Banka Botërore përkrahë Programin e Ekonomisë Digjitale në Kosovë (KODE)

Banka Botërore është duke e përkrahur Qeverinë e Kosovës në definimin e Programit të Ekonomisë Digjitale në Kosovë (KODE). KODE është masë prioritare për periudhën 2016-2018 e përcaktuar në Programin për Reformë Ekonomike të Qeverisë së Kosovës. Programi KODE do t’ia mundësojë Kosovës realizimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës përmes shfrytëzimit më të madh të infrastrukturës së internetit brezgjërë dhe zhvillimin e bizneseve digjitale dhe shkathtësive digjitale që do të jenë konkurruese globalisht.

Ekonomia e Kosovës gjatë disa viteve të fundit ka dëshmuar rritje në masë të madhe gjithëpërfshirëse. Tani, ekziston mundësia e ndërtimit të një ekonomie konkurruese, e cila do të jetë produktive dhe do të krijojë më shumë vende të punës, në veçanti në komunitete rurale dhe për gratë, duke qenë se këto komunitete gëzojnë nivele më të ulëta të pjesëmarrjes në fuqi punëtore se sa në rajon. Programi KODE mëton të ndërtojë infrastrukturën, shkathtësitë, dhe të zhvillojë biznese punëkrijuese, të cilat do të rezultojnë me eksporte me vlerë më të lartë dhe do të nxisin përfshirjen e banorëve të viseve rurale dhe femrave në ekonominë digjitale globale.

Si pjesë e dialogut aktual për të formësuar Programin, Banka Botërore dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik kanë organizuar një eveniment dyditor, të quajtur Konferenca Kombëtare mbi Programin e Ekonomisë Digjitale në Kosovë (KODE), më 21-22 qershor 2016. Ky eveniment ka grumbulluar disa ministri, kompani të telekomunikacionit dhe TI, shoqata industriale dhe përfaqësues të botës akademike.

Konferenca ngërthente diskutime mbi zhvillimin e infrastrukturës së internetit në vend. Kjo përfshinte identifikimin e rregulloreve dhe veprimeve prioritare që duhet të ndërmerren për të avancuar kushtet e kyçjes në internet brezgjerë në zona rurale, shkolla, ambulanca dhe instutucione tjera publike në vise rurale  në pajtim me caqet politike të Qeverisë për internetin brezëgjerë për vitin 2020.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, z. Blerand Stavileci, nënvizoi që “Të gjithë në Kosovë do të përfitonin nga zgjerimi i mëtejmë i shërbimeve të internetit brezgjerë me çmime të përballueshme. Bizneset e vogla dhe individët do të kishin qasje në tregje, resurse, informata dhe shërbime më shpejt dhe do të mund të tejkalonin kufijtë shtetëror në kërkim të mundësive ekonomike. Efekti i kësaj do të jetë më i theksuar në komunitete rurale, të cilat në të kaluarën nuk kanë qenë pjesë e ekonomisë digjitale globale.”

Diskutimi gjithashtu u fokusua në atë se si ekonomia digjitale do të përmirësojë punësimin në Kosovë, duke krijuar më shumë vende të punës, që janë më të mira dhe më përfshirëse. Në këtë pikë, Banka Botërore ka paraqitur gjetjet e një raporti të ri mbi Shkathtësitë për Vende të Punës në Ekonomi Digjitale, dhe rezultatet e përkohshme të pilot projektit Gratë në Punë në Internet (WoW).

Raporti Shkathtësitë për Vende të Punës në Ekonomi Digjitale pasqyron një seri konsultimesh të kryera përgjatë një viti me biznese nga fusha e teknologjisë informative në Kosovë. Ai propozon një mekanizëm të mundshëm për një program për avancimin e shkathtësive në pajtim me kërkesën për to në treg, duke përshpejtuar kësisoj rritjen e eksporteve të TIK duke zhvilluar kapacitetet njerëzore në pajtim me nevojat e firmave të krijuara dhe që do të krijohen në të ardhmen. Fokusi këtu vëhet në përfshihen më shumë femra në këtë sektor, përmes përpjekjeve për të ngritur vetëdijen dhe mobilizuar ato. Kjo do të ngushtojë boshllëkun e theksuar gjinor dhe potencialisht mund të shtojë pjesëmarrjen e grave në ekonominë digjitale, ku vendet e punës kanë të ardhura më të larta se sa në sektorët tjerë dhe nga e cila mund të kalohet më lehtë në degë tjera të ekonomisë.

“Ekonomia digjitale mund të luajë rol të theksuar në rritjen e eksporteve të Kosovës, por krijimi i vendeve të reja si rrjedhojë e këtyre eksporteve nuk është automatik,” tha z. Marco Mantovanelli, Menaxher i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë.  “Trajnimi i bazuar në kërkesë, i ngjashëm me atë që është propozuar në raportin Shkathtësitë për Vende të Punës në Ekonomi Digjitale do tu ndihmojë të rinjve, e potencialisht edhe të rejave, të cilat do të sjellin më shumë mundësi dhe përfitime për Kosovën duke hapur mundësi të reja në këtë epokë të ekonomisë informatike globale.”

Gjatë konferencës gjithashtu u paraqitën rezultatet preliminare të pilot projektit WoW të financuar nga Korea Green Growth Trust Fund, e i cili realizohet në dy komuna që nga shkurti i vitit 2016. Programi trajnon femra të reja të cilat inkurajohen të gjejnë dhe kryejnë punë në platformat globale në internet. Diku nga mesi i këtij pilot projekti të trajnuarit veç kanë fituar mbi katërmijë dollarë amerikanë duke ofertuar dhe kryer një sërë punësh që kanë të bëjnë me dizajnin grafik dhe në internet. Rezultatet e këtij pilot projekti do të ndihmojnë në përkufizimin e strategjive më të gjera për të përfshirë më shumë femra në punë digjitale, me ç’rast vendndodhja dhe oraret e tyre të punës do të ishin më fleksibile dhe do tu lejonin më shumë mundësi për tu marrë me obligime familjare dhe shoqërore, duke sjellë potencialisht më shumë gra në fuqinë punëtore.

“Krijimi i vendeve të punës është një nga prioritetet më të mëdha të Kosovës, ndërsa duhet të fokusohemi në pjesëmarrjen dhe produktivitetin e tërë popullatës,” shtoi z. Avdullah Hoti, Ministër i Financave i Kosovës. “Projekti WoW sugjeron se përpjekjet e posaçme për të përfshirë më shumë femra në fuqi punëtore dhe për t’i lidhur ato me burimet globale të kërkesës mund të kenë rezultate pozitive për ato dhe për ekonominë. Ai dëshmon se Kosova ka potencial për të ndërtuar një ekonomi digjitale vibrante që zgjeron mundësitë e punësimit për të rinjtë në tërë vendin.”

Duke e bërë internetin në Kosovë një gjë universale dhe të përballueshme në kuptim të çmimit dhe duke ia adaptuar shkathtësitë e punëkërkuesve dhe bizneseve të vendit kërkesës së tregjeve të eksportit, do të sigurohet transformimi i Kosovës në një ekonomi digjitale. Financimi i këtyre përpjekjeve është siguruar nga Korea Green Growth Trust Fund (2014-2016) dhe Public-Private Advisory Infrastructure Facility (PPIAF).

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi në 25-vjetorin e rënies, ka nderuar kujtimin për luftëtarin e UÇK- së dhe dëshmorin e kombit, Sadri Fazli Krasniqi

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, bashku me familjarë, bashkëpunëtorë e miq, në 25-vjetorin …