BE intensifikon përpjekjet për zbatimin e Planit të Rritjes në Ballkanin Perëndimor

Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, po zhvillon bisedime dyditore në Shkup me liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, me fokus në përshpejtimin e zbatimit të Planit të Rritjes për rajonin. Takimet, ku marrin pjesë përfaqësues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina, synojnë të përqendrohen në reformat kyçe që do të mundësojnë qasjen në fondet e planit dhe do të sjellin përfitime të prekshme për qytetarët, edhe përpara anëtarësimit të vendeve në BE. Aktualisht, Kosova dhe Bosnje e Hercegovina janë dy vendet e vetme që nuk kanë përfituar ende fonde nga kjo nismë. Në kuadër të takimit, Komisioni Evropian do të propozojë një paketë të re investimesh në vlerë prej 87.7 milionë eurosh përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF), që synon të gjenerojë rreth gjysmë miliardi euro në investime private në sektorin e energjisë së pastër. Gjatë ditës së martë pritet të zhvillohen dy panele diskutimi: një për përparimin e Planit të Rritjes dhe një tjetër për mekanizmat konkretë të zbatimit dhe mbështetjes teknike. Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor parashikon 6 miliardë euro mbështetje financiare – 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi të buta – për të nxitur zhvillimin ekonomik, transformimin digjital.

Kontrolloni gjithashtu

Nëntogerja e FSK-së, Vesa Ibrahimi, bëhet gruaja e parë ndërkombëtare që diplomohet në “Ranger School” të SHBA-së

Nëntogerja e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Vesa Ibrahimi, ka hyrë në histori si gruaja …