BE kufizon takimet me Kurtin në zyrën e Kryeministrisë, por diplomatët në Kosovë vazhdojnë kontaktet zyrtare

Bashkimi Europian tash e tre muaj ka vendosur që zyrtarët e lartë nga Brukseli të mos zhvillojnë takime në zyrën e Kryeministrisë së Kosovës me Albin Kurtin, derisa në vend të formohet një qeveri e re me legjitimitet të plotë. Megjithatë, ky vendim nuk përfshin diplomatët e BE-së të akredituar në Prishtinë. Zëdhënësi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Nikola Gaon, sqaroi se ambasadori Aivo Orav dhe zyrtarë të tjerë të BE-së në vend vazhdojnë detyrat dhe kontaktet e tyre të rregullta me institucionet kosovare. “Siç është theksuar më parë, pas vizitës së Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, zyrtarët e nivelit të lartë nga BE-ja dhe shtetet anëtare nuk do të takohen me zyrtarët e qeverisë në detyrë të Kosovës në ambientet e qeverisë. Megjithatë, kjo nuk vlen për zyrtarët e BE-së të vendosur në Kosovë, përfshirë Ambasadorin Orav”, tha Gaon. Ky vendim vjen në një periudhë pasigurie politike në Kosovë, pas shpalljes nga Gjykata Supreme se një udhëzim administrativ i nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ishte i pavlefshëm, me arsyetimin se ministrat që janë njëkohësisht deputetë nuk mund të nxjerrin akte nënligjore. Sipas raportimeve, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka refuzuar disa takime me diplomatë të lartë që nuk kanë pranuar ta takojnë në zyrë, gjë që ka ngjallur reagime, përfshirë edhe kritika nga ish-ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

Kontrolloni gjithashtu

Memli Krasniqi: Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet në gjykata

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar për pesëvjetorin e arrestimit të …