BE kundërshton ndryshimet për Specialen, Gruda: Kosova nuk po shkel detyrimet

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim lidhur me ndryshimet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke vlerësuar se ato bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës. Zëdhënësi i BE-së, Christian Wiegand, i ka bërë thirrje Kosovës që të respektojë pavarësinë e Dhomave të Specializuara dhe zotimet e marra lidhur me funksionimin e tyre. “Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe zotimit për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, ka deklaruar Wiegand për Radion Evropa e Lirë. BE-ja ka theksuar se e ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara si institucion të pavarur gjyqësor dhe ka kërkuar që mandati i tyre të respektohet. Ndaj këtij qëndrimi ka reaguar deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, njëherësh një nga përfaqësuesit e partisë që inicioi ndryshimet ligjore. Gruda ka deklaruar se me ndryshimet e miratuara Kosova nuk po i shkel detyrimet e saj ndërkombëtare. Sipas ndryshimeve të miratuara, juridiksioni i Dhomave të Specializuara kufizohet në aspektin e veprave, kohës dhe territorit, ndërsa dënimi maksimal përcaktohet në 15 vjet. Ligji parasheh gjithashtu mundësinë e transferimit të rasteve ose dënimeve në Kosovë. Ndryshimet u miratuan në Kuvend me 88 vota, në një seancë të zhvilluar pak para votimit për zgjedhjen e presidentes së re të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hasani: Zgjedhja e Shiroka-Pulës është kushtetuese, nuk shoh çështje për Gjykatën Kushtetuese

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka deklaruar se zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës në postin …