizjeje të organizuar, për ta zgjuar trimërinë e tij, nga letargjia e robërisë. Letrat që bashkatdhetarët ia dërgojnë Dodanit në Bukuresht, janë të larmishme, emocionuese, mbresëlënëse dhe me kulminacione të shumta të atdhedashurisë. “Me gëzim të madh, shkruan Gurakuqi, munt të ju them, të gjithë Shqipëtarët, si brenda dhe si jasht Shqipnies, janë me një mendim që lipset bërë një çap i përbashkët për të kërkuar ato të drejta për të cilat sot ka nevojë kombi shqipëtar e janë: njohtja e kombësies s’onë ndë një mënyrë zyrtare si nga Turqia si nga Europa, liri për popullin t’onë të ketë shkollat e tija e të munt të mësohet e të qytetërohet në gjuhën e vete” (Nicë, 98 Kollozhek 1912). 

Mëmëdheut ka nevojë për krahinat pjellore që janë të domosdoshme për një Shqipëri Reale! 

Tre vjet më vonë, më 1915, Kristo Luarasi i shkruan Dodanit për ndihmat materiale dhe morale që ia kanë dhënë shqiptarët e pasur të Bukureshtit, “për çështjen e zhvillimit të gjuhës dhe të rrënjosjes së ndjenjave kombëtare te bashkëmëmëdhetarët, që të rritet e madhohet intelektualiteti te kombi ynë. Ky ish qëllimi im, qe 20 vjet e këtej, dhe jo për të rrëmbyer para nga të pasurit me të pahirë. Lexoni lutjet që bëjmë përditë. Këta njerëz duhet të ndiqen dhe të bëhen letra kudo, (nga)se muarnë më qafë disa djem, të cilëve jua prishnë moralin”. 

Një dokument të rëndësishëm historik, që e botoi autori në këtë vepër (f.133-137), është edhe memorandumi i shqiptarëve të Zvicrës, drejtuar në tetor të vitit 1918, “Shkëlqesisë së Tij Zotit Baron Sonnino, Ministër i Punëve të Jashtme të Italisë”, përmes të cilit i bëhet e ditur se “në pjestimin tokësor të Ballkanit, më 1913, Vendi i ynë u sakrifikua për dobi të fqinjëve të tij, e kjo ngjau nga shkaku që duhej të mënjanohej me çdo sakrificë, rreziku i luftës evropiane që mund të kërciste. Por, tashti që kjo luftë është duke marrë fund me triumfin e Drejtësisë së gjithë popujve, ne jemi plotsisht të bindur se, sipas Drejtësisë, kanë t’i kthehen prap Mëmëdheut krahinat pjellore që janë të domosdoshme për një Shqipëri jetore (reale)”. Ndër autorët e kësaj kërkese, figuron edhe emri i Visar Dodanit, i cili e botoi me një koment, në njërin nga numrat e “Kuvendit”, po atë vit (1918), në muajin Nëntor. 

Letra e fundit, ndër letrat e panumërta të Dodanit, është ajo që ia dërgon Kryeministrit të Shqipërisë në Tiranë, Fan Nolit, më 14 Gusht të vitit 1924. Pasi ia bën më dije se jeton qe 40 vjet në Bukuresht, ku ka ndjekur politikën e këtij vendi, e lavdëron kryeministrin Brëtianu, i cili “me vullnet, kurajo, urtësi dhe diplomaci, zgjodhi grurën nga genkoli dhe bëri për vete trimat dhe të drejtit dhe e fitoi Rumaninë, e cila sot shndrit në Ballkan”. Me këtë insistonte t’i thotë se Ahmed Zogu është i zoti, por “i rrethuar me shokë të liq”, se po qe se e bën për vete Luigj Gurakuqin, atëherë do t’ua thyej kockat fanatizmës së bejlerëve, bagëtive të kombit, dhe Shqipëria do të hyjë në dashuri dhe do të forcohet në demokraci”. 

Në vend të përgjigjes, merr një falënderim të ekspedituar nga ana e sekretarit të tij (Anton Frashërit), gjë për të cilën Dodani e ndjen veten të fyer dhe shton se “përgjigja e tij shqip, do të thotë: ç’na çan kokën”(f.192). “Ç’na çan kokën!” mund të thotë për ne ndonjë fanatik që se ka kuptuar të vërtetën se historia jonë, edhe në pikpamje të letërkëmbimit, është plot shembuj të krenarisë shqiptare. Një ndër to është edhe vepra e Visar Dodanit: “Memorjet e mija”, e cila meriton një ribotim dhe një recension më të përsosur nga ana e specialistëve me përvojë. Megjithatë, lexuesit e rëndomtë, shpresojmë se do t’i mirëkuptojnë mesazhet e këtij shkrimtari minor, si dhe përpjekjet tona modeste për t’ia prezentuar opinionit shqiptar, duke ia ripërkujtuar faktin, se jemi bij të një kombi, që na e ndez zemrën, me një zjarr të shenjtë. 

Një letër historike e Niko Vrapit drejtuar Nikolla Naços para 110 vitesh “Një mëmëdhetar me dëshira të zjarrta dhe ndjenja të larta kombiare, një shqiptar mëmëdhetar që s’mejton tjetër veç kombin, gjuhën dhe mëmëdhenë” 

Konstantinopojë, Më 4 të Shkurtit 1899 
Mëmëdhetar i ndershëm! 
Sado që s’kemi nderë të njohim Zotrin tuaj, po emrin Naço ç’do shqiptar e di dhe e kujton me nder të madh, duke dëgjuarë mëmëdhetarin e tia dhe nderin e madh që ka për kombin shqiptar, dhe i cili don me thënë një mëmëdhetar me dëshira të zjarta dhe me ndjenja të larta kombiare. Duke prurë përpara syvet të tëra këto që thamë, nuk pamë tjatrë veç dëshirës që të kishim për t’u njohur duke shkruarë kështu një kartë Zotris suaj. 
Me gëzim të madh shumë e fort të gëzuarë nga gjith zemra muarëm lajmin.që nxuartë një ditëtore gazete në dritë me emrin Shqipëtari.. Kur dëgjuamë këtë punë gëzim i madh që ndjemë nuk jua dëftejmë dot, si dhe për të gjitha ditëtoret shqip, po për Shqiptarin e Zotit Naço ndjemë një gëzim fort të madh duke ditur që Shqiptari i Zotris Suaj nuk do të dëmtojë të tjera ditëtore, duke ditur që ini një shqiptar mëmëdhetar i vërtetë që s’mejton tjetër gjë veç (për) kombin, gjuhën dhe mëmëdhenë. Ju urojmë nga gjith zemra dhe i lutemi Zotit t’u apë mbarësi, mbrothësi dhe dëshira të larta. Ditëtoret shqip që dalin në dritë sot janë shenja të bukura dhe fort të nevojshme për kombin shqiptar i cili sot për sot ka nevojë të madhe për mësim, ashtu si dhe për të shpëtuar nga tirania dhe të marë lirinë. Ah sa i ëmbël do të jetë ajo ditë kur (do) shohim vetvetinë! Zoti na dhëntë dëshirë, bashkim dhe fat të mbarë! 
Jemi fort të paduruarë sa të shohim Shqiptarin e Zotrisë s’ate, prandaj u lutemi të na dërgoni disa copa nga fletët e para që doli në dritë për çka lipset që të bëhemi të abonuar dhe të marrim për herë e të këndojmë me gas të madh. Të kërkuamë disa copa se duamë të dërgojmë dhe në Shqipëri për të përhapur. Ky shërbim është fort i madh për ne, po me këto të mëdha shërbime që të na vijnë në dorë s’kemi lënë dhe s’do të lemë asnjë çast pa e shërbyerë mirë e më mirë kombin dhe gjuhën e mëmëdhenë. U lutemi të (na) shkruani dhe për vivlla (libra) shqip (që) kini aty se duamë të marim ca. Adresën time po jua shkruajmë poshtë, duke pritur me padurim përgjigjen e Zotrisë mëmëdhetar me zemër të zjarrtë. Stamboll, Niko Vrapi (Poste restante au bureau Autrichien) Constantinople. (E gjeti në Bukuresht: B. Y.)

Kontrolloni gjithashtu

As shiu nuk e ndali përformancën e “Shqiponjës”, në natën e dytë të festivalit “Hasi jehon”

Festivalit “Hasi Jehon” propozohet që të merr statusin e asetit në Mbrojtje të Përhershme

Mbrëmë, në Shtëpinë e Kulturës “Reshat Çoçaj” ka nisur edicioni i 32 e Festivalit “Hasi ...