Bedri Halimi: VAZHDIMËSIA E NJËTRAJTSHËMRISË POLITIKE TË AZEM VLLASIT (III)

Lidhur me kërkesën për Republikën e Kosovës

Azem Vllasi thotë se paskan kërkuar Republikë te Titua. Ndërkaq Sonja Biserko thotë:

“Shqiptarët reaguan negativisht në kontestimin e pozitës së krahinave në federatë. Fadil Hoxha, përfaqësuesi i Kosovës në Byronë Ekzekutive të Kryesisë së LKJ, thekson se: askush nuk ka kërkuar që Kosova të jetë Republikë, e as të jetë jashtë Serbisë”. (Kovanje antijugoslovenske zavere, Knjiga I…Sonja Biserko, Beograd, 2006, fq. 17).

Elita serbe, më drejt estabilishmenti serb, në asnjë rast, gjatë shekullit XX, përveç një kohe të shkurtër dy – tri vjeçare, nese mund të mbështetemi te pohimi i Sonja Biserkos: se liberalët serbë, në krye me Marko Nikeziqin e Latinka Peroviqin ishin në gjendje të pranonin statusin e republikës  për Kosovën në Federatën Jugosllave, sepse ishin të bindur që rryma politike për shkëputje të Kosovës jashtë Jugosllavisë, ishte mjaft e fortë, prandaj duhej bërë një zgjidhje parandaluese. (Po aty, fq. 10-13).

Sa i përket mendimit se ngjarjet e vitit 1981, u bënë shkas për të marr hov unitarizmi serb kundër Kosovës, Sonja Biserko thotë: “Koha do të tregoj se çfarë kuptimi dhe roli pati ky grup i profesorëve të Fakultetit Juridik, jo vetëm në kundërshtimin e karakterit federal të Jugosllavisë, por edhe në formulimin e qëllimeve të revolucionit antiburokratik të vitit 1989, i cili e shtyri Jugosllavinë në luftë të përgjakshme”.

Kurse Bajram Kosumi shton: “Për politikën unitariste serbe Kosova është shkas dhe mit i shpërdorur dhe jo qëllimi final. Sigurisht “qëllimi final” i serbëve do të ndodhte më lehtë pa Revolucionin 1981. Ndodhi e kundërta: Revolucioni 1981 u shërbeu shqiptarëve, po edhe të tjerëve, si sllovenëve, kroatëve, muslimanëve dhe më vonë edhe malazezëve për vetdijesim nga rreziku i unitarizmit serb dhe për përgaditje për luftën që po dukej në skenën jugosllave”.

(Bajram Kosumi: Revolucioni 1981, Prishtinë, faqe 372).

Shtypi përendimor në përkrahje të ngjarjeve të vitit 1981

 Gazetat e mëdha si: “Frankfurter Allegemeine Zeitung” e Frakfurtit; ”Die Welt” e Berlinit; “Suddetutsche Zeitung” e Mynihut e shumë tjera, ju dhanë publicitet duke i përkrahur ngjarjet e vitit 1981.

Në Austri gazetat e mëdha si: “Kurier” dhe “Neue Kronen Zeitung”. Shumë shkrime në shtypin amerikan si “New York Times” etj.

Vlen të theksohet se asnjë gazetë e BRSS nuk i ka përkrahur demostratat e vitit 1981. Përkundrazi i kanë quajtur kontrarevolucion, ashtu siç i kanë quajtur edhe protestat e Solidarnostit në Poloni si kundërrevolucionare (Bajram Kosumi: Revolucioni 1981, Prishtinë, faqe 501.

Në raportin nr. 47 të Drejtorisë II, sektori i Evropës Perensimore të MPJ të Shqipërisë me titull “Mbi reagimet e SHBA dhe të disa vendeve perendimore ndaj ngjarjeve të fundit në Kosovë”, të datës 26 qershor 1981, nënshkruar nga ambasadori Nesip Kaçi, jepet një përmbledhje e reagimit të SHBA dhe të disa vendeve perendimore për demonstratat e Kosovës ku thuhet pos tjerash se “perendimi në përgjithësi i kundërvihet qeverisë jugosllave lidhur me problemet themelore që kanë të bëjnë me ngjarjet në Kosovë:

– Nuk pranon versionin jugosllav që i mohon Kosovës të drejtën e ligjshme për të fituar statusin e një republike në kuadrin e federatës me pretekstin se kjo do të qonte në prishjen e kësaj të fundit.

– Hedh poshtë pretendimet e autoriteteve jugosllave se në ngjarjet e Kosovës ka dorë Shqipëria.

– Ve në dukje se shqiptarët e Kosovës janë diskriminuar vazhdimisht dhe u janë mohuar të drejtat e tyre politike e demokratike dhe se kërkesa e tyre kryesore ka qenë gjithnjë shpallja e Kosovës republikë më vete.

– Kritikon faktin se krahina e Kosovës është lënë pas dore për sa i përket zhvillimit të saj ekonomik.

– Vë në dukje se pakënaqësia më e madhe në Kosovë është ajo kombëtare, që ka qenë me të vërtetë kërkesa kryesore në të gjitha revoltat dhe demonstratat e popullit kosovar, së cilës i shtohen kërkesat ekonomike, që së bashku përbëjnë një kombinim shumë të fuqishëm të revoltave kombëtare, ekonomike dhe shoqërore…. (Disa citate  nga S.Syla: Dokumente diplomatike të Qeverisë Shqiptare për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë).

 Pjesë nga shkrimet e Ukshin Hotit për ngjarjet e vitit 1981

Pushteti komunist jugosllav e cilësonte politikisht këtë proces si një rikthim prapa, por e vërteta ishte se ky proces po niste një revolucion nacional dhe demokratik, sepse rrënimi i socializmit jugosllav dhe rrënimi i politikave jugosllave të shtypjes dhe shpërfytyrimit të shqiptarëve në Jugosllavi nuk ishte ‘kthim prapa’ (pra kundërrevolucion), por progres drejtë lirisë nacionale dhe politike, pra revolucion. (Ukshin Hoti: Filozofia politike e çeshtjes shqiptare, Prishtinë, artikulli “Viti ’81 dhe proceset e demokracisë”).

Duket se viti 1981 është nyja, zbërthimi i së cilës, e mundëson lëvizjen e drejtë të gjërave dhe të proceseve. (Filozofia politike e çeshtjes shqiptare, Prishtinë, 1997).

“Demostratat e vitit 1981 e kishin shndërruar individin në qytetar aktiv, i gatshëm për tu vënë në ballë të shoqërisë në lëvizje, në kërkim të progresit shoqëror dhe lirisë” (Po aty).

Madje sipas Ukshin Hotit, viti 1981 është çelësi i shpjegimit të proceseve të mëvonshme demokratike, jo vetëm të shqiptarëve, po të të gjithë popujve (të bllokut socialist) qësynojnë një Evropë demokratike.

 Disa nga “xhevahiret” e deklarimeve të përsonaliteteve politike shqiptare në Kosovë, të cilat i ka demantuar koha, historia…

 Azem Vllasi:

Azem Vllasi, duke folur për ngjarjet e vitit 1981, thotë, se “Në fakt, në Kosovë ndodhi një ‘përpjekje për revolucion marksist – leninist’. (Azem Vllasi: Kosova, fillimi që nuk harrohet, Prishtinë, 2017, faqe 280-282).

Duke folur kundër kërkesës për Republikën e Kosovës, përkatësisht, kundër atyre që po demonstronin për Republikën e Kosovës, për ti paraqitur sa më të egër shqiptarët ndaj kësaj kërkese, Azem Vllasi pos tjerash pati deklaruar në një intervistë për revistën NIN të Beogradit: «sikur të fitonin ata (demonstruesit), do të na pushkatonin ‘po kratkom postupku’». (Bajram Kosumi: Revolucioni 1981, Prishtinë, faqe 281).

Veli Deva:

Veli Deva nuk heziton të thotë se do të kapin pushkët të luftojnë kundër demonstruesve të vitit 1968, e përserit të njëjtën gjë edhe në vitin 1981.

Bajram Kosumi: Revolucioni 1981, Prishtinë, faqe 281.

 Fadil Hoxha:

Pas cilësimit të ngjarjve të vitit 1981 si kundërrevolucionare, gjatë diskutimeve të tij, Fadil Hoxha për 1981-shin kishte thënë edhe cilësime të tilla si: “Bira e minit 300 groshë”; “Plehu i Kosovës”; “As çikë as djalë për armiqtë”; “as në dasëm e as në deke me armiqtë”. (Merxhan Avdyli: Demonstratat e vitit 1981 në vizionin e komunistëve shqiptarë të Kosovës. Kumtesë e paraqitur në Konferencën ndërkombëtare për demonstratat e vitit 1981, e mbajtur në Prishtinë, më 3 qershor 2011).

Fadil Hoxha në fjalimin e tij para inteligjencës së Kosovës të mbajtur më 27 prill 1981:

“parulla për shndërrimin e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës në Republikë, de facto është orientuar ka shkatërrimi i Jugosllavisë”.

 Mahmut Bakalli:

”herdokur do të konfirmohet se në ngjarjet në Kosovë më 1981 kanë qenë të ndërthurur…edhe disa shërbime të Jugosllavisë dhe të botës së jashtme”

 Xhavit Nimani:

Në gazeten “Rilindja” të datës 2 prill, 1981, pos tjerash botohet kryeartikulli nga Xhavit Nimani, në cilësinë e Kryetarit të Kryesisë së KSA të Kosovës, në të cilën për herë të parë për ngjarjet e vitit 1981, e përdorë cilësimin: veprimtari armiqësore me qëllime kontrarevolucionare, për demonstratat dhe e siguron lexuesin se: “kundër veprimtarisë armiqësore do ti ndërmarrim të gjitha masat përkatëse”. (Bajram Kosumi: Revolucioni 1981, Prishtinë, faqe 417).

“Kërkesa Kosova Republikë, projekt dogmatik Stalinist”…

Fadil Hoxha në fjalimin e tij më 3 prill, ashtu edhe Azem Vllasi më 6 maj 1981: është i pari Fadil Hoxha që e thotë akuzën se demostruesit janë të ndikuar nga stalinizmi i Shqipërisë dhe diskuton se komunizmi në Jugosllavi është më liberal e më demokratik se komunizmi në Shqipëri, duke lënë të kuptohet se demonstruesit paskan kërkuar një republikë staliniste në Jugosllavi. Edhe Azem Vllasi pothuajse një muaj më vonë i bie këtij teli: flet se Republika e Kosovës, përveç si projekt nacionalist do të ishte edhe projekt dogmatik, Stalinist…

Kjo hipotezë për propagandë është shfrytëzuar nga shumë politikanë të kohës deri në rënien e monizmit.

Po kështu edhe Stane Dollanc, si Sekretar Federativ i Punëve të Brendshme, sipas Tanjug-ut, më 29 shtator 1981 thekson: “irridentistët shqiptarë tani po e tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë, nuk flasin më për republikë, por thonë Rroftë Enver Hoxha” (M. Vickers, The albanians modern history, 1999, pg. 204.

Kurse Lazar Mojsov, si kryetar i Kryesisë të KQ të LKJ, më 7 prill 1981, lidhur me këto ngjarje e akuzon BRSS-në. Bajram Kosumi: Revolucioni 1981, Prishtinë, faqe 437.

Më vonë Llazar Mojsov tërhiqet nga kjo akuzë.

Vërtet, shtrohet pyetja: kush ka kërkuar dhe në cilën demostratë është kërkuar: Rroftë Kosova Republikë marksiste – leniniste, ose Rroftë Kosova Republikë staliniste, enveriste etj?

Sa i përket marksizmit, kjo ka ekzistuar edhe si lëndë mësimore në të gjitha shkollat e mesme si dhe në të gjitha fakultetet në Jugosllavi. Atëherë është e qartë se nga kush u lansua, nga kush u përdor dhe për cilin qëllim. Është lansuar nga UDB-a dhe u është servuar të gjithë politikanëve në të gjitha nivelet në ish Jugosllavi, e veçmas në Kosovë.

Të gjitha këto akuza kanë një burim, nga shërbime jugosllave dhe kanë një qëllim, që ti denigrojnë sa më shumë para opinionit si brenda ashtu edhe jashtë.

Në vend të epilogut

 Citate nga përsonalitete tjera shqiptare të kohës së atëhershme si: Sinan Hasani, Ali Shukrija, Rrahman Morina, e ndonjë tjetër, nuk e pamë të arsyeshme t’i sjellim, sepse ndaj këtyre përsonaliteteve më vonë do të distancohen edhe Azem Vllasi, Fadil Hoxha, Mahmut Bakalli…, e që gjithsesi paraqet një vijë të madhe ndarëse mes tyre.

Por, mbajtja e qëndrimeve statike për ngjarjet e vitit 1981, të cilat qëndrime tashmë i ka shkelur koha, jo vetëm që nuk i bën nderë historisë, por akterët e tillë nuk i bëjnë nderë as vetes së tyre.

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha: KOSOVA DHE FABRIKA E PRODHIMIT TË ARMËVE

Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha: KOSOVA QË FLET: KRIMET E LUFTËS NË KOSOVË PËRMES DËSHMIVE DHE FAKTEVE I

Sa herë që nis të shkruaj për një temë, qasja ime e parë është gjuha …