Bashkim Avdi Leku (25.10.1972 – 6.8.1998)

Bashkim Avdi Leku (25.10.1972 – 6.8.1998)

Familja Leku nga Baica në Drenicë njihet si familje, e cila në vazhdimësi ka luftuar kundër pushtuesit serb dhe asnjëherë nuk është pajtuar me nënshtrimin dhe poshtërimin që i bëhej popullit të tij. Dera e kësaj familjeje ka dhënë Bahtirin, një demokrat i kohës, i cili u likuidua në vitin 1938. Më 1943, në Hajvali afër Prishtinës, në konfrontim me forcat serbe bie, Ramadan Leku, si anëtar i formacionit të Ballit Kombëtar. Musli Leku, xhaxhai i Bashkimit, ishte luftëtar i brigadave të Shaban Palluzhës, i cili më pas përjetoi golgotën e Tivarit. Kurse, njëri ndër ta që vazhdoi traditën familjare të flijimit për atdhe e që i përkiste brezit të UÇK-së ishte Bashkimi, emri i të cilit u skalit me shkronja të arta.

Bashkim Leku u lind më 25 tetor 1972 në fshatin Baicë, të komunës së Drenasit. Nënë Dinorja dhe babai, Avdiu, kishin nëntë fëmijë, pesë vajza dhe katër djem, e Bashkimi ishte fëmija i pestë me radhë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Drenas, ndërsa studimet i vazhdoi në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës, në grupin e matematikës. Ishte pjesëmarrës në rreshtat e parë të demonstratave të vitit 1991/92 në Prishtinë, Skënderaj e Drenas. Meqenëse për shkak të aktiviteteve atdhetare ishte në vëzhgim të përhershëm të organeve serbe të ndjekjes, u detyrua t’i ndërpresë studimet.
Në varrimin e Enver Morinës, Shani Morinës dhe Sahit Shalës, të cilët kishin rënë në protestat gjithëpopullore në Drenas, më 31 janar të vitit 1990, Bashkimi me shokë ishte betuar se do t’ua marrë hakun shokëve martirë. Te ai u forcua bindja se tanimë kishte ardhur momenti që të bëhen përgatitjet për kryengritje të armatosur. Në vitin 1996, forca të mëdha policore serbe rrethuan shtëpinë e Bashkim Lekut, me ç’rast arrestohet ai me të vëllanë, Demirin, kurse pas disa ditësh torturash e maltretimesh në stacionin famëkeq të policisë në Drenas, ata lirohen.
Më 25 maj të vitit 1996, Adem Jashari me bashkëluftëtarin e tij, Rasim Kiçinën, nuk ishte vetëm mysafir rasti në konakun e Bashkim Lekut. Adem Jashari dhe Rasim Kiçina i shpalosin qëllimin e vizitës dhe që nga ajo natë, dëshmori Bashkim Leku nuk rresht së punuari në masivizimin e radhëve për kryengritje të armatosur çlirimtare. Ai u mor me rekrutimin e popullatës, kryesisht të të rinjve të fshatrave rrëzë Qyqavicës, por edhe në fshatrat Likoc, Llaushë dhe në fshatrat tjera të Drenicës.
Me shpërthimin e luftës në Grykë të Llapushnikut, Bashkimi me 30 luftëtarë iu bashkohet luftëtarëve të njësiteve “Çeliku” e “Guri 3”, duke bërë rezistencë të pashoqe. Në këtë betejë, qindra djem dhe vajza të paarmatosura prisnin që t’u bashkohen radhëve të luftëtarëve të lirisë. Mbase ky do të jetë edhe një motiv më shumë që më 2 korrik të vitit 1998 të niset për në Shqipëri për të sjellë armë në Drenicë, e cila tashmë po digjej në flakën e luftës. Bashkimi përkrah Bedri Shalës dhe Bekim Berishës-Abejës do të vihet në ballë të afër gjashtëqind djemve dhe vashave të reja. Fillimisht ata shkuan në Gllogjan, i cili ishte bërë vatër e rezistencës kundër pushtuesit, por edhe konak për mijëra e mijëra luftëtarë të lirisë, e më pas mësyn Junikun. Mëngjesi i 4 korrikut do t’i zbardhë në Tropojë, ku do të qëndrojnë 18 ditë. Në Tropojë, armatosen dhe i kryejnë stërvitjet, për t’i marrë njohuritë elementare në përdorimin e armëve të kalibrave të ndryshëm.
Me t’u kthyer nga Tropoja, brenda kufirit që ndante atdheun në dysh, në fshatin Jasiq, luftëtarët e lirisë ndeshen me forcat serbe, me ç’rast zhvillohet betejë e ashpër që forcat serbe i shtrëngoi të tërhiqen.
Më 28 korrik 1998, Bashkimi mori pjesë në një betejë tjetër në Junik, u pozicionua në pikën më të rrezikshme, te vendi i quajtur Çok, prej ku u shkaktoi humbje të përditshme forcave të armikut.
Më 6 gusht të vitit 1998, në një përleshje me armikun, dëshmori i kombit u qëllua për vdekje. Trupi i Bashkimit varros në Junik, kurse në njëvjetorin e rënies u rivarros në varrezat e fshatit të lindjes, me nderime të larta ushtarake.
Pas rënies së dëshmorit Bashkim Leku, për ta plotësuar vendin e tij në radhët eUÇK-së u mobilizua i vëllai, Bahriu, kurse nga diaspora kthehet djali i axhës, Ragipi, i cili gjatë luftimeve në Batushë plagoset rëndë. Më vonë kjo plagë ia solli edhe vdekjen. Po kështu, gjatë luftimeve në fshatin e lindjes plagoset edhe djali i xhaxhait të dëshmorit, Besim Leku.
Familja e Bashkim Lekut pas lufte ka marr mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme, kurse për të këndohen këngë dhe janë thurrë vargje poezie. (I. S.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …