Arsim Bajrami: 30 SHKELJET E GJYKATËS SPECIALE

Me rastine 5 vjetorit të ngritjes së Aktakuzës ndaj krerëve të UÇK-së, po përserisim studimin për shkeljet materiale dhe procedurale të kësaj Gjykate.
30 SHKELJET E GJYKATËS SPECIALE
Gjykata Speciale ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare penale, duke cënuar proceset e drejtësisë dhe duke injoruar të drejtat themelore të individëve. Më poshtë janë disa nga shkeljet përkatëse:
I
1. Gjykata Speciale është një tendencë e hapur, që përmes këtij procesi, krejtësisht të montuar, ta shtrembërojë të vërtetën për historinë moderne të Kosovës, në radhë të parë dhe ekskluzivisht për ta keqinterpretuar luftën e drejtë çlirimtare, të popullit të Kosovës, luftën për vetëmbrojtje, çlirimin nga sundimi serb, nga gjenocidi shtetëror serb.
2. Për më tepër, Gjykata Speciale, përmes Serbisë, është derivat i Raportit të rremë dhe të falsifikuar të Dick Martyt, dhe kjo, tanimë, dihet botërisht, pra edhe nga drejtësia ndërkombëtare.
3. Pas dekonspirimit të Raportit falsifikues, të Dick Martyt, i sponsorizuar nga Rusia dhe nga Serbia, Këshilli i Evropës dështoi ta thoshte të vërtetën jo vetëm para popullit të Kosovës, por edhe para drejtësisë dhe opinionit ndërkombëtar, për atë mashtrim ordiner. Duke heshtur, qëllimisht, dhe duke e fshehur të vërtetën për inskenimet, mashtrimet e Raportit të Martyt, Këshilli i Evropës krijoi huti në opinionin ndërkombëtar, ndaj e vërteta për Raportin trillues të Dick Martyt u mjegullua, u fsheh. Në këtë mënyrë, me politikat obstruktive edhe të Këshillit të Evropës, tek opinioni botëror u krijuan paragjykime të tmerrshme për luftën tonë çlirimtare. Këshilli i Evropës, edhe sot, vazhdon të heshtë për të vërtetën se lufta e popullit të Kosovës, nën drejtimin e UÇK-së, me veprimet e saj guerile, ishte luftë e drejtë, çlirimtare. Pikërisht UÇK-ja, e cila lindi nga populli, krijoi aleancën diplomatike dhe ushtarake me NATO-n, me ShBA-në. Prandaj, Këshilli i Evropës mban përgjegjësi jo vetëm juridiko-penale, përse lejoi që mbi një Raport të falsifikuar, me ndihmën e drejtpërdrejtë të shtetit serb dhe të aleatëve të saj, të ngrejë aktakuzë ndaj personaliteteve, të cilat, gjatë luftës së Kosovës dhe pas Çlirimit, ishin aleatë diplomatikë dhe ushtarakë të NATO-s, të ShBA-së dhe të shteteve të tjera të Bashkimit Evropian.
4. E formuar me mirëbesim nga Kuvendi i Kosovës, përmes Amendamentit 24 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Gjykata Speciale duhej të zhvillonte një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm, e jo të binte pre e komplotit të shtetit serb në bashkëpunim me Dick Martyn dhe me shërbimet sekrete të Rusisë. Tanimë, procesi gjyqësor, krejt i padrejtë, tendencioz, që po zhvillohet në Gjykatën Speciale në Hagë, kundër çlirimtarëve dhe personaliteteve politike të Kosovës, po dëshmohet se po mbështetet në aktakuzën e rreme, mashtruese, përplot falsifikime, me dëshmitarë të përpunuar, të shantazhuar nga Serbia.
5. Në vend të kësaj, ajo u shndërrua në një Gjykatë diskriminuese dhe monoetnike, e cila pretendon të inkriminojë luftën çlirimtare dhe të drejtë të UÇK-së, duke mos u marrë fare me krimet serbe dhe me gjenocidin shtetëror të Serbisë ndaj popullatës duarthatë të Kosovës. Ushtria serbe, formacionet paraushtarake serbe, gupet kriminale, nën udhëheqjen e Arkanit, vranë mbi 14.000 civilë shqiptarë, në mesin e të cilëve edhe 1.550 fëmijë, ndër ta, më i vogli, gjashtë muajsh nga Komuna e Drenasit.
6. Pavarësisht se kjo Gjykatë pretendon se nuk po gjykohet UÇK-ja, por gjoja “ krimet” individuale të pjesëtarëve të saj, ky është një mashtrim, sepse katër udhëheqësit e saj, të cilët vazhdojnë të jenë në paraburgim, ishin protagonistët eminentë, të procesit të çlirimit, të shtetndërtimit dhe të Pavarësisë së Kosovës.
7. Ne vlerësojmë se qëllimi i këtij gjykimi po merr karakter të hapur dhe shumë të rrezikshëm politik, me synimin e balancimit, qëllimisht, me tendencë, krimet e gjenocidit të Serbisë në Kosovë me ndonjë akt të rastësishëm vandal, të izoluar që mund ta ketë kryer ndonjë individ në kohë lufte, madje duke mos qenë fare pjesëtar i UÇK-së.
8. Edhe pse formalisht është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, deri më tani Gjykata Speciale ka bërë shkelje kushtetuese, ligjore dhe ka shkelur Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sidomos në lidhje me të drejtat e njeriut, prezumicioni i pafajësisë dhe parimet e tjera ndërkombëtare, për një gjykim të drejtë, të paanshëm dhe vetëm mbi bazën e fakteve, dëshmive. Por, jo të inskenojë, të trillojë situata të sajuara në bazë të dëshmive të fabrikuara të shtetit, të prokurorisë serbe dhe të dëshmitarëve të përpunuar të mbrojtur! Këtyre ditëve u bënë publike transkriptimet e bisedave të një dëshmitari shqiptar, tanimë të mbrojtur, me krerët e Shërbimit Sekret të Serbisë, menjëherë në vitet e para të Çlirimit të Kosovës, me ç’rast dëshmitari i Serbisë flet për dëmshpërblimin financiar, me këste mujore, që, për shërbimet e tij, duhej t’ia paguante shteti serb!
9. Për më tepër, Gjykata Speciale ka mohuar çdo bashkëpunim me autoritetet e Kosovës, duke mos e njohur Kushtetutën, simbolet shtetërore dhe legjislacionin e saj. Kjo është një shkelje brutale e Gjykatës Speciale ndaj sovranitetit juridiko-kushtetues të Republikës së Kosovës, Kuvendi i së cilës i miratoi të gjitha aktet nënligjore për themelimin e Gjykatës Speciale.
10. Ne kemi dëshmi se Gjykata Speciale ka vazhduar të zhvillojë bashkëpunim me autoritetet e Serbisë, duke përfshirë Prokurorinë e saj Speciale, BIA-n serbe, qoftë në marrjen e materialeve, apo në trajnimet e dëshmitarëve për të inkriminuar pjesëtarët e UÇK-së. Ky veprim i Gjykatës Speciale është jodemokratik dhe paraqet shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare.
II
Cilat janë shkeljet kushtetuese dhe ligjore të Gjykatës Speciale?
1. Gjykata Speciale ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës, veçanërisht Kapitullin II për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, duke cenuar prezumicionin e pafajësisë, një nga parimet bazë të së Drejtës Penale Ndërkombëtare.
2. Gjykata Speciale ka shkelur Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe parimet e saj, të cilat u referohen të drejtave të njeriut dhe procedurës së drejtë dhe të pavarur gjyqësore.
3. Gjykata Speciale ka shkelur të gjitha parimet kushtetuese dhe ligjore, duke mbajtur në paraburgim arbitrar dhe të paligjshëm katër pjesëtarët e UÇK-së për më shumë se katër vjet. Arsyetimi i kësaj Gjykate, për vazhdimin arbitrar të paraburgimit, “ për gjoja rrezikun e ikjes së të akuzuarve”, është “arsyetim”, është shpjegim qesharak dhe i paqëndrueshëm, sepse katër pjesëtarët që po gjykohen janë vetëdorëzuar dhe Kosova, edhe në rastin përkatës, është shembulli më i mirë i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare.
4. Gjykata Speciale ka shkelur parimin e “barazisë së palëve” në procedurën penale. Në vend të paanshmërisë në raportet mes Prokurorisë dhe të akuzuarve, ajo haptazi ka anuar në favor të Prokurorisë, duke mbështetur çdo tendencë, çdo veprim të saj për të inkriminuar të akuzuarit dhe duke mohuar e minimizuar provat mbrojtëse dhe shfaqëse të avokatëve të të akuzuarve.
5. Gjykata Speciale ka ndërtuar një sistem piramidal dhe të mbyllur në një ndërtesë të të gjitha institucioneve gjyqësore dhe prokuroriale, duke përfshirë Gjykatën Kushtetuese, Avokatin e Popullit etj. Ky organizim në formë çarku të mbyllur, paraqet “konflikt interesi”, sepse rritë mundësitë e ndikimit në vendimmarrje dhe në pavarësinë e institucioneve brenda kësaj Gjykate.
6. Gjykata Speciale, në vend të parimit të ekonomizimit të procesit gjyqësor, po zhvillon një gjykim maratonik, të panjohur deri më tani në analet e drejtësisë ndërkombëtare. Kjo zgjatje e gjykimit mund të ketë përfitime të larta financiare për gjyqtarët, për prokurorët dhe punonjësit administrativë në Gjykatën Speciale, që tejkalojnë pagat e kolegëve të tjerë në shtetet e tyre.
7. Gjykata Speciale vazhdon të ndërmarrë masa diskriminuese ndaj të akuzuarve, duke mos iu siguruar kushte të përshtatshme për mbrojtjen e tyre, duke ua vonuar dorëzimin e materialeve dëshmitarëve të mbrojtur, si edhe duke vendosur restrikcione të vizitave dhe masa të tjera diskriminuese. Ishte përvojë jashtëzakonisht kundër të drejtave dhe lirive
të njeriut, pra edhe të paraburgosurve, akti i përgjimeve, të cilat i janë bërë Hashim Thaçit nga bashkëbisedimet me vizitorët.
8. Gjykata Speciale ka dështuar të jetë transparente në punën e saj. Shumica e seancave gjyqësore dhe e materialeve janë redaktuar, ka munguar informimi i opinionit të Kosovës dhe përgjithësisht atij shqiptar për ecurinë e procesit gjyqësor, ndërkohë që konferencat e kohëpaskohshme të kryetares Trandafilova kanë qenë të censuruara.
9. Gjykata Speciale nuk ka asnjë monitorim ndërkombëtar të organizatave ndërkombëtare, të cilat monitorojnë respektimin e të drejtave të njeriut në këtë proces gjyqësor.
10. Gjykata Speciale në aspektin profesional nuk përbëhet nga gjyqtarët dhe prokurorët e nivelit të ulët apo të mesëm profesional dhe një pjesë e tyre ka shërbyer në UNMIK dhe në EULEX, me ç’rast, kanë dështuar në proceset e drejtësisë transicionale në Kosovë për çka janë paguar. Ata tani po paguhen për së dyti për të njëjtat çështje për të cilat, më parë, kanë dështuar.
III
Pse aktakuza për të ashtuquajturën “Ndërmarrje të përbashkët kriminale” (NPK) është e pabazë.
Kjo aktakuzë paraqet një konstruksion juridiko-politik, i cili është i paqëndrueshëm në aspektin penalo-juridik për arsyet sa vijon:
1. UÇK-ja nuk ka qenë ushtri e rregullt, por një guerile patriotike e formuar dhe e udhëhequr nga idealistë dhe patriotë të rinj të Kosovës, shumica prej tyre studentë, që nuk janë pajtuar me okupimin dhe me dhunën barbare serbe ndaj popullit paqedashës shqiptar. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka pasur një strukturë komanduese unike dhe të centralizuar, por luftëtarët vullnetarë kanë vepruar në disa zona ushtarake, të cilat kanë vepruar në mënyrë vetjake, pa një sistem të hierarkisë së komandimit.
2. NPK nënkupton ekzistencën e një plani shtetëror të përcaktuar, të dizajnuar, të udhëhequr dhe të financuar nga shteti. Pas UÇK-së nuk ka qëndruar shteti, sepse Kosova ka qenë e okupuar nga Serbia, e cila dhunshëm administronte Kosovën me aparatin e saj represiv të instaluar në Kosovë.
3. Ndërmarrje e përbashkët kriminale ishin ushtria, policia serbe, njësitet paraushtarake, të cilat bënë gjenocid shtetëror në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, i zbatuar me planin gjenocidal “Patkoi” dhe planet e tjera shfarosëse të Serbisë. Udhëheqës dhe zbatues të këtij plani gjenocidal kanë qenë kreu shtetëror dhe ai ushtarak i Serbisë, që janë dënuar nga TPNJ.
4. Lufta e UÇK-së, së bashku me popullin e Kosovës, sipas të gjitha konventave dhe ligjeve ndërkombëtare të luftës, ka qenë luftë e drejtë, mbrojtëse, çlirimtare dhe ka pasur për qëllim largimin e forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova, mbrojtjen e popullsisë civile, të të gjitha etniteteve dhe pavarësimin e Kosovës, pra themelimin e shtetit të Kosovës. Akti, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilit Kosova u shpall shtet i pavarur, në frymën e ligjeve ndërkombëtare dhe të së drejtës së popullit të saj, që në territorin e vet ta shpallë pavarësinë e Kosovës, është dëshmia më e fuqishme se UÇK-ja dhe mbarë populli i Kosovës zhvilluan luftë të drejtë, çlirimtare, vetëmbrojtëse.
5. Aktakuza e Gjykatës Speciale në aspektin politik ka për qëllim dhe tendencë të hapur rishikimin e historisë së lirisë së Kosovës, komprometimin e luftës sonë çlirimtare dhe të shtetndërtimit të Kosovës. Kjo tendencë mund të ketë pasoja të rënda politike në arenën ndërkombëtare, për shtetin e Kosovës, dhe është një presion për kompromise të reja politike në emër të “pajtimit” ndëretnik, të cilin po e imponon Serbia.
IV
Cilat janë dështimet e Kosovës në procesin e Gjykatës Speciale Republika e Kosovës si themeluese e Gjykatës Speciale ka dështuar me sa vijon:
1. Të ofrojë ndihmën e nevojshme financiare dhe juridike për shtetasit e Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë.
2. Të ofrojë prova, dokumente dhe materiale të tjera me qëllim të mbrojtjes së luftës së drejtë, çlirimtare, vetëmbrojtëse të UÇK-së.
3. Të ofrojë garanci shtetërore dhe juridike për lirimin e të akuzuarve nga paraburgimi.
4. Të sensibilizojë komunitetin ndërkombëtar për shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut të përcaktuara me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në rastin konkret të akuzuarve në këtë proces gjyqësor.
5. Të organizojë dhe të financojë shoqërinë civile, mediet, shoqatat profesionale, komunitetin akademik në argumentimin profesional, juridik, politik dhe shkencor të Luftës së drejtë Çlirimtare të UÇK-së.
Prishtinë, më 5 nëntor 2025

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …