Brickos

Bedri HALIMI: A po injorohet Ali Hadri nga ASHAK-u

Bedri HALIMI: A po injorohet Ali Hadri nga ASHAK-u

Letër e hapur ASHAK-ut : Përse Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës nuk e boton kompletin e veprave me punimet e akademik Ali Hadrit?

Pa dyshim se për përsonalitetin e akademik Ali Hadrit nuk është shkruar as sa duhet. Deri më tani vetëm Instituti i Historisë së Kosovës ka mbajtur një tribunë shkencore ku janë lexuar 24 kumtesa të historianëve të ndryshëm si: adakemik Marenglen Verli, akademik Kristaq Prifti, dr. Zekeria Cana, dr. Edi Shukriu, dr. Emine Arifi – Bakalli, dr. Fehmi Rexhepi, dr. Drita Gunga, dr. Sulltane Ukaj, dr. Xhelal Gjeçovi, dr. Fazli Syla, dr. Isa Bicaj, dr. Ymer Jaka, dr. Fatmira Musaj, dr. Sabile Keçmezi – Basha, dr. Izber Hoti, dr. Haki Kasumi, dr. Jusuf Bajraktari, Mr. Frashër Demaj, Mr. Qemajl Morina, Mr. Bedri Muhadri, Mr. Arben Arifi, Mr. Mehmet Gjoshaj etj. Këto materiale janë botuar në një libër të veçantë me titull “Ali Hadri – jeta dhe vepra”.

Për të gjallë të Ali Hadrit janë botuar librat: Lëvizja Nacionalçlirimtare në Kosovë 1941 – 1945, Prishtinë 1971; Kritikë historiografike I, Shkup, 1973; Gjakova në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, Prishtinë 1974; Këshillat nacionalçlirimtare në Kosovë 1941 – 1945, Prishtinë 1974, pastaj në gjuhën serbokroate gjashtë libra, në mesin e të cilëva edhe: “Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe epoka e tij”; “Ali Kelmendi (1900-1939)”, Prishtinë 1984. Pastaj 8 libra shkollor. Punime shkencore, artikuj e fejtone që sipas kronologjisë së bibliografisë ky numër arrin në 238, që janë botuar në revista e gazeta të ndryshme, si “Përparimi”, “Rilindja”, “Zani i rinisë”, “Gjurmime albanologjike”, “Fjala”, “Kosova – Kosovo”, “Seminari i kulturës shqiptare për të huaj”, “Horizontet e historisë”, “Studime historike – Tiranë”, “Bota e re” etj. Pastaj 54 punime të ndryshme i janë botuar në “Istorijski glasnik” – Beograd; “Pregled” Sarajevo; “Glas” Beograd; “Kosova – Kosovo”; “Knjizhevne novine” – Beograd dhe në shumë revista të ndryshme shkencore në ish Jugosllavi.

Ndërkaq nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, në vitin 2003 është botuar vetëm një libër me titull “Marrëdhënjet Shqiptare – Jugosllave”, që përmban gjithësej 9 punime që përfshinë 300 e sa faqe. Punimet e botuara janë këto: Historiografia jugosllave mbi shtetin ilir; Përgjigje vrejteve lidhur me tekste historike të njësive “shqiptarët” dhe “marrëdhëniet shqipëtare jugosllave” në enciklopedinë e Jugosllavisë; Vështrim kritik lidhur me “Historinë e Jugosllavisë”; Shqyrtim kritik mbi memoaret e Svetozar Vukmanoviq – Tempos; Vlera e veprës së Dimitrije Tucoviqit “Serbia e Shqipëria”; Pseudoshkenca është e dëmshme; Pseudoshkenca e Bogdanoviqit në shërbim të nacionalizmit; Disa fjalë për përhapjen e islamizmit në Ballkan; Pozita dhe gjendja e Kosovës në mbretërinë e Jugosllavisë (1918 – 1941).

Në edicionin e botimeve të ASHAK deri më tani janë botuar disa libra në lëmi të ndryshme. Shumë nga punimet janë ribotime edhe të autorëve të gjallë, si dhe komplete veprash të autorëve të ndryshëm. Pa dashur për të nënçmuar vlerën e asnjë libri të kësaj Akademie, dua të vë në spikamë, jo vetëm nevojën por edhe domosdoshmërinë që kjo Akademi duhet ta bëjë edhe botimin e disa punimeve historike të Ali Hadrit që do të përfshinin disa libra.

Është e kuptueshme se koha në të cilën ka jetuar dhe vepruar Ali Hadri, e pamundëson botimin e të gjitha punimeve të tija, për shkak se disa i ka shkelur koha, nga se Ali Hadri, brenda këtij arsenali të madh të punimeve, është dashur të shkruaj edhe punime formale, për të munduar të shkruaj punime esenciale shkencore.

Edhe punimet e akademikut Aleks Buda, të botuara brenda 4 librave me punime të përzgjedhura nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, sigurisht nuk i perfshijnë të gjitha punimet, disa nga të cilat i ka shkelur koha. Por ama, Akademia Shqiptare këtë e ka bërë me Aleks Budën.

Ndërkaq Akademia e Shkencave e Kosovës ka bërë mirë që ka botuar komplete veprash të autorëve të antarëve të ndryshëm të saj, si Gazmend Zajmit, etj, kurse kompletin e Fehmi Aganit e botoi tjetër kush, e që para të gjithëve do të duhej edhe këtë gjë ta bënte ASHAK. Por këtë praktikë të botimit të kompleteve (sidomos të autorëve që nuk janë gjallë, si Ali Podrimjes, Gazmend Zajmit etj) duhet ta ndjek edhe ndaj krijimtarisë shkencore të akademik Ali Hadrit.

Në këtë rast si shembuj të shumtë të disa punimeve të Ali Hadrit që do mund të botoheshin do të ishin: “Liria” fletushkë e parë shqipe në Kosovë – Metohi; Arti shqiptar i mesjetës; Disa mendime për shkencën në Kosovës (Bashkë me Idriz Ajetin); Disa çështje nga historia nacionale shqiptare; Diskutime në “Kosova – Kosovo”; Dy çështje nga historia e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut; Epoka e Skenderbeut (disa çështje nga historia e epokes së Gjergj Kastriotit – Skenderbeut; Flamuri kombëtar shqiptar dhe përdorimi i tij i lirë; Gabimi që po i atribuohet (lidhur me kritikat për tekstet shqiptare dhe “Marrëdheniet shqiptare jugosllave” për Enciklopedinë e Jugosllavisë); Gjakova prej themelimit e deri më 1941; Kontribut për ndriçimin e epokës së Skenderbeut; Kontribut për ndriçimin e Lidhjes së Prizrenit (1878 – 1881); Kryengritja e madhe ilire (lufta iliro – romake); Kryengritjet shqiptare në fillim shek XX; Kthesë e rëndësishme në historinë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare; Kultura e shqiptarëve në kohën e mesme; Lidhja e Prizrenit (1878 – 1881) (Disa shkrime); Lidhja e Prizrenit në historiografinë jugosllave; Lidhja e Prizrenit udhëhoqi luftën e popullit shqiptar për autonomi; Luftrat iliro – romake dhe kryengritja e madhe e ilirëve; Lëvizja nacionale çlirimtare në Kosovë 1941 – 1945; Lëvizja Nacionalçlirimtare e Gjakovës; Lëvizja çlirimtare shqiptare në epokën skenderbegiane (6 vazhdime); Ndjekja kundër meje mi gjason aferës së Drajfusit; Në kongresin e drejtshkqimit të gjuhës shqipe; Një komb – një gjuhë letrare; Një ndër të pavdekshmit – Emin Duraku “Qëndresa”; Njëanshmeria e historisë politike (tekst i anatemuar); Pasqyrë e lëvizjes çlirimtare shqiptare në epokën e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut 1443 – 1468; Periodizimi i lëvizjes kombëtare shqiptare; Prijës ushtarak e burrështeti i talentuar (kushtuar 500 vjetorit të Skenderbeut); Rendësia historike e lëvizjes çlirimtare në epokën e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut; Rendësia historike e lëvizjes çlirimtare në epokën e Skenderbeut; Rezistenca e shqiptarëve kundër Turqisë në kohën e Skenderbeut; Rilindja Kombëtare Shqipëtare; Rëndësia historike e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878 – 1881; Rrethanat historike në kohën e kongresit të Manastirit; Rrjedhimi i natyrshëm i lëvizjes kombëtare shqiptare; Simpoziumi i Prishtinës kushtuar 500 vjetorit të vdekjes së Skenderbeut; Specifikat e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës 1941 – 1945; Të kapërcehen dobësitë në lëmin e marrëdhënieve ndërnacionale; Vendi dhe rëndësia e lëvizjes kombëtare shqiptare në historinë e popullit shqiptar etj. Natyrisht për punime të caktuara, redaksia që do t’i përgadiste, do të bënte një koment të zgjegjuar në fillim.

Ali Hadri u anatemua nga sistemi komunist jugosllav antishqiptar. Pra Ali Hadri u anatemua nga titistët. Disa nga këta ish titist ndodhen edhe sot në Akademinë e Shkencave të Kosovës. Ne e dimë si kanë vepruar dje, pavarsisht në e dinë vetë ata se si kanë vepruar dhe sa kanë qenë në nivel të detyrave që i kërkonte koha. Por gjithashtu po e shohim edhe sa e si po veprojnë sot. Është koha që jo vetëm historianët e kësaj Akademie, ta shohin vetën se si po veprojnë sot, dhe a janë vërtet në nivel të detyrës që i kërkon koha e sotme.

Ose më troç: Kush duhet të përkujdeset për krijimtarinë shkencore të akademik Ali Hadrit, nese jo në radhë të parë Akademia e Shkencave të Kosovës?

Sa libra historike ka botuar Akademia e Shkencave të Kosovës? Sa historianë i ka sot brenda vetës Akademia e Shkencave e Kosovës?

Dhe përfundimisht: Vërtetë, përse Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës nuk e boton kompletin me punimet e Akademik Ali Hadrit?

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15. 02.1961 – 20. 04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …