Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka hedhur akuza të rënda ndaj qeverisë lidhur me procesin zgjedhor të 28 dhjetorit, duke thënë se shpërndarja e miliona eurove nga buxheti i shtetit ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin e zgjedhjeve. Hamza deklaroi se për muaj me radhë, përfshirë edhe periudhën para zgjedhjeve lokale, janë dhënë qindra miliona euro, të cilat sipas tij janë përdorur për të ndikuar në vullnetin politik të qytetarëve. “Muajve të fundit, edhe para zgjedhjeve lokale janë dhënë qindra miliona euro. Kjo e ka bërë efektin e vet, domethënë përmes parave publike është ndikuar në vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Kjo dhe shumë faktorë kanë ndikuar që e kemi këtë rezultat”, tha Hamza. Ai paralajmëroi gjithashtu për pasoja serioze ekonomike dhe financiare nëse vazhdon situata aktuale politike, duke theksuar se vendi rrezikon të futet në një bllokadë financiare. “Me këtë qeverisje dhe me këtë papërgjegjësi, Kosova mund të përballet me pamundësi për ekzekutimin e pagave dhe obligimeve bazike shtetërore”, shtoi Hamza. Deklaratat e tij hapin debate të reja për legjitimitetin e procesit zgjedhor dhe mënyrën e përdorimit të fondeve publike gjatë fushatës, ndërsa institucionet përgjegjëse ende nuk kanë reaguar ndaj këtyre akuzave.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
