Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për raportimet se Milan Radoiçiq, i akuzuar në Kosovë për sulmin e armatosur në Banjskë, ka marrë pjesë në një tubim zgjedhor të Partisë Progresive Serbe, në pushtet në Serbi. BE-ja tha se është e zhgënjyer që autoritetet serbe nuk kanë ndërmarrë hapa për t’i nxjerrë para drejtësisë personat e kërkuar nga Kosova. Zëdhënësi i BE-së, Kristijan Vigand, tha se Serbia duhet të bashkëpunojë përmes kanaleve të përcaktuara të asistencës së ndërsjellë dhe se çështja duhet të trajtohet pa vonesa. Reagimi erdhi pas publikimit të pamjeve ku Radoiçiqi raportohet të jetë parë në një tubim të SNS-së, pranë Danilo Vuçiqit, djalit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Jemi të zhgënjyer që Serbia deri më tani nuk ka ndërmarrë hapa për arrestimin dhe procedimin e personave që ndodhen në territorin e saj dhe ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza përkatëse”, tha Vigandi. Ai shtoi se BE-ja pret bashkëpunim të plotë nga Serbia. Radoiçiq është në mesin e 44 personave të akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për sulmin në Banjskë, më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Pas sulmit, Radoiçiqi pranoi se kishte organizuar grupin e armatosur. Prokuroria e Kosovës pretendon se sulmi ishte organizuar nga Serbia, ndërsa Radoiçiqi kishte udhëhequr grupin në terren. BE-ja dhe NATO-ja kanë kërkuar vazhdimisht që përgjegjësit për sulmin të përballen me drejtësinë. Megjithatë, reagimi i fundit i BE-së nuk shoqërohet me njoftimin e ndonjë mase konkrete ndaj Serbisë. Pjesëmarrja e raportuar e Radoiçiqit në një aktivitet të partisë në pushtet e ka rikthyer në vëmendje kërkesën që Beogradi të bashkëpunojë me autoritetet kosovare dhe të sqarojë hapat e ndërmarrë në këtë çështje.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
